Hetimi i SHKB-së/ Arrestohet komisari i policisë, spiunonte operacionet sekrete

0
35

 

Artan Cena

Abaz LalaAbaz Lala, shef i Krimeve të Rënda në Policinë e Elbasanit, njëkohësisht zv.shef i komisariatit të këtij qyteti, nuk ka hetuar një plagosje, ndërsa ka një bar-kafe që sipas ligjit nuk lejohet

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme arrestoi komisar Abaz Lalën, me detyrë shef i Policisë Kriminale dhe zëvendësshef i Komisariatit të Policisë Elbasan. Arrestimi i Lalës u krye në zbatim të ekzekutimit të vendimit, “Arrest me burg” të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan. Lala ishte në hetim prej katër muajsh dhe sipas njoftimit zyrtar, është provuar se Komisari ka konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Ai akuzohet se merrte para në mënyrë të vazhdueshme nga pronarët e pikave të basteve, sepse i njoftonte ata në lidhje me operacionet sekrete për kontrollin e ambienteve dhe lokaleve që ushtronin këtë aktivitet.

 

Vendimi i gjykatës

Gjykata e Elbasanit ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Zëvendës Shefin e Komisariatit të Policisë Elbasan, Abaz Lala, i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Në bazë të vendimit të gjykatës, shtetasi Lala, i cili mban gradën “Komisar” është arrestuar mesditën e së mërkurës nga ana e forcave të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme të Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë, po me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për shtetasin Fatjon Susaj, me funksion oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Elbasan, i akuzuar për “shpërdorim detyre”, pasi, nga hetimet paraprake, dyshohet se, nën urdhrat e zëvendësshefit të Komisariatit, nuk ka raportuar raste të shkeljeve të ligjit.

 

Lojërat e fatit

Gjithashtu zëvendësshef i komisariatit të Policisë së Elbasanit, Abaz Lala, dyshohet se favorizon subjekte të ndryshme në aktivitetin e lojërave të fatit, aktivitet i cili kryhet në kundërshtim me ligjin. Ai kërkon dhe merr nga këto subjekte shuma të konsiderueshme parash, në këmbim të mosraportimit të tyre. Nga të dhënat rezulton se kjo veprimtari kriminale, ka një shtrirje kohore të gjatë dhe është e mirë-organizuar nga funksionari i Policisë së Shtetit.

 

Plagosja e pahetuar

Në datën 8 shtator 2014, në qytetin e Elbasanit, në vendin e quajtur pranë kryqëzimit të Cërrikut, ka ndodhur një ngjarje kriminale, ku qytetari me inicialet A. D., është goditur me thikë nga disa persona. Dëmtimet e tij kanë rezultuar të rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit. Nga ana e Komisariatit të Policisë Elbasan, megjithëse është marrë njoftim për ngjarjen dhe janë kryer veprimet e para, janë shoqëruar të dyshuarit në ambientet e Komisariatit të Policisë Elbasan, rezulton se nuk është zbatuar ligji procedural penal dhe ai për Policinë e Shtetit. Të dyshuarit nuk janë arrestuar, por janë lënë të lirë, të largohen, ngjarja për disa ditë nuk është referuar në prokurori. Në momentin që Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, nisi verifikimin e rastit, nga Komisariati i Policisë Elbasan, ngjarja e mësipërme iu referua prokurorit thjesht për vlerësim, pa paraqitur gjendjen reale të asaj që kishte ndodhur dhe pa dokumentin e veprimeve që realisht ishin kryer. Fshehja e këtij fakti kriminal, moskryerja e veprimeve të kërkuara nga ligji, rezultojnë të jenë kryer nga oficeri i policisë gjyqësore Fatjon Susaj, nën urdhrat e zëvendësshefit të komisariatit Abaz Lala.

 

Mospagimi i taksave

Shefi i krimeve të Rënda, Abaz Lala, megjithëse me detyrën e zëvendësshefit të Komisariatit të Policisë Elbasan, ushtron veprimtari private në kundërshtim me kuadrin ligjor rregullues në fushën tregtare, të legjislacionit tatimor dhe atij që rregullon funksionin e Policisë se Shtetit. Vëllai i tij Astrit Lala, rezulton të ketë të regjistruar një aktivitet Bar Kafe, të ndodhur në Lagja “Kongresi Elbasanit” Elbasan, lokal i cili në fakt, menaxhohet nga vetë shtetasi Abaz Lala. Ky i fundit duke përdorur pushtetin e tij, në sajë të detyrës si zëvendësshef i komisariatit të Policisë Elbasan dhe shef i seksioneve të krimeve, i shmanget detyrimeve tatimore, nuk siguron të punësuarit në lokal, fsheh të ardhurat dhe nuk paguan taksat dhe tatimet, nëpërmjet manipulimit të të dhënave mbi të ardhurat e realizuara.

 

Akuzat ndaj komisarit Lala

 Në bazë të hetimeve proaktive të deritanishme, të kryera nga Prokuroria e Elbasanit, në bazë të informacionit paraprake të përcjellë nga Shërbimin për Çështje të Brendshme dhe Ankesa në Ministrinë e Brendshme, veçohen tre situata, për të cilat janë ngritur dyshimet e arsyeshme lidhur me konsumimin e elementëve të veprës penale “shpërdorimi i detyrës”.

 

Aksidente në Shkodër dhe Memaliaj, 2 të vdekur e 7 të plagosur

 Dy persona kanë humbur jetën gjatë ditës së djeshme në dy aksidente të ndryshme, ndërsa 7 kanë mbetur të plagosur. Aksidenti i parë ndodhi në Shkodër, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur. Aksidenti ndodhi në mesditë në aksin rrugor Velipojë-Shkodër. Mësohet se një autoveturë është përplasur me një motoçikletë, në vendin e quajtur Trush. Për pasojë ka gjetur vdekjen drejtuesi i motoçikletës dhe është plagosur personi tjetër që udhëtonte në motoçikletë. Policia ka shoqëruar në komisariat shoferin e autoveturës për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Në orët e pasdites, përplasja e një fugoni pasagjerësh me një kamion ka shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e gjashtë personave të tjerë. Aksidenti ndodhi në aksin Memaliaj-Tepelenë në rrethana ende të paqarta. Nga informacionet mësohet viktima është Hysen Mema, 50 vjeç drejtuesi i kamionit, kurse një nga te plagosurit ndodhet në gjendje të rëndë.

 

Masakra te materniteti, sherri nisi në Holandë për një femër

Konflikti për një femër ishte shkaku i masakrës së ndodhur në kryeqytet më 27 maj. Këto të dhëna kanë dalë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda një javë pas vrasjes së trefishtë ku mbetën të vrarë Mentor Lufi, Besnik Sulku dhe Gerti Goxhaj. Sipas informacioneve të mbërritura nga hetuesit holandezë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, gjithçka ka nisur në një diskotekë në Roterdam. Durim Sulku (Alias Ilirjan Sula) është konfliktuar me Mentor Lufin për një femër që Durim Sulku e shfrytëzonte si prostitutë. Sipas prokurorisë, rezulton se Mentor Lufi ka dashur t’ia marrë këtë femër Durim Sulkut, por ky i fundit nuk e ka lejuar. Kjo ka qenë zanafilla e konfliktit midis vëllezërve Sulku dhe Mentor Lufit. Më pas, ngjarja zhvendoset në Shqipëri, ku në dhjetor të vitit 2014, Mentor Lufit i bëhet një atentat dhe plagoset rëndë. Për këtë ngjarje ai akuzon vëllezërit Sulku. Rreth 4 muaj më pas, në datën 6 prill të 2015, Durim Sulku vritet me 4 plumba në koke në Roterdam. Për vrasjen e tij, Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton dy vëllezërit, Markeljan dhe Klevis Doçi. Besnik Sulku, vëllai i të ndjerit Durim Sulku hakmerret për vdekjen e tij. Dhe në 27 maj i bën atentat Metor Lufit dhe dy nipërve të tij. Në këtë atentat i shkaktuan 3 viktima, Mentor Lufu, Besnik Sulku dhe Gerti Goxhaj.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here