Ministeriali/ Tahiri: Shkurtoni procedurat e azilit, me qëllim që të mos vlejë udhëtimet

0
129

Artan Cena

Saimir TahiriMinistri i Brendshëm Saimir Tahiri nga Austria bën thirrje që vendet e BE-së të marrin masa. “Po ngremë një instrument kontrolli për të parandaluar fenomenin”

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i pranishëm në një ministerial ku merrnin pjesë vende të Ballkanit, ka kërkuar veprime dhe vendimmarrje nga ana e partnerëve strategjikë në BE. “Po punojmë bashkërisht në rajonin e Ballkanit për të hartuar dhe pasur procedura të njësuara të skanimit në pikat kufitare, duke e konsideruar këtë një instrument shumë të fuqishëm për të parandaluar azilantët dhe kjo është arsyeja pse në sesionin e parë biseduam për të patur ekspertizë dhe ngritje kapacitetesh nga partnerët tanë evropianë, për të përforcuar instrumentet në kufi për parandalimin e azilkërkuesve të paligjshëm që në vendin e origjinës”, – theksoi Tahiri. “Kemi nevojë që këto procedura të jenë sa më të shkurtra, pasi kjo është e vetmja mënyrë që ato të mos vlejnë si ftesa për qytetarët tanë”, – shtoi ministri i Brendshëm.

 

Shkurtoni procedurat

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kërkoi hartimin e procedurave të njësuara për kontrollin dhe skanimin në pikat kufitare për të parandaluar fenomenin e azilit. Nga ministeriali i Salzburgut në Austri ku u diskutuan dhe probleme të luftës kundër terrorizmit e sigurisë kibernetike, Tahiri tha se kjo mënyrë do të ndihmojë në përballjen me fenomenin e azilkërkuesve. “Ne kemi nevojë që këto procedura të jenë sa më të shkurtra, pasi kjo është e vetmja mënyrë që ato të mos vlejnë si ftesa për qytetarët tanë, sepse realisht është ftuese për qytetarët shqiptarë apo të vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor, që të vijnë dhe qëndrojnë këtu në Austri, apo Gjermani, apo Francë, apo vende të tjera të BE-së, për 6 muaj apo më shumë në pritje të një vendimi, dhe kjo është më ftuese sesa të qëndronin vetëm 2 apo 3 javë në pritje të një vendimi. Prandaj, kemi nevojë për veprime dhe vendimmarrje, prej partnerëve strategjikë në BE për të shkurtuar procedurat dhe për ta bërë të pamundur për qytetarët tanë që procedurat e pritjes për dhënien e vendimit, të konsiderohen si ftesa. Një zgjidhje duhet t’i jepet edhe ndihmës ekonomike për ata që kërkojnë azil në BE, apo për lejet e punës, sepse këto mund të konsiderohen një tjetër faktor ftues, çka e bën shumë tërheqëse për qytetarët në Shqipëri që të vijnë të qëndrojnë këtu për 6 muaj a më tepër, duke i dhënë në këtë mënyrë një lloj zgjidhje çdo lloj problemi ekonomik që mund të kemi në vendet tona”.

 

Krimi i organizuar

Ministri i Brendshëm u ndal edhe tek krimi i organizuar. Saimir Tahiri tha se duhet të zgjerohen kapacitetet për të bashkëpunuar në luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe atij fetar. “Axhenda jonë e përbashkët në lidhje me luftën krimit të organizuar dhe terrorizmit, çka në vetvete përbën një prioritet shumë të madh për ne, për Shqipërinë, Ballkanin Perëndimor, për BE dhe madje në nivel global. Deri tani kemi qenë të suksesshëm në shkëmbimin e informacionit nëpërmjet Europolit dhe Interpolit, por ne duhet t’i zgjerojmë kapacitetet tona për të bashkëpunuar më mirë me njëri-tjetrin, në luftë kundër ekstremizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Kriminelët kanë provuar shumë shpesh se mund të bashkëpunojnë në mënyrë shumë më të thjeshtë dhe të shpejtë sesa shtetet. Grupet kriminale nuk kanë kufij, nuk kanë protokolle, ato nuk kanë burokraci, ndërkohë ne i kemi këto probleme, apo pengesa. Për këtë arsye ne duhet të punojmë më afër, në mënyrë që të eliminojmë këto pengesa që do të na garantonin ne të jemi më efektivë, sesa janë kriminelët. Kësisoj, teksa edhe Forumi i Salzburgut ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin e axhendave tona”, – ka thënë Tahiri gjatë fjalës së tij në samit.

 

Hyjnë të grabisin, i moshuari italian plagos me armë shqiptarin

 Tre shqiptare kanë tentuar të grabisnin një shtëpi në Torino, por u pikasën nga pronari i shtëpisë, që hapi zjarr dhe plagosi rëndë njërin prej tyre. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e dy ditëve më parë në Torino, kur tre shqiptarët hynë në banesën e një të moshuari. 79-vjeçari qëlloi me pistoletë dhe plagosi njërin prej tyre, një 39-vjeçar te identifikuar si Flori Mollaj. Dy bashkëpunëtorët e tjerë arritën të largoheshin. Sipas informacioneve, shqiptari ka marrë një plumb në shtyllën kurrizore dhe është transportuar në spital ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. I moshuari tregoi se ishte zgjuar nga zhurmat e grabitësve, që kishin mundur të hynin edhe në dhomën e tij të gjumit.

 

 Aksidenti në Valbonë, makina në lumë, një i vdekur e një i humbur

Makina me katër persona ka përfunduar në lumë në vendin e quajtur Ura e Dragobisë në Grykë të Valbonës. Ngjarja ka ndodhur mesnatën duke u gdhirë dita e djeshme. Sipas policisë, konfirmohet gjetja e trupit të pajetë të një gruaje që ndodhej në këtë mjet, kurse një person tjetër, Shpëtim Lilaj, është marrë nga rrjedhja e lumit. Dy personat e tjerë, Albert Hysa dhe Shqiponja Mustafa, janë transportuar për në spitalin e Tropojës, por ende nuk mund të thuhet nëse ata janë jashtë rrezikut për jetën. Policia njofton se shkaqet e këtij aksident janë të paqarta dhe po punohet për zbardhjen e tij.

 

Tepelenë, shkatërrohen 750 bimë narkotike kanabis

 Efektivët e policisë së Tepelenës kanë realizuar dje operacionin e koduar “Këndrevica”, për goditjen e trafikut të drogës. Burime policore lokale bëjnë të ditur se, pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative, agjentët zbarkuan në vendin e quajtur Kurtez, në fshatin Novicë, ku ishin kultivuar bimë narkotike. Agjentët gjetën të kultivuara në gropa 750 bimë narkotike të tipit kanabis, që kishin arritur lartësinë nga 5 deri në 10 cm, saktësojnë burimet. Mësohet se përmes djegies u asgjësuan 720 bimë, ndërsa pjesa tjetër e tyre u mor në cilësinë e provës materiale, shtojnë autoritetet policore lokale.

  

Vlorë, i gjenden kanabis në shtëpi, prangoset pronari

 Policia e Vlorës ka arrestuar dje në flagrancë për kultivim bimësh narkotike shtetasin Jaho Imamaj. Arrestimi i 72-vjeçarit u krye pasi nga kontrolli i ushtruar nga forcat e policisë në oborrin e banesës së tij, janë gjetur bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Bima narkotike u konstatua e kultivuar në 25 kubikë dhe 26 fidanë, me lartësi nga 5 cm deri në 20 cm. Ndërkohë, mësohet se në një tjetër operacion, policia ka asgjësuar 480 rrënjë kanabis sativa në fshatin Qerok të Pukës. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të mbjelljes së bimëve narkotike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here