Hapja e dosjeve/ Rama: Pas 2010-ës u harruan, Shqipëria s’do të jetë i vetmi vend që hap arkivat e ish-Sigurimit

0
116

Gëzim Saliu

15-03-18-05-30-56banner_km_dosjet_lajm_1 “Gjermania ka kapërcyer me sukses unikal dy diktatura të tmerrshme: nazizmin dhe komunizmin”

Kryeministri Rama deklaroi dje se projekti për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit ka nisur që në javët e para të qeverisë së drejtuar prej tij dhe se ai përbën një hap të madh në kuadër të një shoqërie demokratike. Në një takim të mbajtur në Kryeministri, ku merrnin pjesë deputetë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, Rama deklaroi se vendimi për hapjen e dokumenteve të fshehta të së shkuarës është parë dhe ende shihet jo si prioritet, por si një shtesë e tepërt në barrën e rëndë të problemeve të trashëguara. “Hapja ose moshapja e dosjeve nuk ndryshon parametrat ekonomikë të vendit, nuk ndryshon mbase edhe shumëçka tjetër në rrugën e përpjekjeve për të adresuar gjërat që duhet të ndryshojnë, por pa as më të voglin dyshim përbën një ndryshim themelor në raportin me të shkuarën si një pjesë e patjetërsueshme e raportit me të ardhmen, në raportin me vetveten si shoqëri”, – u shpreh Rama.

 

Takimi

Në takimin e djeshëm, Kryeministri nuk ngurroi të shprehte kritikën e tërthortë edhe ndaj kundërshtarëve politikë për këtë çështje, duke pohuar se pas vitit 2010 për hapjen e dosjeve nuk u fol më. Në vendimin e datës 23 mars të vitit 2010, Gjykata Kushtetuese e pati shpallur të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë një përpjekje të bërë për të avancuar një ligj të dosjeve, i cili në atë kohë ndeshi edhe reagimin shumë të fortë të të gjithë komunitetit ndërkombëtar si një projekt i papranueshëm dhe i papajtueshëm me standardet ndërkombëtare dhe mbi të gjitha, me liritë dhe të drejtat e njeriut. Pas vitit 2010, për këtë temë u hesht dhe ne kemi marrë përsipër ta thyejmë këtë heshtje, jo për shkak të një angazhimi elektoral, por sepse ne besojmë që kjo nismë është një detyrim që e kemi ndaj të gjithë atyre që vuajtën përndjekjet e regjimit të shkuar. Shqipëria nuk mund të jetë i vetmi vend që nuk hap arkivat e ish-Shërbimit Sekret. Hapja e dosjeve i jep jetë aspiratës sonë për të jetuar në një shoqëri demokratike”, – deklaroi Rama. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se hapja e dosjeve do të bëhet sipas modelit gjerman pasi sipas tij ky vend ka qenë më i suksesshëm në këtë proces: “I jemi referuar përvojës së Gjermanisë pasi konsultuam edhe përvojën e vendeve të tjera. Gjermania ka kapërcyer me sukses unikal dy diktatura të tmerrshme: nazizmin dhe komunizmin. Ky shtet ka qenë më i suksesshëm se të tjerët, për faktin se nuk i është trembur përballjes me vetveten”, – u shpreh kreu i qeverisë.

 

 Doda: Rama mban kokat e krimit në sqetull, sfilatë antikomuniste

Deputetja e PD-së Mesila Doda deklaroi dje se Kryeministri Edi Rama mban nën sqetull kokat e krimit politik të diktaturës dhe se hapja e dosjeve është një hipokrizi për ta. “Krimin në Parlament e ka futur e majta, trashëgimtare e denjë dhe direkte e xhahilëve të regjimit komunist. Hapja e dosjeve të spiuneve të lagjes s’është gjë tjetër veç hipokrizia e radhës, kokat e krimit politik të djeshëm Kryeministri i mban nën sqetull…”, – shkruante Doda në “Facebook”. Sipas deputetes sot po bëhet aleancë me krimin e vjetër politik por edhe me krimin e sotëm ordiner. “Bukur shumë… vazhdon parada e arritjeve të komunistëve të rinj… Sa lekë u kemi dhënë të persekutuarëve, sa i kemi paguar deri tani… E ndërkohë kryetari i Komisionit të Ligjeve, kryetari i Komisionit të Sigurisë, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, anëtarë të grupit parlamentar të PS-së, ish- prokurorë, hetues, kryetarë e sekretarë komitetesh partie e rinie… sfilojnë krah Kryeministrit që gënjen gjithë ditën e përbetohet për aspiratat e tij evropiane e antikomuniste”, – përfundoi Doda.

 

 PDK negocion me PD-në, Ndoka: Vendosim për kandidatët dhe për koalicionin

Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, bëri të ditur dje se partia që ai drejton nisi dje negociatat me PD-në në kuadër të bashkëpunimit për zgjedhjet e ardhshme vendore të 21 qershorit. “Partia Demokristiane e Shqipërisë vendosi sot të hapë negociatat për zgjedhjet lokale të 23 qershorit. Negociatat do të zhvillohen me Partine Demokratike; për mënyrën e caktimit të kandidateve, në vete apo të përbashkët, për koalicionin opozitar në raport me partitë pjesëmarrëse dhe mënyrën e testimit e sondazheve për kandidatët tanë zyrtarë për kryetarë bashkish”, – bëri të ditur Ndoka.

 

 Kreu i PDIU-së/ Idrizi jep sinjalet e para ndaj mazhorancës: Opozita nuk bën mirë që kërkon dorëheqjen e Metës

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, dha dje sinjalet e para të afrimit me koalicionin PS-LSI. Ndryshe nga pjesa tjetër e opozitës që kërkon dorëheqjen e Ilir Metës, Idrizi shprehet kundër. “Opozita nuk bën mirë që kërkon dorëheqjen e Metës”, – tha ai për “News 24”. Sa i përket çështjes “Doshi”, kreu i PDIU-së u shpreh se “ky është rasti që t’i lëmë institucionet që të zbardhin këtë çështje”, ndërsa theksoi se protestat prishin imazhin e vendit. Për sa i përket koalicioneve për zgjedhjet e 21 qershorit, Idrizi tha se PDIU është e hapur për koalicion si me mazhorancën, ashtu edhe me opozitën.

 

 Artikulli/ “The Economist”: Rama po përpiqet të zvogëlojë varësinë nga Meta, po tërheq mbështetësit e LSI-së

Prestigjiozja britanike “The Economist” shkruante dje në raportin e publikuar së fundmi se Kryeministri Edi Rama po përpiqet të tërheq mbështetësit e LSI-së në anën e tij, në mënyrë që të zvogëloj varësinë nga kreu i kësaj partie, Ilir Meta. Sipas kësaj agjencie, Rama do të vijojë me reformat dhe premtimet social-ekonomie, të cilat i dhanë fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. “Pas fitores së zgjedhjeve të përgjithshme, Rama kërkon të ndërtojë mbi këtë fitore një tërheqje të mundshme të disa mbështetësve të LSI-së në anën e tij, me qëllim për të minimizuar varësinë nga Ilir Meta. Rama do të vijojë me reformat dhe premtimet social-ekonomike, të cilat rritën popullaritetin në kutitë e votimit”, – shkruan “The Economist”. Sa i përket perfomancës së PD-së dhe shanseve të saj në zgjedhjet lokale ky raport tregohet pesimist. Sipas “The Economist”, kjo parti nuk është mësuar të ketë udhëheqës tjetër përveç Sali Berishës, çka ia vështirëson më tej punën kreut të PD-së, Lulzim Basha. “Basha do të ketë një të përpjetë për të ngjitur drejt udhëheqjes së partisë, e cila nuk është mësuar të ketë një udhëheqës tjetër veç Sali Berishës. Kjo do t’ia bëjë të vështirë Partisë Demokratike për ta përmirësuar performancën në zgjedhjet e ardhshme lokale”. Sa i përket hapjes së negociatave midis Shqipërisë dhe BE-së, “The Economist” shkruan se kjo mund të ndodh në fund të këtij viti.

 

 Takon Berishën/ Ambasadori Lu: SHBA mbështet dekriminalizimin, për “Doshin: Hetim tërësor dhe të pavarur

Ambasadori i SHBA-së në vend, Donald Lu, zhvilloi dje një takim me ish-kreun e qeverisë, Berisha, ku në qendër të diskutimit ishin zhvillimet e fundit politike në vend. Në këtë takim, sipas njoftimit të ambasadës, ambasadori amerikan ritheksoi mbështetjen e SHBA-së për dekriminalizimin nga të gjitha partitë dhe rëndësinë që ka pjesëmarrja konstruktive e opozitës në këtë proces për forcimin e institucioneve demokratike. “Në lidhje me pretendimet e ngritura nga z. Doshi kundër z. Meta, kjo është një çështje që duhet ta zgjidhin shqiptarët. Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin ndonjë hetim të këtyre pretendimeve por në vend të kësaj, të ketë një hetim tërësor dhe të pavarur të pretendimeve nga Prokurori i Përgjithshëm”, – tha Lu. Ndërkaq, ish-kreu i qeverisë ka deklaruar në këtë takim se situata në vend është tejet e rëndë, ku kulmi ka arritur, sipas tij, me akuzat e deputetit Doshi ndaj Kryetarit te Parlamentit. “”Dosja Frroku” është dëshmi tjetër e lidhjeve te qeveritareve me te larte me krimin dhe mbajtjen e Frrokut gjashte muaj peng nëpërmjet saj”, – bëri të ditur Berisha deklaratën e tij në takimin me kryediplomatin amerikan në Tiranë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency