Skandali në Kukës/ Policia ushtron dhunë në protestë,  shefi i Krimeve i kërcënon me pistoletë

0
107

Artan Cena

albion gjetani dhunaAlbion Gjetani nxjerr armën përballë protestuesve dhe e mbush. Policia e Shtetit reagon duke pretenduar se “persona të paidentifikuar po tentonin t’i merrnin armën”

Protesta e djeshme në Kukës për faljen e kamatëvonesave u shtyp me dhunë nga forcat e policisë. Kulmi ka arritur, kur në kundërshtim të plotë me ligjin, shefi i Krimeve i Komisariatit të Kukësit, Albion Gjetani, nxori pistoletën, e mbushi dhe ua drejtoi protestuesve për t’i larguar. Por veprimet e paligjshme të Gjetanit nuk janë ndaluar këtu. Pasi është prangosur dhe futur në makinën e policisë organizatori i kësaj proteste, Nderim Lushi është dhunuar nga shefi i komisariatit. Ai është filmuar duke e gjuajtur me grushte Lushin, i cili ndodhej i prangosur dhe kjo dhunë është ushtruar në praninë edhe të oficerëve të tjerë të policisë. Në orët e mbrëmjes ka reaguar edhe Policia e Shtetit. Me anë të një njoftimi për shtyp kjo e fundit e justifikon veprimin e Gjetanit si reagim sepse disa persona të paidentifikuar kanë dashur ti marrin armën.

 

Shefi i Krimeve nxjerr armën

Pas kishte filluar përplasja mes banorëve të Kukësit dhe policisë, kur ata ishin duke u larguar nga dhuna e policisë, këtu hyn në skenë shefi i Krimeve, Albion Gjetani. Veprimet e shefit të Krimeve të Policisë së Kukësit janë komplet të jashtëligjshme përballë protestuesve. Në rrëmujë e sipër, Gjetani nxjerr pistoletën, bën mbushjen e saj dhe ua drejton protestuesve, duke i sharë me një fjalor rruge dhe jo që i përket një drejtuesi policie. Pas këtyre veprimeve skandaloze të shefit të Krimeve, ka qenë një mrekulli që banorët e Kukësit në protestë u kanë shpëtuar plumbave të pistoletës së Albion Gjetanit. Me këto veprime në gjaknxehtësi e sipër, jashtë çdo rregulloreje, ai vuri seriozisht në rrezik jetën e protestuesve, të cilët nuk kishin asnjë armë në dorë, por vetëm disa pankarta. Në reagimin e saj, policia thotë se tubuesit kishin hunj dhe gurë. Ndërkaq, për policinë “gjatë shoqërimit të Nderim Lushit si organizator dhe nxitës i tubimit dhe dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të policisë, nga personat që ishin pjesëmarrës në këtë tubim (të paidentifikuar ende për shkak të konfuzionit) është tentuar t’i merret arma e shërbimit shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë së Kukësit, i cili për parandalimin e këtij akti ka nxjerrë armën nga brezi dhe është shmangur nga turma”.

 

Dhunimi i organizatorit

Ndërhyrja e policisë synonte kapjen e organizatorit të protestës, Nderim Lushin. Pasi e kanë tërhequr zvarrë për në makinën e policisë, atë e kanë qëlluar me shqelma dhe grushte. Është sërish shefi i Krimeve të qytetit që qëllon me grushte Nderim Lushin, edhe në prani të kamerave kur ai ishte totalisht i pafuqishëm për të reaguar dhe me pranga në duar. Ligji për përdorimin e armëve të zjarrit specifikon situatën, kur punonjësi i policisë mund të përdorë armën. “Armët e zjarrit nuk lejohen të përdoren: në vende publike, ku ka mbledhje e grumbullime njerëzish dhe vihet në rrezik jeta e të tjerëve. Armët e zjarrit në këto raste mund të përdoren vetëm kundër personave të veçantë që kryejnë vepra të dukshme dhune kundër personit ose pasurisë, që në vetvete përbëjnë shkelje të rënda të ligjit dhe kur përdorimi i masave të tjera shtrënguese nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara”, – thuhet në ligj. Situata e filmuar nga kamerat kur Gjetani mbush pistoletën dhe ua drejton protestuesve është qartësisht e përjashtuar nga kjo pikë e ligjit. Burime nga qyteti verilindor thanë se dhuna e policisë ka vazhduar edhe ndaj të ndaluarve në ambientet e komisariatit.

 

 

Ligji për përdorimin e armës nga polici

 Përdorimi i armëve nga policia është i sanksionuar me ligj, i miratuar vetëm pak muaj më parë në Kuvend, ku ka sjellë edhe debate të ashpra. Kështu në nenin 7 të këtij ligji flitet për kushtet e përdorimit të armës nga ana e punonjësve të policisë dhe shmangia e rrezikut publik.

“1. Përdorimi i armëve të zjarrit për të shmangur një rrezik publik, që paraqet një tubim i dhunshëm personash, duhet të bëhet në përputhje me parashikimet e këtij ligji.

  1. Përdorimi i armëve të zjarrit është i lejueshëm vetëm kundër personave të veçantë të armatosur, të cilët kryejnë vepra të dukshme dhune kundër jetës së personit ose shërbimeve të policisë dhe shërbimeve që kryejnë subjektet e tjera që mbajnë dhe përdorin armë, kur përdorimi i masave të tjera shtrënguese nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara.
  2. Ndalohet të qëlluarit në ajër me armë zjarri mbi grumbullime njerëzish, si një

mënyrë për shpërndarjen e tyre”, – thuhet në ligjin për përdorimin e armëve.

 

Noka: Djemtë e tezeve po dhunojnë kuksianët

 Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar dje për protestat në qytetin e Kukësit. Noka shprehet se dyshja Rama-Meta kërkon të tregojë dhëmbët. “Denoncoj terrorin e ushtruar nga djemtë e tezes. Duan të tregojnë dhëmbët, pasi varfëruan qytetarët. Kjo është një qeveri barbare”, – tha Noka. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe banorë të Kukësit protestuan dje në qendër të qytetit ku kërkonin falje e kamatëvonesave të energjisë. Nisur nga fakti se për këtë protestë nuk ishte marrë leja e nevojshme, policia e Kukësit ka ndërhyrë duke shpërndarë protestuesit. Ndërkaq, policia e Kukësit ka arrestuar edhe organizatorin e kësaj proteste, Nderim Lushi. Por pas këtij arrestimi kanë reaguar përfaqësuesit e Shoqërisë Civile të cilët kanë marshuar drejt komisariatit të policisë së Kukësit duke kërkuar lirimin e organizatorit Nderim Lushi.

 

AP: Të tillë oficerë nuk kanë vend në polici

 Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka reaguar për dhunën policore të djeshme të ushtruar ndaj një protestuesi paqësor në Kukës. Avokati i Popullit u shpreh se e “dënon me forcë dhunën dhe veprimet e ushtruara nga personi civil, që vihet re në video, dhe fton organet e policisë dhe të hetimit të marrin masa të menjëhershme ndaj këtij punonjësi. Punonjës të tillë nuk kanë vend në Policinë e Shtetit. Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur me iniciativë trajtimin e këtij rasti dhe ditën e nesërme, (sot) një grup ekspertësh do të jetë në Kukës për të hetuar ngjarjen”.

 

 

Reagimi i Berishës: Rama u hakmor

 Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar drejtpërdrejt Kryeministrin Edi Rama për atë që ndodhi mesditën e djeshme në Kukës. “Keqtrajtimi çnjerëzor të protestuesve paqësore në Kukës vetëm se kërkonin heqjen e kamatëvonesave për energjinë. Në grupin e policëve shihet edhe një bandit me uniforme portokalli, civil me revole në dorë, që i asiston policët duke i kërcënuar me revole dhe goditur ata edhe brenda në makinën e Policisë. Hakmarrje primitive e Ramës ndaj protestuesve paqësor për braktisjen që i bënë kuksianët dje takimit elektoral të Ramës!!”, – shkruan Berisha në “Facebook”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here