Terroristët/ Nis procesi, imamët e xhihadit kërkojnë si dëshmitar Berishën

0
132

Artan Cena

 imamët e xhihaditProkuroria lexon akuzat ndaj të arrestuarve, Bujar Hysa: Në Siri gjatë luftimeve janë vrarë 17 shqiptarë. Prokuroria as nuk e pohon, as e kundërshton

Jo pak, por 17 qytetarë shqiptarë kanë humbur jetën gjatë luftimeve në Siri, që nga nisja e konfliktit të armatosur. Kjo shifër u bë publike nga imami i vetëshpallur i xhamisë së fshatit Mëzez, Bujar Hysa, nga kafazi i hekurt i sallës së gjyqit me cilësinë e personit të pandehur. Ai u tha togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda se ndihet krenar për ndihmën që ka dhënë për vëllezërit myslimanë në luftën kundër regjimit të Bashar Al Asadit. Duke pranuar faktin se disa prej tyre i kishte shoqëruar deri në Rinas, ai tha se në mesin e personave që ka përcjellë drejt Sirisë 17 prej tyre kanë rënë shehidë në luftë kundër regjimit sirian dhe në mbrojtje të vëllezërve myslimanë. Kjo shifër nuk u kontestua nga prokurorja e çështjes, e cila tha se nuk ka një numër konkrete të zyrtarizuar se sa shtetas shqiptarë janë vrarë në luftën e Sirisë.

 

Kërkohet dëshmitar Berisha

Ata thanë se procesi gjyqësor ndaj tyre është i montuar dhe se Prokuroria e ka marrë të gatshme dosjen e përpiluar nga institucione të tjera. Avokati i të pandehurit Orion Reçi kërkoi nga Gjykata, mes provave të tjera, edhe thirrjen me cilësinë e dëshmitarit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Avokati tha se në një dalje publike të ish-kryeministrit Berisha, është bërë thirrje që të ndihmohet opozita siriane në luftën kudër regjimit të Bashar Al Asadit. Referuar kësaj deklarate edhe të pandehurit, tha avokati, janë munduar të ndihmojnë dhe kontribuojnë në mbrojtje të vëllezërve myslimanë. Kjo kërkesë u rrëzua nga Gjykata, e cila i dha fjalën prokurores për të lexuar kërkesën për gjykim. Përfaqësuesja e Prokurorisë renditi akuzat dhe provat e siguruara ndaj të pandehurve, duke kërkuar nga Gjykata thirrjen me cilësinë e dëshmitarëve të rreth 70 persona, mes tyre edhe besimtarë myslimanë të kthyer nga lufta në Siri. Seanca gjyqësore u shty për të vazhduar javën e ardhshme me pyetjen e dëshmitarëve të akuzës. Ndërsa të gjithë të pandehurit mohuan akuzat, duke e cilësuar veten të pafajshëm.

 

Nisja e procesit

Pas katër seancave gjyqësore, Prokuroria ka mundur këtë te marte të hapë procesin për të pandehurit e akuzuar për kryerje të veprave me qëllime terroriste. Për mëse tre orë prokurorja, Elisabeta Ymeraj, ka zbërthyer para gjykatës te gjithë skemën se si vepronte grupi. Sipas akuzës të pandehurit Genci Balla, Bujar Hysa, Gert Pashja, Fadil Muslimani, Orion Reçi, Edmond Balla, Astrit Tola, Verdi Morava dhe Zeqir Imeri në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë shfrytëzuar bindjet fetare ekstreme të personave të ndryshëm. Ata kanë arritur të bindin disa prej tyre për t’i dërguar në Siri, për të qenë pjesë e grupimeve, të cilat janë nga shpallur nga OKB-së si terroriste. Secili nga të pandehurit në këtë veprimtari ka pasur një rol të caktuar. Genci Balla dhe Bujar Hysa janë vetëshpallur si imamë dhe kanë arritur të bindin masën e gjerë të besimtareve me predikimet e tyre. Balla ishte imam në xhaminë e Unazës e Re në Tiranë, ndërsa Hysa ne xhaminë e Mezezit. Por që të dy sipas Prokurorisë nuk ishin të miratuar si të tillë nga komuniteti mysliman. Akuza thotë se disponon prova që implikojnë Genci Ballën ne ligjërime pro luftës kundër diktatorit sirian Bashar Al Asad. Sidomos gjatë faljes së të premtes, Balla e ka quajtur luftën atje një kauze të drejtë, duke e përçuar këtë bindje edhe tek besimtaret. Balla shprehej se lufta bëhej në emër të Allahut dhe secili mysliman i devotshëm e kishte për detyrë të ndihmojë në këtë luftë. Të njëjtat ligjërata janë mbajtur edhe nga imami Bujar Hysa në xhaminë e Mezezit apo xhami të tjera.

 

Reagimet e të arrestuarve

Për muaj me radhë, Balla e Hysa, sipas Prokurorisë kanë bashkëpunuar me Fadil Muslimanin, Orion Reçin dhe Verdi Moraven për të gjetur një vend për ndërtimin e dy xhamive, që sot nuk janë në juridiksionin e Komunitetit Mysliman. I pandehuri Gerti Pashja ndodhej në Turqi dhe realizonte në të shumtën e rasteve pritjen e personave që ishin nisur nga Shqipëria drejt Sirisë, duke bërë shoqërimin e tyre. Në këtë veprimtari kanë bashkëpunuar edhe Astrit Tola dhe Zeqir Imeri. Por të gjitha pretendimet e Prokurorisë janë mohuar nga të akuzuarit. Ata thanë se nuk kanë kryer asnjë veprimtari terroriste dhe ato që pretendon akuza janë të pavërteta. Madje Orion Reçi përmes avokatit të tij, i kërkoi gjykatës të thirret në cilësinë e dëshmitarit ish-kryeministrin Sali Berisha, për të provuar qëndrimet kundër regjimit diktatorial të Bashar Al Asadit.

 

 Arratisja nga Drenova, kërkohen 136 vite burg për Tafilin e të tjerë

 Dy vjet pas arratisjes së bujshme nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Drenovë, Prokuroria e Korçës ka kërkuar në total 136 vite burg për shtatë të arratisurit dhe 2 bashkëpunëtorët e tyre. Në pretencën e mbajtur gjatë ditës së djeshme, prokurori ka theksuar se plani i arratisjes ka qenë i mirë organizuar. Për Admir Tafilin, Fran Marashin dhe Gëzim Gurin, Prokuroria kërkoi dënimin me nga 20 vite burg, ndërsa për Artur Gorën 10 vjet. Për personat e tjerë të përshirë në këtë ngjarje organi i akuzës kërkoi 10 deri në 18 vjet heqje lire. Ata akuzohen për veprën penale, “largim nga vendi i vuajtjes së dënimit, armëmbajtje pa leje, drejtim i mjetit pa dokumentacion përkatës dhe ndihmë për largimin”. Mbrëmjen e 23 nëntorit të 2013-ës, 7 të dënuar u arratisën nga burgu i Drenovës. Por ajo zgjati vetëm pak ditë. Aktualisht Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri ndodhen në burgun e Peqinit, ku vazhdojnë vuajtjen e dënimit të burgimit te përjetshëm për vrasje.

 

Prangoset shpërndarësi i heroinës tek Medreseja e në Tufinë

 Një i ri është vënë në pranga nga policia pasi akuzohet se shiste heroinë në zonën e Medresesë dhe Tufinës. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se gjatë operacionit të koduar “Meridiani” është vënë në pranga Alfred Ismailaj, 30 vjeç, me origjinë nga Tropoja dhe me banim në rrugën “Siri Kodra”. Mesditën e djeshme, rreth orës 12:30 pas informacioneve të marra në rrugë operative se ky person shiste lëndë narkotike të llojit heroinë në zonën e Tufinës dhe të Medresesë në Tiranë. Për këtë qëllim është bërë edhe ndalimi i të riut në rrugën “Myslym Keta” kur po lëvizte me automjetit e tij BMW seria 3 me targe AA 705 AP, ku u gjetën ne xhepin e djathte 75 doza me peshë 19 gram heroinë. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 2 telefona celularë, automjeti BMW, një motor 600 kubikësh me targë TR 175 H dhe një shumë prej 1500 eurosh që janë burim i aktivitetit kriminal. Policia ka nisur hetimet për gjatjen e bashkëpunëtorëve të të arrestuarit.

 

Zjarri në magazinën e tapeteve, dyshohet i qëllimshëm

 Nëse për pronarin e magazinës së tapeteve Bibtex, e cila u dogj të hënën nga zjarri është aksidental, për policinë ngjarja ende nuk është e qartë. Kjo, pasi provat e mbledhura mund të nxjerrin të kundërtën. Burime pranë uniformave blu thanë se biznesmeni ka një shumë të konsiderueshme, mbi 2.5 milionë euro kredi, në një nga bankat e nivelit të dytë dhe kjo ka ngritur dyshime të forta për shkaqet e rënies së zjarrit. Edhe pse nuk konfirmohet zyrtarisht, policia po heton në këtë pistë, ku dyshimet për faliment mund të kenë çuar në një zjarrvënie të qëllimshme. Nga ana tjetër, pronari i magazinës edhe pse nuk e dinte saktësisht vlerën ka thënë për oficerët e policisë se dëmi varion nga 1 deri në tre milionë euro. Por dyshimeve të policisë i është shtuar dhe një kamera sigurie e sekuestruar nga ambientet e brendshme të magazinës. Kamera po u nënshtrohet ekspertimeve ndërkohë që burimet thanë se nëse arrihet të përftohen pamjet, atëherë do të shihet nëse ka shkëndijë elektrike apo zjarri është vendosur qëllimisht. Kjo është hera e dytë që biznesi i cili ndodhet në kilometrin e 3 të autostradës Tiranë-Durrës përfshihet nga flakët fatmirësisht pa persona të rrezikuar për jetën.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency