De Biazi, “gjahtar” i trajnerëve, jep dorëheqjen edhe trajneri i Armenisë

0
159

Jurges Veizaj

Italian Gianni De Biasi speaks to journaPas humbjes me Shqipërinë, zvicerani Bernard Shaland i ka dhënë fund aventurës te armenët, duke kërkuar dorëheqjen

De Biazi, përveçse ka transformuar ekipin kombëtar në një skuadër të fortë, është kthyer edhe në një makth për trajnerët e kombëtareve që janë në grup. Kjo, për shkak se pas tërheqjes së trajnerit të Portugalisë, Bento, dhe Advokat të Serbisë, ka ardhur edhe dorëheqja e trajnerit të ekipit kombëtar të Armenisë, Bernard Shaland. Dorëheqja e trajnerit vjen pas humbjes 2 me 1 me skuadrën e Shqipërisë për ndeshjet kualifikuese të Euro 2016-ës. Kryetari i Federatës së Futbollit të Armenisë, Ruben Hajrapetian, ka pranuar dorëheqjen e Bernard Shalandit. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të FFA-së, Shaland i shprehu mirënjohjen Federatës së Futbollit, stafit drejtues dhe tifozëve të ekipit armen. Ai tha se një pikë në katër ndeshje nuk mund të konsiderohet si një rezultat i kënaqshëm dhe përfundoi deklaratën, duke i uruar suksese më tutje ekipit kombëtar të Armenisë. Përfaqësuesja e shqiptarëve mori në “Elbasan Arena” kundër Armenisë një nga fitoret më të rëndësishme të historisë së saj. Tri pikët e merituara praktikisht u kanë siguruar kuqezinjve tanë vendin e tretë në grupin I, pasi me +6 pikë ndaj Serbisë dhe Armenisë, kur kanë mbetur edhe katër ndeshje për t’u luajtur, ky objektiv duket plotësisht i realizueshëm. Shqipëria pozicionohet në vendin e tretë në grup, me 7 pikë, po aq sa Danimarka e vendit të dytë, ndërsa Portugalia pas fitores ndaj Serbisë qëndron në krye me 9 pikë. Për Serbinë dhe Armeninë praktikisht gjithçka ka përfunduar, pasi renditen të fundit me vetëm një pikë. Shqipëria vijon rrugën e saj në krahët e ëndrrës me 4 ndeshjet e radhës. Tashmë të paktën vendi i tretë që siguron play-off-in është më se i mundshëm e madje ekzistojnë dhe shanset reale që Shqipëria të sigurojë një biletë për në Francë edhe duke u kualifikuar si skuadra e tretë më e mirë e të gjitha grupeve, ndërkohë që mund të synojë me këmbë në tokë vendin e dytë. Kuqezinjtë e De Biazit do të zbresin sërish në fushë më 4 shtator, kur do të përballen në Kopenhagen me Danimarkën, në një sfidë e cila në situatën aktuale ngjason pikërisht si një play-off për vendin e dytë, por përpara atij takimi do të luhet një ndeshje tjetër e rëndësisë maksimale. Por më shumë se për verdiktet finale, ajo për të cilën shqiptarët, kudo që ata jetojnë, janë gëzuar më së shumti për paraqitjen e kuqezinjve të De Biazit. Tani kjo kombëtare ka fituar sigurinë maksimale për vlerat e tyre, dinë të përballen me çfarëdo situate, të reagojnë në momentet e vështira dhe mbi të gjitha të ruajnë vazhdimësinë në një edicion eliminator. Fitorja në Portugali, paraqitjet pozitive ndaj Danimarkës dhe Serbisë, si dhe përballjet dinjitoze në miqësoret e luksit kundër Francës dhe Italisë kanë bindur edhe më skeptikët se kjo skuadër është duke shkruar historinë dhe pjesëmarrja në finalet e një kompeticioni madhor nuk është më vetëm një ëndërr. Për të mbërritur deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë, por përkundrazi është dashur një punë kolosale. Mbi të gjitha, projekti i Shqipërisë së madhe është duke dhënë frytet e tij, ndoshta më shpejt nga parashikimet. Hapja e dyerve të kombëtares për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga vendlindja e tyre apo shkolla e formimit profesional, ka krijuar një bazë të gjerë vlerash sportive. Në dispozicion të trajnerit tanimë janë aq shumë alternativa, sa krijojnë vështirësi për formacionin më të mirë. Fitorja ndaj Armenisë ishte treguesi më i mirë i këtij realiteti, pasi përmbysja e madhe erdhi pas zëvendësimeve të kryera, ku veçanërisht Lenjani dhe Gashi rezultuan vendimtarë për triumfin në “Elbasan Arena”. Për fat të mirë, me filozofinë kuqezi janë bashkuar të gjithë shqiptarët, në të gjitha trojet ku ata jetojnë. Krenaria për të përfaqësuar këtë vend, dashuria për ngjyrat kuqezi, shpirti i sakrificës të bashkuara me cilësinë dhe disiplinën sportive e kanë kthyer tanimë këtë skuadër në një nga simbolet më të dashura për shqiptarët.

 

Mediat ndërkombëtare shkruajnë për suksesin e Shqipërisë

Fitorja e Shqipërisë me Armeninë në kuadrin e eliminatoreve të Kampionatit Evropian Francë 2016 ka gjetur hapësirë edhe në mediat ndërkombëtare. Faqja zyrtare e UEFA-s në artikullin e saj në raportimin e ndeshjes ka përdorur titullin “Shqipëria përmbys kërcënimin armen”, duke iu referuar ecurisë së takimit, ku kuqezinjtë ditën të kthenin fitoren në krahun e tyre pas disavantazhit të golit të parë, ndërsa përcjell edhe një set fotosh ilustruese nga ndeshja në “Elbasan Arena”. Për sa i përket rivalëve armenë, në të përditshmet sportive të vendit nga Kaukazi Jugor gjen vend, veç raportimit për disfatën edhe deklarata e trajnerit zviceran të Armenisë, Shaland, i cili shprehet se skuadra e tij e kishte shansin për të pasur sukses, por nuk arriti ta vriste ndeshjen me golin e dytë dhe pësoi përmbysjen. Për italianen “Gazzetta dello Sport” pa dyshim që përbën interes raportimi në lidhje me italo-shqiptarin De Biazi, ndërsa raporton se me fitoren ndaj Armenisë rriten ambiciet dhe shpresat e Shqipërisë për një vend evropian. Në Zvicër lajmi trajtohet duke iu referuar edhe trajnerit zviceran të Armenisë, Shaland, që është mposhtur nga goli i futbollistit më të mirë në kampionatin zviceran, Shkëlzen Gashi, ndërkohë që fitorja kuqezi ka qenë një goditje tjetër për serbët, me mediat e tyre që raportojnë se triumfi i Shqipërisë i vështirëson akoma më tepër gjërat për ekipin e Kurçiçit, që është në prag të kapitullimit në luftën për një vend në Evropian.

 

Mavraj, i dëmtuari që u kthye në hero

Mërgim Mavraj ka përjetuar një nga javët më të veçanta të jetës së tij, që nisi dhe përfundoi me të si protagonist. Mavraj ishte në qendër të vëmendjes mediatike që në fillimin e saj, për shkak të dëmtimit që pësoi dhe prania apo jo e tij në fushë ndaj Armenisë ishte çështje e ditës në lajmet për kombëtaren. Do të jetë apo jo? Luan apo nuk luan? E pikërisht atëherë kur tabloja informative po bëhej më e zymtë në lidhje me mundësinë e rikuperimit, vetë Mavraj punonte në aspektin fizik çdo ditë në një nga klinikat e specializuara në Tiranë, që bëri të mundur rikuperimin e tij. Për sa i përket aspektit psikologjik, Mavrajn pa dyshim që e ka ndihmuar edhe besimi i tij. Në ditët kur prania e tij në fushë dukej e pamundur, shkruante në profilin e tij në “Facebook” një thënie të mikut të tij, hoxhës Ahmed Kalaja: “Kur njerëzit thonë shpresa vdes e fundit, ne i themi shpresa nuk vdes kurrë!” Shpresa nuk vdes kurrë, një thënie e përsëritur edhe në orët para sfidës, me Mavrajn që vendosi të sakrifikonte dhe bëri injeksionin kundër dhimbjeve për të zbritur në fushë. Aty historia dihet, fillimi ishte natyrisht i vështirë me Mavrajn, që në mënyrë të pavullnetshme devijoi topin në portën e Berishës. Por si çdo histori besimi e sakrifice, edhe ajo e Mavrajt nuk mund të mos përfundonte me një fund të lumtur. Në minutën e 77-të, Mërgimi gjeti goditjen fitimtare me kokë që ndryshoi gjithçka dhe pak më vonë erdhi edhe goli i fitores nga Gashi. Për Mavrajn, mbrojtësin kuqezi, gjithçka mund të përmblidhet me vargjet e Kuranit: “Se pas vështirësisë, vjen lehtësimi i dyfishtë”.

 

Ballist Morina përlotet

Një nga tifozët më të flaktë të kombëtares kuqezi, Ballist Morina, i është gëzuar jashtëzakonisht shumë triumfit të përfaqësueses shqiptare kundër Armenisë. Ai nuk ka mundur të përmbahet nga emocionet pas kësaj fitoreje jashtëzakonisht të rëndësishme. Në rrjetet sociale qarkullojnë disa fotografi, në të cilat Ballisti shihet në lot, duke iu gëzuar fitores së kuqezinjve. Ndërkohë, në profilin e tij në “Facebook” shkruan: “Përmbysje historike, rroftë Shqypnia!”

 

Zidan: Reali kërkon Pogbanë

Zyrtari i lartë i Realit të Madridit, Zinedin Zidan, ka konfirmuar se është shumë logjike që klubi i tij ta kërkojë mesfushorin fantastik të Juventusit, Pol Pogba. Francezi ka nënshkruar kontratë të re me Juventusin deri në vitin 2019, por Zidan ka shprehur hapur faktin se Realit i intereson lojtari. “Kur po flasim për një lojtar si Pogba, është shumë logjike që Reali të jetë i interesuar për ta transferuar. Ai është lojtar me potencial të madh, i cili ka ende hapësirë për t’u përmirësuar. Ai është ende i ri dhe ka të ardhme të ndritur përpara”, – u shpreh Zidan.

 

Siti hedh sytë nga Morata

Forma e mirë që po kalon Alvaro Morata me Juventusin ka nxitur shumë klube që të bëjnë plane për blerjen e tij. Sipas “The Mirror”, Mançester Siti shpreson që të sigurojë shërbimet e sulmuesit spanjoll gjatë verës. Kampioni anglez e ka kërkuar 22-vjeçarin para se të shkonte te bardhezinjtë dhe tani po e kërkon sërish. Mirëpo, transferimi i tij është paksa i ndërlikuar, pasi Reali i Madridit e ka të drejtën për riblerjen e tij në dy vitet e para. Në rast se do të përfshihej një klub i tretë, atëherë pos Juves do të duhej të negocionte edhe me “Los Blancos”. Po ashtu, Siti duhet të shesë Edin Xekon dhe Stevan Jovetiçin që të bëjë vend për sulmues të rinj.

 

Bernat: Alaba, i rëndësishëm për Bajernin

Lojtari i Bajernit të Mynihut, Huan Bernat, nuk beson se mbrojtësi austriak David Alaba do të transferohet te Reali i Madridit. Bernat e ka lavdëruar Alabën, duke thënë se është një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin e Bajernit. “Nuk e di për interesimin e Realit, por Alaba është një lojtar i madh dhe nuk është në shitje. Ai ka kontratë më Bajernin dhe është një lojtar shumë i rëndësishëm”, – ka deklaruar Bernat. Interesimi i Realit të Madridit është shumë i madh për transferimin e David Alabës, pasi ky i fundit është ndër lojtarët më në formë dhe më të mirë në krahun e majtë.

 

 Vilmots: Januzaj nuk luan, prandaj nuk e thirra

Trajneri i Belgjikës, Mark Vilmots, ka treguar arsyen pse Adnan Januzaj nuk është ftuar nga kombëtarja belge. Vilmots ka thënë se paraqitjet jo në numër të mjaftueshëm të Januzajt për Junajtidin kanë bërë që ai të mos e ftojë lojtarin me prejardhje nga Kosova. “Unë nuk kam asnjë dyshim për potencialin e tij, por ai duhet që të luajë më shpesh. Konkurrenca në kombëtare është e madhe dhe arsyeja që ai nuk është ftuar është për shkak se Karrasko, Mertens dhe Çadli janë titullarë në klubet e tyre”, – ka potencuar Vilmots.

 

 Ronaldo nuk kupton fërshëllimat e tifozëve

Sulmuesi i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, nuk po mund që ta kuptojë se pse vazhdon që të vërshëllehet në “Santiago Bernabeu”. Mediat spanjolle raportojnë se Kristiano ende është i habitur me faktin se vazhdon që të vërshëllehet në “Santiago Bernabeu”. Lojtari po kalon formë të dobët, por po ashtu ka mungesë të përkrahjes nga tifozët. Duket se tifozët janë ende të irrituar me faktin se Ronaldo ka festuar ditëlindjen pas disfatës prej 4-0 nga Atletiko Madridi. Ronaldo me këtë trend nuk është mësuar, pasi te Mançester Junajtid ka qenë sikur mbret.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency