Debatet në Këshillin e Mandateve/ PD: 150 rastet kur Kokëdhima ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin. Mazhoranca shtyn vendimin  

0
15

Gëzim Saliu

mbledhja e keshillit te mandateve..Avokati i Kokëdhimës: Jo si çështja “Beqaj”, deputeti nuk ka përfituar fonde publike pasi mori mandatin

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u mblodh dje pasdite ku diskutoi kërkesën e dorëzuar nga Partia Demokratike për heqjen e imunitetit të deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima. Sipas demokratëve, deputeti socialist është në konflikt interesi pasi në shkelje të ligjit ka përfituar fonde nga buxheti i shtetit për llogari të kompanive të tij, në një kohë që ishte zgjedhur deputet i Kuvendit. Ndërkaq, sipas avokatit të deputetit socialist, i cili tha se ky rast nuk ka asnjë ngjashmëri me atë “Beqaj”, Kokëdhima që kur është shpallur deputet nga ana e KQZ-së, nuk ka përfituar asnjë fond publik. Ndërkaq në mbledhjen e këshillit nuk kanë munguar debatet mes deputetëve socialistë, ku replika të forta janë shkëmbyer mes deputetëve Ristani dhe Namik Dokle. Ndërkaq në pjesën e mbledhjes me dyer të mbyllura, mazhoranca ka kërkuar më shumë kohë për tu njohur me dosjen e demokratëve, duke e shtyrë vendimin në një kohë të dytë. PD ka theksuar se kërkesa e tyre duhet të shqyrtohet më pas nga Gjykata Kushtetuese, e cila sipas opozitës do ti japë të drejta argumenteve të tyre dhe do ti heqë mandatin deputetit Koço Kokëdhima.

 

Debatet

Në paraqitjen e argumenteve të PD-së, sekretari i përgjithshëm i kësaj force, Arben Ristani, tha në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Mandateve se deputeti Kokëdhima e ka shkelur për thuajse 15 herë ligjin dhe Kushtetutën. “Bazuar në analizën në tërësi të dispozitave kushtetuese dhe ligjore relevante, faktit dhe rrethanave të çështjes, ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, arrijmë në përfundimin se deputeti Koço Kokëdhima ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë të parashikuara nga nenet 70/2, 70/3 të Kushtetutës si dhe nenet 28 të Ligjit 9367 të 2005 në të paktën 150 raste. Në këto kushte grupi parlamentar i Partisë Demokratike, në përputhje me nenet 70 dhe 71 të Kushtetutës, nenit 13 të Rregullores së Kuvendit kërkon mbledhjen e këtij Këshilli, i cili pasi të shqyrtojë kërkesën ta dërgojë për shqyrtim në parlament dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese”, – tha Ristani. Ndërkohë, avokati i deputetit Koço Kokëdhima, Artan Hajdari pohoi se kërkesa është e pabazuar në lig. Ai rrëzoi akuzat e Partisë Demokratike, duke theksuar se vërtet klienti i tij është aksioner në një kompani që rezulton përfituese e fondeve publike, por shtoi se këto fonde janë marrë përpara se ai të merrte mandatin e deputetit. “Nuk ka asnjë shtim të pasurisë së deputetit pas marrjes së mandatit. Nuk mund të krahasohet kjo çështje me rastin “Beqaj” sepse çështja “Beqaj” ka një natyrë krejt tjetër dhe kemi të bëjmë me pjesëmarrje në tendera pasi ka marrë mandatin e deputetit”, – deklaroi avokati Hajdari. Më tej ai ka bërë të ditur se kërkesa e demokratëve nuk qëndron dhe është e pabazuar në prova. “Ne nuk kemi përfituar asnjë fond në shkelje të ligjit dhe të marra nga fondet publike. Duhet saktësuar periudha e zotit Kokëdhima kur ka qenë deputet dhe kur jo. Në kohën që zoti Kokëdhima u bë deputet e shiti kompaninë “Abissnet”. Kushti i parë është që deputeti të mos ushtrojë funksion tjetër publik apo privat dhe kushti i dytë të mos përfitojë fonde publike. Ndërkohë që vetë dispozita, e ka referuar te ligji i posaçëm”.

 

Këshilli mblidhet për t’i hequr mandatin, Kokëdhima lobon për legalizimin e hashashit

Ndërkohë që në Këshillin e Mandateve po diskutohej dje pasdite kërkesa e demokratëve për deputetin Koço Kokëdhima, ky i fundit foli në dalje të Spitalit të Burgut, ku mohoi sërish akuzat e demokratëve. “Nuk kam përfituar asnjë qindarkë në shkelje të ligjit. Ata kanë këtë strategji për të dëmtuar reputacionin tim, por nuk do të ia arrijnë siç nuk ja kanë arritur deri më sot”, – deklaroi ai. Kokëdhima gjeti rastin të shprehte edhe një herë tjetër qëndrimin e tij për liberalizimin e kanabisit. “Ka ardhur koha që të rishikojmë ligjet tona për kanabisin. Të mendojmë një amnisti themelore dhe të përgjithshme për të gjitha krimet e kanabisit, sepse do lironte shumë djem dhe vajza për krime kanabisi që si kanë bërë dëm askujt përveç vetes së tyre”, – tha ai.

 

 Shpërthimet në Marinëz/ Braçe: Pse po hesht Ministria e Energjisë? S’ka transparencë nga Gjiknuri për Bankers Petrolium

Deputeti socialist, Erjon Braçe, u shpreh i shqetësuar dje për heshtjen e Ministrisë së Energjisë në lidhje me shpërthimet e ndodhura në Marinëz dhe kompanisë Bankers Petrolium. Kjo e fundit, sipas deputetit socialist, ka hedhur prej kohësh dhe nuk ka dhënë asnjë transparencë e ndërsa theksoi ai, Ministria ka bërë të njëjtën gjë këto kohë. “Kompania Bankers Petroleum hesht dhe nuk është transparente për: Operacionin e ndërmarre ne atë pus, teknologjinë e përdorur ne atë pus,Materialet e përdorura e lendet e injektuara ne atë pus, qëndrueshmërinë e tokës ne atë zone, mungesën e një plani rehabilitimi. Por me shume se Bankers, mua me shqetëson heshtja e Ministrisë përgjegjëse. Nafta është pasuria jonë kombëtare, Bankers është thjesht një operator ekonomik që ka një marrëveshje hidrokarbure me Albpetrol. Kaq, asgjë më shumë”, – shkruante ai në rrjetin social “FB”. Më tej duke u përqendruar tek ministria e Energjisë dhe industrisë e drejtuar nga Damian Gjiknuri, Brace theksoi: “Ministria nuk ka transparencë. Kjo irriton, aq sa duket se institucionet shtetërore po presin që Bankers të flasë. Ndërkohe duhet të jenë ato që duhet të bëjnë Bankers të flasë, të kërkojnë llogari prej saj deri në detaje; të hetojnë, të ndëshkojnë dhe të japin garanci për të ardhmen e pasurisë sonë kombëtare. Askush nuk di sot se kush është Stream oil. Madje askush ndër ne nuk di sot se ç’po bën me pasurinë tonë. Ndaj është emergjente të kthehemi tek: auditimi i marrëveshjeve hidrokarbure, verifikimi i zbatimit të planeve të zhvillimit, verifikimi i planeve të investimit,verifikimi i treguesve financiarë, shpenzimeve e të ardhurave posaçërisht, tatimeve të paguara dhe atyre që mungojnë”.