Debati te Siguria për dosjet/ Braho: 20 vjet të qeverisur nga komunistët. Doda: A keni këllqe ti heqim? Patozi: Të hapen videot

0
44

siguriaNoka: Po të ishte ligj i mirëfilltë, xha Braho do të ikte në shtëpi i pari. Ligji i qeverisë, kritikë edhe nga LSI-ja

 Rrëzohet propozimi i shoqërisë civile dhe dy deputetëve Doda e Idrizi, miratohet ligji i qeverisë

 Debate të ashpra u zhvilluan dje në Komisionin e Sigurisë në Kuvend, ku u diskutua për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Komisioni votoi me 8 vota pro dhe 3 kundër projektligjin e qeverisë për hapjen e dosjeve e ndërsa rrëzoi projektligjin e sjellë nga shoqëria civile dhe të mbështetur nga deputetët Doda dhe Idrizi, i cili në thelb të tij ka lustracionin. Por edhe pse u rrëzua ky projektligj solli debat mes palëve politike në komision, ku kreu i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho tha se ai nuk kishte pse diskutohej pasi ishte rrëzuar nga Komisioni i Ligjeve. Por e menjëhershme ka qenë edhe përgjigja e Dodës, duke i kujtuar se komisionet e ndryshme të Kuvendit mund të vendosin në mënyra të ndryshme.

 

Diskutimet në komision

Projektligji për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit ka marrë “dritën jeshile” edhe nga Komisioni i Sigurisë. Por krahas kësaj debatet ndërmjet përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës kanë shoqëruar mbledhjen e Komisionit të Sigurisë. Në fjalën e saj, teksa ka prezantuar projektligjin e shoqërisë civile për hapjen e dosjeve, Mesila Doda ka kërkuar që të miratohet në Kuvend një rezolutë e përbashkët ku të dënohet figura e Enver Hoxhës dhe simboleve të tjera të diktaturës. Sipas Dodës, politika shqiptare nuk është ndarë akoma nga e kaluara e sistemit komunist. Por edhe drafti i ministrisë së Mirëqenies Sociale ka problem kushtetuese sipas LSI-së. Deputetët e kësaj force kërkuan informacione nga shërbimi informative dhe ministritë e Brendshme dhe të Mbrojtjes për ish-spiunë para se ta votojnë draftin.

“Bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit është çdo person që ka qenë oficer i sigurimit të shtetit jo bashkëpunëtor. Që këtu janë jashtë lidhjes me këtë punë. Po të ishte çështje e punës, e pensioneve, e invalidëve këtu, këta janë ministria kompetente dhe janë të zotë ta bëjnë këtë gjë, po kanë hyrë në parcelën e dikujt tjetri”, – tha Luan Rama. Ndërkaq opozita ka shprehur kritika të forta ndaj projektligjit të qeverisë duke e cilësuar si një tallje ndaj qytetarëve shqiptarë. “Ky ligj maksimumi u jep nga një shuplakë ushtarëve dhe mban të mbrojtur të gjithë gjeneratën e sigurimit, sepse po të ishte ligj i mirëfilltë, xha Braho do të ikte në shtëpi i pari dhe shumë të tjerë. Ai quhet ligj”, – tha Flamur Noka, deputet i PD-së. “Nëse ndonjëri nuk ka qenë vetë, ky projektligj është i rëndësishëm dhe do i dal ndonjë pjesëtar familje, ndonjë njeri sepse Sigurimi i Shtetit ka pasur stilin e agjenturës masive”, – tha Pjerin Ndreu.

 

Debatet në Komisionin e Sigurisë

 Mesila Doda: Parlamenti duhet të miratojë një rezolutë të përbashkët. Të ndalohet glorifikimi i së kaluarës.

Luan Rama: Dakord në parim me nismën. Duhet të ishin të pranishëm dhe Ministria e Brendshme dhe SHISH. Nuk është përgjegjëse Ministria e Mirëqenies Sociale. Kjo nuk ka tagër të sjellë një ligj të tillë në Kuvend.

Armando Subashi: Komisioni i Ligjeve ka rrezuar ligjin e sjellë nga dy deputetët dhe është miratuar projektligji i qeverisë. Komisioni i ligjeve është përgjegjës, jo Siguria.

Zv/ministrja Gentiana Sula: Ky ligj parashikon edhe veprimtarinë e PPSH-së, arkiva e saj mund të vihet në funksion të Arkivave të Shtetit. Kjo mbetet në dorën tuaj.

Spartak Braho: A ka pika të përbashkëta me projektin e qeverisë?

Mesila Doda: Në ligjin e qeverisë parashikohet që nëse do e emëron ose jo një person dhe kjo nuk parashikohet në ligj. Nëse ka vullnet kemi mundësi të gjejmë pikat e përbashkëta.

Spartak Braho: Për lustracionin është shprehur Gjykata Kushtetuese.

Flamur Noka: Ky ligj që ka ardhur nga qeveria është qesharak, është një paçavure. Nuk ka vullnet për lustracionin. Ka vullnet për të gërryer në sipërfaqe të kaluarën. S’ka lidhje Ministria e Mirëqenies Sociale me ligjin. Me ligjin duhet të merret kryesisht Ministria e Brendshme.

Flamur Noka: Ju keni qëllim informimin kurse ne kemi qëllim pastrimin e figurave.

Luan Rama: Sekretari i ambasadës penalizohet.

Spartak Braho: Po nuk ka penalizime mor burrë. Lexoni ligjin.

Mesila Doda: A keni këllqe ta miratojmë që komunistet të hiqen

Spartak Braho: Mesila ka 20 vjet që këtë vend e drejtojnë komunistët.

Bilal Kola: Ligji mbron informacione e të dhëna që janë sekret shtetëror.

Astrit Patozi: Ky ligj nuk sjell asgjë serioze për vendin. Ky i jepet shoqërisë në trajtën e një gallate. Të shtohet në ligj hapja e videove. Qeveria kërkon thjesht të bëjë zhurmë, ky ligj është kundra lustracionit. Institucionet i keni rimbushur nga e para me fosile të diktaturës dhe hanxharë të Enver Hoxhës.

 

Sekuestrimi i pasurisë, kur s’paguan faturën mbi 150 mijë lekë. PD: Antikushtetuese

Sekuestrimi i pasurisë së debitorëve të energjisë nuk duhet të bëhet drejtpërdrejt nga OSHEE, por duhet të kalojë përmes Gjykatës. Ky ishte qëndrimi i Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve, e cila këmbënguli se konsumatorëve të energjisë të cilët kanë një borxh mbi 1 milionë e gjysmë lekë të vjetra, mund tu sekuestrohet një pasuri me vlerë të shumëfishtë në raport me borxhin. E drejta e OSHEE-së për ta kryer drejtpërdrejt sekuestrimin është antikushtetuese. “Pas burgut, tani qytetarët i pret sekuestrimi i pasurive. Të sekuestrosh banesat, trojet që kanë vlerë qindra herë më të madhe se një faturë energjie 150 mijë lekësh, e për më tepër ta bësh këtë pa autoritetin gjyqësor, pa iu nënshtruar gjykatës, po vetëm si kryeministër, për mua është vetëm barbari ligjore”, – tha deputeti i PD-së Eduard Halimi. Një tjetër shqetësim sipas demokratëve i shprehur nga Oerd Bylykbashi është domosdoshmëri e ndërhyrjes që me dhënien me qera të një objekti, të ndryshohet dhe kontrata e energjisë. “Mos harrojmë që jemi përpara shumë individësh të cilët përdorin kontratat e pronarëve të pasurive të tjera, apartamente, njësi shërbimi, sepse nuk janë në gjendje që të ndryshojnë në kohë, me lehtësi procedurat për të ndryshuar kontratat, e për rrjedhojë pasoja e sekuestrimit do të bjerë mbi individë që nuk kanë asnjë lloj përgjegjësie e për rrjedhojë konflikti civil nëpër gjykatat e Shqipërisë do të rritet në një misurë të paparashikuar”, tha ai. Ndërsa relatori i këtij ligji, Ulsi Manja, i quajti të gjitha pretendimet e PD-së, retorika politike.

 

 PD: Vëllai i deputetit të Ramës mori lagunën e Patokut

Partia Demokratike denoncoi atë që e cilësoi si një tender të dyshimtë, në shkelje të të gjithë kritereve teknike, ku sipas opozitës, vëllai i deputetit të kryeministrit Rama, ka arritur të fusë në dorë këtë aset të çmuar edhe pse ka një kompani të ngritur enkas, prej 2 muajsh. “Ndërsa dekriminalizimi është kthyer në nevojë jetike dhe në urgjencë kombëtare, Edi Rama, autori i inkriminimit masiv të institucioneve e parlamentit, jo vetëm nuk po reflekton, por po bën të kundërtën, po bën edhe biznes me lidhjet e tij kriminale. Dhënia e lagunës së Patokut, një prej pasurive kombëtare, vëllait të deputetit Armando Prenga, është padyshim thellimi i inkriminimit. Me një tender të dyshimtë, në shkelje të të gjithë kritereve teknike, vëllai i deputetit të Edi Ramës, ka arritur të fusë në dorë këtë aset të çmuar edhe pse ka një kompani të ngritur enkas, prej 2 muajsh”, – deklaroi bashkim shehu. Më tej ai theksoi: “Armando Prenga për të cilin ka informacione për aktivitet kriminal në Itali dhe vende të tjera të Europës, me identitet të ndryshuar për shkak të problemeve me drejtësinë, po i forcon lidhjet me Edi Ramën përmes biznesit korruptiv dhe në kurriz dhe dhjetëra peshkatarëve që mbanin familjet e tyre deri më sot me këtë aktivitet në Lagunën e Patokut”. Sipas demokratëve ky është një rast i pastër i gërshetimit të lidhjeve kriminale me korrupsion e biznes qeveritar. “Kjo është skema e inkriminimit në veprim dhe këtë po bën Edi Rama, me ndarje favoresh të majme me të inkriminuarit që ka futur në administratë, në zyra, në partinë e tij e deri në parlament. Partia Demokratike paralajmëron Edi Ramën dhe ortakët e tij se nuk do ta njohë këtë kontratë korruptive dhe do ta anulojë atë në momentin më të parë kur të marrim përgjegjësitë për vendin”.