Grabitja / U zhvaste grave në rrugë vathë e varëse floriri, tradhtohet nga motori

0
162

largea_hajdut1371933826

Dënohet me katër vite burg dhe përfitoi ulje dënimi, pasi pranoi autorësinë. Varëset e grabitura i shiste në dyqane floriri me çmime qesharake. Pranoi se e kishte profesion

 

Ndjekjen e grave, të cilat mbanin aksesorë floriri në veshë e në qafë e kishte kthyer në profesion. Me paratë që fitonte nga shitja e bizhuve është shprehur se mbante familjen. Kishte gjetur një mënyrë se si të mos kapej nga policia, por rruga e ndjekur e tradhtoi. Përdorte një motrr për ndjekjen e grave, i parakalonte, ndalonte, parkonte motorin dhe pasi u dilte para grave, me forcë u hiqte nga veshët vathët e floririt dhe të tjerave varëset nga qafa, duke u zhdukur me shpejtësi. Në polici ishin bërë disa kallëzime pa emër autori. Deri në momentin kur të pandehurin Hazbi Biba e tradhtoi një kamerë e vendosur nga një biznes privat dhe përplasja me një bordurë me motor pas largimit me shpejtësi nga vendi i krimit. Pas arrestimit, Hazbi Biba pranoi autorësinë e të gjitha grabitjeve në kryeqytet dhe në përfundim Gjykata e dënoi me katër vite burg. Por pranimi i akuzës i uli të pandehurit masën e dënimit me 1/3. Kaq ishte edhe masa e dënimit kërkuar nga Prokuroria.

 

Ngjarjet

Në maj të vitit 2013 një shtetase nga Tiranë kishte depozituar një kallëzim në komisariatin numër 1 në Tiranë, për veprën penale të vjedhjes. Procedimi ishte regjistruar pa emër, ndërkohë policia ishte vënë në ndjekje të autorit, të cilin po e gjurmonte në të gjithë kryeqytetin. Konkretisht kallëzuesja ka deklaruar se, ka qenë duke shkuar për tek dyqani i saj të marrë me qera – i ndodhur në afërsi të pallateve “Grand” pranë kryqëzimit të rrugëve “M. Grameno” dhe “Todi Shkurti”, në qytetin e Tiranës, kur befas nga mbrapa i është afruar një djalë. Ajo është shprehur se djali ishte i moshës 20-25 vjeç dhe ngiste një motor të vogël ngjyrë të zi dhe të vjetër. Për nga karakteristikat djali në fjalë ishte ezmer, me flokë kaçurrela dhe kishte veshur një bluzë të bardhë e pantallona të zeza. Autori pasi parkoi motorin në anë të rrugës i është afruar me ngadalë të dëmtuarës dhe i ka kapur të dy vathët nga veshët, pasi i ka hedhur ato në dorë është larguar me motorin me shpejtësi në drejtim të depos së ujit nga rruga “Ali Demi”, Tiranë. E dëmtuara ka sqaruar se nuk pësoi dëmtime në shëndet por vetëm u tremb dhe ka njoftuar menjëherë në nr 129, policinë. Ajo ka shpjeguar se-vathët kanë qenë në formë rrethi dhe material flori. Një tjetër rast i grabitjes nga i njëjti autor ka ndodhur në gusht të vitit të kaluar. Hazbi Biba i identifikuar më pas nga policia si autor, këtë radhë kishte ndjekur nga pas një grua e cila mbante në qafë një varëse floriri rreth 50 cm të gjatë dhe me një kryq të madh. Gruaja e sulmuar ka shpjeguar rrethanat e ngjarjes. Në këtë rast policia ka arritur të siguroj një CD nga një kamerë e një biznesi pranë vendit ku ndodhi grabitja.

 

Arrestimi

Por djali që gjurmonte gratë me bizhu floriri u tradhtua në një moment nga motori që përdorte për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Këtë radhë Biba nuk arriti dot të grabiste gruan që kishte pikasur dhe ndjekur nga pas. Më datën 3.9.2014, është njoftuar në sallën operative të shërbimeve policore, se në afërsi të ambulancës tek “Ali Demi”, në qytetin e Tiranës, kishte një konflikt midis disa personave. Menjëherë kanë shkuar në vend ngjarje,punonjësit e policisë dhe kanë parë një person të gjakosur, i identifikuar më vonë si shtetasi Hazbi Biba, i cili kishte tentuar të vjedhë një shtetase, e cila ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk është bërë e mundur të gjendet dhe të identifikoj se kush ishte e dëmtuara. Shtetasi Hazbi Biba, duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me motorin që ai drejtonte është rrëzuar duke e dëmtuar fizikisht. Nga ana e punonjësve të policisë, është hartuar raport shërbimi i datës 03.09.2014, dhe kapja në flagrancë i shtetasit Hazbi Biba, si i dyshuar se kishte kryer veprën penale të vjedhjes.

 

 

Goditi drejtorin e shkollës, dënohet me kusht i mituri

 

Gjykata e Tiranës dënoi me 9 muaj burg me kusht për dy vite, një nxënës të vitit të katërt, akuzuar se goditi me grusht drejtorin e shkollës. Në përfundim të gjykimit thuhet në vendim, gjykata gjeti fajtor dhe deklaroi të pandehurin Saimir Gjon Bruka, për kryerjen e veprës penale “Goditja për shkak të detyrës”, bazuar në nenet 237 dhe 51 të K. Penal, duke e dënuar me 9 muaj burgim. Në zbatim të nenit 406/1 të K. Pr. Penale, të pandehurit Saimir Bruka i ulet 1/3 e dënimit dhe i mbetet për të vuajtur 6 muaj burgim. Bazuar në nenin 59 të K. Penal, pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për të pandehurin Saimir Bruka. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë paraqiti për gjykim çështjen penale ndaj të pandehurit Saimir Bruka, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Goditja për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 237 i K. Penal. Nga gjykimi i shkurtuar i çështjes, e cila është në juridiksionin dhe kompetencën e kësaj Gjykate ka rezultuar e provuar se në datën 26.9.2014, rreth orës 09:00 drejtori i Shkollës së Mesme të Bashkuar të Komunës Bazë të rrethit të Matit, shtetasi Robert Gjini ka dalë nga zyra e drejtorisë për të kontrolluar mbarëvajtjen e orëve të mësimit. Në korridorin e katit të dytë, ai ka parë duke lëvizur nxënësin e vitit të IV, të pandehurin Saimir Bruka. E ka pyetur përse kishte dalë nga ora e mësimit dhe ai i është përgjigjur se i kishte marrë leje mësuesit të lëndës të asaj ore. Drejtori i shkollës i ka thënë, atëherë mos rri nëpër korridore, ose hyr në klasë ose dil jashtë, pasi qëndrimi në korridore gjatë orëve të mësimit nuk lejohet. Në këtë moment i pandehuri Saimir Bruka i është shprehur se nuk të pyes ty, e di vetë së çfarë bëj dhe në debate e sipër ai e ka qëlluar drejtorin e shkollës me grusht në fytyrë, poshtë syrit të majtë dhe pas kësaj është larguar, duke dalë jashtë shkollës. Drejtori ka lajmëruar policinë dhe më pas prindërit e djalit. Gjatë gjykimit djali i cili rezulton nën moshën e lejuar nga ligji për t’u dënuar, ka pranuar fajin.

 

 

Shijak

Pranga tre personave, dy të shpallur në kërkim

 

Arrestohen nga policia në zonën e Shijakut tre persona, dy prej tyre të shpallur në kërkim. Operacioni i koduar “Në fillim të pranverës”, bëri të mundur arrestimin e shtetasit Sulejman Selimaj, 48 vjeç, banues në Rrushkull të Sukthit. Gjatë një kontrolli ju gjet një armë tip pushkë automatike të cilën e kishte pa leje. Sipas burimeve policia bëri të mundur arrestimin dy personave të tjerë të shpallur në kërkim. Gjatë operacionit, u arrestua Përparim Tahiraj, 31vjeç. Ky shtetas ishte dënuar nga gjykata me një vit heqje lirie për ushtrim dhune në familje. Po kështu mësohet se u arrestua dhe shtetasi Benard Shkajoti, 22 vjeç, banues në (Perlat) Sukth. 22-vjeçari, ishte i dënuar për vjedhje pasurie. Policia vijon aksionin për gjetjen dhe arrestimin e gjithë personave me precedent penal.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency