72 orë pas ndalimit, pas disa seanca pyetjesh, Prokuroria e Krimeve të Rënda arreston të dyshuarin kryesor lidhur me akuzat e deputetit Tom Doshi për eliminimin e tij
Kryeprokurori Adriatik Llalla rrëzon alibinë e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, lidhur me personin e dyshuar se është paguar për eliminimin fizik të deputetit Tom Doshi dhe kolegut të tij Mhill Fufi. Pak minuta pas daljes publike të ministrit Tahiri, i cili bëri një deklaratë të gjatë, ku theksonte se gjithçka e thënë nga deputeti Tom Doshi ishte e pavërtetë dhe se e gjithë ishte një flluskë sapuni, Prokuroria e Krimeve të Rënda arreston Durim Bamin, një prej personave, i cili duket se do të mbajë peshën e gjithë këtij skenari. Bami ishte ndaluar 72 orë para arrestimit dhe akuzës i mjaftoi kjo kohë për të arritur në konkluzionin se ky është personi i vetëm, i cili mund të mbajë përgjegjësi lidhur me akuzat e ngritura nga deputeti i përjashtuar tashmë nga radhët e kryesisë së Partisë Socialiste, Tom Doshi.
Akuza
Prokuroria firmosi urdhër-arrestin për shtetasin Durim Bami duke i ngarkuar atij akuzën e “Vrasjes së mbetur në tentativë”. Sipas organit të hetimit, 36-vjeçari nga Fushë-Kruja është personi i vetëm që dyshohet se ka dijeni për çdo veprim të kryer nga personat që deputeti Tom Doshi ka përmendur gjatë akuzave të tij. Prokuroria ka bërë të ditur edhe versionin zyrtar për arrestimin e Durim Bamit. Ajo tha: “Në kuadër të hetimeve të nisur kryesisht për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, të regjistruar paraprakisht pa autor, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka urdhëruar ndalimin e shtetasit Durim Bami, pasi, nga të dhënat paraprake, ky shtetas konsiderohet se përbën interes për hetimin”. Gjatë ditës së djeshme ka pasur kontradikta në informacion. Durim Bami është marrë në pyetje nga dy prokurorë të Krimeve të Rënda. Ende nuk dihet versioni përfundimtar i deklaratës që ka dhënë Bami para prokurorëve, ndërsa duket qartë që brenda 72 orëve, kanë dalë disa versione lidhur me ato çfarë ka thënë.
Videoja
Por Durim Bami është gjendur përpara një të vërtete, e cila në këtë rast është videoja e regjistruar. Mësohet se Bami nuk e ka mohuar ekzistencën e videos, por në të njëjtën kohë thuhet se ai ka bërë fajtor për këtë video deputetin Doshi. Bami fillimisht ka mbrojtur variantin e manipulimit të videos nga ana e deputetit Doshi. Ai është shprehur se është paguar nga Doshi për të thënë në video atë çfarë ai donte, pra të akuzonte kreun e Parlamentit Ilir Meta. Por një tjetër dëshmi e tij hedh poshtë variantin e parë. Nga ana tjetër, deputeti Tom Doshi është shprehur se ka në dorë prova të pakundërshtueshme.
Doshi në Prokurori
Deputeti i Shkodrës Tom Doshi do të paraqitet sot në orën 10:00 të mëngjesit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dhënë dëshminë e tij dhe për të paraqitur provat, ashtu sikundër ka deklaruar. Doshi, përmes një postimi në faqen sociale “Facebook”, është shprehur se do të jetë i pranishëm në Prokurori për të sqaruar këtë ngjarje dhe për të dorëzuar provat, për të cilët ai pretendon se implikojnë kreun e Kuvendit Ilir Meta.
Bami hedh poshtë akuzat e Doshit, rrëfen se deputeti e pagoi që të gënjente
Durim Bami akuzon ish-deputetin Tom Doshi se ishte ai që sajoi të gjithë historinë dhe akuzat publike ndaj Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta. Sipas burimeve mësohet se para prokurorit Përparim Kulluri e Manjola Hasa, i arrestuari Bami ka mohuar se ishte porositur nga ndonjë person për të kryer vrasjen e Tom Doshit e Mhill Fufit. Burimet thonë se Bamit i është ofruar bashkëpunim me drejtësinë për të treguar emrat e personave që pretendon deputeti Doshi, por ai nuk ka pranuar. Në prani të një avokati të caktuar nga shteti Durim Bami ka rrëfyer me detaje të gjitha bisedat dhe takimet që ka pasur në një lokal me deputetin Doshi dhe një deputet tjetër. Për këto takime ka edhe filmime të cilat ende nuk janë bërë publike. Mësohet se edhe dëshmia e dhënë nga Bami, është regjistruar me kamera nga prokuroria, ku flitet edhe për kohën dhe si janë njohur me Doshin përmes një deputeti të zonës së veriut në Fushë-Krujë. Më pas, sipas burimeve të prokurorisë mësohet se Bami është shprehur se takime ka pasur edhe në Tiranë dhe Durrës, ku Doshi, sipas tij i ka ofruar para dhe siguri për të dhe familjen. Sipas Prokurorisë, Bami ka thënë se Doshi i ka dhënë një makinë “Audi”, të blinduar për të lëvizur me familjen dhe më pas e ka mësuar se si do të flasë para kamerave. Ai ka thënë se incizimin e parë të videos që e mban Doshi e kanë bërë në vilën e deputetit në Tiranë dhe në mars në qytetin bregdetar të Durrësit.
Mohimi
Ndërkohë, nuk jepen detaje për shumën e parave apo përfitimet e tjera që ka pasur Bami për këto veprime, por nga skeda e tij që ndodhet në sistemin e policisë rezulton i paproceduar ndonjëherë. Burimet thonë se Bami ka lëvizur disa herë nga Shqipëria. Dalja e fundit e tij mësohet se është regjistruar më 22 shkurt së bashku me familjen, të cilën mendohet se e ka strehuar diku jashtë Shqipërisë. Ndërkohë, edhe ai vetë ka tentuar të dalë nga Shqipëria mbrëmjen e së hënës, por në Han të Hotit u ndalua nga policia. Sipas grupit hetimor, edhe emrat që janë bërë publikë në media si persona që kanë porositur Bamin, janë të sajuar prej tij, pasi ata ndodhen jashtë Shqipërisë dhe nuk mund të merreshin deklarimet e tyre. Ndërsa, sa i përket pretendimeve të deputeti Spartak Braho, në lidhje me kunatin e ish-kryeministrit Sali Berisha, i arrestuari Bami ka mohuar njohjen me atë person. Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda ndaj Bamit ka ngritur akuzën e “Vrasjes të mbetur në tentativë”, duke mos e cilësuar se ndaj kujt ka mbetur në tentativë kjo vrasje. Sipas kësaj akuze i dyshuari Bami pritet të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për masë sigurie. Nga ana tjetër, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar nga deputeti i Shkodrës të paraqitet për të dhënë versionin e tij dhe të gjitha provat që ai ka për versionin që ka bërë publik ditët e fundit.