Përdhunimi i (pu)shtetit!

1
39

Nga Nebil Çika

Nga Nebil ÇikaNjë mësues është arrestuar se ka përdhunuar nxënësen e tij minorene. Lajmi që ka tronditur opinionin publik nuk është një risi, por një rast më shumë në natyrën dhunuese të administratës shtetërore që ka shoqëruar në afro një vit qeverisjen e Rilindjes Rama- Meta.

Them që nuk është rasti i parë, pasi disa nga këto histori horror opinioni i ka mësuar nga media, ndërkohë që dhjetëra të tjera ngelen të padenoncuara nga frika e viktimave prej zyrtarëve përdhunues apo edhe nga mentaliteti konservator, sidomos në zonat rurale shqiptare.

Kohë më parë u denoncua nga media një përpjekje e turpshme për pedofili nga sekretari i një prej njerëzve më të rëndësishëm të pushtetit të Rilindjes, deputetit të Vlorës Koço Kokëdhima, i cili u përpoq të shfrytëzonte detyrën dhe lidhjen me pushtetin politik të plotësuar dëshirat e tij perverse.

Dje, në ditën e arrestimit të mësuesit pedofil e përdhunues ish-drejtoresha e tij e Arsimit në Lushnjë, e arrestuar kohë më parë, midis të tjerash edhe për sigurimin e favoreve seksuale drejtuesve të lartë të qeverisë dhe partisë së saj në pushtet duke shfrytëzuar për këtë mësueset e reja në këmbim të vendit të punës apo ruajtjes së tij, doli para gjykatës dhe rrezikon të dënohet me 9 vjet burg. Për të gjitha këto ajo shfrytëzonte pushtetin që i kishin dhënë shefat e saj politikë në Tiranë. Ka edhe dhjetëra raste të tjera, por këto që thamë janë të mjaftueshme për të kuptuar situatën në të cilën ndodhet vendi dhe veçanërisht arsimi shqiptar.

Disa ditë më parë, në Parlament u diskutua ligji për arsimin ku opozita dhe sidomos deputeti socialist Ben Blushi ngriti shumë probleme për këtë sektor nga më problematiket në qeverisjen socialiste. Ai vuri gishtin te politizimi i arsimit dhe përdorimi i mësuesve si militantë partiakë, gjë që çon në degjenerimin e arsimit për të cilat rastet që thashë më lart flasin vetë.

Ajo që duket problem i madh në këtë hall të madh të shqiptarëve me përdhunuesit e pushtetit është pa dyshim pandjeshmëria apolitike ndaj fenomenit. Deputeti Kokëdhima nuk pati asnjë kosto politike, edhe pese i besuari i tij i parë në Sarandë u kap me presh në dorë, duke përdorur pushtetin e dhuruar nga deputeti për të konsumuar një vepër të rëndë penale e morale. Ministrisë së Arsimit nuk iu prek qime, edhe pse drejtoresha e Arsimit të Lushnjës u përfshi në skandal të madh financiar dhe të abuzimit me pushtetin. Zyrtarët dhe politikanët që kishin përfituar favore seksuale të siguruar me dhunën e pushtetit të drejtoreshës jo vetëm që nuk u penalizuan as politikisht e as juridikisht, por emrat e tyre iu fshehën publikut, edhe pse institucionet e drejtësisë i kanë në dispozicion provat dhe përgjimet e policisë.

Akuzat për përdhunime femrash kanë mbërritur deri në Kuvend. Z. Berisha ka akuzuar dhe vazhdon të akuzojë në çdo seancë parlamentare deputetin socialist Taulant Balla se ka tentuar të përdhunoje një grua, duke pretenduar se ka prova e dokumente për këtë. Z. Balla nuk i ka pranuar akuzat, por çuditërisht nuk i është drejtuar drejtësisë për akuzat e Berishës, megjithëse e ka bërë një gjë të tillë edhe për akuza më të lehta, gjë që e ka bërë të besueshme akuzën e ish-kryeministrit në opinionin publik.

Vite më parë, kur gjysma e qeverisë aktuale ishte në opozitë, kandidati i qeverisë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, terrorizoi BE-në kur mashtroi eurodeputeten Tanja Fajon për një histori horror të sajuar me ish-të fejuarën e kryetarit socialist të Bashkisë Kavajë që pretendonin se i kishte hequr fëmijën nga barku. Nuk e di nëse znj. Fajon apo politikanë të tjerë të BE-së janë njoftuar për rastin e sotëm te një fëmije 9 vjeç nga mësuesi i saj i administratës së Rilindjes, a e ka bërë z. Veliaj këtë meqë ky është një realitet dhe jo një trillim si në rastin e Kavajës.

Gjithsesi, mendoj se përdhunimi i pushtetit është më shumë se një rastësi, është një frymë historike e së majtës shqiptare, që instalohet sa herë merr pushtetin dhe shoqëron pushtetin e saj në vazhdimësi. Një pushtet i marrë me përdhunim në bashkëpunim me krimin synon e prodhon vetëm përdhunim dhe perversitet. Shqiptarët pa dallime politike janë sot para faktit të kryer. Sot viktima ishte fatkeqja nga Lushnja nesër mund të jetë fëmija i çdonjërit prej nesh. Por mendoj që ka ende mundësi reagimi. Midis gjithë këtij dëshpërimi popullor zgjedhjet lokale mund të jenë një mundësi për ta frenuar përdhunimin e pushtetit, duke u kthyer mbrapsht pikërisht ato një milion shuplaka (vota) që e morën me përdhunë e para dy vjet më parë.

1 COMMENT

  1. Ke mbetur i ndershem dhe i nderuar, sic ke trasheguar edhe emrin…
    Ajo shoqeri i ka te huaja parimet rilindese, qe u trupezuan ne vitet ’30, pasi ende vazhdon gjoja lufta mes grupeve komuniste…
    Dhe Nebil Cikes i duhet te jete po ai, serish!
    Nderime…
    Torontiani

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here