Jurges Veizaj
Tekniku i bavarezëve është shprehur se nëse luajnë me zemër, do të arrijnë që të bëjnë përmbysjen e madhe
Ndërsa Enrike shpreson që skuadra e tij të bëjë të njëjtën lojë si në “Camp Nou” në mënyrë që të presin biletën për në finale
Sot në mbrëmje do të luhet një sfidë e madhe. Kjo, për faktin se Barcelona shkon në “Allianz Arena” përballë bavarezëve që shpresojnë se do të bëjnë përmbysjen. Falë një Mesi në top-formë, katalanasit fituan në fushën e tyre me rezultatin 3-0. Para ndeshjes kanë folur trajnerët përkatës të skuadrave që kanë thënë se çfarë presin nga skuadrat e tyre për këtë ndeshje. Pep Guardiola u përgjigjet të gjithë kritikëve. Në prag të gjysmëfinales së kthimit ndaj Barcelonës në Champions, ku Bajernit të tij do t’i nevojitet një mrekulli për të përmbysur disavantazhin 3-0 të ndeshjes së parë dhe për t’u kualifikuar në finalen e madhe të Berlinit, trajneri spanjoll foli me tone të ashpra përpara gazetarëve të pranishëm në konferencën për shtyp. “Unë nuk kam ardhur këtu për të qenë trajneri më i mirë në botë. Jam këtu për të bërë të lumtur njerëzit dhe për të ndihmuar Bajernin si klub dhe futbollistët e tij, ashtu siç bëra me Barcelonën. Gjithmonë jap gjithçka që mundem, edhe pse nuk e di nëse diçka e tillë është e mjaftueshme për tifozët. Nëse për klubin, presidentin, legjendat e skuadrës apo edhe fansat kjo nuk është e mjaftueshme, më vjen me të vërtetë shumë keq. Unë nuk do të ndryshoj stilin e jetesës nëse fitoj apo jo. Edhe pse kam fituar gjithçka në karrierë, për mua momenti kur Bajerni më kontaktoi ishte si një ëndërr. Për një gjë të jeni të sigurtë, nuk do të vras veten nëse nuk fitojmë. Në futboll nuk mund të fitohet gjithmonë, unë personalisht jam i lumtur me punën që kam bërë këtu te Bajerni”. Në Mynih janë të shumtë ata që ëndërrojnë përmbysjen e madhe, por sa shanse ka që të ndodhë një gjë e tillë sipas Guardiolës. “Ne nuk mund ta fitojmë këtë ndeshje vetëm sepse unë jam Pepi apo ne jemi Bajerni. Duhet të luajmë me zemër, por edhe me mendje, për të synuar kualifikimin. Ne nga ana jonë do të japim gjithçka në fushën e blertë më pas të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Ata kanë një avantazh të madh, por nuk duhet të harrojmë faktin që në “Camp Nou” shënuan 3 gola në 13 minutat e fundit. Në një sfidë të tillë gjithçka mund të ndodhë. E vetmja gjë që u kërkoj lojtarëve të mi është të tregohen të duruar”. Në ditët e fundit e ardhmja e trajnerit spanjoll është lidhur shumë me një transferim të mundshëm te Mançester SitI. I pyetur për këtë çështje, Guardiola u qëndroi edhe një herë tjetër besnik fjalëve të tij. “Dëgjoni njerëz! E kam thënë edhe miliona herë të tjera, kam edhe një vit tjetër kontratë me Bajernin dhe do të qëndroj këtu edhe sezonin e ardhshëm. Kjo është e gjitha. Të jesh trajneri më i mirë në botë është e ndyrë, sepse duhet të fitosh gjithmonë dhe nëse nuk e bën, do të të sulmojnë!”
Ndërsa me një fitore 3-0 në ndeshjen e parë, Luis Enrike është i qetë dhe i pranon me sportivitet komentet e Pep Guardiolës. Trajneri i Bajernit tha se Barcelona është skuadra më e mirë në botë në kundërsulme, deklaratë që Enrike nuk e merr si provokim, por si kompliment. “Nëse e thotë Guardiola, më duket fantastike. E shikoj si vlerësim, por edhe neve na intereson të bëjmë një ndeshje të çmendur. Duam ta mbajmë topin për t’u afruar më pas e për të shfrytëzuar hapësirat e tyre. Nuk duhet që vetëm të mbrohemi apo vetëm të sulmojmë. Duhet koordinim dhe ekuilibër në lojë”. Pavarësisht nga fitorja në takimin e parë, Enrike nuk e shikon Bajernin si një kundërshtar të plagosur, përkundrazi, ia ka frikën skuadrës së Guardiolës. “Bajerni i kaloi çerekfinalet me përmbysje. E dimë se çfarë është në gjendje të bëjë dhe tani është radha jonë të vuajmë. Gjithsesi, ne do të tentojmë të luajmë si në takimin e parë. Vijmë me një ecuri të mirë në këtë ndeshje, me rezultate pozitive edhe jashtë shtëpisë”. Një gol mund të jetë vendimtar për finalen e parë të madhe të Enrikes, megjithatë trajneri i Barçës kërkon të përqendrohet te gjysmëfinalja për momentin, duke shmangur në fund edhe pyetjet për të ardhmen. “Nëse shënojmë, i afrohemi edhe më shumë objektivit që kemi, por e dimë që ata mund të na shkaktojnë shumë probleme. Ne jemi përgatitur për fitore. Do ta shikojmë nëse e meritojmë finalen. Rreth të ardhmes nuk kam çfarë të them. Askujt nuk i intereson kjo para gjysmëfinales së Championsit”.
Myler: Mund të bëjmë përmbysjen e madhe
Ylli i Bajernit të Mynihut, Tomas Myler, beson se skuadra e tij mund ta bëjë të papriturën duke eliminuar Barcelonën nga Liga e Kampioneve. “Nuk jam as shumë euforik, as shumë pesimist. Ne duhet t’i shfrytëzojmë rastet tona. Ne do të kemi një plan. Ndeshja e parë ishte zhgënjim i madh. Por, qëkur u larguam nga “Camp Nou”, ne kemi dashur ta kompensojmë atë humbje. Nëse kualifikohemi, do të jetë një ngjarje për botën e futbollit. Ky është plani dhe nuk është i çmendur”, – u ka thënë Myler gazetarëve.
Maskerano: Barça do të sulmojë
Mbrojtësi i Barcelonës, Havier Maskerano, është i vetëdijshëm se në një gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve nuk bën të mbrohesh. Argjentinasi ka thënë se pavarësisht nga epërsia prej 3-0 nga ndeshja e parë, “blaugranët” edhe në “Allianz Arena” do të zhvillojnë lojë sulmuese. “Do të sulmojmë, sepse nuk dimë të luajmë në mënyrë tjetër – është filozofi e klubit”, – ka deklaruar ai. “Për të arritur finalen e Berlinit duhet të luajmë perfekt. Jemi 90 minuta larg finales. Do të bëjmë gjithçka për të realizuar ëndrrën. Nuk e di akoma formacionin e Bajernit, por pres skuadër sulmuese që nga fillimi. Ata do të provojnë të shënojnë, e dimë si luajnë në shtëpi. Por, ne jemi përgatitur për gjithçka, nuk do të befasohemi. Nëse mbrohemi ata do të vijnë te ne, dhe në gjysmëfinale do të ishte gabim të mbrohesh. Jam tifoz i madh i Messit, kënaqem kur e shoh teksa luan. Nuk mund ta krahasoni me askënd. Për mua ai është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave”, – ka thënë Maskerano në konferencën për shtyp.
Emerson: Juventusi mund të kualifikohet
Ish-futbollisti i Realit të Madridit dhe Juventusit, Emerson, është i bindur se “Zonja e Vjetër” mund ta fitojë Ligën e Kampioneve këtë sezon. Bardhezinjtë udhëtojnë në “Bernabeu” të mërkurën për të zhvilluar ndeshjen kthyese gjysmëfinale, pas triumfit prej 2-1 në Torino në përballjen e parë. Braziliani jo vetëm që beson se kampioni italian mund të kualifikohet në finale, por mendon se bardhezinjtë mund t’i shkojnë deri në fund turneut. “Do të jetë vështirë në Madrid, shumë më vështirë se te Juventusi, por mendoj se në fund Juve do të kualifikohet. Më pëlqeu shumë mënyra si luajtën. Është një ekip i fortë. Në momente të vështira ata rritin nivelin e lojës dhe mbrohen mirë. Kush do të mendonte se ata do të arrinin në gjysmëfinale? Mund të shikoj në sytë e tyre dhe t’u them lojtarëve: ‘Askush nuk besoi te ne, tashmë duhet të tregojmë se mund ta fitojmë Ligën e Kampionëve’”, – është shprehur Emerson. Për herë të fundit në një finale të Ligës së Kampioneve, Juventusi ka luajtur në vitin 2003, ndërsa herën e fundit që e ka fituar trofeun ka qenë sezonin 1995/1996.
Arsenali në kërkim të Dijkut
Arsenali ka dërguar përfaqësuesit e vet për të vëzhguar nga afër mbrojtësin e Sëlltikut, Virgil van Dijk, ndërsa oferta që klubi londinez ka përgatitur është 10 milionë paund. Topçinjtë janë të impresionuar me paraqitjet e qendërmbrojtësit holandez dhe besojnë se ai mund të jetë një mundësi e mirë për të forcuar mbrojtjen për sezonin e ri. Lojtari i përfaqësueses holandeze U-21 ka vendosur të largohet nga Sëlltiku, pasi ai dëshiron ta provojë veten te një klub më i madh evropian. Për të është interesuar edhe Totenhemi.
Behrami larg Hamburgut
Valon Behrami pritet ta braktisë skuadrën e Hamburgut vetëm pas një viti. Lajmi është bërë i ditur të hënën nga mediat e shkruara në Gjermani. Futbollisti 30-vjeçar u transferua në Bundesliga verën e kaluar nga Napoli dhe pritet të largohet për shkak se familja e tij nuk është e lumtur me jetën në Gjermani. Behrami ishte shumë afër transferimit te Interi, por pasi dështoi transferim i tillë, atëherë ai u transferua në Hamburg. Mund të ndodhë që kosovari me pasaportë zvicerane sezonin tjetër të luajë sërish në Serinë A, me skuadrën zikaltër, aty ku e pret bashkëkombasi Shaqiri.
Dani Karvahal: Duhet të jemi gjakftohtë ndaj Juventusit
Mbrojtësi i Realit të Madridit, Dani Karvahal, i ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij se një sulm i pamenduar në ndeshjen ndaj Juventusit, mund t’u kushtojë me eliminim. “Duhet të jemi gjakftohtë, të kemi durim dhe të mos çorientohemi. Ne duhet të mësojmë nga ndeshja në Torino. Ata na shkaktuan shumë rrezik. Nëse jemi të qetë, kemi durim dhe i shtyjmë prapa, ndeshja do të jetë në favorin tonë. Nuk duhet të bëjmë gabime në pasime të lehta në situata të thjeshta. Kjo u jep atyre shans”, – ka thënë mbrojtësi spanjoll.
Mançini: Qëndrimi i Handanoviçit, i vështirë
Roberto Mançini thotë se e kupton dëshirën e portierit Samir Handanoviç për të luajtur në Ligën e Kampioneve. Kontrata e portierit slloven skadon në verën e vitit të ardhshëm dhe negociatat për vazhdim kanë dështuar, çka ka shtuar spekulimet për një largim të tij këtë verë. “Unë e konsideroj atë një prej portierëve më të mirë në Evropë, ai ka bërë disa mbrojtje të shkëlqyeshme. Nuk e di saktësisht situatën, ata janë në bisedime dhe shpresoj se do të gjejnë një mes për disa javët e ardhshme. E kuptoj edhe Samirin. Kam lexuar se ai dëshiron të luajë në Ligën e Kampioneve dhe ne nuk mund t’ia garantojmë këtë sezonin e ardhshëm. Do të shohim nëse do të jemi në gjendje ta mbajmë ose jo. Nuk është e garantuar se ai do të largohet”, – ka thënë italiani.
Lipi: Alegri, i ngjashëm me mua
Ish-trajneri i Juventusit dhe i Italisë, Marçelo Lipi, beson se ai ka shumë ngjashmëri me trajnerin aktual të bardhezinjve, Masimiliano Alegri. Lipi ka shpjeguar ngjashmëritë dhe pse është i impresionuar nga arritjet e Alegrit këtë sezon. “E shoh veten time te Alegri”, – ka thënë Lipi. “Ne të dy kemi fituar punë në ekipe të mëdha në të njëjtën moshë dhe të dy kemi fituar “Scudetto”-n që në tentimin e parë. Ne jemi të bashkuar nga disa gjëra konkrete, pasi të dy kemi shpaguar detyrat tona. Ai ka bërë gjithçka që mundet në nivel taktik dhe punuar me ekipet e tij. Më pëlqen mençuria me të cilën ka luajtur këtë sezon. Ai nuk ka nxjerrë asgjë nga ekipi, vetëm se i ka shtuar diçka atij”, – ka shtuar italiani.