Hetimi/ Doshi në Prokurori, këmbëngul se do t’i bëhej atentat. Ende s’ka akuzë

Artan Cena

 tom doshi ne prokuroriProkuroria pritet që brenda pak ditësh ta marrë të pandehur. Avokatët: Nuk ka asnjë provë për akuzat që ka ngritur institucioni i akuzës

I ndodhur prej më shumë se tri javësh i izoluar në banesën e tij, deputeti Tom Doshi është shfaqur pak i nervozuar ditën e djeshme kur ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme për të dhënë shpjegime në lidhje me atentatin e pretenduar ndaj tij. I shoqëruar nga efektivët e patrullave Shqiponja të Policisë së Tiranës, Doshi ka mbërritur në orët e paradites në Prokurori. Gjatë dëshmisë prej tri orësh në Prokurori, Doshi mësohet se nuk ka ndryshuar asnjë nga thëniet e tij që ka dhënë para prokurorëve të Krimeve të Rënda. Burime nga institucioni i akuzës thanë se ende nuk është ngritur akuza ndaj Doshit. Por deputeti brenda pak ditësh do të paraqitet sërish në Prokurori ku do të njihet për akuzën që do të gjykohet. Nga ana tjetër, avokatët e deputetit të Shkodrës, Tom Doshi, thanë se nuk ka asnjë video në kompjuterin e klientit të tyre dhe se ndaj tij kanë rënë akuzat.

 

Dëshmia e Doshit

Në një kohë që deputeti i Shkodrës pret shuarjen e masës së sigurisë për të ndjekur Parlamentin, Tom Doshi nuk e fsheh nervozizmin përballë masës së sigurimit personal. Pas kërkesës së tij, drejtuar Gjykatës së Lartë deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste u pyet në Prokurorinë e Përgjithshme në atë që mund të quhet dëshmia e fundit për pretendimet mbi atentatin që po përgatitej për vrasjen e tij. Për më shumë se tre orë ai ka dhënë shpjegime para grupit hetimor në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij, “Kallëzim i rremë” dhe “Deklarim i rremë” para Prokurorit. Mësohet se hetimet ndaj deputetit të Shkodrës janë drejt fundit dhe brenda pak ditësh ai do thirret përsëri në Prokurori për t’i komunikuar akuzën. Në këtë seancë maratonë pyetjesh Doshi ka vazhduar t’u qëndrojë pretendimeve se ka pasur porosi për eliminimin e tij dhe deputetit Mhill Fufi. Prokuroria ka përfunduar dhe ekspertimin e kompjuterin dhe dy USB-ve që u gjetën në shtëpinë e Deputetit. Në dalje të prokurorisë, mbrojtësit ligjorë të deputetit thanë se nuk është formalizuar ende akuza, ndërsa ekspertiza e laptopit ka vërtetuar se nuk ka video tjetër që mund të provojë pretendimet e Durim Bamit, se dëshminë e tij para Deputetit Doshi e ka dhënë nën kërcënimin e armës.

 

Kërkesa për lirinë

Disa ditë më parë, mbrojtësit e tij ligjorë depozituan kërkesë në Gjykatën e Lartë për ndryshimin e masës së sigurimit me argumentet se deputeti nuk po lejohej të ushtronte funksionin e tij si ligjvënës. Gjykata e Lartë do ta shqyrtojë kërkesën e tij me 28 prill, pasi dy gjyqtarë të Kolegjit Penal nuk ndodheshin në Shqipëri për të marrë në gjykim lirimin e Doshit apo lënien e tij në “Arrest shtëpie” deri në fund të gjykimit. Deputeti i Shkodrës akuzohet nga Prokuroria për kallëzim të rremë, kanosjes për dëshmi të rreme si dhe deklarimit të rremë para Prokurorisë. Bashkë me Doshin, nën akuzë janë edhe Durim Bami, që deputeti pretendon se ishte paguar nga Ilir Meta për ta vrarë, dhe deputeti Mark Frroku, i cili sipas Doshit ka qenë personi që e ka lajmëruar i pari për këtë skenar.

 

Mark Frroku do të operohet nga zemra, shkon në një spital privat

Deputeti Mark Frroku do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje në zemër. Ky është përfundimi që kanë arritur mjekët pas kontrolleve që ushtruan ndaj tij. Deputeti kristiandemokrat u shtrua mbrëmjen e së mërkurës në spitalin e burgut ku qëndroi nën kujdesin e mjekëve. Paradite e djeshme ai është dërgua në repartin e Kardiologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Pas vizitave të kryera ai u transportua për ndihmë mjekësorë më të specializuar në një spital privat. Deputeti do t’i nënshtrohet koronarografisë dhe do të duhet të qëndrojë disa ditë nën kujdesin e mjekëve. Mark Frroku ndodhet në masën e sigurisë “Arrest me burg”, pas kërkesës së bërë nga prokuroria në Kuvend, i cili dha lejen për arrestimin e tij, pas dosjes së mbërritur nga Belgjika, ku ai dyshohet se është pjesë e një vrasjeje të një shqiptari.

 

Prangoset i riu, kapet me 34 doza heroinë e shiringa për shitje

Një i ri është kapur me 34 doza heroinë. 31-vjeçari Brikel Cenolli është prangosur nga Policia e Korçës gjatë operacionit të koduar “Shiringa”. Policia pasi mori informacione se personi në fjalë posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike të forta, organizoi operacionin antidrogë për ta arrestuar. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, të ushtruar nga policia në fshatin Vashtëmi, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 34 doza me lëndë narkotike të dyshuar si heroinë, me peshë të përgjithshme 7.8 gr, 306 gr lëndë të dyshuar si metadon, disa shiringa dhe age, 3000 lekë të reja dhe 2 aparate telefonike celular. Po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Ndaj Cenollit mësohet se rëndon akuza e “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

 

Parandalohet vrasja e trefishtë në/ Vlorë, plagoset polici në Shkodër

Një vrasje e trefishtë është parandaluar mesditën e djeshme në Vlorë, pasi policia ishte vënë në ndjekje të autorit të dyshuar. Gjithçka ka ndodhur rreth orës 10:30 minuta në Rrugën Transballkanike. Uniformat blu në qytetin bregdetar kanë arrestuar 35-vjeçarin Eduard Beli si dhe kanë sekuestruar armën e krimit, një pistoletë tip “TT”, që do të përdorej për vrasjen. Personat e vënë në shënjestër nga 35-vjeçari ishin 3 me inicialet, A. M., 40 vjeç, banues në Vlorë, B. Xh., si dhe A. M., 38 vjeç, të dy banues në Orikum. Referuar burimeve të policisë së Vlorës, mësohet Eduard Beli, pasi është afruar në vendin ku ndodheshin tre personat ka qëlluar dy herë në ajër me pistoletë. Por agjentët ishin vënë në ndjekje të tij, pasi kishin marrë informacion më parë për planin e vrasjes dhe nuk kanë lejuar që situata të përshkallëzohet. Gërvishtja e pasqyrës së makinës ka shërbyer si pretekst për të larë hesapet e vjetra midis tyre. Policia ende nuk ka arritur të zbardhë plotësisht motivin e kësaj ngjarjeje, por dyshohet për një shumë parash që tre personat i detyroheshin autorit. Ndërkaq, po dje një agjent policie është qëlluar me armë zjarri në mëngjes në qytetin e Shkodrës, jo larg banesës së tij. Agjenti, për të cilin jepen vetëm inicialet K. K., dhe mosha 55 vjeç, ka mbetur i plagosur. Ai është dërguar në spitalin e Shkodrës, ndërkohë që kolegët e tij, me të mbërritur në vendin e ngjarjes kanë mbledhur dëshmitë paraprake duke arritur të identifikojnë autorin. Ky i fundit, i identifikuar nga autoritetet vetëm inicialet, S. H., është shpallur në kërkim.

 

Kërko