Dështimet fiskale/ Qeveria harron investimet, 42% më të ulëta se më 2013

0
131

Ervin Kaduku

 Qeveria harron investimet–  Dështimet fiskale sjellin reaksionin zinxhir të papunësisë, që sjell eksodin masiv të pjesës më jetike të popullsisë shqiptare

Shpenzimet buxhetore njohën vlera të larta në periudhën janar-mars të këtij viti, në krahasim me vitet e mëparshme, duke pësuar një rritje me 5.9 për qind në krahasim tremujorin e parë të 2014-ës, por shpenzimet për investime vazhdojnë të jenë anemike, me një rritje vetëm 800 milionë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me rënie 42 për qind në krahasim me tremujorin e parë të 2013-ës, sipas shifrave paraprake të Ministrisë së Financave.

Për periudhën tremujore shpenzimet kapitale arritën në vlerën e 8.2 miliardë lekëve, me një rritje 11 për qind krahasuar me një vit më parë, por 6 miliardë lekë më pak se në vitin 2013. Burimet në Ministrinë e Financave shpjegojnë se arsyet e niveleve ende të ulëta lidhen me periudhën sezonale, pasi tremujori i parë i vitit shfaq dobësi për shkak të se prokurimeve ende në fillesa. Por, ama rezulton që qeveria ka përmirësuar ndjeshëm administrimin e shpenzimeve të tjera, atyre korrente. Në krahasim me vjet janë shpenzuar 2.8 për qind më pas se e njëjta periudhë e një viti më parë.

 

Zhgënjen skema e re e pensioneve

Të dhënat e tremujorit tregojnë se deficiti i skemës së pensioneve është thelluar edhe më tej. Në fund të marsit ato rezultuan 5.5% më të larta se njëjta periudhë e 2014, ndërsa të ardhurat nga sigurimet shoqërore nuk kanë shënuar rritje, pavarësisht shtimit të numrit të të punësuarve për tre mujorin e parë të këtij viti. Kjo rritje sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave ka ardhur për shkak të efektit që do të ketë reforma e re e pensioneve në dy vitet e para të saj.

 

Deficiti

Deficiti buxhetor shënoi rritje me 115% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pasi shpenzimet u rriten me ritme më të shpejta (5.5%) se të ardhurat të cilat u rriten (3.6%).

 

Të ardhurat

Ndërkohë, Financat kanë përmirësuar ndjeshëm ritmin e rritjes së të ardhurave vetëm gjatë muajit mars, duke kthyer trendin rënës për tremujorin (në janar-shkurt të ardhurat ranë me 1.3% me bazë vjetore). Sipas të dhënave ende paraprake (shifrat ende po rishikohen), totali i të ardhurave për periudhën janar-mars 2015 ishte 86.6 miliardë lekë, apo 3.6% më shumë se e njëjta periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, të ardhurat nga tatimet e doganat rezultojnë me ulje, ndërsa janë rritur të hyrat nga fondet special dhe ato jotatimore, që kanë dhënë efektin kryesor në tendencën rritëse.

Të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 56 miliardë lekë për 3 mujorin, me një rënie me 2% me bazë vjetore. Të ardhurat nga TVSH shënuan një rënie prej 9% në 27.5 miliardë lekë (shifra është ende paraprake dhe mund të rishikohet). Të ardhurat nga tatim fitimi janë rritur ndjeshëm me 38% në 8.6 miliardë lekë, pas një performance të dobët në dy muajt e parë të vitit. Ministria e Financave sqaron se të dhënat paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve flasin për rritje të arkëtimit të këtij tatimi, i cili ka qenë në vlera negative vetëm për muajin janar 2015 dhe ka shënuar shifra pozitive për muajt shkurt e mars 2015, në raport me planin dhe faktin. Vetëm për muajin mars 2015, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shënuar si të hyra fiskale për këtë tatim 67.09% më shumë se sa treguesi i shënuar në marsin e vitit 2014. Duke qenë se tatim fitimi paguhet një herë në tre muaj, tremujori i parë tregon saktë tendencën e mbledhjes së të ardhurave të kësaj takse.

Akciza ka ndalur ritmet e rënies duke rezultuar në 7.1 miliardë lekë për janar-mars 2015.

Tatimi mbi të ardhurat personale ka vijuar tendencat e rënies, ndonëse më të ngadalësuara, duke zbritur me 5%, në 6.1 miliardë lekë.

Taksat nacionale dhe të tjera kanë shënuar rënien më të lartë prej 20% me bazë vjetore në 6 miliardë lekë, duke reflektuar rënien e prodhimit të naftës në vend, që kanë paguar si rrjedhojë më pak rentë.

Të ardhurat nga fondet speciale (sigurime shoqërore dhe shëndetësore) janë rritur me 14%, por ndikimin këtu e kanë dhënë sigurimet shëndetësore (të cilave iu hoq tavani i pagës maksimale nga janari i këtij viti), ndërsa sigurimet shoqërore nuk kanë shënuar rritje, pavarësisht shtimit të numrit të të punësuarve, si rrjedhojë e uljes së pagës minimale nga ana e bizneseve, pas heqjes së referencave.

Të ardhurat jotatimore janë zgjeruar me 63%, në 8.9 miliardë lekë, duke dhënë ndikimin kryesor në rritjen e të ardhurave totale në buxhet. Ndikimin kryesor e ka dhënë rritja e zërit Të ardhura nga institucionet buxhetore, që u rrit me 4.5 miliardë lekë, duke kompensuar rënien e të ardhurave nga tatimet e doganat dhe të ndihmave (të ardhurat në total u rritën me gati 3 miliardë lekë).

 

Reaksioni zinxhir

Këto ditë, duke marrë pjesë në debatin publik lidhur me shkaqet, pasojat dhe fajtorët për eksodin e shqiptarëve drejt Evropës, qeveritarët nuk kanë lënë pa përdorur argumente, që lidhen me skenarë hipotetikë të nxitjes së emigrimit për shkaqe politike. Por, pa përmendur as emra, as subjekte që e kryejnë këtë nxitje.

Përkundër kësaj, statistikat zyrtare tregojnë që, ndër vite, është papunësia shkaku më kryesor që nxit shqiptarët të lenë vatrat e tyre. Në një hulumtim për çështjet e emigrimit Instituti i Statistikës (INSTAT) renditen tre faktorët kryesorë tërheqës të emigracionit kanë qenë: Papunësia me (71.8%) e ndjekur nga mundësi më të mira pune 67.7% dhe mundësi për të ardhura më të larta me 64.7%. Edhe pse jo në përqindje të lartë, bashkimi familjar është arsye migracioni për 16.3% të të intervistuarve dhe për 43.8% të femrave. Pasiguria e përgjithshme në vend është perceptuar gjithashtu nga 8.8% e të pyeturve si një faktor shtytës për emigracionin.

Shumica e emigrantëve, 58.8% përpara se, të migronin ishin të papunë; 11.7% kishin punë të përhershme, 7.4% ishin të vetë punësuar dhe 11.8% ishin studentë. Një përqindje e vogël prej 3.7% ishin në pension në kohën që kishin vendosur të migronin. Situata e punësimit ka ndryshuar me të mbërritur në vendin e destinacionit.

Përqindja e papunësisë u ul nga 58.8% në 27%, një ulje e ndjeshme. 55 për qind e të pyeturve paguheshin me rrogë me vendin e destinacionit, që ishte pothuajse pesë herë më e lartë krahasuar më situatën përpara migracionit.

Shumica e emigrantëve, si meshkuj ashtu edhe femra, kanë qenë të papunë përpara se të migronin, por përqindja e papunësisë mes meshkujve ka qenë më e lartë krahasuar më femrat, 66.3% dhe 38% përkatësisht; ky boshllëk i konsiderueshëm mes meshkujve dhe femrave lidhet edhe me faktin që përqindja më e lartë e grave ka deklaruar që kanë qenë shtëpiake (21.5%) përpara se të migronin.

Situata e punësimit ka ndryshuar me të mbërritur në vendin e destinacionit si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Përqindja e papunësisë është ulur për të dy, por me më shumë se gjysma për meshkujt krahasuar me situatën përpara migracionit. 61 për qind e meshkujve dhe 37 për qind e femrave ishin të punësuara në vendin e destinacionit, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me situatën përpara migracionit.

 

Punësimi “i brishtë”

Shqipëria është një ndër ekonomitë me përqindjen më të lartë në Evropë dhe më gjerë të atij që quhet “punësim i brishtë”. Teknikisht, ky term nënkupton numrin e personave të vetëpunësuar ose që punojnë pa pagesë në aktivitete familjare. Mbështetur në të dhënat më të fundit të Bankës Botërore dhe që i takojnë vitit 2013, në Shqipëri kjo kategori përbën 58% të numrit total të të punësuarve. Kjo përqindje është më e lartë te femrat, me 62% dhe pak më e ulët te meshkujt, me 55%. Statistikat krahasuese me vendet e tjera nuk janë të plota, por diferencat me ekonomitë e tjera janë mjaft të mëdha. Për shembull, në Maqedoni punësimi i brishtë përbën 23% të totalit, në Bosnje Hercegovinë 25% dhe në Serbi 29%. Në vendet më të zhvilluara kjo përqindje është, mesatarisht, në nivele edhe më të ulëta. Pesha shumë e lartë e punësimit të brishtë në tregun shqiptar të punës mund të interpretohet kryesisht me nivelin e ulët të zhvillimit cilësor të sipërmarrjes private. Në pjesën dërrmuese, bizneset private janë aktivitete të thejshta tregtare për punësim personal apo familjar, me ambicie të pakta për t’u zgjeruar drejt rritjes së aktivitetit apo punësimit të personave të tjerë. Vetë përqëndrimi kryesisht te tregtia është tregues i mungesës së ideve apo burimeve për forma të biznesit që mund të ofrojnë perspektiva më të mëdha zhvillimi. Në thelb, ekonomia shqiptare gjeneron pak biznese që sjellin punësim dhe shumë biznese të thjeshta, me qëllim vetëm vetëpunësimin.

 

 30 prilli, afati i fundit për deklarimin e të ardhurave vjetore

Të gjithë personat që kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë duhet të plotësojnë deklaratën individuale vjetore. Kështu afati përfundimtar për deklaratën e të ardhurave të vitit 2014 është 30 Prill. Burime nga Drejtoria e Tatimeve, bëjnë të ditur se procesi po ecën mirë, edhe pse nuk ka një statistikë të saktë se sa është numri i personave që kanë deklaruar deri më tani. Plotësimi i deklaratës bëhet vetëm në formë elektronike dhe individët rezidentë në Republikën e Shqipërisë që realizojnë të ardhura personale mbi 2 milion lekë në vit dhe personat jorezidentë (individë të huaj) që realizojnë të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë mbi 2 milionë lekë në vit.

Aktualisht nuk ka një shifër të saktë se sa është numri i personave që kanë plotësuar formularët pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve pasi sistemi është në përditësim. Ky proces ka nisur rreth tre vite më parë dhe ata që deklarojnë janë kryesisht punonjës të lartë të administratës shtetërore. Deklarata individuale vjetore e të ardhurave, përmban një sërë të dhënash dhe kategorish që duhet të ploteësohen brenda formularit përkatës të saj. Të gjithë ata që kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë duhet të plotësojnë formularin dhe ta dorëzojnë atë pranë tatimeve. Formulari është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë bëhet deklarimi individual i personit që ka krijuar të ardhurat. Ndërsa në pjesën e dytë bëhet plotësimi me të dhënat shtesë të personave nën kujdestarinë e deklaruesit. I hartuar nga ekspertët e Ministrisë së Financave, ky dokument përfshin para se gjithash, të dhëna personale për individin, shoqëruar më pas nga ato që kanë të bëjnë me punët ku ai është përfshirë apo aktivitetet e ndryshme, që i sigurojnë atij të ardhura gjatë vitit.

 

Ligji i ri, si ndryshojnë kushtet për zonat turistike

Në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit shteti do të marrë rolin e zhvilluesit si dhe do të përfshihet në forma të ndryshme partneriteti. Ligji i ri për Turizmin, i cili është për diskutim në Kuvend parashikon që pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetit apo të njësive të qeverisjes vendore, që ndodhen brenda zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, brenda dy muajve nga miratimi i zonës, kalojnë në administrim të ministrisë përgjegjëse për turizmin, në këtë rast Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Turizmit.

Ministria përgjegjëse për turizmin nënshkruan marrëveshje zhvillimi me investitorët në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në të cilën parashikohen të drejtat dhe detyrimet e palëve.

Në rastin e investimeve në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, parashikohet vënia në dispozicion e pasurisë së paluajtshme për ndërtimin e strukturave akomoduese dhe strukturave të tjera turistike.

Kohëzgjatja e vënies në dispozicion është deri në 99 vjet. Vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore mund të bëhet edhe nëpërmjet kontratës simbolike 1 Euro.

Me qëllim tërheqjen e investitorëve dhe nxitjen e investimeve në turizëm, me miratimin paraprak të ministrisë përgjegjëse, është parashikuar që:

1-Transferimi i veprimtarisë, si e tërë apo i një pjese të aksioneve te të tretët, të bëhet vetëm me miratimin e ministrit përgjegjës për turizmin, pa ndryshuar objektin e veprimtarisë;

2- Transferimi i pronësisë te të tretët, i strukturave të veçanta akomoduese, të bëhet vetëm me miratimin e ministrit përgjegjës për turizmin, pasi këto 7 struktura të jenë paraqitur të detajuara në projektin e investimit dhe si aneks i veçantë i marrëveshjes me investitorin. Përveç sa më sipër, për investimet me statusin “Investime Strategjike të Veçanta” në turizëm është parashikuar edhe:

  • transferimi i së drejtës së pronësisë të pasurive të paluajtshme shtetërore tek investitori privat, nga ana e Këshillit të Ministrave, rast pas rasti:
  • Kur vlerësohet nga Këshilli i Ministrave, marrëveshja për realizimin e investimit strategjik miratohet me ligj të posaçëm në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, për të gjitha investimet strategjike pranë brigjeve të detit dhe liqenit parashikohet që:
  • Të vihet në dispozicion një hapësirë e plazhit, në raport me kapacitetin e strukturës akomoduese;
  • Në rastet kur një strukture turistike i nevojitet një port turistik apo pontil i përhershëm, si infrastrukturë mbështetëse, ministria përgjegjëse për turizmin i propozon Këshillit të Ministrave shpalljen e portit turistik apo pontilit të përhershëm, në funksion të kësaj strukture turistike.

Në rastin e investimeve jashtë zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, leja e ndërtimit, që lëshohet nga autoriteti vendor i planifikimit, duhet të marrë pëlqimin paraprak të ministrisë përgjegjëse për turizmin.

 

Norma bazë e euros kalon në terren negativ

Aktualisht, bankat në Evropë po kreditojnë njëra-tjetrën jo vetëm pa marrë interes, por madje po paguajnë për të “hequr qafe” paranë “cash”, që kanë në arkat e tyre. Për shkak të injektimit masiv të likuiditetit nga Banka Qendrore Evropiane, tregu është i tejmbushur me euro dhe kjo po i rrëzon me shpejtësi normat e interesit, në të gjithë spektrin financiar.

Pak ditë më parë, Qeveria e Spanjës arriti të marrë borxh me interes negativ -0.029 për qind. Kjo, në një kohë kur, vetëm dy vjet më parë, Spanja ishte në prag të falimentit buxhetor dhe nuk kreditohej nga askush.

Rënia dramatike e çmimit të euros në treg bën presion për uljen e interesave të kredive, që qytetarët kanë marrë në këtë monedhë, jo vetëm në Bashkimin Evropian, por edhe jashtë tij.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në dy vitet e fundit, interesi i kredisë në euro për të gjitha afatet e maturimit ka rënë, nga 7.03 në 6.34 për qind. Rënia e euriborit bën presion, që interesat e kredive të ulen edhe më tej, edhe pse më shumë se me interesat ngërçi i kredive në tregun vendas duket i lidhur me të tjerë faktorë.

Bankat me origjinë nga Eurozona duket se janë vënë në pritje, duke ruajtur, e madje edhe ulur, ekspozimin në tregun shqiptar, veçanërisht për investimet në euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, krahasuar me vitin e kaluar, kredia në monedhën europiane për bizneset u rrit me vetëm 1.9 për qind në vlerë nominale, ndërsa për individët u tkurr.

Nga ana tjetër, veç oreksit të paktë të bankave për të dhënë kredi në euro, edhe kërkesa e ndërmarrjeve dhe individëve mbetet e dobët. Kjo bën, që kredia të mbetet në ngërç dhe ekonomia të përfitojë pak nga paraja e lirë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency