Kur pasuria kombëtare kthehet në fatkeqësi…!

0
149

Patos-Marinzë–  Ndërkohë që kompania kanadeze e (super) shfrytëzimit të nëntokës shqiptare siguron se çdo gjë shkon mirë në Patos-Marinzën e helmuar, institucionet heshtin

Më datë 1 prill, në një nga zonat më të pasura me burim nafte në Shqipëri, ndodhi një shpërthim gati katastrofik në termat shëndetësorë, po aq sa dhe në dëmet që i ka shkaktuar mjedisit. Kompania private Bankers Petroleum Albania Ltd, prej më shumë se 10 vitesh operon në Shqipëri dhe shpeshherë nuk kanë qenë të pakëta akuzat e ngritura ndaj saj. Gjatë muajit shkurt një investigim televiziv hodhi dritë mbi koncesionin që qeveria shqiptare i ka dhënë kompanisë Bankers Petroleum për fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, fushë e cila është zbuluar për herë të parë në vitin 1928 dhe sot mbetet një ndër fushat më të mëdha me përmbajtje nafte në Evropë.

Fillimi i historisë së kësaj fushe naftëmbajtëse, në fakt nuk nis në vitin 2004, atëherë kur kompania Bankers Petroleum ka lidhur kontratën me qeverinë shqiptare, por në vitin 1993 kur qeveria hyri në negociata me kompaninë angleze Premier Oil dhe një vit më vonë, më 1994, u lidh marrëveshja për Patos-Marinzën. Nga ky moment e deri në vitin 2004 ndodhën disa dinamika, si prishje kontratash, çelje kontratash të reja, dinamika të cilat u karakterizuan nga mungesa e transparencës. Në vitin 2004 kompania britanike Premier Oil vendosi papritur të tërhiqet nga Shqipëria duke i “liruar” vendin Bankers Petroleum, kompani e cila për 10 vite i ka të ardhurat mbi 2 miliardë dollarë dhe paguan tatim-fitimi më pak se një ushqimore. Megjithatë, nuk është ky problemi qendror.

Çështja kryesore fokusohet te kontrolli që qeveritë në pushtet u kanë bërë këtyre kompanive. A punonin këto kompani brenda të gjitha standardeve? Kujtojmë që Patos-Marinza është një vend i banuar dhe ndodhet vetëm 10 km larg Fierit, një prej qyteteve më të mëdha në Shqipëri në lidhje me numrin e banorëve.

Sa të sigurt kanë qenë këta banorë nga viti 1994 e deri më 1 prill, kur ndodhi shpërthimi katastrofik? Në fakt, nuk ka asnjë të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë nëse janë realizuar kontrolle periodike tek këta njerëz. Nuk kemi parë dhe dëgjuar asnjë herë nëse është bërë ndonjë studim mbi dëmet shëndetësore që mund të shkaktohen në rast se puna që bëhet aty nuk është brenda standardeve të kërkuara.

Në rast se deri më 1 prill, pakkush kishte dëgjuar për Bankers, sot ky emër mund të konsiderohet si Gërdeci. Nga data një 1 prill, në Patos-Marinzë, ka njerëz të cilët kërkojnë ndihmë çdo ditë dyerve të spitaleve dhe në vend që të ballafaqohen me gatishmërinë e mjekëve mbi trajtimin e tyre, marrin përgjigje se marrja e mendëve, refluksi, dhembja e kokës, humbja e ekuilibrit apo mungesa e përqëndrimit janë simptoma të një gjendje virale dhe aspak të një shoku toksik që mund të jetë shkaktuar si rezultat i shpërthimit dhe çlirimit të kush e di se sa lloj gazrash. Çudi e madhe, të gjithë banorët e Patos-Marinzës, fiks më datë një 1 prill e deri sot, u diagnostikuan me një virozë, që zuri vetëm ata dhe çuditërisht asnjë vend tjetër në territorin e Shqipërisë…

Sigurisht që kështu duhet të jetë, pasi kompania Bankers, menjëherë pas shpërthimit deklaroi publikisht se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar, pasi gazi që është çliruar është vetëm dioksid karboni, një gaz i ëmbël dhe aspak i dëmshëm, por nuk vonoi shumë dhe po kjo kompani bëri thirrje për evakuim të zonës nga banorët. Në investigimin e çështjes në fjalë, u evidentua se një nga deputetët e Parlamentit shqiptar, Erjon Braçe, është shprehur: “Më shumë se Bankers, mua më shqetëson heshtja. Nafta është pasuria jonë kombëtare, Bankers është thjesht një operator ekonomik që ka një marrëveshje hidrokarbure me Albpetrol. Kaq, asgjë më shumë. Pa diskutim Bankers ka përgjegjësinë të zbatojë një më një marrëveshjen dhe ligjet shqiptare në fuqi për zonën ku operon nën marrëveshje. Por nafta eshte pasuri e jona, puset e naftës gjithashtu, zonat naftëmbajtëse patjetër, ndaj ne kemi pergjëgjesinë publike për këtë pasuri. Diten kur ndodhi shperthimi shkruajta se Bankers nuk thote te verteten!! Ne fakt prej asaj dite Bankers heshti!! Nëse hesht Bankers, duhet të flasim ne”.

Për t’i shkuar më tej kësaj kauze, ajo që duam shumë të dijmë lidhet me teknologjinë e përdorur në atë pus dhe më shumë akoma lëndët e injektuara aty. Cilat lëndë janë shpërdarë dhe deri në çfarë mase ka arritur të shpërndahen këto lëndë pas shpërthimit? Sigurisht, në këtë situatë ballafaqohemi dhe me implikime të tjera, si përshembull: sa shtresa nëntokësore janë dëmtuar?

Kujtojmë, fusha e Patos-Marinzës, funksionon si burim nafte që prej vitit 1994 dhe do të ishtë shumë interesante nëse Ministria e Shëndetësisë do të na ofronte disa të dhëna në lidhje me shëndetin e 21 vjeçarëve që banojnë aty, apo në lidhje me llojin e sëmundjeve që ndeshen rëndom në atë zonë. Cila është mosha mesatare e vdekjeve e banorëve në zonën e Patos-Marinzës?? A kanë ato lidhje me puset e naftës apo me efektet anësore që shkaktohen nga mosfunksionimi brenda parametrave të teknologjisë që përdoret për të nxjerrë këtë naftë??

Do të dëshironim shumë të kishim nga Ministria e Energjisë, e Shëndetësisë apo nga çfarëdolloj institucioni tjetër përgjegjës të gjitha të dhënat e sipërkërkuara për të konstatur nëse vërtet i gjithë aktiviteti 21-vjeçar i nxjerrjes së naftës është realizuar në kushtet e duhura dhe shëndeti i banorëve nuk është cenuar në asnjë moment të vetëm. Por, fatkeqësisht, të gjitha sipmtomat që ata shfaqin sot lidhen drejtpërdrejtë me të gjitha shenjat e një helmimi të mundshëm. Është e papranueshme të mendosh se Ministria e Shëndetësisë jo vetëm nuk ka mbajtur asnjë lloj përgjegjësie për rastin flagrant, por nuk ka dhënë asnjë herë të vetme udhëzime për banorët që jetojnë në një zonë të tillë.

Nëse ministria në fjalë e ka marrë të mirëqenë se në 21 vite aty është punuar në kushtet maksimale të sigurisë, atëherë përse pas 1 prillit nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë për të ndërgjegjësuar çdokënd që ka shtrirë apo mendon të shtrijë aktivitetin e tij në Patos-Marinzë dhe së bashku me to dhe banorët? Duhet të jetë detyrë dhe përgjegjësi e kësaj ministrie të kujdeset për shëndetin e shtetasve të saj, madje t’i detyrojë për kontrolle periodike, në mënyrë që të garantojë mirëqenien e tyre, të paktën mirëqenien shëndetësore duke qenë se e ka të pamunduar të merret me ta në kushtet e tmerrshme spitalore.

Duke i hedhur një sy aktivitetit ministror gjatë prillit, u konstatua se ministri, më datë 25 ka bërë 2 vizita “shumë” të rëndësishme në Valbonë dhe Bajram Curri, ku në të parën ka premtuar pajisje “moderne”, ndërsa në të dytën, rritjen e numrit të mjekëve. Ndërkohë që një ditë më parë, më datë 24 ka qenë në Kukës për të bërë të njëjtat premtime, më datë 22 në Elbasan, më datë 10 në Koplik. Fjalë, fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Duke shkuar më tej konstatohet së në Marinzë ka qenë vetëm më datë 7 prill, plot 6 ditë pas shpërthimit për të parë kushtet e qendrës shëndetësore dhe për të vënë në dispozicion 2 njësi lëvizëse. Banorët janë helmuar, kanë nevoja emergjente dhe kujdes special. Janë të sëmurë edhe për fajin e mungesës së monitorimit shëndetësor, në venat e tyre kalon gjak i helmuar, i cili do të lërë pasoja dhe në pasardhësit e tyre, pasardhës që do të jenë jeta e këtij kombi.

Nuk kuptohet përse ministria hesht kur i di fare mirë këto gjëra. Në këtë moment nuk na interesojnë kontrantat aspak transparente, por shëndeti publik i njerëzve, njerëz si unë, si ti dhe si ministri i Shëndetësisë.

(Marrë nga APPA – Albanian Platform for Policy Advocacy)

 

Albpetrol shet 31 milionë dollarë naftë bruto

Albpetrol ka arkëtuar rreth 31 milionë dollarë nga shitja e 100 mijë tonëve naftë bruto në një ankand të hapur. Garën e fitoi kompania “TPD-Trading Petrol&Drilling” sha, Tirane. Vlera e përfituar është rreth 31 milionë dollarë, e cila sipas burimeve në Albpetrol në pjesën më të madhe të saj do të derdhët në buxhetin e shtetit.

Kompania ndërkohë duhet të paguajë pranë Drejtorisë së Prokurimit Publik të Albpetrol sha, rruga Fier – Patos në Fier, sigurimin e kontratës, në masën 10% të vlerës së përllogaritur te kontratës në vlerë 3.148.728 USD,siç parashikohet në dokumentet e ankandit, brenda 10 ditëve nga dita e marrjes/publikimit të këtij njoftimi. “Në rast se nuk pajtoheni me këtë kërkesë, ose tërhiqeni nga nënshkrimi i kontratës, do të konfiskohet sigurimi i ofertës suaj dhe kontrata do t’i akordohet ofertuesit vijues në klasifikimin përfundimtar” njofton Albpetrol.

Derdhja e dividendit të kësaj shume në buxhetin e shtetit do të ndihmojë në mënyrë të konsiderueshme mbajtjen nën kontroll të treguesve buxhetore që këtë vit janë cenuar ndjeshëm nga rënia e të ardhurave tatimore.

TPD-Trading Petrol & Drilling është shoqëri aksionare dhe është regjistruar në QKR me qershor të vitit 2012.

 

Sërish borxhe, por këtë herë tejkalohet edhe imagjinata

Borxhi publik i Shqipërisë ka kaluar 1 trilion lekët. Por qeveria, në kushtet e mosrealizimit të theksuar të të ardhurave fiskale, po zhytet në borxhe të reja, me shifra të paimagjinueshme. Dje u njoftua një hua shumë e lartë e akorduar me Bankën Botërore, në masën 1.2 miliardë dollarë.

U njoftua zyrtarisht se Bordi Ekzekutiv i Grupit të Bankës Botërore aprovoi Kuadrin e Partneritetit me Vendin (KPV) për Shqipërinë për vitet 2015-2019, i cili propozon një program huadhënieje prej deri në 1.2 miliardë dollarësh përgjatë një periudhe 5-vjeçare.

Programi mbështet tri fusha kryesore. Nën prioritetin e parë të qëndrueshmërisë fiskale dhe stabilitetit financiar, do të mbështeten masa që përmirësojnë konsolidimin fiscal, forcojnë menaxhimin e investimeve publike në sektorin e transportit dhe përmirësojnë stabilitetin financiar. Në prioritetin e dytë të nxitjes së rritjes së sektorit privat, do të ofrohet mbështetje për rritje të konkurrueshmërisë dhe krijimit të vendeve të punës dhe për të shmangur pengesat në mjedisin e biznesit dhe mungesat në infrastrukturë, si për shembull ato që mbizotërojnë në sektorin energjetik. Në fushën e tretë të forcimit të menaxhimit të sektorit publik dhe ofrimit të shërbimeve, mbështetja do të synojë rritjen e besimit të qytetarëve në qeverisje, përmirësimin dhe ofrimin e shërbimeve publike, si dhe aksesin në shërbimet bazë. Strategjia përshkohet nga tema e integrimit gjinor dhe procesit të hyrjes në BE si proces politikash afatgjata.

Sipas ministrit të Ekonomisë Arben Ahmetaj, kemi të bëjmë me një sukses. Kështu deklaronin edhe qeveritarët grekë deri sa plasi kriza e borxheve…

 

Cani: 11% e tregut të karburanteve, me shkelje

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, gjatë një vizite në zonën e Porto Romanos në Durrës, tregoi interesin mbi ecurinë e treguesve në tregun e importit të hidrokarbureve, për problemet e hasura nga trupa e Shërbimit Doganor Shqiptar që vepron në këtë depozitë bregdetare, si dhe për procedurat e kontrollit ligjor, të parashikuara edhe në Kodin Doganor Shqiptar.

Ministri, duke iu referuar raportit të kompanisë koncensionare të markimit dhe monitorimit të karburanteve dhe të dhënave të fundit të Shërbimit Doganor Shqiptar, tha se për periudhën 23 qershor 2014 – 30 prill 2015, numri i njësive të kontrolluara është 2.438, nga ku 2.169 ose 89% kanë rezultuar në rregull dhe 269 ose 11% kanë rezultuar me shkelje.

 

 

Nuk gjejnë klimën e duhur, ikin nga Shqipëria firmat kosovare

Gjatë vitit që shkoi partnerët tregtare kanë rritur praninë e tyre në ekonominë shqiptare, por kjo tendencë ka qenë e kundërt për Kosovën. Gjatë vitit të kaluar 23 biznese nga Kosova kanë mbyllur aktivitetin e tyre në Shqipëri. Nga 253 kompani që ishin në vitin 2013, në fund të vitit që shkoi rezultuan 230. INSTAT pohon se 9 për qind e bizneseve kosovare që ushtronin aktivitet në vendin brenda kufijve zyrtare të Shqipërisë janë mbyllur.

Ky fakt rezulton të jetë një tregues i qartë se, marrëdhëniet ekonomike të dy vendeve janë të tensionuara. Konflikti nuk është vetëm në portat hyrëse, të cilat janë pjesa më e dukshme ku shtetet e të njëjtit komb janë përfshirë në konflikte reciproke të ashpra tregtare.

Por duket se konflikti me bizneset është në të njëjtat nivele si bllokadat doganore. Kosovarët e kanë më të vështirë të mbijetojnë në tregun tonë në krahasim me italianet, greket dhe turqit, bizneset e të cilave kanë pësuar një rritje të konsiderueshme në ekonominë e Shqipërisë gjatë vitit që shkoi.

Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta zënë rreth 4.7% të ndërmarrjeve gjithsej për vitin 2014. Pronarët apo bashkëpronarët e huaj janë më së shumti italianë. Edhe gjatë viteve të mëparshme, pronarët dhe bashkë- pronarët nga Italia kanë qenë mbizotërues.

Në vitin 2014 numri i ndërmarrjeve të huaja arriti në 5.245, ku 43 për qind prej tyre ishin italiane, 12 për qind ishin greke, 8 për qind turke, 5% kosovare dhe pjesa tjetër, prej 32% nga vende të tjera.

 

 

Italia, 2.5 milionë euro për projekte zhvillimi

Qeveria italiane ka mbështetur 6 projekte të zhvillimit në sektorë të ndryshëm me një fond prej 2.5 milionë euro. Marrëveshja është firmosur mes ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe Ambasadorit Italian në Tiranë, Massimo Gaiani. Ministri Cani tha në fjalën e tij se, projektet janë nga sektorë të ndryshëm si shëndetësia, turizmi dhe informatika. Në garë morën pjesë 36 projekte të ndryshme, nga të cilat u përzgjodhën vetëm 6 prej tyre. Ndërkohë që, qeveria italiane do të vazhdojë mbështetjen për projektet e zhvillimit me një fond shtesë prej 20 milionë euro, duke e çuar kështu në total vlerën e investuar në të tilla projekte në 40 milionë euro.

 

 

Zhgënjen ekonomia gjermane

Ekonomia gjermane gjatë muajve të fundit i ka hyrë një trendi zhgënjyes, që mesa duket i heq Gjermanisë edhe medaljen e artë si lokomotiva e rajonit. Gjatë tremujorit të parë të vitit, Prodhimi i Brendshëm Bruto regjistrohet në një rritje prej vetëm 0.3%. Kjo e dhënë është zhgënjyese jo vetëm për faktin se hapi i rritjes është mjaft i ngadaltë, por mbi të gjitha se rezulton të jetë nën mesataren e rajonit si i tërë. 19 vendet e Eurozonës gjatë së njëjtës periudhë regjistrojnë një normë rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 0.4%. Nga ana tjetër, Franca ekonomia e dytë më e madhe e rajonit, dhe që vetëm pak muaj më parë duket se qëndronte shumë prapa fqinjëve gjerman, fiksohet në një normë rritje prej 0.6%. Pavarësisht kësaj, ekspertët nuk ngrenë sirenat e alarmit. Sipas tyre, ende nuk është parë efekti i plotë i dobësimit të monedhës së përbashkët evropiane në aktivitetin e eksporteve. Nga ana tjetër, ky sektor ka ndikim të drejtpërdrejtë nga tregjet më të mëdha të eksporteve në glob, dhe një rimëkëmbje e shpejtë e tyre do të sillte një kthesë të trendit në nivelin e shkëmbimeve tregtare me jashtë. Gjatë muajve të para të vitit, shkëlqimi i vetëm i ekonomisë gjermane duket se ka ardhur nga konsumatori dhe kërkesa relativisht e fortë e brendshme, duke i marrë kështu stafetën eksporteve si shtylla kryesore e ekonomisë së vendit. Gjatë tre mujorit të parë të vitit, kërkesa e brendshme ka kontribuar me 0.5% në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që tregtia e jashtme ka ulur 0.2 pikë në përqindje. Një indikator tjetër, që i jep një panoramë të zymtë ekonomisë gjermane është edhe ai i moralit të biznesit. Ky i fundit është përkeqësuar ndjeshëm gjatë muajit maj, duke i dhënë një dinamikë tjetër ekonomisë së vendit për muajt në vijim. Kjo e dhënë regjistrohet në territor negativ për të parën herë në 7 muajt e fundit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here