Transferimi/ Llalla transferon kreun e Krimeve të Rënda

0
150

prokuroriaTransferohet në Elbasan kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci, u përmend në grupin organizator të vrasjes së Tom Doshit

Transferohet në Elbasan prokurori i Krimeve të Rënda Eugen Beçi. Mësohet se urdhri i transferimit të tij është firmosur nga prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, ndërsa nuk dihen shkaqet e vërteta të transferimit të tij. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme kanë bërë me dije se në vend të Becit, Lalla ka komanduar prokurorin Adnan Xholin, i cili deri më tani ka mbajtur postin e drejtorit të hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërkohë kryeprokurori i Krimeve të Rënda është emëruar drejtues i Prokurorisë së Elbasanit. Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se shkarkimi i Eugen Becit është bërë për të dhënë një impuls më të fuqishëm të hetimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa ai është emëruar shef i Prokurorisë së Elbasanit. Në vend të tij, kryeprokurori Llalla komandoi drejtorin e hetimit dhe ndjekjes penale në Prokurori të Përgjithshme Adnan Xholin, njëherazi prokurori i dy deputetëve që rrahën kolegun Gent Strazimiri.

 

Lëvizjet

Ndërkohë, në krye të njësisë së Task-Forcë kundër Korrupsionit dhe Hetimit Pasuror në Prokurorinë për Krime të Rënda, kryeprokurori Llalla komandoi ish-kryeprokurorin e Prokurorisë së Elbasanit Gent Osmani. “Duke vlerësuar rolin e drejtuesit të deritanishëm të Prokurorisë për Krime të Rënda, z. Eugen Beçi, prokurori i Përgjithshëm deklaroi se ka komanduar në këtë pozicion z. Adnan Xholi, i cili aktualisht është drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Z. Beçi komandohet të drejtojë Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, një ndër rrethet me ngarkesë të theksuar hetimore. Në këtë pozicion, ai zëvendëson z. Gent Osmani, i cili do të drejtojë Njësinë Task-Forcë kundër Korrupsionit dhe Hetimit Pasuror në Prokurorinë për Krime të Rënda”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërkohë, shkarkimi i kryeprokurorit erdhi fill disa minuta para se ministri i Brendshëm Saimir Tahiri të dilte në një deklaratë për shtyp dhe të përmende emrin e kryeprokurorit në grupin organizator të vrasjes së deputetit Tom Doshi. “Gjithnjë sipas tij, Tom Doshi më tregoi gjithashtu se në rrugë private kishte zbuluar që në mjediset e lokal “Vivas”, në zonën e Bllokut, në Tiranë, ish-shoferi i Fatmir Mediut së bashku me Agron Kuliçin, ish-nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Agim Ramën, kunat i ish-kryeministrit Berisha, Eugen Beci, Drejtues i Prokurorisë për Krimet e Rënda, shtetasin Ymer Lala dhe një shtetas me emrin Ylli (Xhaxhollari), pronari i lokalit, kishte organizuar vrasjen e Tom Doshi”, shprehet ministri Tahiri në fjalën e tij në lidhje me atentatin e Tom Doshit.

 

Llalla: Në ngjarjet e fundit, dyshime për përfshirje të zyrtarëve të lartë

Në një takim me stafin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kryeprokurori i Prokurorisë së Përgjithshme u shpreh se në disa ngjarje kriminale të ndodhura në fillimin e vitit 2015, dyshohet se mund të jenë të përfshirë persona që mund të jenë pjesë e administratës shtetërore. Në fjalën e tij, Llalla nuk ka bërë të ditur se për cilat ngjarje bëhet fjalë, por dyshime dhe ndryshime në radhët e Prokurorisë vijnë në një moment delikat ku sapo kanë nisur hetimet për dosjen e Tom Doshit. Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, pas disa hetimeve të suksesshme gjatë vitit 2014, Llalla kërkon nga kjo strukturë e re fokusimin në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të ndryshme të administratës publike, të cilat ka dyshime se po ndërthuren me njëra-tjetrën. Organi i akuzës thekson se ka dyshime që në disa ngjarje specifike të ndodhura prej fillimit të vitit 2015, mund të jenë të përfshirë persona që janë pjesë e administratës shtetërore. Dhe për të luftuar këto ngjarje, kryeprokurori Llalla ka prezantuar disa ndryshime në drejtimin e organit të akuzës, me qëllim evidentimin, hetimin dhe dërgimin para drejtësisë të çdo shtetasi, përfshirë edhe zyrtarë të niveleve të larta.

 

Impulsi

Për të dhënë një impuls edhe më të fuqishëm të hetimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Adriatik Llalla ka prezantuar edhe disa ndryshime në organin e akuzës. “Në një takim të zhvilluar ditën e Mërkurë (dt. 4.3.2015) me stafin e Prokurorisë për Krime të Rënda, z. Llalla u shpreh se, në disa ngjarje specifike të ndodhura prej fillimit të vitit 2015, ka dyshime se mund të jenë të përfshirë persona që janë pjesë e administratës shtetërore. Për të dhënë një impuls më të fuqishëm hetimeve në Prokurorinë për Krime të Rënda, z. Llalla ka prezantuar disa ndryshime në drejtimin e saj, të cilat, në vlerësimin e tij janë dëshmi se Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese dhe me mbështetjen konkrete të partnerëve ndërkombëtarë, po angazhohet maksimalisht për të evidentuar, hetuar dhe dërguar para drejtësisë çdo shtetas, përfshirë edhe zyrtarë të niveleve të larta”, – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency