“VETOJA”/ “Kumanova”, maqedonasit reagojnë për Ramën, kundërpërgjigjet Bushati

0
142

Kumanova e shkaterruarMinistria e Jashtme e Maqedonisë ka dënuar deklaratën e Ramës për “bllokim anëtarësimesh”. Kryeministri i Shqipërisë kërkoi zbatim të Marrëveshjes së Ohrit

Ngjarjet e ndodhura në Kumanovë kanë shkaktuar debate në distancë midis Shkupit dhe Tiranës zyrtare. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, duke folur në Samitin e SEECP, kërkoi hetim të plotë të ngjarjes pasi kjo, sipas tij, rrezikon integrimin e rajonit në BE. Reagimi i kreut të diplomacisë shqiptare erdhi pasi Ministria e Jashtme e Maqedonisë dënoi qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit 3 ditë më parë tha se Maqedonia duhet që ta harrojë integrimin dhe NATO-n nëse nuk do të zbatojë marrëveshjen e Ohrit dhe të drejtat e shqiptarëve. Kjo deklaratë solli reagime të ndryshme në rajon.

 

Reagimi i Shkupit

Ministria e Jashtme e Maqedonisë në një deklaratë për media të publikuar gjatë ditës së djeshme, dënon qëndrimin e mbajtur nga Shqipëria në lidhje me konfliktin në Kumanovë, duke theksuar se bllokadat nuk kontribuojnë për paqen. “Të gjitha bllokadat, kërcënimet për bllokime dhe deklaratat për justifikime false të mungesës së mbështetjes dhe kundërshtimit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian që vijnë nga jashtë, janë kundër vlerave evropiane dhe nuk kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në rajon”. Ndërkohë Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Poposki, nuk mori pjesë në konferencën e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Edhe më i ashpër është treguar nënkryetari i parlamentit të Maqedonisë dhe ish-Ministri i Jashtëm i vendit, Antonio Milloshoski, i cili përmes një statusi në Facebook, e ka cilësuar deklaratën e Ramës si të dëmshme dhe të palogjikshme.

 

Përplasja rajonale

Ngjarjet e ndodhura në Kumanovë kanë përplasur në deklarata Tiranën zyrtare dhe Shkupin. Duke folur në Samitin e SEECP, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka kërkuar një hetim të plotë për ngjarjet e ndodhura në Kumanovë, duke i konsideruar një rrezik për integrimin në rajon. “Duhet të lëmë mënjanë mosmarrëveshjet e të shkuarës. Duhet të punojmë për të krijuar një të ardhme të përbashkët për integrimin e rajonit. Bashkimi Evropianë është synimi ynë i përbashkët dhe ndasitë e të shkuarës janë pengesa kryesore në këtë drejtim. Të bëjmë më shumë që çështjet në Maqedoni të zbardhen, të zgjidhim mosmarrëveshjet, siguria e çdo vendi të jetë e pandashme nga siguria jonë. Ne kemi kërkuar që ngjarjet të hetohen plotësisht, në mënyrë të besueshme dhe transparente. Pikërisht në këtë sfond, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta brenda kuadrit të procesit të Berlinit”, – tha ministri, Ditmir Bushati.

 

BE do të dërgojë përfaqësues special në Maqedoni

 Bashkimi Evropian do të dërgojë një të dërguar të saj special që do të marrë pjesë drejtpërdrejt në bisedimet për zgjidhjen e krizës politike. Shërbimi i BE-së për Punë të Jashtme (EEAS) seriozisht po shqyrton mundësinë e dërgimit të një përfaqësuesi special të BE-së në Maqedoni, që drejtpërdrejt do të marrë pjesë në zgjidhjen e krizës në kuadër të bisedimeve që po zhvillohen ndërmjet liderëve të katër partive politike VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH. Ky propozim ka dalë nga bisedimet në Strasburg midis Nikola Gruevskit dhe Zoran, Zaevit ku ka qenë i pranishëm edhe eurokomisioneri për zgjerim Johannes Hahn. Shefja e diplomacisë e BE-së, Federica Mogherini po shqyrton disa emra që do të kenë detyrën e të dërguarit special për Maqedoninë. Mes kandidaturave janë disa emra të diplomatëve që njohin zhvillimet në Maqedoni.

 

Kërkesa e OKB: Hetim ndërkombëtarë për Kumanovën

 Ndihmës sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ivan Shimonoviç kërkoi hetim për ngjarjen e Kumanovës. Ai këtë e theksoi në një konferencë të zhvilluar me mediet duke nënvizuar nevojën e ndihmës ndërkombëtare. “Duhet të bëhet një hetim i menjëhershëm dhe i pavarur për rastin e Kumanovës, si dhe për rastin e përgjimeve. Kam biseduar me prokurorin për rastin e Kumanovës dhe ai më tha se disa prej hetimeve janë në progres. Por mendoj se për këtë do të jetë e nevojshme që të ketë një ndihmë ndërkombëtare. Ky hetim ka dimensionin e tij ligjor por ka edhe dimension politik. Më rëndësi është që rezultatet e hetimit të jenë të besueshme për të gjithë”, – theksoi Shimonoviç. Ai gjithashtu kërkoi që edhe për aferën e përgjimeve të ketë një hetim të detajuar për të dalë në sipërfaqe e vërteta. Sipas tij, Në Maqedoni janë rrënuar të drejtat e njeriut përmes përgjimeve masive , por edhe në përmbajtjen e regjistrimeve zbulohen mosrespektimi i të drejtave të njeriut. Shimonoviç ka bërë thirrje për tejkalimin e krizës politike dhe inkurajoi bisedimet që po zhvillohen mes faktorëve politik me ndërmjetësim ndërkombëtarë. “Përshëndes bisedimet e partisë në pushtet dhe opozitës por kjo duhet patjetër të përfshijë edhe sektorin civil, në mënyrë që të kthehet besimi publik. Gëzohem që ka filluar dialogu politik, si dhe faktin që i pranishëm në to ka qenë edhe komisionari Han. Besoj se ka mundësi për zgjidhje të krizës por nëse kjo bëhet në korniza të të drejtave të njeriut. Zgjidhja e krizës me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve përveçse në Strasburg, më së shumti duhet të bëhet brenda në shtet”, theksoi Shimonoviç. Njeriu i dytë i OKB-së gjatë qëndrimit dyditor në Shkup u takua me prokurorinë e përgjithshëm Marko Zvrlevski, presidentin e vendit Gjorgje Ivanov, ministrin e brendshëm Mitko Cavkov, Avokatin e Popullit Ixhet Mehmeti si dhe përfaqësues të partive opozitare politike.

 

Autopsia në Prishtinë, tre të masakruar nga të vrarët në Kumanovë

Prokuroria e Shtetit në Kosovë ka miratuar kërkesën e familjarëve të kosovarëve të vrarë në Kumanovë, që trupave të pajetë t’u kryhet një autopsi e re nga Mjekësia Ligjore e Kosovës. Mësohet 3 nga 9 të vrarët janë masakruar deri në shpërfytyrim dhe do të jetë pikërisht autopsia e re, ajo që pritet të japë përgjigje ndaj dyshimeve të familjarëve, nëse ndonjë prej tyre është vrarë dhe masakruar, pasi është kapur i gjallë. “Medoemos, që autopsia e tregon çdo gjë. Çdo gjë do të filmohet, çdo gjë do të shenjëzohet dhe ajo do të tregojë gjithçka. Ajo që do të mësohet, në formën e një raporti të autopsisë së dytë, do t’i prezantohet prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës”, – tha Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore. Gërxhaliu tha se, ekipet e tij janë gati për nisjen e autopsisë, por shtoi se janë duke pritur raportet mjekoligjore maqedonase, për të parë dhe krahasuar ndërhyrjet, që kanë bërë gjatë autopsisë së parë. “Stafi i mjekëve të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, sapo mori vendimin që, me të ardhur raportet e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup, ne jemi të gatshëm në çdo minutë, të hyjmë dhe t’i kryejmë brenda ditës, autopsitë e të gjithëve, në departamentin tonë”, – tha më tej Arsim Gërxhaliu. Mësohet se Ambasada e Kosovës në Maqedoni është duke punuar me autoritetet në Shkup, që të merren sa më parë raportet e Institutit të Mjekësisë Ligjore atje, e t’u dorëzohen mjekëve në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here