Festivali Folklorik si eurokulturë idenditare      

0
187

Isuf Neli

-Një botim i studiuesit Esat Ruka për Festivalin Folklorik Esat Ruka për Festivalin Folklorik Kombëtar, GjirokastërKombëtar, Gjirokastër – 2009            

Studiuesi Esat Ruka ka botuar e paraqitur në Akademinë e Shkencave librin e titulluar “Festivali Folklorik Kombëtar, 2009”. Botimi është një punë serioze e autorit në të gjitha planet e analizës, një testament i shkruar me kompetencë dhe një ndihmesë për të gjithë ata që duan të njohin përgjegjësinë, misionin, metodologjinë si organizohet, si drejtohet dhe si përcillet te publiku një veprimtari e veçantë kombëtare me përmasat dhe dimensionet që kapërcejnë kufijtë e shtetit tonë. Duhet përmendur për lexuesit, se fati dhe talenti e ka ndihmuar autorin që të ngjitet në skenën e festivaleve kombëtare që kur ishte fëmije dhe e ka shoqëruar atë deri në krijimin e një profili artistik të veçantë, të një qëmtuesi e promovuesi të kujdesshëm. Duke qenë pjesëmarrës nga këngëtar e instrumentist deri në drejtuesin kryesor të Festivalit Folklorik 2009, autori përcjell përvojën dhe merakun e vlerësimit maksimal të cilitdo protagonisti institucional për të vlerësuar e trajtuar me kujdes çdo element që garanton një vlerë në rritje, nga njëri edicion në tjetrin i etnosit tonë shpirtëror. Me shumë kujdes, pavarësisht vendit që kanë në këtë botim, shkresat e protokollet zyrtare, autori i ka botuar si një metodologji që u vjen në ndihmë institucioneve shtetërore dhe njësive lokale që kujdesen e drejtojnë veprimtari artistike. Analizuar nga ky dimension, kuptohet që autori i botimit kumton te lexuesi se shpirti njerëzor, këngët, vallet, instrumentet, veshjet, mitologjitë në rrugëtimin artistik të ruajtjes dhe paraqitjes së vlerave kombëtare në evente të tilla të mëdha, përbëjnë më shume së një protokoll zyrtar. Ata janë një krenari e gjenezes sonë, që tejkalon çdo zyrtarizëm e djeg çdo shkresë, “kur zjarrin’’ e ndez vizioni, kujdesi, pasioni dhe shpirti krijues. Esat Ruka në librin e tij me tekstet e këngëve që ka përzgjedhur, me fotogalerinë, ku interpretuesi, veshja dhe instrumenti janë pjesë e kumtimit artistik paraqet diversitetin e traditës si homogjenitet kulturor. Parë nga ky kënd, çdo studiues gjen një pasuri të veçantë që autori i bën dhuratë, me vështrimin se “ngastrat” e vogla artistike, të ruajtura në fshatra, qytete, krahina dhe treva janë identitete të eurokulturës, e përcjellë nga shekulli në shekull dhe nga brezi në brez në ritualet e gëzimeve, hidhërimeve, e nderimeve për ngjarje e akte që e kanë shoqëruar kombin tonë në dramat e tij historike, por edhe në vitalitetin e të mbijetuarit, pa qenë asnjëherë në historinë tij si pushtues, por si ruajtës e mbrojtës konservator i etnokulturës së tij. Gjykuar kështu, besoj se autori promovon eurokulturën idenditare, si vlerë e dalluar e një shpirti njerëzor fisnik, jetuar në një shtet apo në disa shtete, apo mbijetuar në vende të ndryshme të globit. Vizioni i mesazheve te “Festivali Folklorik Kombëtar” shkon në këtë mënyrë te çdo shqiptar, kudo ku jeton, me një porosi që të ruajë visarin kulturor shqiptar. Nga ana tjetër, siç shikohet në konceptimin dhe organizimin e Festivalit, që përbën objektin e studimit dhe analizës autoriale, meraku për të bërë pjesëmarrës të kësaj SOFRE çdo shoqëri apo shoqatë kulturore, atje ku jetojnë dhe organizohen shqiptarët dallohet si një përpjekje frymëzuese për ta bërë këtë Festival gjithnjë më dinjitoz dhe përfaqësues.

Studiuesi Esat Ruka në hyrjen e këtij libri, me shumë dashamirësi për lexuesit, nënvizon se “…kam akoma për t’ju thënë”. Ky është një sihariq i mirë jo vetëm për kolegët e tij të botës akademike, po për cilindo aktor të jetës kulturore për të shtuar përpjekjet, për të rritur seriozitetin dhe për të marrë përgjegjësinë për të vitalizuar çdo veprimtari sado të vogël etnokulturore dhe artstike “…me shpirt e zemër te vlueme dhe me mendje te akullueme…”. Është sihariq i mirë, pra, se Shqipëria ka nevojë për kontributin e njerëzve të tillë, që ndjejnë dashuri për atë që bëjnë e shkruajnë pak për atë që kanë bërë, por mund të vazhdojnë të përkushtohen me pasion, ashtu siç kanë bërë paraardhësit e nderuar si prof. R. Sokoli, prof. dr. Rr. Zojzi, prof. dr. Q. Haxhihasani, Gjokë Beci “Mjeshtër i Madh”, L. Çipa etj., në këtë fushë, që sot endet midis propagandës dhe harresës, ndërmjet mburrjes qeveritare dhe mospërfilljes se kontribuuesve që e ruajtën, e dokumentuan, e promovuan dhe atyre që vazhdojnë të gjurmojnë e të botojnë pjesë nga visaret shpirtërore të kombit tonë evropian. Duke nënvizuar këtë, arrij të besoj se Esat Ruka, përmes këtij botimi të veçantë apo të munguar deri tani, ka zgjedhur të punojë në hullinë e lëvrimit të kësaj pasurie të madhe, duke u renditur në plejadën e personaliteteve që bënë gjithçka për ta sjellë deri në ditët tona.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here