Përplasja për numëruesit e votave/ Përfaqësuesi i PDIU-së fyen Luzin: Vendim fshataresk. Kryetarja e KQZ-së thërret security-n: Jashtë!

0
118

Gëzim Saliu

Luzi therret securityPërjashtimi i PDIU-së nga numërimi i votave përçan marrëdhëniet mes partisë së drejtuar nga Idrizi dhe aleatëve të mazhorancës PS dhe LSI: Nuk na mbështetët, s’numëroni ju votat tona

Vendimi i marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përjashtimin e PDIU-së nga grupet e numërimit të votave solli debate të forta në mbledhjen e djeshme të institucionit më të lartë zgjedhor, ku nuk munguan përplasjet mes përfaqësuesit të partisë së drejtuar nga Shpëtim Idrizi dhe kryetares së KQZ-së, Lefterie Luzi. Përfaqësuesi i PDIU-së, Gazmend Osmani, forcë e cila në këto zgjedhje është pjesë e koalicionit të mazhorancës, tha se vendimi i marrë nga KQZ-ja ishte i padrejtë. Në debat e sipër, Osmani fyeu kryetaren e KQZ-së, duke e cilësuar vendimin e marrë prej saj si “fshataresk”. Kjo deklaratë e përfaqësuesit të PDIU-së solli tensionimin e mëtejshëm të debatit mes palëve, ku Luzi kërkoi largimin e Osmanit nga salla e mbledhjes.

 

Debati

Përfaqësuesi i PDIU-së, Gazmend Osmani, dhe kryetarja e KQZ-së, Luzi, shkëmbyen replika të ashpra në mbledhjen e djeshme të institucionit më të lartë zgjedhor duke kaluar deri në fyere mes palëve. Tensioni në sallë arriti kulmin kur pas përplasjes së tavolinës nga përfaqësuesi i PDIU-së, Luzi kërcënoi se do të thërrasë “security”-n dhe ndërpreu seancën 10 minuta, duke kërkuar që të lihen ofendimet. Ndërkohë në fillim të mbledhjes, Osmani tha se vendimi i marrë nga KQZ nuk ishte logjik. “Nisur dhe nga praktika dhe nga rasti i djeshëm që tri vendimmarrje i revokuat, njëherë votuat 6 me 1, njëherë 5 me 2 dhe pastaj 4 me 3, që s’është parë ndonjëherë, shpresoj ta revokoni dhe këtë vendimmarrje dhe të respektoni dispozitat e Kodit Zgjedhor. Keni marrë citate dhe citime të miat – prandaj ju thashë dhe të mos i merrni ato – dhe t’i përdorni për logjikën tuaj komplet absurde dhe fshatareske për mendimin tim, në lidhje me vendimmarrjen”, – tha ai. Më tej ai theksoi se PDIU-ja kërkon numëruesin e tretë ose të katërt. “Ne jemi në koalicionin Aleanca për Shqipërinë Evropiane dhe KQZ-ja duhet të merrte vendim që shortin ta hidhte midis nesh dhe partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, si pjesë e mazhorancës. Vendimmarrja ishte absurde dje, ishte totalisht e palogjikshme”, – theksoi Osmani. Nga ana e saj, Luzi duke e konsideruar fyerje fjalën “fshatareske” si edhe të padrejtë tonin e zërit të përfaqësuesit të PDIU-së tha se, “Mbaj gojën se unë lajmëroj security-n dhe dal përjashta”. Vendimi i marrë dje nga KQZ me votat e anëtarëve të propozuar nga e djathta si edhe të kryetares së KQZ-së bëri të mundur që numëruesi i tretë në grupet e numrit të votave të jetë LSI dhe numëruesi i katërt PR-ja, ku të parë dhe të dyta janë PS dhe PD. Por sipas të majtëve duhej hedhur shorti mes PR-së dhe PDIU-së meqenëse kjo forcë doli si e djathtë nga zgjedhjet e përgjithshme të 2013-ës . Ndërkaq të djathtët argumentuan se kjo forcë politike tashmë është në koalicion me të majtën dhe në rast se do përfshihej në grupet e numërimit, raporti do ishte 3-1 në favor të koalicionit mazhoritar, pra nga njëra anë PS, LSI dhe PDIU e nga ana tjetër vetëm PD.

 

Debati në KQZ

Gazmend Osmani (Përfaqësuesi i PDIU-së): Dua të parashtroj diçka në lidhje me vendimmarrjen komplet absurde që morët dje. Do më masësh dhe kohën ti?! Për procedurë zbatoje rregullin tek vetja më pas tek unë.

Lefterie Luzi (kryetarja e KQZ-së): Do më dëgjosh mua. Për çështje jashtë rendit të ditës 5 minuta.

Përfaqësuesi i PDIU: Ka të bëjë me vendimmarrjen alogjike, absurde që keni marrë dje. Megjithatë duke shpresuar nisur nga rasti që dje revokuat tri vendimmarrje të revokoni dhe vendimmarrjen e djeshme… Keni marrë citate ti përdorni për logjikën tuaj komplet absurde e fshatareske për mendimin tim.

Lefterie Luzi: Mbaj gojën se unë lajmëroj security-n dhe u nxjerr jashtë, ka kod etike që duhet ta respektosh, nuk ju kam ofenduar asnjëherë.

Përfaqësuesi i PDIU: Lajmëro kë të duash. Këtë vend s’ma ke dhënë ti. Jam garant i një subjekti. Kodin e Etikës po e respektoj më shumë sesa e respektuat ju dje.

Lefterie Luzi: Ke të drejtë të ankohesh në Kolegj Zgjedhor.

Përfaqësuesi i PDIU: O zonja kryetare, po flas unë tani jo, ju (i bie tavolinës me dorë).

Lefterie Luzi: Të lutem lajmëroni security-n, mbledhja ndërpritet 10 minuta.

Përfaqësuesi i PDIU-së: Mbledhje ju nuk bëni pa vendosur në vend atë që është jo ligjore.

Rinis mbledhja pas 10 minutash

Përfaqësuesi i PDIU: Mos bini pre e vendimmarrjeve me sms, zbatoni Kodin se për atë punë jeni garant i atij kodi dhe asaj karrige që keni.

Lefterie Luzi: Është bërë vendimi i zbardhur i shkurtuar.

Përfaqësuesi ligjor i PDIU: Ju nuk keni marrë vendim dje duhet të merrni vendim sot në lidhje me atë propozim.

Lefterir Luzi: Ne e kemi mbyllur vendimin dje.

Përfaqësuesi ligjor i PDIU: Keni propozuar një gjë tre herë dhe është votuar në 3 mënyra të ndryshme. Vendimin merre në gjykimin tuaj të ftohtë pa iu referuar mesazheve.

Lefterie Luzi: Vazhdojmë me mbledhjen.

Përfaqësuesi ligjor i PDIU: Jo nuk do vazhdoni pa vendosur për propozimin tim.

Lefterie Luzi: Mund të citosh çfarë të duash.

Përfaqësuesi ligjor i PDIU: Jo, nuk jam si puna juaj që citoj të tjerë.

 

Kandidati i Këlcyrës/ PD: Arsyet pse tërhoqëm Mehmetajn. Avokati: Ka qenë kryetar komune, ka certifikatë të pastër

Partia Demokratike bëri të ditur dje për herë të parë arsyen përse u tërhoq nga kandidati i saj në Këlcyrë, Gentian Mehmetaj. Përfaqësuesi i demokratëve në KQZ, Ivi Kaso, deklaroi se forca e tij politike ka dyshime të arsyeshme për të shkuarën e tij. “Në rastet kur kandidatët nuk i përgjigjen kërkesës së koalicionit për verifikimin e së kaluarës së tyre, atëherë kandidatët automatikisht në atë moment humbasin mbështetjen e koalicionit, që i ka propozuar, siç është edhe ky rast”, – tha ai. Ndërkohë, avokati i ish-kandidatit Mehmetaj theksoi: “Nuk mund ta quajmë një person të inkriminuar, kur ai person ka paraqitur prova, për të cilat besoj se edhe përfaqësuesi duhet të jetë në dijeni dhe për t’ia lehtësuar punën KQZ-së mundem edhe t’ia paraqes certifikatën origjinale. Janë plotësuar afatet, është shfaqur vullneti, ajo parti e ka shfaqur vullnetin për ta emëruar atë kandidat, por nëse ndryshon vullneti 3 ditë përpara zgjedhjeve, kjo nuk është çështjejona”. Më tej, ai tha se Mehmetaj është verifikuar një herë, edhe kur është zgjedhur kryetar aktual i një komune në Përmet. Nga ana e saj kryetarja e KQZ-se Luzi pohoi: “Ne kemi deklarata publike, kemi edhe një akt zyrtar. Duhet të marrim përsipër të veprojmë përballë deklaratave apo akteve zyrtare?” Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë verifikimin e institucioneve shtetërore për të kaluarën e Gentian Mehmetajt për të vendosur më pas nëse do të bëjë apo jo çregjistrimin e tij.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here