Apelimi/ Pafajësia e Arben Frrokut, Prokuroria: Gjykata anashkaloi dëshmitarin kryesor

0
92

Pafajësia e Arben Frrokut,Dëshmia e Arben Ndokës u mbështet para Gjykatës nga dy drejtues të Policisë së Shtetit, Tonin Vocaj dhe Agron Kuliçaj. Ndoka e pa ngjarjen, rrëfeu i pari targën e makinës

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përgatitur dosjen dhe pritet që të depozitojë brenda ditës së sotme apelimin kundër vendimit të pafajësisë që Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dha ndaj Arben Frrokut. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se akuza ka argumentuar gjerësisht vendimin, duke e kundërshtuar atë. Ndërkohë, mësohet se apelimi është mbështetur kryesisht tek prova kryesore dhe e vetme që prokuroria ka pasur në këtë proces gjyqësor. Bëhet fjalë për dëshmitarin e mbrojtur Arben Ndoka. Ky dëshmitar, sipas akuzës, ka rrëfyer të gjithë ngjarjen, madje ka qenë i pari që ka treguar targën e makinës. Prokuroria gjithashtu shprehet se Gjykata me dashje ka anashkaluar provën kryesore, provë e cila është mbështetur gjatë procesit edhe nga dëshmi të tjera, dy prej të cilave janë ato të dy ish-zyrtarëve të lartë të policisë, Agron Kuliçaj dhe Tonin Vocaj. Sipas akuzës, nuk mund të pranohet fakti që Gjykata konsideron të pavlefshëm dëshminë, në një kohë që dëshmitari ka qenë i pari që ka rrëfyer targën e makinës, e cila u përdor nga autorët për ekzekutimin e kryekomisarit Dritan Lamaj.

 

Prova

Prokuroria thotë se në momentin e ngjarjes, dëshmitari i mbrojtur ka qenë rreth 15 metra larg atij që quhet “Klubi i Korçarit”, në të cilin gjendet kamera, por ka qenë ngjitur me vendin e ngjarjes dhe aty ku ka kaluar makina. Kjo është arsyeja se përse kamera e “Klubit të Korçarit” nuk e ka fiksuar dëshmitarin menjëherë në vendin e ngjarjes, pasi ka qenë në një pozicion të pambuluar nga kamera. Në dëshminë e tij Arben Ndoka, i cili sipas akuzës do të vazhdojë të jetë i mbrojtur nga drejtësia ka rrëfyer me hollësi ngjarjen, madje ka qenë aq afër sa në një moment mund edhe të ishte goditur prej makinës që ishte nisur për t’u larguar me shpejtësi. Arben Ndoka ka deklaruar se Arben Frroku ka qenë i ulur në timon. Po nuk dihet se përse Gjykata nuk e konsideroi të drejtë këtë provë, e cila thotë akuza është e saktë dhe mbështetur edhe nga dy ish-zyrtarë të lartë të policisë. Dëshmitari dhe bashkëshortja e tij kanë qenë aq afër vendit të ngjarjes, saqë makina e vrasësve për pak sa nuk i ka përplasur të dy dhe nga shpejtësia ka goditur një pjesë trotuari, duke e dëmtuar trotuarin. Gjatë hetimit është verifikuar pjesa e trotuarit, e cila ishte e prishur, pikërisht në vendin ku ka deklaruar dëshmitari. Dëshmitari gjithashtu është shprehur se të gjithë të vërtetën mbi ngjarjen ia ka treguar shokut të tij të ngushtë, Ylli Memia.

 

Largimi i Memisë

Ylli Memia ish-punonjës i Gardës së Republikës, është personi i parë që njoftoi oficerët e lartë të policisë se dikush, që në këtë rast është Arben Ndoka, ka njohur autorin dhe ka parë gjithë skenën e vrasjes së Dritan Lamaj. Ka qenë Ylli Memia ai që lajmëroi Tonin Vocajn dhe Agron Kuliçajn. Këta të fundit e kanë thënë qartë edhe para Gjykatës se nga kush janë lajmëruar. Dy ish-zyrtarët janë takuar tek shtëpia e Ylli Memisë dhe ky fakt është pohuar edhe nga bashkëshortja e Arben Ndokës. Por vet Ylli Memia ndryshoi dëshminë e tij në Gjykatë. Ai i tha Gjykatës se nuk e njihte Arben Ndokën, i cili njihet me emrin e tij të vërtetë Fatmir Vladi. Për këtë qëllim Memia u shoqërua në polici. Por menjëherë pas lirimit nga ambientet e policisë, Ylli Memia rezulton të jetë larguar jashtë vendit me gjithë familjen me qëllim përfitimin e azilit politik. Mësohet se Memia nuk është larguar në rrugë legale dhe kjo del nga verifikimet e bëra në sistemin TIMS. Ai mund të ketë shfrytëzuar rrugët ilegale për t’u larguar jashtë vendit. Gjithsesi, provat e administruara, pra deklarimet dhe tabulatet e antenat e telefonisë celulare, dëshmojnë faktin se ata janë takuar pak orë pas ngjarjes. Nga sa më sipër, ngrihet pikëpyetja mbi vendimin e gjykatës, e cila vë në dyshim vërtetësinë e dëshmitarit, duke u shprehur në vendim se dëshmitari i mbrojtur ka qenë më vonë se sa vrasja në vendngjarje. Ky argumentim i Gjykatës duket i pabazuar, pasi nëse dëshmitari ka qenë më vonë sesa momenti i vrasjes në vendin e ngjarjes, si ishte në dijeni ai të targës së automjetit të vrasësve, të cilën ia ka treguar të saktë gardistit në telefonatën pas ngjarjes, si edhe në takim me oficerët e policisë??? Fakti që dëshmitari i mbrojtur i ka dhënë targën e mjetit ku kanë qenë vrasësit mikut të tij gardist, është pranuar prej këtij të fundit gjatë fazës së hetimit.

 

Dëshmia e Arben Ndokës në Gjykatë

 “Aty pa kaluar asnjë gjysëm ore më erdhën në shtëpi Tonin Voci të cilin e njihja si drejtor se e kam pas drejtor dikur kur kam punuar në polici të shtetit dhe Agron Kuliçi. Kur i tregova targën e makinës, ai, zoti Kuliçi u çua dhe më tha mund ta bëj një telefon në korridor dhe bëri një telefon dhe i`ua dha targën e makinës policisë së shtetit siç jepen numrat, që kjo targë ka qënë aty. Kur mbaroi telefonatën u kthye aty prapë dhe po bisedonim. Unë u kërkova dy oficerave të lartë të policisë së shtetit, u kërkova për punën që të mos dilte emri im në asnjë vend për të kallëzuar personin që e kam njohur. Mbas disa ditësh erdha bëra edhe marrëveshjen me zëvendësprokurorin e Krimeve të Rënda Kosta Belurin, bëra edhe marrëveshjen me Kosta Belurin dhe tani jemi këtu ku jemi. Koha ka qënë e errësuar. Unë kam qënë me gruan në një distancë rreth 10-15 metra larg objektit ku po qëllohej me armë. Punën e krismave unë e kam dëgjuar dhe e kam parë flakën që ka dalë nga krahu i shoferit, por nuk e jap të sigurt a ka gjuajtur shoferi apo ai që ka qënë mbrapa shoferit. Them se plumbat kanë dalë nga krahu i shoferit. Nga dera para apo mbrapa nuk e di se nuk e kam parë pasi ka qënë makina e parkuar dhe nuk e dalloja dot se nga cila sedilje qëllohej. Unë shihja pjesën e makinës nga krahu jo i shoferit, pra i pasagjerit. Makinën e kisha si anësore nuk e kisha përballë. Aty e kam parë që po qëllohej një makinë tjetër por se kush ka qënë nuk e di, e kam marrë vesh më vonë. Kjo makina tjetër për momentin sa ishte parkuar karshi makinës që ka goditur me armë. Makina që është qëlluar ishte përballë me lokalin dhe një berber. Si rrugë lagje unë nuk e mbaj mend se aty jetoj prej gjashtë vjet, emrin e rrugës se mbaj mend, por vendin e njoh. Makina nga u qëllua kur mori kthesën që u bllokua edhe me trotuarin, pashë që ishte BMW gri me targa Durrësi, me targë DR 1944 F, që se harroj kurrë në jetën time se desh më shtypi edhe mua”.

 

Agon Kuliçaj: Ndoka më tregoi targën e makinës

Më pas kam marrë një telefonatë nga punonjësi i gardës së Republikës me emrin Ylli Memia dhe më thotë që ku do të takoj pasi një person që është këtu me mua ka dijeni për ngjarjen. Kam marrë zotin Vocaj dhe na ka lënë takimin tek bulevardi “Bajram Curri”, afër KESH-it, në një ambient privat. Aty kemi shkuar, kemi marrë takim me këtë person dhe me personin tjetër që nuk e njihja dhe aty e kam parë për herë të parë. Jemi ulur, kemi biseduar me atë person dhe ai na ka shpjeguar, na ka dhënë detaje, fillimisht për mjetin që ka parë. Na tha që kam qenë në vendngjarje, kam qenë 5 metra larg nga vendi i ngjarjes në një pozicion të dukshëm dhe ishte i tronditur për të komunikuar. Fillimisht na dha detajet e mjetit që ishte tip BMW dhe targën. E pyetëm për personin nëse ishte dhe në ç`farë rrethanash arriti ta identifikonte me një shikim jo 100%. Fillimisht na dha këto të dhëna dhe tha do mendohem. Diku afër Drejtorisë së Policisë Tiranë ka rënë telefoni edhe një herë nga Ylli dhe jam kthyer edhe një herë unë, mbasi Toninit i thashë merr pjesë në analizë. Unë u ktheva, e takova dhe aty ai na tha që unë e kam parë, e kam identifikuar dhe ky person që ishte tek mjeti BMW nga ku është gjuajtur me armë zjarri është Arben Frroku.

 

Tonin Vocaj: Mbi vrasjen na rrëfeu dëshmitari Ndoka

Më mbrapa, së bashku me eprorin tim të drejtpërdrejtë Agron Kuliçaj, kemi shkuar dhe kemi takuar një person i cili na ka dhënë të dhëna për mjetin dhe targën e mjetit. E kemi takuar këtë person në një shtëpi që i bie përballë me Universitetin Europian të Tiranës, në krahun tjetër ku ka qenë KESH-i. E kemi takuar, kemi biseduar me të, na ka dhënë të dhëna, kishte të dhëna më shumë se targa. Në moment ai nuk ka folur përveç se ka dhënë tipin e mjetit dhe targën dhe se ka qenë në vendngjarje. Pasi Agron Kuliçaj është kthyer nga andej, unë jam njohur me rrethanat e ngjarjes që ai ka thënë dhe autorësinë… I ka thënë që di fakte për personin.Ka thënë dëshmitari që autor është Arben Frroku. Këtë informacion e kemi ndarë menjëherë me prokurorët dhe e kemi diskutuar që shërbimet e policisë të mos përfshiheshin në pyetjen e këtij dëshmitari për të ruajtur ç`do lloj paanësie dhe u kemi kërkuar prokurorëve që në momentet fillestare që ta pyesnin. Mbas disa ditësh pas ngjarjes, në televizione është paraqitur një fotografi ku unë kam dalë në një lokal në Dajt, në një drekë së bashku me zotin Arben Frroku dhe me kolegët e mi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency