“Man Booker” zbulon Kafkën modern

0
31

cmimi letrarLetërsi/ Fituesi i “Man Booker” merr një shpërblim prej 84 mijë eurosh

Autori hungarez László Krasznahorkai, fjalitë e cilit thurin paragrafë që, siç i ka quajtur përkthyesi George Szitres, janë “rrjedhje e ngadalshme e llavës së narracionit, të tipit të një lumi të madh të zi”, ka fituar çmimin “Man Booker International” për “arritjet në skenën botërore të letërsisë artistike”.

Kryetarja e jurisë, akademikja dhe shkrimtarja Marina Warner, krijimtarinë e Krasznahorkait e ka krahasuar me atë të Kafkës – me heroin e vetë autorit – dhe me atë Beckettit, shkruan “The Guardian”. “Mendoj se kemi hasur në dikë të atij rangu”, ka thënë ajo.

“Ky është truku që shkrimtarët më të mirë e tregojnë; të japin emocionin e të panjohurës…dhe pas një kohe ata në mënyrë imagjinuese kthehen tek ju. Ne themi, ‘është sikur të jemi në storien e Kafkës’; besoj se shumë shpejt do të themi se është sikur të jemi në storien e Krasznahorkait”, ka shtuar ajo.

Fituesi i “Man Bookerit” merr një shpërblim prej 84 mijë eurosh ndërsa me këtë çmim nderohen autorët që ende janë gjallë, qoftë për vepër të shkruar në anglisht ose e përkthyer në anglisht. Ky çmim në të kaluarën i ka takuar autorit nga Shqipëria Ismail Kadare, autorit Chinua Achebe nga Nigeria, dy amerikanëve Philip Roth dhe Lydia Davis dhe kanadezes Alice Munro.

Krasznahorkai sivjet ishte njëri prej 10 shkrimtarëve në listën e ngushtë për këtë çmim, bashkë me autorët Amitav Ghosh nga India, Ibrahim al-Koni nga Libia, Mia Couto nga Mozambiku dhe Howe Fanny nga Amerika.

“Ne do të preferonim që të mos ishim të detyruar të zgjidhnim fitues – secili prej 10 shkrimtarëve është me të vërtetë i mrekullueshëm, secili në mënyrë të ndryshme, çdonjëri prej tyre e shpërblen lexuesin dhe e meriton çmimin”, ka thënë Warner.

Por ajo ka thënë se Krasznahorkai ishte “shkrimtar vizionar me intensitet të jashtëzakonshëm dhe ka një linjë vokale e cila kap cilësinë e ekzistencës së sotme në skenat që janë të tmerrshme, të çuditshme, tronditëse, komike dhe shpesh të bukura”. Sipas saj, vepra e tij është servuar në mënyrë të shkëlqyeshme nga përkthyesit George Szirtes dhe Ottilie Mulzet, të cilët do të ndajnë çmimin për përkthim në vlerë prej 21 mijë eurosh.

Romani i parë i autorit, “Satantango”, ishte pritur shumë mirë në Hungari kur ishte botuar në vitin 1985, derisa më vonë është përshtatur në version filmik nga filmbërësi Bela Tarr në bashkëpunim me Krasznahorkait. Historia që shpalos kjo komedi e zezë për qytetin e zymtë hungarez, ku banorët e dehur rrëmbehen nga vizitorët të cilët mund të jenë shejtanë, nuk ishte përkthyer në anglisht deri në vitin 2012.

Krasznahorkai, pas kësaj vepre, në vitin 1989, shkroi “Melancholy of Resistance” – e botuar në anglisht në vitin 1998 – ku një histeri e dhunshme nis të ndodhë pas ardhjes së cirkut dhe vdekjes së një balene në një qytet të vogël në Hungari. Me këtë roman ai fitoi çmimin “German Bestenliste” për veprën më të mirë letrare të vitit. Juria ndërkombëtare e “Man Booker” ka lëshuar një deklaratë për media.

“Libri si tërësi mund të përshkruhet si vizion, satirë dhe profeci e një province historike që shkon me emrin e qytetërimit perëndimor”, ka shkruar juria.

Autori ka fituar edhe çmime të tjera për letërsi, duke përfshirë edhe atë më të njohurin në Hungari, çmimin “Kossuth”, si dhe çmimin e librit më të mirë të përkthyer në ShBA, për dy vjet me radhë. Çmimet më të mëdha i ka marrë për “Seiobo There Below”, i publikuar në Britani, ku perëndesha japoneze Seiobo kthehet në tokë.

“’Melancholy of Resistance’, ‘Satantango’ dhe ‘Seiobo There Below’ janë vepra të mrekullueshme me imagjinatë të thellë dhe pasion kompleks, ku komedia humane është në epërsi me dhimbjen”, ka thënë Warner. “Ai ka dy periudha të ndryshme, të hershmet nga vitet ’80, kur shkroi romanet apokaliptike, të errëta, rreth qyteteve të vogla, njerëzve të vegjël që shkatërrohen. Më pas ai kalon në fazën e bukur dhe ndriçuese, nga e cila kemi edhe ‘Seiobo’ në anglisht. Me të vërtetë është një libër i jashtëzakonshëm”, ka shtuar ajo.

Warner e ka cilësuar prozën e Krasznahorkai “absolutisht të shkëlqyer” dhe “eksperiencë emocionuese për ta lexuar”. “Stili i jashtëzakonshëm i tij, të cilin njerëzit ndonjëherë mundohen ta kundërshtojnë, nëse e mendon si si muzikë, në fillim nuk e di ku gjendesh, është e panjohur dhe më pas nis të bëhet natyrale, ritmi të tërheq brenda teksa vazhdon leximin”, ka thënë Warner. “Është i vështirë njëjtë sikurse edhe Beckett apo sikur te Dante. Edhe Kafka e ka atë cilësi”, ka shtuar ajo.

Epigrafi i “Satantango” është marrë nga Kafka – “Në këtë rast do ta humbas duke pritur” – dhe autori i ka thënë “The Guardian” në fillim të muajit se ai ka vetëm një hero: “K, në veprat e Kafkës. Gjithmonë e përcjell”.

“Kur nuk e lexoj Kafkën e mendoj atë. Kur nuk mendoj për të e ndiej mungesën e të menduarit për të. Teksa për një kohë nuk mendoj për të, i marr veprat e tij dhe i rilexoj”, ka thënë autori në një intervistë për “The White Review”.

Në deklaratë Warner dhe kolegët e saj, profesori Wen-chin Ouyang, autorët Nadeem Aslam e Elleke Boehmer dhe drejtori i “New York Review Books Classics”, Edwin Frank, e kanë vlerësuar Krasznahorkai për fjalitë e tij.

“Fjali të jashtëzakonshme, fjali me gjatësi të mrekullueshme, toni i të cilave ndryshon nga serioziteti në çmenduri, teksa ndjekin rrugën e tyre të pabindur; fjali epike që mbledhin të gjitha gjërat e çuditshme dhe të papritura teksa i ikin pashmangshmërisë në paragrafët që janë po aq monumentalë sa janë edhe të ashpër e muzikorë”, shkruhet në deklaratën e tyre.

Krasznahorkai është botuar në pjesë të vogla i përkthyer në anglisht, nga “Tuskar Rock”, i cili botoi “Seiobo” në Britani, por ai numëron disa emra të mëdhenj në mesin e fansave të tij. Shkrimtari W.G. Sebald kishte thënë se “universaliteti i vizionit të Krasznahorkai i bën konkurrencë ‘Dead Souls’ të Gogolit dhe tejkalon edhe shqetësimet më të vogla të shkrimit bashkëkohor”, ndërsa Susan Sontag e ka quajtur “mjeshtri hungarez bashkëkohor i apokalipsit, i cili krahasohet me Gogolin dhe Melvillen”.

“Mendoj se Colm Tobin – i cili aranzhoi takimin e agjentit të autorit, Peter Straus me ‘Tuskar Rock’- është frustruar, sepse askush nuk po tregonte interesim që ta botojë ‘Seiobo’ në anglisht, saqë vendosi ta bënte vetë”, ka thënë Warner.

“Pjesërisht është mendjengushtësi e sferës anglishtfolëse, sepse kemi gjuhë dominuese….por shumica e këtyre shkrimtarëve janë shumë të njohur. Ibrahim al-Koni ka fituar një numër të madh të çmimeve gjithkund, po aq sa edhe Krasznahorkai. Por veprat artistike ende përkthehen pak këndej”, ka shtuar ajo.

Folegjenda: “Kur nuk e lexoj Kafkën, e mendoj atë. Kur nuk mendoj për të e ndiej mungesën e të menduarit për të. Teksa për një kohë nuk mendoj për të, i marr veprat e tij dhe i rilexoj”, kishte thënë László Krasznahorkai, i cili pos me Kafkën është krahasuar edhe me Beckettin e emra të tjerë të mëdhenj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here