Deklarata/ Doshi: Llalla po përdoret nga Meta, sot publikoj faktin rrëqethës: Si u manipuluan dëshmitarët

0
186

Gëzim Saliu

tom doshi Sot mblidhet Këshilli i Mandatave për dëgjesën me dy deputetët dhe më pas merr vendimin mbi kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e tyre

Deputeti i qarkut të Shkodrës, Tom Doshi, deklaron se në mbledhjen e sotme të Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve do të bëjë publik një fakt rrëqethës për çështjen e ngritur prej tij. Përmes një deklarate në rrjetin social “FB”, deputeti theksoi se përmes këtij fakti do të qartësohet e vërteta e çështjes së tij, si edhe manipulimet që u janë bërë dëshmitarëve kyç në të. “Të mërkurën shpresoj të jem mirë me shëndet dhe në Komisionin e Mandateve do bëj publik dhe një fakt tjetër rrëqethës, pas të cilit nuk do mbetet asnjë shqiptar i paqartë për hetimet që janë bërë, si është fshehur e vërteta dhe si janë manipuluar dëshmitarët kyç në këtë histori. Me durim deri të mërkurën mbasdite”, – u shpreh Doshi.

 

Reagimi

Në deklaratën e tij publike, deputeti shkodran kritikoi edhe punën e kryeprokurorit Llalla, të cilin e cilësoi si të përdorur nga ana e kreut të Kuvendit, Meta. Sipas Doshit, Llalla ka shpëtuar Metën nga pamjet e aeroportit të Hanoverit, ku Spartak Braho takon vëllain e Fatjon Skënderajt, çka, sipas Doshit, do të vërtetonte manipulimin e dëshmisë. Po ashtu, sipas tij, Llalla po mundohet të shpëtojë edhe veten, pasi ai ka pasur dijeni për çështjen dhe nuk bëri asgjë për gjashtë muaj rresht. “E di që të gjithë shqiptarët po e kuptojnë çdo ditë e më shumë arsyen pse prokurori i Përgjithshëm po përdoret nga Ilir Meta për të shkelur ligjin dhe për të bërë skandale që nuk do t’i bënte askush, asnjë jurist i thjeshtë, jo më prokurori i Republikës. Po ju jap të shihni një shkresë që më ka dërguar Prokuroria e Krimeve të Renda në datën 20 mars, ditën kur, pa bërë asnjë minutë hetim, i kërkuan Kuvendit arrestimin tim. Janë dy arsye kryesore: 1. Të shpëtonte Ilir Metën nga dalja e filmimeve të aeroportit të Hanoverit, ku Spartak Braho takoi vëllain e Fatjon Skënderaj, fakt ky që do nxirrte zbuluar manipulimin që i bënë ata këtij dëshmitari. 2. Dhe gjithashtu të shpëtonte veten ky prokurori i Përgjithshëm nga dëshmia, që do ishte një provë ligjore për të provuar se ai ka pasur dijeni dhe se nuk bëri asgjë për 6 muaj rresht, duke mbrojtur krimin. Pas kësaj dëshmie prokurori i Përgjithshëm duhet të jepte dorëheqje për shpërdorim detyre dhe mosveprim për hetim të krimit”, – theksoi ai. Më tej, Doshi theksoi se kërkesa për arrestimin e tij mbi akuzën e kallëzimit të rremë është një sajesë. “Brenda një dite, me nxitim antiligjor, pa filluar asnjë hetim ndaj meje në Prokurorinë e Përgjithshme që ka kompetencë të hetojë deputetët, i kërkuan Parlamentit të arrestojë dy deputetë, me një akuzë të falsifikuar. Me këto akuza nuk është hetuar në gjendje arresti asnjë shqiptar në Republikën e Shqipërisë”, – u shpreh deputeti i qarkut të Shkodrës. Ditën e sotme pritet të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve ku do të zhvillohet dëgjesa me dy deputetët Doshi dhe Frroku, të cilët do të jenë të shoqëruar nga avokatët e tyre, ku edhe më pas deputetët anëtarë të Këshillit do të vendosin nëse do të pranojnë apo jo kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e dy ligjvënësve.

 

Çështja “Doshi”/ Gjinushi: S’ka kuptim arresti për kallëzim të rremë, pasi kështu të gjithë politikanët do ishin në burg

Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, deklaroi dje se kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e dy deputetëve është e pakuptimtë, pasi, sipas tij, nëse ajo do të ishte e njëtrajtshme për të gjithë ligjvënësit e Parlamentit, sipas tij, thuajse të gjithë ata do të ishin në burg tashmë. Në një takim me bazën e partisë në qytetin e Shkodrës, duke komentuar çështjen “Doshi”, Gjinushi theksoi se kërkesa e Prokurorisë ishte e pakuptimtë. “Për akuzën e kallëzimit të rremë nuk ka kuptim të arrestohen politikanët, pasi në këtë mënyrë i bie që të gjithë politikanët duhet të ishin në burg. Politika po arreston ish-të dënuarit”. I pyetur nga gazetarët lidhur me zërat që qarkullojnë në qytetin e Shkodrës se Tom Doshi ka blerë për rreth 300 mijë euro PSD-në, Gjinushi e ka mohuar këtë fakt. Për kreun e PSD-së ky është një lajm i pavërtetë dhe se partia që ai drejton nuk është shitur. “Jo, nuk është e vërtetë se partia ime i është shitur për 300 mijë euro Doshit. Partia ime nuk është shitur”, – tha Gjinushi.

 

Protesta e PD-së para Kuvendit: Meta të dorëhiqet dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë

Mbështetës të opozitës protestuan dje sërish para Kryesisë së Kuvendit duke i bërë thirrje Kryeparlamentarit Ilir Meta të vihet në dispozicion të drejtësisë si çdo qytetar. “Ne duam që Ilir Meta të dorëzohet para drejtësisë, ne duam që ai të hetohet si qytetar i thjeshtë edhe nëse e pranon si deputet i thjeshtë duhet ta bëjë dhe ta kishte bërë këtë akt. Ne nuk duam të pranojmë një demokraci pa moral dhe pa dinjitet. Ne duam që ai ti dorëzohet drejtësisë sepse dinjiteti njerëzor nuk mund ta lejojë një poshtërim të tillë dhe një marrje peng të drejtësisë nga kryetari i Parlamentit në bashkëpunim me Kryeministrin në Pallatin e Ëndrrave të tyre, prandaj ne jemi këtu dhe do të vazhdojmë të jemi këtu deri ditën kur ai të japë dorëheqjen me qëllim që hetimi të jetë i drejtë”, – tha deputeti demokrat Luçiano Boçi. Sipas të rinjve të PD-së dhe qytetarëve të Tiranës që ishin në protestë, nuk mund të ketë hetim të besueshëm për çështjen “Doshi” me Metën si Kryetar Kuvendi.

 

Debate tek Komisioni i Jashtëm:/ PD kërkon dorëheqjen e Metës, Bumçi: Pa këtë, s’ka shanse hetimi. Dade: Mbështesim Prokurorinë

Partia Demokratike nuk ka hequr dorë nga kërkesa e saj për dorëheqjen e Kryeparlamentarit Ilir Meta nga posti që mban për t’u dhënë rrugë, sipas opozitës, hetimeve të drejta dhe të paanshme. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Jashtëm, deputeti demokrat Bumçi theksoi se vetëm përmes dorëheqjes së Kryeparlamentarit mund të ketë hetim të pavarur. “Me zotin Meta Kryetar Kuvendi nuk ka asnjë shans që Prokuroria të zbardhë të vërtetën në një vend si Shqipëria, ku organi i akuzës është nën presionin e shumicës”, – tha ai. Në përgjigje të tij, kryetarja e Komisionit, deputetja socialiste Arta Dade, theksoi se deputetët duhet të mbështesin Prokurorinë dhe nuk duhet të ndërhyjnë në punën e saj. “Ne nuk kemi asnjë rol, madje dhe e pengojmë dhe abuzojmë me pushtetin, nëse do të merremi me punën e Prokurorisë. Ne dimë vetëm të mbështesim atë që kërkon Prokuroria. Ju jeni shprehur se do ta mbështesni. Të vijë çështja në seancë dhe duhet të jemi seriozë në hapat dhe konsolidimin e shtetit ligjor”. Por pavarësisht nga vendosmëria në këtë kërkesë, opozita ndrydhe nga më parë, ka qëndruar në Komisionin e Jashtëm, duke e përqendruar debatin në koncesionet për HEC-et. Deputeti Aldo Bumçi tha se qeveria ka krijuar pasiguri tek investitorët, duke ndërhyrë arbitrarisht në kontratat koncesionare. “Në mënyrë të njëanshme qeveria goditi këtë sektor strategjik duke vënë në rrezik dhe bankat që kishin dhënë kreditë. Mendoj që është politika më miope, më e dëmshme që kjo qeveri ka ndërmarrë në këtë një vit e gjysmë, është goditja e sektorit të energjisë, sektorit të hidroenergjisë. Mendoj sektorin më të madh për tu zhvilluar në vendin tonë”. Por sipas kryetares së Komisionit, deputetes socialiste Arta Dade, një pjesë e madhe e kontratave koncesionare të qeverisë “Berisha”, sidomos ato për ndërtimin e HEC-eve, janë dhënë në kundërshtim me ligjin, duke shkatërruar dhe mjedisin. “Unë personalisht kam përfaqësuar Përmetin dhe qarkun e Gjirokastrës, kam ngritur një shqetësim madhor për shkatërrimin e ujërave termale të Bënjës, një HEC që i ishte dhënë me koncesion një ish-deputeti të Partisë Demokratike. Dhe ky është vetëm një nga rastet e shkatërrimit të Vjosës dhe madje ne kemi parë edhe këtë javë sesi shoqatat e mbrojtjes së mjedisit dhe institucione të tjera kanë dalë në mbrojtje të mjedisit. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të bëjë sikur ka zhvillim të qëndrueshëm duke mos marrë në konsideratë në radhë të parë, mbrojtjen e mjedisit”, – tha ajo.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency