Në Berlin/ Basha me ligjvënësit gjermanë: Në praktikën evropiane për akuza të rënda, zyrtarët lënë postin

0
132

basha me ligjvenesit gjermanPërfaqësuesit e Partisë së Kancelares Merkel në Bundestag do të ndihmojnë Partinë Demokratike në hartimin e platformës së saj dhe shpalosjes së ofertës së re për shqiptarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në kuadër të vizitës që po zhvillon në Berlin takoi dje disa ligjvënës të Bundestagut Gjerman, ku vuri theksin tek përpjekjet që po bëhen nga pushteti për të penguar, sipas tij, hetimin e për të fshehur të vërtetën mbi çështjen më të mprehtë të 25 viteve të fundit. Në takimin me kryetarin e Komisionit për Çështjet e Evropiane në Bundestagun Gjerman, Gunther Krichbaum, deputetin Thorsten Frei raporter për Shqipërinë, këshilltarin për politikën e jashtme të grupit parlamentar të CDU/CSU, Hans Joachim Falenski, dhe deputetin social-demokrat, Dietmar Nietan, kryedemokrati theksoi se dorëheqja e Kryetarit të Kuvendit nga posti i tij është parakusht për t’i hapur rrugën një hetimi të drejtë e të plotë, të pandikuar nga pushteti. Lidhur me çështjen ligjvënësit gjermanë kanë vlerësuar se mënyra e hetimit të kësaj çështjeje do të ndikojë në vlerësimin që jepet për fillimin apo jo të negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë. Në praktikat evropiane, për një akuzë të rëndë, zyrtarët largohen nga posti për t’i hapur rrugë hetimit. Po kështu, ligjvënësit gjermanë nënvizuan domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes së dhjetorit që lidhet me dekriminalizimin. Në këtë kontekst, Basha bëri të ditur: “Partia Demokratike ka iniciuar një proces dekriminalizimi, në mënyrë që asnjë person me precedentë kriminalë të mos jetë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, të mos jetë pjesë e të zgjedhurve vendorë apo e administratës. Përveç nismës për t’i ndaluar me ligj personat me të shkuar kriminale që të kandidojnë apo kandidohen. PD do të ketë dhe një komision të posaçëm pranë saj, që do të merret me verifikimin e figurave të përzgjedhura prej saj për të kandiduar në nivel lokal apo qendror”.

 

Bashkëpunimi me partinë e Merkelit

Një tjetër temë e takimeve që kreu i opozitës zhvilloi me ligjvënësit gjermanë, ishte edhe ajo që lidhej me angazhimin e PD-së për t’i dhënë një ofertë të re Shqipërisë në një situatë të rëndë ekonomike dhe të sigurisë si edhe intensifikimin e bashkëpunimit me CDU-në, në funksion të përgatitjes së platformës së re të demokratëve dhe avancimit të procesit të integrimit në BE. Basha mori mbështetjen e ligjvënësve gjermanë të cilët ashtu si edhe drejtues të CDU-së do të ndihmojnë Partinë Demokratike në hartimin e platformës së saj dhe shpalosjes së ofertës së re, e cila sipas opozitës, do t’i nxjerrë shqiptarët nga situata e rënduar ekonomike dhe e sigurisë dhe do të përshpejtojë rrugën drejt integrimit evropian.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency