PD kërkon dorëheqjen e Kryeparlamentarit/ Berisha: Mos shfrytëzo votat e krimit, hetohu. Meta: U dorëhoqa një herë për Shkëlzenin

0
108

Gëzim Saliu

 treshja e KuvenditIsh-kryeministri: Dorëheqjen e parë e dhe për bllokun e Monikës. Meta: E nise si aksioner demokracie po e mbaron si aksioner pularie

Në një seancë jo të zakonshme, përmes debateve dhe akuzave të forta të shoqëruara me bllokimin e foltores së Kuvendit, mazhoranca dhe opozita u përplasën dje në seancën parlamentare, ku çështje kryesore ishin akuzat e deputetit Tom Doshi. Partia Demokratike i shpalli dje “luftë” të hapur Kryeparlamentarit Meta, duke kërkuar dorëheqjen e tij nga posti që mban për t’u lënë rrugë të hapur hetimeve. Debati më i fortë u zhvillua mes ish-kryeministrit Berisha dhe kreut të Kuvendit Meta, ku kërkesës për dorëheqje të deputetit demokrat, kreu i LSI-së iu përgjigj duke akuzuar djalin e tij Shkëlzen Berisha. “Ne kërkojmë që Ilir Meta, si i akuzuari kryesor, për një akuzë që nuk është dëgjuar për 25 vite me radhë, të heqë dorë nga posti dhe të vihet në dispozicion të hetimeve. Për ne, politikisht, sa më gjatë ta mbani, aq më shumë do të kundërmojë. Ne nuk kemi interesa partiake në këtë rast, por vetëm interesa të të gjithë shqiptarëve. Nuk ka sot kryetar parlamenti të akuzuar në këtë mënyrë. Mos shfrytëzo votat e krimit, jep dorëheqjen”, – deklaroi Berisha. Nga ana e tij, Meta theksoi: “Unë për ty bëj gjithçka, por jo për Shkëlzen Berishën. Për atë e kam dhënë njëherë, por nuk jap për se dyti. Po beson Tom Doshin dhe Prokurorinë”. Duke përdorur një shprehje të kryeministrit Rama, Meta tha se këto janë përrallat e supergjyshit që ia tregon supermbesës. Ai tentoi disa herë ta shfaqte Berishën si të çekuilibruar, pasi iu drejtua Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke i thënë “t’i sjellë ilaçet Doktorit”.

 

Replikat

Ndërsa seanca u ndërpre tri herë për shkak se deputetët e PD-së nuk pranonin të lironin foltoren e Kuvendit, duke kërkuar me ngulm dorëheqjen e Kryeparlamentarit Meta, shkëmbimi i akuzave mes ish-kryeministrit dhe kreu të LSI-së arriti dje kulmin. Pas deklaratës së Metës lidhur me djalin e Berishës, ky i fundit e cilësoi kreun e Kuvendit si të zezën e vendit duke theksuar se u kap me bllok në dorë për shkak të bashkëshortes dhe jo të Shkëlzenit. “Unë u them shqiptarëve që ky është e zeza e vendit. Jam unë ai i kam thënë Metës të japë dorëheqjen se Edi Ramës i kanë kërkuar të të arrestojë. Sepse këtë ia kanë kërkuar kancelaritë në Berlin e Bruksel. I kam thënë Metës, jep dorëheqjen, shko para drejtësisë. Pastaj u fut në intriga të tjera. Kush ia dha Doshit “Profarmën”. Me Tom Doshin ke shkuar me helikopter në Shkodër. Këto janë të turpshme. Ik jep dorëheqjen, sepse dorëheqja jote është kushti më minimal për t’i hapur rrugë hetimit… Vendi të mos shkojë aty ku nuk duhet të shkojë, përndryshe do të jetë një ropturë totale”. Më tej, ish-kreu i qeverisë dha përgjigje edhe për akuzat e Metës se pas planit për të cilin flet Tom Doshi, qëndron kunati i tij, Agim Rama. “Nuk e kalon dot me këto ti. Është një Agim Rama nga LSI ai për të cilin flet ti. Dorëheqjen e ke dhënë njëherë për bllokun e Monikës, jo për Shkëlzenin. Nëse ke prova për Shkëlzenin, dërgoji para organeve të drejtësisë”. Në kundërpërgjigjen e radhës, Meta këmbënguli në akuzat e tij ndaj djalit të ish-kryeministrit. “E dhashë prej Shkëlzenit dorëheqjen, sepse Shkëlzeni ishte në videot e Dritan Priftit dhe më the: ‘Shiko çfarë më ka bërë ky budallai!’ Vazhdo merr mendjen e Shkëlzenit akoma, çfarë të bëj unë?” Ndonëse opozita nuk u largua nga foltorja e Kuvendit, duke akuzuar edhe Kryeparlamentarin se po mbrohet me anë të gardës që rrethuan deputetët e PD-së, mazhoranca vazhdoi me seancën duke hedhur në votim projektligjet e ditës. Në këto momente aspak normale, ku deputetët e PD-së kundërshtonin rendin e ditës dhe kërkonin dorëheqjen e Kryeparlamentarit përmes fishkëllimave dhe duartrokitjeve ironizuese të opozitës, të majtët votuan të gjitha ligjet duke i dhënë fund një seanca aspak të zakonshme.

 

 Debati i plotë në Kuvend, përplasjet dhe akuzat mes Berishës e Metës, replika e Stërkaj

Paloka: Kupola e mafies është këtu pas nesh të dashur qytetarë. Sigurisht edhe na mbyllni gojën, mund ta bëni. Deri dje i lëpinit çdo gjë atij që bënte akuzat. Sot na paskeni dalë, që jeni miq të Ilir Metës. Që kur jeni bërë miq të Metës, dhe armiq të Doshit.

Meta: Çfarë kërkoni ju lutem?

Paloka: Kërkesa është e qartë: të mos qëndroni më në Parlament. Të japësh dorëheqjen, të largohesh nga ajo karrike.

Meta: Ju keni bërë një kërkesë për shkarkim. Mblidheni Konferencën e Kryetarëve.

Paloka: Kur je ti je akuzuar për vrasje me pagesë, ti na kujton rregulloren.

Meta: Doni ta fillojmë me kërkesën për shkarkim. Nga e hëna Doshi është deputeti juaj. Mund ta bëni edhe kryetar.

Paloka: Nuk mund të vazhdojë ky parlament nëse ai(Meta) qëndron aty.

Meta: Ju lutem po kaloni kohën.

Paloka: Nuk po të thotë njeri je apo jo vrasës. Dorëzohu para drejtësisë që gjithë shqiptarët të shohin je apo nuk je vrasës.

Topalli nga vendi i bie tavolinës: ik Ilir Meta, ik…

Meta: Zonja Topalli e kuptoj padurimin tuaj që të iki unë nga kryetar dhe të vijë Toma këtu. Mblidhni edhe Konferencën e Kryetarëve po të doni.

Meta: Fjalën e ka kërkuar z. Stërkaj për procedurë.

Deputetët e PD-së nuk pranojnë të lirojnë foltoren…

Meta: Mos u sillni kontigjentët e rrugës. Z. Beqaj lajmëroni urgjencën dhe shërbimin mendor. Atëherë merrni ilaçet dhe fillojmë prapë.

(Pas pushimit)

Ruçi: Hera e parë që ndjeva kënaqësi që opozita shqiptare përdori dy instrumente parlamentare për kontrollin parlamentar. Pavarësisht mendimeve të kundërta që kemi, Kryeministri u paraqit në seancën më parë dhe Kryetari Meta e futi interpelancën në rendin e ditës. Këshilli i Legjislacionit drejtohet nga opozita, materiali për mocionin është në dorën e Këshillit. Më shumë se kaq nuk ka. I bëj apel opozitës. Jemi para publikut shqiptar dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë që s’mund të jenë pjesë e këtij inskenimi.

Berisha: Për fatin tonë dhe më të keq të qytetarëve shqiptarë në këtë parlament nuk flitet gjë tjetër veçse për krim, krim dhe vetëm krim. Ne arritëm marrëveshjen e dekriminalizimit. Por çfarë ndodh? Vjen nga pozita dhe jo opozita një akuzë që e kisha denoncuar edhe më parë: tentativën për eliminimin e Tom Doshit. Nëse ka një njeri që ka qenë më agresiv ndaj Doshit është Sali Berisha. Por ka një gjë. Sali Berisha është njeri i ligjit. As për Doshin, Kokëdhimën, Metën, Tahirin nuk kërkoj asgjë tjetër vetëm ligjin. S’ka forcë në botë që të më çojë mua përtej kësaj. Nuk u mora tre muaj më parë. Edhe pse ata më thanë Ilir Meta na mori, na tha se është Sali Berisha do të vrasë Doshin. Të garantoj z. Paulin që të përdor Edi Rama, se do të përdorë më keq se Toma.

Meta: Z. Berisha mos kërcëno deputetët, jemi kundër kanosjes. E kërcënove një deputet. Z. Stërkaj vazhdo pas Berishës, të lutem.

Berisha: Pra u denoncu kryetari i Parlamentit se ka vrarë dy deputetë.

Meta: Po ti more zotëri e paske ditur para 3 muajsh dhe nuk e ke denoncuar. Denoncohet në Prokurori. E nise si lider demokracie e po e vazhdon si aksioner Pularie. Po, po vazhdo.

Berisha: Je i pamend se po të doja nuk e kisha denoncuar në Parlament. Ne kërkojmë që Ilir Meta si i akuzuari kryesor të heqë dorë nga kryetar i Parlamentit të zbresë në qytetar të thjeshtë dhe të bëhen hetimet. Sa më gjatë ta mbani aq më shumë do kundërmojë. S’kemi interesa politike, vetëm të shoqërisë shqiptare. Sot në botë nuk ka kryetar parlamenti që të akuzohet kështu.

Meta: Nga cili deputet të lutem? Është miku juaj prej muajsh.

Berisha: Vetëm sa fakton shkallën e krimit mor i mjerë.

Meta: Kush është i mjerë?

Berisha: Tom Doshi bashkë me Kokëdhimën është më i sulmuari nga unë.

Meta: Çfarë propozimi ke se s’po të kuptoj?

Berisha: Propozimi ynë është ky: jep dorëheqjen je kokë e qelbur. Jep dorëheqjen. Mos shfrytëzo votat e krimit.

Meta: Jepjani ilaçet se kemi përgjegjësi për shëndetin e Doktorit.

Berisha: Ik dhe jep dorëheqjen.

Meta: Të ta jap përgjigjen. Mbylljani mikrofonin. Përgjigja është kjo: për ty bëj çdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishën nuk e bëj, e kam dhënë njëherë për të. Mos u bëj pjesë e puçit të pularisë Tom Doshi dhe Dritan Prifti si aksioner. Ti beson më shumë tek Toma se tek Prokuroria se si një i akuzuar për vrasje flet tek Doshi dhe jo tek Prokuroria.

Berisha: Shiko si qeshin deputetët e mazhorancës me ty. Ti nuk e shet kurrë Tom Doshin. Ai s’ka asnjë lidhje. E di si është ai apo jo, njeriu që fluturon me helikopter alpeve me ty.

Meta: Këto janë përrallat e supergjyshit që ia tregon supermbesës. Nuk ke moshë ti për të ngrohur vezët e krimit. Ti je njeri serioz. Tani po i jepni drejtim dekriminalizimit me Tomën. E ka përmend Toma kunatin tënd, jo unë. Ti je mësuar të mohosh, moho edhe kunatin

Berisha: Ti je koka e krimit këtu po rri rehat. Si Agim Ramaj, sikurse dhe Bami është i LSI-së.

Meta: Ke pa shumë keq nga LSI-ja ti!

Berisha: Cili ia dha Profarmën Tom Doshit? Dhe ç’bëri me kunatin ai?

Meta: Doktori ka gjithnjë të drejtë.

Berisha: Këto janë të turpshme mor djalë. Jep dorëheqjen. Ne s’do pranojmë kurrë që Parlamentin ta drejtojë një i akuzuar për dy vrasje.

Meta: Doni ta drejtojë Tom Doshi me Durim Bamin. Ka kaluar me juve tani ai. Është normale. Po bëre fushatë me të, do marrësh shumë vota.

Berisha: As thëniet se Toma kalon djathtas, as Vangjeli që përsërit si papagall se je i pafajshëm, as Tahiri nuk të shpëton. E di çfarë i tha Tahiri Bamit? Po a e di se ty të vrasin po i the këto, po e di, i tha Bami, po më jep një revole.

Meta: Po çoi në Prokurori këto të dhëna. Ti ke akuzuar gjysmën e Partisë.

Berisha: Ke bërë dhe këtë tjetrën ti, ke thirr familjarët e Fufit.

Meta: Mos fol në emër të të tjerëve. E dhashë prej Shkëlzenit dorëheqjen radhën e parë se ishte në video me Dritan Priftin.

Berisha: Mos mendo se e kalon me këto gjëra ti.

Deputetët e PD-së i bien tavolinës: Ik….ik…

Meta: Kush me ik, doktori? Në asnjë mënyrë!

Meta: Ju lutem lëreni të flasë Paulinin. Zotërinj mos iu kanosni deputetëve…Z.Paulin ju lutem flisni nga vendi.

Deputetët e PD zënë foltoren e Kuvendit

Meta: Pushim 5 minuta. Rifillojmë pas 5 minutash.

(5 minuta pushim)

Paulin Sterkaj: Doshi i ka bërë transparente akuzat e tij. Përfundimin do e nxjerrë koha. Më vjen shumë turp për zotin Berisha që vazhdon komedi. Më vjen turp se kam telefonata nga Shkodra, nga demokratë. Kam qenë edhe deputet i juaji në 2009, ju e dini mirë sesi ka qenë rezultati. Sa për zotin Berisha duhet t’i kthej përgjigje: më njeh edhe major edhe deputet edhe kur votuam presidentin këtu. Pasi iu përmend Berishës djali këtu, dhe unë them t’ia lëmë policisë. Unë jam i bindur herët sepse i kam thënë Tomës vetë: i thashë kujdes se po të përdorin. Dhe njerëzit janë për të përfituar lekë nga ty. Por ky paska qenë bashkëpunim. Kur Dritan Prifti rastësisht na ka dalë me i pasuri në Shqipëri. Parlamenti shqiptar të marrë një nismë për hetimin e drejtuesve të KESH-it në vite, sepse paskan dalë njerëzit më të pasur në këtë vend. Tomën e kam pasur koleg në Shkodër dhe kundërshtar, sepse më ka takuar me lëviz. Si mundet deputeti të bëjë denoncim te Ministri i Brendshëm dhe me thënë bëj denoncim dhe nuk e bën. Ky është fundi. Kështu që nuk keni shans të përfitoni politikisht. Ka njerëz këtu që janë të shqetësuar. Kalojeni me qetësi.

Meta: Të ulen edhe rojet e Parlamentit dhe rojet e Doktorit.

Berisha: Dorëheqjen e parë e dhe për bllokun e Monikës, tani jep dorëheqjen për bllokun e dytë. Paulin do të them një fjalë, burri është burrë: kur u pyet Edi Rama për falangat e krimit, u mor me Paulinin për patentat e zgjedhësve. Nuk të ka akuzuar njeri asnjëherë dhe në asnjë rast. Ai po, kur mori shpjegoi të inkriminuarit, mori si shembull Paulinin. E vërteta është se ti ke qenë kolonel dhe s’të heq asnjë presje. Pse i thua ti Sali Berishës se më akuzon. Pse e bën këtë ti? Shko merr videon. Pyete zotërinë e inkriminuar. Nuk mori një, mori dy, kaq kisha.

Meta: Bravo, një duartrokitje.

Replikë Stërkaj

Berisha: Se në komision të dekriminalizimit, në mbledhjen para tre ditësh mazhoranca ka ardhur në konkluzionin se kolegët e PD do të bien dakord bashkë me ne, të bëhet bashkë. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin për të vlerësuar, por të inkriminuar nuk kemi në parlament. Tani flisni për të inkriminuar në parlament.

Stërkaj: Zoti Doktor sa i përket për atë që thatë për kreun e PS-së jam krenar, sepse jam në mbështetje të elektoratit të Malësisë së Madhe. Tani e di dhe unë që s’më keni akuzuar asnjëherë për lidhje me krimin. Por po dhashë informacion unë kam frikë se nuk është mirë. Zoti Berisha më bëre shantazh të vogël. Kohët e fundit doktor që s’je mirë. Ju garantoj një gjë në parlament bile kryetari im më ka thënë mos fol ashtu: unë flas publikisht se pas datës 21 qershor të them kush jam.

Meta: Doktor merr ilaçet, kam hallin e shëndetit tënd. S’ke moshë për ngarkesa të tilla.

Fatmir Mediu: Për 6 muaj ministri i Brendshëm u mor vazhdimisht me këtë çështje dhe u takua me atë që quhet kriminel. Këto janë interesa të qarta dhe shumë të ngushta. Atë që nuk e tha për 6 muaj, ministri e bëri për një ditë, çuditërisht. Ministri i Brendshëm priste për 6 muaj të hidhej në erë gjithë sistemi politik në Shqipëri.

Meta: Po është folur për Fatjonin e partisë tuaj, të Partisë Republikane.

Mediu: Po zotëri, Fatjon Skënderi ka qenë shofer i PR nga viti 1991 deri në vitin 1993 e që në atë kohë s’ka nuk ka patur më asnjë lidhje me Partinë Republikane.

Meta: Hapeni tribunën ju lutem të flasë doktori. Z. Kokëdhima një nga arsyet që nuk jap dorëheqjen se nuk mund të lejoj një tjetër të vijë këtu dhe t’i presë fjalën doktorit.

Berisha: I akuzuar se je përpjekur të krijosh alibi, vjen këtu dhe bën kllounin.

Meta: Edhe ’97 unë e bëra, patjetër

Berisha: Të kuptoj unë mirë ty se çfarë përfaqëson ti për vendin. Jep dorëheqjen dhe prano me gjakftohtësi konkluzionet e drejtësisë.

Meta: Jepjani ilaçet urgjent

Berisha: Mos mendo ti se do ta kalosh këtë që i bëre vendit ti, duke shitur Tom Doshin, duke kaluar nga një alibi në një alibi tjetër, duke zëvendësuar gjykatat e vendit me Emiljano Shullazin.

Meta: Ulu se po të merret goja

Berisha: Largohu nga kryetar parlamenti. Je përpjekur në mënyrë makabre skenarin tënd t’ia kalosh të tjerëve. Shiko, mos fol nga mbrapa ti (Ramës). Ti mos ki merak se të ka rekrutuar Meta ty. Ky është sot.

Meta: Normal se dhe ti që nuk je akuzuar për vrasje e ke problem këtë punë. As në ’97, as ’98 asnjëherë, ke të drejtë që shqetësohesh. Çoji letrat në Prokurori.

Berisha: Jep dorëheqjen.

Meta: Mos fol në emër të shqiptarëve, se le nam. Çoji provat në prokurori. Këtë duan shqiptarët.

Berisha: Je akuzuar për dy vrasje. Nuk ka drejtësi që të hetojë ty kryetar parlamenti.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency