Në Lezhë e Shënkoll/ Rama: Flamurin e PD-së mbajeni tek shtëpia, por vota zgjedh, të kesh ujë ose të rrish pa ujë

0
158

Gëzim Saliu

rama Në Lezhë e Shënkoll“Më parë në Shënkoll ujiteshin vetëm rreth 2 mijë hektarë, ndërsa ne në 18 muaj e kemi çuar sasinë e tokës që ujitet 6 mijë e 200 hektarë”

Kryeministri Edi Rama vazhdoi dje turin e tij ta takimeve elektorale në kuadër të garës për zgjedhjet vendore ku u nda në Lezhë dhe më pas në Shënkoll. Në prezantimin e kandidatit të majtë për këtë Bashki, Viktor Tushe, Rama u bëri thirrje demokratëve që të votojnë për të, pasi sipas kreut të qeverisë, vetëm në këtë formë mund të sigurojnë mirëqenien e tyre. “Kush është ai që është me PD që ka tokën e vetë dhe nuk ka mundësi ta punojë se nuk ka ujë dhe është gati që t’ia japë votën kandidatit të djathë dhe të rri vetë pa ujë dhe pa tokë? Le të jetë me PD, por votën s’ka pse ja jep PD-së. Flamurin le ta mbajë tek shtëpisë, por shtëpisë së vetë le t’i jap mundësi që të bëjë lekë me tokën, duke i dhënë Viktorit votën. Saliun le ta mbajnë mbret, punët i bën Viktori. Na kanë dalë disa pronarë këtu që kanë shumë baçe shtëpish. Ore kjo punë kështu është; gjete budallenj, dhe e bën këtë punë, por ju s’jeni të tillë. Nuk ka pasur ndonjëherë zgjedhje kaq të qarta. Keni votuar 25 vjet për kryetarin e Komunës këtu. Këtë që keni e keni mbajt 12 vjet. Çfarë ka bërë ai për ju?”, – pohoi Rama. Më tej, kreu i qeverisë theksoi se vota e 21 qershorit për fshatin është e rëndësishme pasi vendos sipas tij për nevojat e domosdoshme të votuesve të cilët tashmë do të jenë pjesë e një bashkie të madhe. “Me votën time kam mundësi të zgjedh, o të kem ujë, ose të rri pa ujë. O të vazhdojë të rri duke parë nga qielli, oh Zot hidh ujë ose të kem në krah qeverinë që më mbështet për të hap kanale kulluese dhe vaditëse. Ça zgjedhje bën? Kur vota nuk është letër kot, e as biletë për të shkuar në stadium, për të parë ndeshjen PS-ja me PD-në, por çështja më me vlerë. Shihni legalizimet. Po të ishim njësoj ne, ju do ishit prapë njësoj”, – tha Rama.

 

Takimi

Në Lezhë Aleanca për Shqipërinë Evropiane zhvilloi një forum ekonomiko-bujqësor nga ku prezantoi programin dhe vizionin për bujqësinë. Sipas kreut të qeverisë, reforma territoriale i ka kthyer bashkitë e reja në njësi të zhvillimit ekonomik ku bujqësia do të marrë një vëmendje të veçantë. Në këtë kontekst, Rama tha se qeveria është zotuar që do rimbursojë TVSH-në e inputeve bujqësore, por kjo do të ndodhë sipas tij vetëm pas prodhimit. “Ne nuk do të japim parapagim, me demek heqje TVSH-je duke stimuluar korrupsion, kontrabandë, informalitet. Kemi provuar se duke rimbursuar TVSH-në e grumbulluesit kemi siguruar çmime shumë të kënaqshme për prodhuesit. Stimulimi i sipërmarrjes është stimuli i një organizimi në rrjet interesi dhe në një zinxhir vlerash që fillojnë në momentin kur hidhen farat nga fermeri. Falë kësaj politike fermeri e ka të siguruar prodhimin, shitjen e tij, sepse është grumbulluesi që e merr bazuar në kontratën midis tyre”, – u shpreh Rama, i cili shtoi se kjo skemë e kthen familjen fermere në një biznes të vogël. Në takimin në Shënkoll, Kryeministri tha se tashmë për këtë zonë rreth 6200 hektarë janë nën ujë dhe kanë mundësi të vaditen. Duke akuzuar qeverinë e kaluar se në këtë zonë rreth 93 për qind e tokave ishte lënë djerr, Rama premtoi para banorëve të bashkisë më të re se ata do kenë ujë për vaditje. “Në vetëm këto muaj ne e kemi çuar sasinë e tokës që ujitet 6 mijë e 200 hektarë. Ne për 18 muaj e çuam nga 1200 në 6200. Që do të thotë se në 4 vitet e ardhshme, me Viktor Tushën do bëjmë të mundur që këtë shifër ta trefishojmë”, – deklaroi ai.

 

Kandidati i majtë/ Veliaj prezanton programin për Tiranën e pastër: reduktojmë trafikun, shtojmë gjelbërim

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Tiranës Erion Veliaj,duke iu referuar shifrave të fundit për ndotjen e mjedisit në vend , te dorëzuara nga Ministri i Mjedisit shpalosi programin e tij për një Tiranë më të pastër. Veliaj theksoi faktin se nuk mund te jemi me një vend me një ndotje 50 herë më të lartë se normat e lejuara nga Bashkimi Europian. “Pikat e programit kundër ndotjes mjedisore:  – Reduktojmë trafikun, promovojmë përdorimin e mjeteve alternative të transportit dhe shtojmë sipërfaqet e gjelbra; – Garantim i pastërtisë së rrugëve dhe hapësirave publike; – Mbledhje e mbeturinave në oraret me më pak lëvizje; – Vendosja e detyrueshme e sistemeve të filtrimit; – Ndërtim i një impianti për përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve; – Pastrim nga mbetjet i lumenjve në territorin e Tiranës; – Ndërtim i një impianti modern për përpunimin e ujërave të zeza”. Po ashtu në këtë takim, Veliaj nuk nguroi të rishprehte akuzat nga kreut të opozitës Basha, i cili sipas tij në 4 vite nuk ka bërë asgjë përveç faktit se ka dhënë leje ndërtimi për veten e tij. “Një kryetar bashkie që jeton tërë kohën në Hollandë, vjen në Shqipëri si turist dhe kur vjen ka vetëm dy arsye: ose t’i japë leje ndërtimi vetes së tij duke shtuar ndotjen e duke rritur betonizimin e qytetit ose të thërrasë ‘te sheshi te sheshi”, deklaroi kandidati i majtë.

 

Në Himarë/ Bashkia, ndërhyrje në rrjetin e ndriçimit publik, donacion për ekipet e moshave të sportit

Bashkia e Himarës zëvendësoi dje në Shkallë dritat e dëmtuara te ndriçimit publik, duke krijuar një ambient te favorshëm si për zhvillimin e turizmit ne prag te sezonit te ri turistik ashtu edhe për komunitetin. “Ndërhyrja ne rrjetin e ndriçimit publik do te vazhdoje edhe në Qendra të tjera banimi dhe turistike për te krijuar një situate tjetër mese normale”, – tha kreu i Bashkisë Jorgo Goro. Ndërkaq dje në Himarë në kuadër të një donacioni nga Italia, ekipet e moshave të sportit morën materiale sportive. Këto të fundit u dhuruan ashtu si vitin e kaluar nga një banor i ri i Himarës, z. Gentian Koci. “Genti vjen çdo vit me miqtë e tij nga Arco një qytet i vogël ne Veri te Italisë t’u dhuroje fëmijëve himarjote te të gjitha sporteve, materiale sportive aq shume te nevojshme”.

 

Kryebashkiaku i Vlorës/ Gjika: Po Era çfarë gabimi ka bërë që se ftuat për 1 qershor apo edhe ajo e korruptuar?

Kryebashkiaku aktual i Vlorës Shpëtim Gjika u ndje dje i fyer në ditën e 1 Qershorit, sepse vajza e  tij të vogël nuk e  kishte ftuar askush në aktivitetin e organizuar me rastin e festës. Përmes një statusi në facebook për të shprehur zemërimin e tij, Gjika ironizoi duke shkruar: “Po Era çfarë gabimi ka bërë që nuk e ftuan në festën e 1 Qershorit te Parku Rinia këtë vit? Apo edhe Era është e korruptuar dhe ka administruar keq?!”.

Drejtoria Arsimore e Vlorës kishte përzgjedhur më parë nxënësit e shkollave për të qenë pjesë e paradës për festën, ndërsa sipas njoftimit të Gjikës, vajza e tij duket se nuk është bërë pjesë e këtij aktiviteti. Që prej përballjeve gjyqësore, raportet e Gjikës me mazhorancën e majtë kanë pësuar një krisje të thellë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here