Tryeza për drejtësinë/ Debati me dyer të mbyllura, Presidenti përplaset me mazhorancën: Reforma, e njëanshme

0
26

Gëzim Saliu

nishani dhe tryeza e reformesNishani: Përfaqësuesi i Presidentit s’është thirrur asnjëherë te komisioni i posaçëm. Xhafaj: Shihni kronikat televizive, ka pasur apo nuk ka pasur përfaqësues të kreut të shtetit

Tryeza e radhës për reformën në drejtësi ka sjellë debate mes kreut të shtetit, Bujar Nishani, dhe përfaqësuesve të mazhorancës. Në një mbledhje të zhvilluar me dyer të mbyllura, ku merrnin pjesë Presidenti i vendit, ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin, palët e interesuar si edhe përfaqësues të EURALIUS, Nishani shprehu një sërë kritikash ndaj shumicës qeveritare e cila sipas tij po bën një reformë të njëanshme në sistemin e drejtësisë. Për Presidentin, i cili mban edhe postin e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, fakti që reforma do të shoqërohet me ndryshime kushtetuese bën që pjesëmarrja e opozitës në të është e domosdoshme. “Me keqardhje kam vërejtur se tryezat e mëpasme nuk kanë qenë ngushtësisht tematike dhe gjerësisht përfshirëse. Ato kanë qenë tryeza formale, ku palët politike, aktorët e drejtësisë dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë nuk kanë pasur mundësinë të japin mendimet konkrete, për të vendosur në lidhje me prioritet, në mënyrë që të hartoheshin objektivat përkatëse për çdo prioritet dhe për të vazhduar më tej me zbërthimin e tyre në masa konkrete ligjore dhe nënligjore. Kam konstatuar me keqardhje që reforma po zhvillohet në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, pa përfshirjen e opozitës. Kam bërë thirrje që palët politike të gjejnë gjuhën e përbashkët përmes dialogut politik dhe të orientohen në realizimin e kësaj reforme të rëndësishme, e cila medoemos duhet të jetë konsensuale”, – tha kreu i shtetit.

 

Kritikat

Në fjalën e tij në tryezë, Presidenti akuzoi mazhorancën se nuk ka thirrur asnjëherë përfaqësuesin e kreut të shtetit në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi. “Ky Komision asistohet nga një grup ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë dhe që në mbështetje të Komisionit dhe grupit të ekspertëve është ngritur një Sekretariat, në të cilin sipas kërkesës së Komisionit të Posaçëm, edhe Institucioni i Presidentit të Republikës ka dërguar përfaqësuesin e vet, por që nuk rezulton të jetë ftuar ndonjëherë. Jam vënë në dijeni në lidhje me përbërjen e këtij Komisioni, të grupit të ekspertëve dhe të faktit që, opozita e ka bojkotuar pjesëmarrjen në këtë Komision pasi nuk është dakordësuar me përbërjen dhe mënyrën e organizimit të punës nga ana e Komisionit”, – deklaroi Nishani. Nga ana e tij, kreu i komisionit të posaçëm parlamentar, socialisti Fatmir Xhafa, replikoi me kreun e shtetit në përfundim të takimit, ku tha: “Nuk jam personi që jam i autorizuar të komentoj diskutimet që bëhen në një tryezë pune. Sa i përket a kam pasur përfaqësues të Presidentit në tryezë, më vjen keq që e bëni këtë pyetje. Hapni kronikat tuaja dhe do ta shihni, ka pasur apo nuk ka pasur. Nuk i përkas atij grupi që flasin përmes retorikës politike”. Ndërkaq, Presidenti në takimin për drejtësinë nuk nguroi të shprehte rezerva lidhur me miratimin e ligjeve në mënyrë të përshpejtuar, për të cilët tha se ka pasur kritika edhe nga Bashkimi Evropian. “Vazhdohet me praktika të tilla që miratohen ndryshime ligjore të përshpejtuara, pa u konsultuar me Komisionin e Venecias, si rasti i ndryshimeve ligjore në lidhje me Gjykatën e Lartë. Kjo nismë erdhi në një kohë që Gjykata e Lartë është pjesë e paketës të reformës në drejtësi dhe në një kohë kur Kuvendi pretendonte që në 6 muaj Komisioni i Posaçëm të kishte përfunduar punën e tij për analizimin e gjendjes aktuale të sistemit të drejtësisë, hartimit të dokumentit strategjik për objektivat e reformës në drejtësi, si dhe propozimin e një pakete ligjesh, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese”, – tha ai.

 

Qëndrimi i PD-së/ Halimi: Pa dekriminalizimin e Kuvendit s’mund të bëhet reforma në drejtësi

Deputet i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, deklaroi dje se “nuk mund të miratohen ligje drejtësie me kartonë deputetësh që kanë rekorde kriminale”. Në këtë kontekst ai kërkoi që opozita të ketë bashkëdrejtim në Komisionin e Drejtësisë, ndërsa theksoi se mazhoranca nuk i ka kthyer ende përgjigje PD-së për firmosjen e paktit për heqjen nga lista të deputetëve të inkriminuar. “Kemi qenë dhe jemi në pritje të një përgjigje nga mazhoranca lidhur me propozimin e opozitës për të pasur një barazi dhe bashkëdrejtimin, pas pasur në asnjë moment të drejtën e vetos. Qëllimi ynë është vetëm që ligjet për sistemin e drejtësisë të bëhen transparente, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare dhe të jenë në shtratin e rrugës evropiane, dhe jo në rrugën e shkurtër”, – u shpreh Halimi.

 

Dekriminalizimi/ Meta: Mirëpresim çdo propozim. Balla: Pakti i PD-së, largim nga drejtimi i duhur

Dy ditë pasi opozita bëri të ditur ofertën e saj për një pakt për dekriminalizimin, mazhoranca e cilëson nismën si jo “në drejtimin e duhur”. Nënkryetari i Komisionit për Dekriminalizimin, socialisti Taulant Balla, tha se PD e refuzoi draftin e paraqitur në seancë nga mazhoranca. “Nuk jam në dijeni të asnjë kërkese apo një propozimi të tillë. Çdo gjë duhet bërë në përputhje me ligjin dhe në qoftë se duhen bërë ndërhyrje në ligj, ajo gjë duhet bërë. Ju e dini që një ditë përpara se të skadonte regjistrimi i kandidatëve për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mazhoranca ka dhënë një përgjigje të qartë për të bërë ndërhyrje në ligj që të lehtësonte rolin e KQZ-së në këtë proces. Nuk u arrit konsensusi me opozitën dhe natyrisht që bërja transparente në fund të fundit e së kaluarës së çdo përfaqësuesi publik është një gjë shumë pozitive sepse kemi të bëjmë me zgjedhje, nuk kemi të bëjmë thjesht me një proces emërimi dhe janë qytetarët ata që votojnë. Së dyti, për të ardhmen duke filluar nga ky moment, jemi të hapur për çdo veprim me karakter ligjor që i shërben një procesi serioz, të besueshëm, ligjor edhe me integritet”, – tha ai. Ndërsa Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i pyetur lidhur me këtë çështje, tha dje: “Nuk kemi draft, por mirëpresim çdo propozim ligjor. Jemi gjithnjë të hapur për çdo iniciativë. Çdo propozim duhet të jetë në bazë të ligjit”. Dy ditë më parë deputeti i PD-së, Bylykbashi, bëri me dije se Partia Demokratike ka propozuar nënshkrimin e një pakti që do të mundësojë verifikimin e kandidatëve largimin menjëherë nga gara të atyre emrave që kanë rekorde kriminale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here