Prezantohen 61 kandidatët e majtë/ Rama në krah të aleatëve dhe Topit: Turp atyre që mes grave tona zgjedhin burrat e SHQUP-it

1
33

Gëzim Saliu

rama me topin e aleatetKryeministri, mesazh Blushit: Atyre që bëjnë komentatorin të pyesin policin dhe mjekun sa përfitime kanë pas 18 muajsh. Falënderoj Presidentin Topi, Idrizin, Milon dhe të pashtershmin Nard Ndoka

Aleanca për Shqipërinë Evropiane prezantoi dje në Pallatin e Kongreseve në kuadër të konventës së zgjedhjeve vendore 61 kandidatët e saj për 21 qershorin. Në një prezantim maratonë, ku ishin të pranishëm Kryeministri Rama, kreu i Kuvendit Meta, aleatët e koalicionit të majtë, mes tyre edhe kreu i FRD-së Bamir Topi, si edhe kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, u theksua rëndësia e votës për kandidatët e propozuar nga ASHE. Ajo që u vu re në sallë ishte rëndësia që i kushtoi Rama pranisë së Topit në këtë takim, ku ky i fundit ishte ulur pranë Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe kreut të grupit parlamentar demokrat, Ruçi. Ndërkaq, në fjalën e tij, kreu i qeverisë radhiti një sërë arritjesh të ekzekutivit në këta 18 muaj qeverisjeje, që nga rendi, energjia, shëndetësia, arsimi deri tek punësimi. Ai tha se është bërë shumë për të rimëkëmbur vendin dhe ka akoma më shumë punë për të bërë, por, sipas tij, e rëndësishme është që vendi është në rrugën e duhur. “Detyrimi për çdo vend të lirë do të merret i pari që ka më shumë pikë. Të marrim spitalet, pamjet në dyert e tyre para 18 muajsh me njerëz që vraponin për të blerë ilaçe se nuk kishte asnjë në spital. Sot ka ilaçe dhe është ulur me 30% çmimet e tyre. Vijojmë të përfundojmë rrugët e lëna rrugëve dhe po paguajmë edhe borxhet. Ajo çfarë kemi bërë në 18 muaj besimplotë se jemi në drejtimin e duhur. Në 8 vite 20.000 legalizime, 6 muaj na u deshën të sistemojmë dokumentacionet, në 1 vit dhamë 32.000 legalizime. Deri para 18 muajsh për tu bërë mësues duhet të paguaje, Kjo histori ka marrë fund. Mësuesit janë klasifikuar sipas testit”, – tha Rama

 

Kandidatët

Duke iu referuar kandidatëve të së majtës, dhe veçanërisht atyre femra, Kryeministri përshtati disa vargje të Çajupit për t’iu drejtuar të gjithë zgjedhësve një mesazh. “Ju them vetëm një gjë, mes gjithë këtyre grave dhe gjithë atyre burrave që kanë përballë, turp kush zgjedh burrin, sepse zgjedh një nga ata që nën hije lozin e kuvendojnë dhe pika që s’u bie se nga SHQUP-i rrojnë”, – deklaroi Rama. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë në fjalën e tij ka ironizuar kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke pohuar se do të mbahet mend vetëm për dështimet. “Kur ishte ministër i Transportit, Lulzim Bashës i ikën në drejtim të paditur mbi 200 mln euro kur ndërtohej Rruga e Kombit; kur ishte ministër i Jashtëm i ikën në drejtim të paditur qindra km katrorë det i Shqipërisë; kur ishte ministër i Brendshëm mbahet mend se ka 4 të vrarë në kurriz; ndërsa si kryetar Bashkie nuk mund t’i numërojmë gjë, se nuk ka bërë asgjë në vite”, – tha ai. Pjesë e kritikës së Kryeministrit ishte edhe deputeti socialist Ben Blushi, të cilët edhe pse nuk iu referuar nominalisht, i hodhi poshtë qëndrimit të tij për varfërimin e shqiptarëve duke pohuar: “Atyre që bëjnë komentatorin me shifrat tona dhe ato të Saliut, mjaftojnë të pyesin një polic, një mjek dhe këdo që merr më pak në muaj për të marrtë vesh se përftimet e kësaj shtrese kanë shkuar 95 milionë USD”. Pjesë e fjalimit të kreut të qeverisë ishin edhe batutat, ku në falënderimet e rastit për të pranishmit, Rama e cilësoi si të pashtershëm kreun e PDK-së Nard Ndoka. “Falënderoj Presidentin Bamir Topi, kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi, kreun e PDS-së Paskal Milo, mikun tonë Petro Koçi, por edhe të pashtershmin Nard Ndoka”, – u shpreh Rama, ndërsa salla u pushtua nga të qeshurat.

 

Meta: PD i kërkon bashkitë për të bllokuar qeverinë, ne sjellim më shumë shërbime dhe punësim

Në prezantimin e kandidatëve të aleancës së majtë, kreu i Kuvendit dhe njëkohësisht kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se me kandidatët e së majtës do të sigurohet më shumë shërbime dhe punësim. “Do të kenë mbështetjen e mazhorancës. Ky nuk është kërcënim për të mos votuar PD-në, por PD nuk ka kurajën për të qenë e sinqertë dhe deformon fjalët tona. Ata kërkojnë bashkitë për politikë, për të bllokuar qeverinë . Besojmë se duke fituar bindshëm më 21 qershor, të gjitha energjitë tona i investojmë për projektin tonë të përbashkëta. Me të gjithë kandidatët tanë ne do të tregojmë se jemi aleanca për Shqipërinë Evropiane, aleanca e së sotmes, aleanca e së ardhmes. Jemi në rrugën e duhur, kemi kandidatët e duhur dhe filozofinë e duhur. Kjo është arsyeja pse kjo aleancë shtohet”, – tha Meta.

 

Veliaj: Steve Jobs nuk do ishte bërë në Shqipërinë e Berishës, zgjidhje për familjet shqiptare

Kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi dje se në këto zgjedhjet koalicioni ASHE ofron alternativën e zgjidhjes së problemeve për familjet shqiptare. “Nëse do kishim në Steve Jobs besoni se do ishte bërë ai që ishte me Saliun në krye… Kjo fushatë nuk është për të zgjidhur problemet e familjes së SHQUP, por për të zgjidhur problemet e familjeve shqiptare. Në familjet shqiptare pyetja është në cilën shkollë apo çerdhe do e çojmë fëmijën se nuk asnjë shkollë apo çerdhe të re. Më vjen mirë që është këtu është Bamir Topi dhe Shpëtim Idrizi me mbështetësit e tyre. Nuk kam takuar asnjë fanatik që të thotë s’ka problem të rrojë Saliu se unë do fle mbi plehra. Tirana është Tirana e 1 milion mundësive, e ëndrrës sonë. Por unë nuk mund t’ia dal dot vetëm, kam nevojë për ju që të them se në Tiranë mund të lindë një Steve Jobs”, – tha Veliaj.

 

Fjalimet në konventën e zgjedhjeve vendore të ASHE-së

Bamir Topi: Do bëjmë më të mirën që kandidatët tonë të jenë fitues

“Falënderoj Ramën i cili jam i bindur që nuk ka qenë në vështirësi pasi ka qenë pjesë e vizionit të tij për ta shtrirë këtë koalicion për qytetarët, për qytetet dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Ajo që na shqetëson më shumë është e ardhmja e qytetarëve tanë dhe qyteteve tona. I bindur se do të bëjmë më të mirën që kandidatët tanë të jenë fitues”.

 

Sajmir Tahiri: Vazhdojmë atë që nisëm më 23 qershor 2013

“Sot kemi një skuadër me 61 kandidatët tanë që do të vazhdojë me shumë fuqi atë që kemi nisur në qershorin e 2013-ës, për ta bërë Shqipërinë më të zhvilluar dhe qytetarët më të mirëqenë nëpërmjet punës. Do jenë në 61 bashkitë e reja jo për politikë, por për t’i shërbyer qytetarëve”.

 

Vangjush Dako: Puna e bërë në 8 vite na siguron votën në 21 qershor

“Në 18 muaj në Durrës investime sa për 8 vite. Do të kryejmë investime për ta transformuar qytetin e Durrësit. Ne do ta ndryshojmë dhe do të bëjmë më të mirën. Do të kërkojmë sërish votëbesimin pas 4 vitesh, se këtë herë e kemi të sigurt votën për punën e bërë”.

 

Hasan Halili: Edhe me komentet e shkrimtarit, PD s’fiton në Kukës

“Të djathtën në Kukës nuk ka për ta shpëtuar as ndonjë shkrim i ndonjë shkrimtari që ka kohën të shkruajë edhe për Kukësin. Fati i Hasanit do jetë fitorja e së majtës. Ka ikur koha për ta hedhur Kukësin e për ta marrë sa herë të duan”.

 

Keti Bazhdari: Do jem avokatja e qeverisë për Shkodrën

“PS më dha përvojë në politikë dhe sot më ka besuar që “Perandorinë e lashtë, Shkodrën” ta rilindim, ringremë. Do ngremë një ekonomi që motivon njerëzit. Bashkia është ajo ku çdo qytetari i jep mundësi të gjejë vetën për tu punësuar Nga sot unë do jem avokatja e qeverisë për shkodran”.

 

Zamira Rami: “Vala” e fitores në 21 qershor do të nisë nga Gjirokastra

“Unë kam deklaruar 2 vjet më parë se valën e fitores do ta nisin nga Gjirokastra. Edhe në 21 qershor fitorja do të nisë nga Gjirokastra. Në 4 vitet e ardhshme ne do të mbajmë mbi supe besimin e qytetarëve. Të gjithë e dinë se jeta do të jetë më e mirë me kandidatët e Shqipërisë Evropiane”.

 

1 COMMENT

  1. Jane ca fotografi qe do doje te mos ishin bere kurre, zoti President…
    Faji per zgjedhjen e deputeteve dhe per Antiligjin 7501, i mbetet vetem Berishes, se Edi Rama doli ne foto me ty!
    Rama u be bashke me Ju dhe Nard Ndoken tashme, ska zot e as zooveterinari qe i del perpara…se ti di tu flasesh eee dhe per topin…
    Mbase ne kemi gabuar, duke te menduar ndrysshe. Ti shkove tek te takon. Krushqia ngjan, pa behet, thone.
    Lume shqipetaret…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here