Gëzim Saliu
Rama për AFP-në: Duam të rrisim bashkëpunimin me Serbinë për të arritur progres në rrugën drejt integrimit në BE
Në prag të vizitës që do të zhvillojë në Tiranë ditën e nesërme, Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, deklaroi dje se pavarësisht kritikave nga ana e nacionalistëve serbë në vend ai do të jetë në Shqipëri. Në një intervistë të dhënë për televizionin serb “B92”, Vuçiç pavarësisht deklaratave për bashkëpunim nuk ngurroi të thumbonte Shqipërinë. “Shqipëria dhe shqiptarët janë një popull në zgjerim dhe ne duhet të kemi kujdes me ta, duhet të zhvillojmë marrëdhënie të mira”, – tha ai. Po ashtu, kreu i qeverisë serbe iu rikthye edhe një herë ngjarjeve në Beograd gjatë kualifikueses së Evropianit 2016, ku theksoi: “Ne e dimë mjaft mirë, edhe autoritetet e dinë se çfarë ndodhi, ishte pa dyshim një gjë e organizuar politikisht. Të dy ne, Edi Rama dhe unë, e dimë kush e bëri atë veprim”. Nga ana tjetër, edhe pse Serbia e ka shpallur si objektiv strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Vuçiç theksoi edhe një herë se Beogradi nuk do të vendosë sanksione ekonomike kundër Rusisë dhe se nuk do të jetë një shërbyese e BE-së për sa i përket kushteve që mund t’i vendosen në lidhje me Kosovën. Ndërkaq kryeministri Rama përmes një interviste për AFP-në theksoi se Shqipëria kërkon të rrisë bashkëpunimin me Serbinë. “Ne duam të rrisim bashkëpunimin me Serbinë dhe së bashku të arrijmë progres në rrugën drejt paqes dhe integrimit në BE”, – theksoi kreu i qeverisë shqiptare.
Vizita në Tiranë
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, konfirmoi vizitën në Tiranë ditën e nesërme duke e cilësuar atë si një udhëtim i nevojshëm për të përmirësuar marrëdhëniet në rajon dhe investimit në paqe dhe stabilitet. Në diskutimin e zhvilluar në Sarajeve ku ndodhej për një vizitë zyrtare Vuçiç u shpreh: “Është e rëndësishme që secili nga shtetet tona të investojë në paqe dhe stabilitet në rajon, për të mos ndodhur më ajo çfarë ngjau në Kumanovë”. Pjesë e fjalës të mbajtur në një forum biznesi të organizuar në Sarajevë, kreu i qeverisë serbe pohoi nga ana tjetër se bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit është mjaft i rëndësishëm. “Ka ende njerëz budallenj të cilët nuk mendojnë se njerëzit e rajonit duhet patjetër të jetojnë bashkë dhe të kenë një të ardhme bashkë”, – tha ai. Sipas agjencisë së lajmeve “Tanjug”, Vuçiç foli në favor të krijimit të një tregu të përbashkët të Ballkanit Perëndimor pa kufij, duke theksuar gatishmërinë e Serbisë për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura mes Bosnje-Hercegovinës dhe boshnjakëve. “Ne kemi nevojë për të krijuar në rajon një lagje biznesi pa kufij, dhe udhëheqësit politikë duhet të udhëheqin një dialog strategjik afatgjatë për të krijuar biznesin dhe situatën ekonomike më të mirë të mundshme. Ne duhet të krijojmë në rajon një fqinjësi biznesi pa pengesa dhe liderët politik kanë nevojë të jenë në bisedime të herëpashershme strategjike për të krijuar biznesin më të mirë të mundshëm që do t’i krijonte më shumë përfitime ekonomike vendeve”, – u shpreh Kryeministri serb.
Pezullohen kërkimet për naftë në detin Jon, Tsipras nuk vjen sot në Tiranë
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë vazhdojnë te jenë të tensionuara pas notës së protestës së Ministrisë së Punëve të Jashtme ndaj Athinës. Pas vënies në dijeni të OKB-së për këtë rast dhe kompanisë së tenderuar tashmë janë pezulluar kërkimet për naftë në zonën e diskutueshme midis dy vendeve në detin Jon. Ndërsa Tirana zyrtare ka kërkuar transparencë për kërkimet e ndërmarra nga Greqia, Athina si kundërpërgjigje ka vendosur që në samitin e SEECP, të mos përfaqësohet nga Kryeministri Tsipras, por nga zv.ministri i Jashtëm Nikolas Huntis. Ky i fundit e njeh mirë Shqipërinë, pasi ka qenë raportues për vendin tonë në PE. Ndërsa edhe në takimin e pak ditëve më parë në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore shteti helen u përfaqësua nivel drejtori. Marrëdhënia mes Greqisë dhe Shqipërisë duket se do të normalizohen vetëm kur palët të gjejnë gjuhën e përbashkët për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit ujor mes dy vendeve. Prej më shumë se 1 viti, në kanale diplomatike Shqipëria i ka shprehur Athinës shqetësimin për mungesën e transparencës për kërkimet për naftë, në zonën e diskutueshme midis dy vendeve në detin Jon. Nga ana e tij shteti grek dërgoi një hartë kërkimesh larg kufirit detar, çka detyroi MPJ që në 4 maj të dërgonte një notë proteste, ku kërkonte tërheqjen e menjëhershme të tenderit nga pala greke nga kërkimet në det për hidrokarbure në ujërat kufitare. Pala shqiptare pritet të kërkojë një marrëveshje të re detare me Greqinë, përmes të cilës të zgjidhet statusit i zonës ku Greqia kërkon të bëjë kërkime për naftë, posaçërisht Joni 5 ose ndryshe bllokun i 4-t i kërkimeve.
Gazeta greke/ “To Vima”: Rama, nacionalist i rrezikshëm për stabilitetin e rajonit
Gazeta e përditshme greke “To Vima” e cilësoi dje Kryeministrin shqiptar Edi Rama si një nacionalist të rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Ky shkrim i gazetës helene vjen pas mosmarrëveshjeve të fundit mes Tiranës dhe Athinës lidhur me kërkimet për naftë në detin Jon. “To Vima” shkruante për Ramën se që nga ardhja në pushtet krijoi destabilizim në rajon. “Edi Rama erdhi në pushtet me premtimet për paqe dhe stabilitet, por shpejt kjo gjë ndryshoi. Rama bëri kapërcime absolute dhe gjithçka nisi pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, ku ai ndezi zjarret e nacionalizmit shqiptar në Ballkan. Ai pas dronit me flamurin e Shqipërisë së Madhe, shkoi më tej duke e ngarkuar foton në llogarinë e tij në “Facebook” dhe madje duke e shpalosur edhe përpara Kryeministrisë”, – theksohej në artikullin e të përditshmes greke, që njihet për qëndrimet e saja pro qeverisë. Ngjarjet në Kumanovë, sipas gazetës greke, vijnë nga kërkesa e Shqipërisë për ndryshimin e kufijve, referuar kërkesës së Tiranës për të mos lejuar kërkimet për naftë në detin Jon, pjesë e territorit shqiptar. Më tej, gazeta nënvizon se të gjendur në kushtet e varfërisë, Rama po përpiqet të marrë votat e nacionalistëve, dhe se me këtë tezë po përpiqet të largojë vëmendjen nga problemet reale që ka vendi. “Fqinjët janë të frikësuar për një destabilizim i rajonit dhe për këtë janë njoftuar edhe ndërkombëtarët”, – shkruante gazeta greke.