Oturaku urban: Parku i Liqenit ose Liqeni i Parkut

0
35

Artan FUGA

Artan FUGADisa miq të saj, pasi kishin shëtitur natën vonë andej nga Parku i Liqenit ose Liqeni i Parkut, i kishin thënë gazetares të nderuar se kishin parë xixëllonja andej dhe si fëmijë ishin mrekulluar.

Nuk e kanë gënjyer me përjashtim të termave që i kanë përdorur me një bujari semantike pa hesap.

Andej nga kanë shëtitur ata nuk ka as Park dhe as Liqen.

Ose ka Park dhe Liqen, po aq sa ka edhe pistë vrapimi, ose kopsht zoologjik, ose lëndina me bar, ose pishina në qiell të hapur.

Iluzione optiko-semantike.

Nejse.

Edhe unë kur shëtis natën vonë andej shoh atje xixëllonja. Por, a mjafton kjo për ta shpëlarë Tiranën tonë?

Nuk e besoj.

Unë e kam vështirë të adaptoj këndvështrimin e xixëllonjës për ekologjinë urbane aq më pak të pranoj argumentet e xixëllonjës me gjithë ndriçimin e saj marramendas që na magjeps për arsye që konsiderohen misterioze.

Edhe unë dal shpesh nga liqeni por torturohem. Xixëllonja natën shoh edhe unë, shumë e vërtetë.

Një ditë një xixëllonjë erdhi dhe mu ul te dora. E përkëdhela, dhe nisa t’i thosha me dashuri:

Xixëllonjë moj xixëllonjë, e dashura ime, e bukura ime, drita ime, bën mirë që del natën. Mos dil ditën këtej se do të tromaksesh.

E sheh këtë amfiteatrin këtu, dikur ka qenë një mrekulli, para 20 vjetësh aty bëheshin koncerte të mëdhenj, sot mund të bëhej një vend debati për qytetarët. Por, shih si është shkatërruar, duket sikur andej kanë kaluar ostrogotët, gotët, hunët, vandalët dhe e kanë shkatërruar në kohën kur hodhën me prapanicë përpjetë qytetërimin roman. Duket i vjetër dhe më i lashtë sesa gërmadhat e Butrintit.

Xixëllonjë e dashur, drita ime, qëndro kështu siç je delikate dhe e pastër, mos u bëj pis, dhe sidomos mos shko te ato wc aty poshtë, të vetmet në gjithë parkun, se janë pis, vijnë erë dhe janë jashtë kushteve higjenike. Thjesht hale. Kushdo që ka nevoja fiziologjike në pjesë të tjera të parkut duhet të gjejë ndonjë rrëzë peme.

Sa mirë që fluturon moj xixëllonja ime, fluturo lart në qiej, se kur ecën me këmbë mund të shkelësh gjëra që vijnë erë.

Por, fundja rri edhe ti në haale si rrinë mizat e mushkonjat se edhe ti xixëllonjë një mizë je si gjithë të tjerat.

Fakti që ka xixëllonja nuk do të thotë se nuk ka fekale rreth e rrotull. Më kujtohet se në fushra të hapura kur jam ndodhur keq, i kam parë xixëllonjat duke fluturuar mbi fekale.

Pse ka dritë te trupi i xixëllonjës nuk do të thotë asgjë. Për ne njerëzit drita është pastërti, por jo për xixëllonjat. A nuk themi ne se je i pastër dritë??? Por, nuk është veçse një metaforë, një iluzion. Dritë ka edhe në wc. Xixëllonja është një mizë, një insekt si gjithë të tjerat, pse duhet ta mbivlerësojmë në krahasim me mushkonjat?

Pse i shajmë dhe i përbuzim ne njerëzit mushkonjat? Pse na pickojnë??? I lavdërojmë xixëllonjat se ndriçojnë dhe drita na pëlqen se na duket si yje të vegjël??? Nuk është veçse një këndvështrim i vockël njerëzor. Mickonja dhe xixëllonja mund të jenë të dyja të pista ose te pastra.

Por, unë jam njeri dhe xixëllonjën e dashuroj fort.

Ah, moj xixëllonja ime e shndritshme, ar e flori, ti ke pak kohë që jeton, sa mirë që nuk ke kujtesë, o shpirt me dritë, o naivja ime e dashur, e sheh këtë pellgun këtu?

Kush e di sa kohë ka që nuk pastrohet. Brenda po të futesh mbetesh në llucë, është gjithë mikrobe, dikur aty laheshin fëmijët, kur isha i ri bëja gara noti dhe lojëra waterpoli. Kishte edhe një pistë notimi. Orën e fizkulturës në not aty e zhvillonim. Shihe si është bërë tani! Duket si një enë e madhe me urinë (më fal xixëllonjë që përmenda këtë fjalë se shkëlqimi yt nuk e meriton).

Vjen erë.

I gjithë parku për shkak të këtij pellgu të ndotur i ngjan një oturaku gjigant të paderdhur prej vitesh e vitesh.

Xixëllonjë sa mirë që Perëndia të ka dhënë dritë e të njohim në fashën ndriçuese të pakorruptueshme që ke, larg çdo interesimi financiar, tenderi a propagande, sepse rrotull vijnë edhe miliona mickonja nga ky pellg i qelbur uji që ti, shpirti im i ndezur, natën nuk e sheh sepse të verbon drita e emanuar nga vetja jote. Po digjesh e dashura ime xixëllonjë nga vetëndriçimi yt dhe të zë sytë, sa mirë, sa keq për ne që nuk e kemi këtë shpirt të ndriçuar, por e kemi të zi.

Mikja ime xixëllonjë, shihi pak lëndinat e rrjepura që askush nuk i mirëmban e i punon.

Shihe këtë krim ekologjik që vazhdon që prej tridhjetë vjetësh. Pemët janë bërë si fije floku tullaci. Ah e dashura ime sa do të doja të lodroja me ty masiveve me pyje që imagjinoj këtu, mes luadheve ku do të kullosnin delet e Perëndisë, dhe ne do të shkriheshim me njeri tjetrin në një bardhësi hyjnore.

E mira, ime xixëllonjë, e bukura ime, por që nuk ke nuhatje.

Sheh këmbë njeriu në këto fusha???

Janë të thara lëndinat e imagjinuara dikur, bari i thatë, toka e ngurtësuar, e çarë nga thatësira nuk ka rrugica që ta përshkojnë parkun që ka mbetur jetim. Askush nuk e di sesa pemë janë. Ke parë ndonjë pemë të krasitur, të ujitur, të mirëmbajtur???

Aty te fillimi i parkut do të ndjesh erën e farërave të lulediellit që digjen, të misrave të pjekur, të kokoshkave, por ik shpejt xixëllonja ime delikate, blej ndonjë gjë aty te ajo tregti mizerabël, që ndot gjithçka dhe shkon tutje, fluturo e lirë sepse duhet të përfitosh nga liria e qiellit.

Por mos u largo shumë gjithsesi. Nuk ka çezma me ujë në park, uji këtu është i harruar, por ka birrë në lokalet që janë shfaqur lart e poshtë.

Sa mirë xixëllonja ime që fluturon dhe nuk ecën në këtë asfaltin e shkatërruar prej vitesh e vitesh. Ka një pistë por mos kërko lojëra të tjera në park ku të zbaviten fëmija, fusha tenisi, futbolli, volejbolli, se këto janë harruar krejt.

Xixëllo moj xixëllonjë

një ndër dy llamba me neon

njëra nuk na punon.

Ka errësirë, sidomos në një pjesë të perimetrit të Parkut. Kalo nga ana tjetër por mos i ul sytë përdhe se atje është kopshti zoologjik.

Pellgu i ujit të pisët atje është një bukuri muzeale e së keqes dhe e shkatërrimit.

Oturaku i dytë.

Por, shih edhe si ha atje qukapiku mish kau, shih gjelin e detit si bën si pallua, unë një ditë bëra si majmun për të zbavitur disa turistë që kishin ardhur nga Lapraka a Kamza për të parë evolucionin e qenieve të gjalla. Atje ka edhe një muze biologjik të historisë natyrore të Shqipërisë. Sheh se si njeriu është bërë majmun. A nuk është koha një rrjedhje pa drejtim.

Zbrit pastaj poshtë digës e dashura ime xixëllonjë dhe do të shohësh se çfarë urbanizimi po kryhet atje, së shpejti nga liqeni nuk do ta shohësh më Kodrën e Diellit.

Shkëlqe e dashur xixëllonjë shkëlqe, unë me ty kam shtënë sevda, sa mirë që je qenie pa hundë dhe vetëm me ndriçim nga vetvetja, o qenie hyjnore xixëllonjë.

Shiko se mos del andej nga ana e Komunës të Parisit, nën rrugën e madhe. Do të qelbesh nga plehrat e pambledhura, nga kazanët e ndyrë, nga mbeturinat e hedhura dhe që andej do të vrojtosh sesi e gërryen Kodrën e Diellit, i nxorën zorrët e barkut, i hoqën bar dhe dhera dhe mbi tarraca kineze ngritën lubi betoni për turp.

Fluturo xi-xi-xi-xixëllonjë, dhe qëndro me ne, mos na braktis, ti nuk ke as hundë.

Së shpejti Tiranën tonë haaale do ta popullojnë vetëm qeniet pa hundë dhe pa sy sepse ata që kanë dy paré mend, qeniet vertebrore, me sistem nervor qendror që kanë lekë, pushtet, imagjinatë, hundë dhe sy, edhe veshë, do ta braktisin halenë që krijuan dhe do të ikin larg, larg, nga sytë këmbët, atje ku ka vetëm xixëllonja të fisme, delikate, të shndritshme, atje te burimet e Mujit dhe Halilit ku zanat dhe shtojzovallet lodrojnë në korije, pinë ujë burimesh, hanë hoje mjalti, mes pishave dhe gjelbërimit pa fund.

Shpirti im xixëllonjë… e bukur, o ylli im i vogël fluturues, më prit natën nga Parku i Liqenit, dot të vij… do të digjemi të dy nga ajo dritë që përhap…

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here