Gëzim Saliu
Eduard Selami: Mos shikojmë llogoret partiake, por ta ngremë shërbimin e jashtëm në nivelin e duhur, Rama dhe Bushati ta rishikojnë ligjin
Ligji i qeverisë për shërbimin e jashtëm ka sjellë debate dje në Komisionin e Jashtëm, ku u diskutua dekreti i Presidentit për këtë ligj. Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qirjako Qirko, duke mbrojtur projektligjin tha se heqja e kuotave mbulohet me vendosjen e kritereve të forta për përzgjedhjen e diplomatëve, opozita theksoi se ligji i qeverisë përbën një hap të madh mbrapa. Ndërkohë që ky ligj ka hasur më parë edhe kundërshtinë e kryetares së Komisionit të Jashtëm Arta Dade, e cila abstenoi në votimin e tij në Parlament kohë më parë.
Debati
Sipas deputetit demokrat Eduard Selami, Kryeministri Rama dhe ministri i Jashtëm Bushati duhet ta rishikojnë ligjin. Ky ka qenë një rast i mirë që politika shqiptare të maturohet në nivelin që të mos shikojë llogoret partiake por ta ngrejë shërbimin e jashtëm në nivelin ku i duhet çdo vendi që është anëtar i NATO-s dhe aspiron për në BE. Heqja e përqindjes mund të sjellë atë që 100% të jetë jashtë karriere. I bëj thirrje Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm ta rishikojnë ligjin”, – tha Islami. Më i ashpër ishte në reagimin e tij nënkryetari i Komisionit të Jashtëm, deputeti demokrat, Aldo Bumçi, i cili pohoi se ky ligj përbën një turp të diplomacisë. “Ky është një ligj i pabazuar në asnjë përvojë diplomatike. Asnjë vend tjetër nuk ka që ministrit dhe kryeministrit i lejohet të emërojë ambasadorët pa kuotë. Të heqësh kuotën do të thotë të bësh ligj për miqtë e ministri, kryeministri, miqtë e partie përfshirë dhe ndonjë deputet e ish deputet”, – tha ai. Nga ana e saj, kryetarja e Komisionit, socialistja Arta Dade që ka qenë pjesë e grupit kritik ndaj ligjit, theksoi se ka mundësi për të negociuar ende lidhur me ndryshimin e disa pikave të tij. Po ashtu ajo tha se ekziston edhe mundësia e mendimit të ligjit më vonë, në ato nene që kanë krijuar debat mes palëve. “Ne kemi për detyrë si Komision të monitorojmë më nga afër, në mënyrë më intensive rastet e emërimeve të ambasadorëve, ashtu sikurse kemi bërë. Tani meqenëse kemi një ndryshim në ligj, ne do të ushtrojmë të gjitha kompetencat tona, për të monitoruar më nga afër në mënyrë më strikte veprimtarinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në mënyrë të veçantë rastet e emërimeve për ambasador”, – u shpreh Dade.
Debati në Kuvend
Qirjako Qirko: Mendojmë se ligji shmang politizimin se ndërsa ligji në fuqi caktonte një kuotë ne e heqim konceptin e ambasadorëve politikë. Ligji caktonte 20% por nuk është zbatuar, 42-46% ka ardhur nga politika. Ne e kemi hequr këtë kuotë dhe kemi vendosur kritere që nuk janë politike.
Arta Dade: Ka ndonjë ndryshim pozicioni nga MPJ?
Qirjako Qirko: Jo, nuk ka.
Aldo Bumçi: Nga e keni marrë shembullin që 100% e diplomatëve të jenë jashtë sistemit të karrierës? Cili është mendimi i diplomatëve, juaji?
Arta Dade: Më lejoni tu korrigjoj se ligji nuk sanksionon që 100% të jenë jashtë karrierës. Ligji lë hapësirë që probabiliteti është i madh që të shkojë nga 0-100% dhe ky ka qenë dhe shqetësimi im.
Eduard Selami: Ky ka qenë një rast i mirë që politika shqiptare të maturohet në nivelin që të mos shikojë llogoret partiake por ta ngrejë shërbimin e jashtëm në nivelin ku i duhet çdo vendi që është anëtar i NATO-s dhe aspiron për në BE. Sugjerimi juaj nëse ka reflektim nga MPJ dhe përgjigjja është jo, për mua është diçka për të ardhur keq. I bëj thirrje Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm ta rishikojnë ligjin.
Qirjako Qirko: Nuk bëhet fjalë për 100% dhe nuk është thënë asnjëherë. Për të mos qenë në shkelje të ligjit, si në rastin kur 20% nuk është zbatuar asnjëherë, nuk janë vënë kuota por kritere.
Aldo Bumçi: Nga përgjigjet del qartë se ky është një ligj i pabazuar në asnjë përvojë diplomatike. Asnjë vend tjetër nuk ka që ministrit dhe kryeministrit i lejohet të emërojë ambasadorët pa kuotë. Të heqësh kuotën do të thotë të bësh ligj për miqtë e ministrit, Kryeministrit, miqtë e partisë përfshirë dhe ndonjë deputet e ish-deputet. Ky nuk është një ligj i bërë për trupin diplomatik dhe që u shërben qytetarëve. Është një situatë e turpshme, e dëmshme që do të cenojë interesat e këtij vendi.
Arta Dade: Gjërat nuk duhet t’i dramatizojmë. Ne kemi për detyrë si Komision të monitorojmë më nga afër, në mënyrë më intensive rastet e emërimeve të ambasadorëve. Kemi ende 10 ditë hapësirë, që të vazhdojmë të bëjmë, ndoshta negociata dhe të avancojmë mendimin edhe tuajin, edhe përsëri të komisionit që mbetet i pa lëkundur. Siç e tha z. Selami, llogore partiake, mos mungoni në parlament, mos mungoni në seanca në mënyrë që ne të bëjmë atë çka është më e mirë përtej vullneteve politike të dy krahëve të politikës, çka është më e mirë për diplomacinë dhe me ligjin.
Mungesa e ambasadorit/ Qeveria komandon në Maqedoni Bashkim Ramën, drejtor i Rajonit në MPJ
Në mungesë të një ambasadori në Maqedoni, për shkak të konfliktit mes Presidentit dhe qeverisë, Ministria e Jashtme ka komanduar në krye të misionit tonë atje Bashkim Ramën, aktualisht, drejtor për Rajonin në këtë ministri. Ky është një veprim emergjent i ministrit Bushati, pas ngjarjeve të rënda në Kumanovë dhe situatën në të cilën ndodhen atje shqiptarët. Bashkim Rama pritet të nisë punën javën tjetër. Dy ditë më parë kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, i bëri thirrje presidentit të dekretojë urgjentisht ambasadorin në Shkup.