Tahiri: Akuzat e Doshit, të pavërteta, nuk ka pasur asnjë komplot ndaj tij

0
175

Saimir TahiriMinistri i Brendshëm deklaroi të kundërtat e deklaratave të Doshit. Personi i paguar për të vrarë Doshin, sipas Tahirit, ishte paguar nga njerëz afër ish-kryeministrit

U deshën tri ditë që ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi u konsultua me eprorin e tij, shefin e qeverisë, kreu takime të përbashkëta me kryeprokurorin dhe me kreun e Komisionit të Sigurisë, të dalë në një deklaratë për mediat dhe të përgënjeshtrojë gjithçka të thënë nga deputeti i përjashtuar Tom Doshi, se ndaj tij ishte kurdisur gjashtë muaj më parë një atentat që, për fat, mbeti në tentativë. Tahiri dha hollësi lidhur me një komplot të mundshëm, me porosi të Kryeparlamentarit Ilir Meta dhe së fundmi edhe dëshmive të Durim Bamit, i cili tha para prokurorëve se historia është e sajuar me kërkesë të deputetit Doshi. Tahiri vuri në dukje që në fillim se pretendimet e Doshit për komplot janë të pavërteta. Duke dhënë detaje, data, emra, Tahiri bëri ekspoze të plotë për gjithëçfarë ka ndodhur prej shtatorit të vitit të shkuar deri më sot. “Asnjë prej pretendimeve të Doshit nuk rezultoi i vërtetë nga policia”, – tha Tahiri. Sipas Tahirit, të dhënat e mësipërme për veprimtarinë e plotë të policisë, në mungese të një kallëzimi nga ana e Doshit janë të dokumentuara. Ministri shtoi se për këtë çështje ka hetime që vijojnë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit, të cilat pritet shumë shpejt të zbardhin gjithë atë që ka ndodhur.

 

Prononcimi i plotë i ministrit Saimir Tahiri:

Kronologjia

Në dt 6 shtator 2014, me kërkesë të Kryeministrit, jam takuar dhe kam dëgjuar deputetin Tom Doshi. Takimi është zhvilluar në Durrës, në mjediset e zonës rezidenciale. Gjatë takimit që ka zgjatur rreth 30 min, Z. Doshi më rrëfeu se kishte zbuluar një komplot për vrasjen e tij, dhe kishte identifikuar porositësit dhe ekzekutorët e krimit të pretenduar. Tom Doshi gjithashtu më tha se vrasësin e pretenduar, e kishte në ato momente në shtëpinë e tij në plazhin e Durrësit dhe më kërkoi ta takoja. Gjatë atij takimi, Tom Doshi, deklaroi se personi që kishte marrë përsipër ekzekutimin e tij, ishte një shtetas nga Fushë-Kruja, i cili kishte marrë porosi nga një shtetas tjetër me emrin Fatjon Skënderi, ish shofer i Kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Tom Doshi deklaroi po në atë takim se në dt 1 Shtator 2014 (pra 5 ditë përpara takimit me mua), këtij shtetasi (pra Fatjon Skënderit) i ishte bërë atentat për ta vrarë, në hyrje të autostradës Tiranë Durrës, ngjarje pa pasoja por për të cilën Policia e Shtetit kishte filluar hetimet që në momentin kur u bë me dije. Gjithnjë sipas tij, Tom Doshi më tregoi gjithashtu se në rrugë private kishte zbuluar që në mjediset e lokal Viva në zonën e Bllokut në Tiranë, ish-shoferi i Fatmir Mediut së bashku me Agron Kuliçin, ish- nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Agim Ramën, kunat i ish-kryeministrit Berisha, Eugen Beci, Drejtues i Prokurorisë për Krimet e Rënda, shtetasin Ymer Lala dhe një shtetas me emrin Ylli (Xhaxhollari), pronari i lokalit, kishte organizuar vrasjen e Tom Doshit.

  1. Tom Doshi këmbënguli po ashtu se edhe vetë Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ishte i përfshirë në këtë komplot, (nëpërmjet Eugen Becit) sepse sipas Z. Doshi, të dhënat që deputeti i kishte dhënë konfidencialisht pak kohë më parë Z. Llalla, i kishin marrë vesh po këta persona, pra organizatorët që sipas Z. Doshi kishin organizuar vrasjen, dhe këto i kishin marrë vesh nëpërmjet vetë Prokurorit të Përgjithshëm.

 

Përfshirja e prokurorit Beci dhe Llalla

Pra, sipas deputetit Tom Doshi, vetë Prokurori i Përgjithshëm kishte treguar te organizatorët, porositësit dhe vrasësit, se Z. Doshi kishte zbuluar komplotin e tyre ndaj jetës së deputetit. Në përmbledhje të fakteve paraprake, Tom Doshi mu shpreh thellësisht i bindur se vrasjen e tij, ky grup kriminal ku sipas tij ishin të përfshirë nga Agim Rama e Agron Kuliçi tek shoferi i Fatmir Mediut dhe drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Eugen Beciu, e kërkonte për llogari të Sali Berishës, i cili, gjithënjë sipas Z. Doshi, ishte betuar të hakmerrej për humbjen e rëndë në Shkodër.Tom Doshi ishte po ashtu i bindur se përmes Agron Kuliçit, organizatorët e vrasjes kishin siguruar mbështetjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Sikundër i’a kam shprehur kryeministrit fill pas takimit, më është dukur skenar shumë i dyshimtë.

 

 Kërkesa/ Tahiri: Doshi kundërshtoi depozitimin e një kallëzimi penal

 Arsyeja, përfshirja në komplot e drejtuesve të Krimeve të Rënda. Sipas Tahirit, Doshi kishte kërkuar që më parë të rrëzohej kryeprokurori Adriatik Llalla

 Ministri i Brendshëm deklaroi dje së Tom Doshi nuk kishte pranuar të bënte kallëzim në Prokurori. Arsyeja, sipas tij, ishte përfshirja në komplot e kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe kreut të Krimeve të Rënda Eugen Beci. “Ai këmbënguli deri në fund se përderisa në komplotin për vrasjen e tij ai kishte zbuluar si pjesë aktive në komplot drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci, dhe si mbështetës të komplotit prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Lllalla, ishte e pamundur të ecej në rrugë ligjore pa rrëzuar më parë prokurorin e Përgjithshëm përmes Parlamentit. Me gjithë këmbënguljen e deputetit, si unë dhe si Kryeministri në fund të bisedës, i kemi thënë Tom Doshit se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta adresuar pretendimin e tij përveç rrugës ligjore dhe kam theksuar se çdo vonesë në kohë, do t’i vështirësonte veprimet hetimore. Në fund, deputeti Tom Doshi kërkoi që të takoja personin që, sipas tij, ishte vrasësi i porositur dhe i penduar.

 

Takimi

Zotëria, që m’u prezantua si “Duri nga Fushë-Kruja”, nuk foli vetë, por kryesisht pohonte me kokë dhe mërmërima deklaratat e deputetit, sipas të cilave, ai kishte marrë një porosi për të vrarë deputetin, por këtë porosi ia kishte rrëfyer vetë deputetit duke mos e kryer vrasjen. Aty për aty i kërkova Tom Doshit të paraqitej menjëherë bashkë me zotërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, për të marrë zyrtarisht kallëzimin e këtij të fundit, pas të cilit do të mund të fillonim menjëherë hetimet penale. Duke kuptuar refuzimin tim për t’u përfshirë me këtë çështje në rrugë të tjera përveç rrugës ligjore, Toma pranoi më në fund të paraqitej me zotërinë, por jo në Drejtorinë e Policisë, po vetëm në zyrën e ministrit dhe fillimisht pa prezencën e oficerëve të Policisë së Shtetit që duhet të merrnin deponimin ose kallëzimin zyrtar për të filluar hetimin penal për këtë çështje.

 

Urdhri

Ndërkohë, me të arritur në Tiranë, kam thirrur drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtuesit më të lartë të saj, për të filluar veprimet paraprake hetimore, pavarësisht refuzimit të deputetit për bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese. Më pas kam marrë takim me Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin dhe pas tyre, me prokurorin e Përgjithshëm. Ky i fundit ishte në dijeni të deklarimeve të Tom Doshit, pas një takimi të mëparshëm ndërmjet të dyve. E informova për gjithçka u vura në dijeni nga deputeti, si dhe për pretendimin e këtij të fundit për të mos filluar hetim penal, sepse vetë prokurori i Përgjithshëm dhe prokurori i Krimeve të Rënda ishin të përfshirë në këtë ngjarje. Prokurori i Përgjithshëm, i cili siç e thashë kishte marrë dijeni më parë nga vetë Tom Doshi, u shpreh shumë i gatshëm për ta hetuar penalisht këtë çështje në rast se do të kishim një deponim apo kallëzim ose edhe në rast se, nga mbledhja me iniciativë e të dhënave paraprake nga Policia e Shtetit, do të rezultonte ndonjë e dhënë me vlerë për të nisur një procedim penal.

 

Takimi me personin e porositur dhe emri i Ilir Metës

E kam pritur së bashku me drejtorin e Përgjithshëm, z. Didi, me drejtorin e Krimeve të Rënda dhe me drejtorin e Tiranës. Tom Doshi ka refuzuar të zhvillojë takimin me këta persona dhe ka këmbëngulur që vetëm të dëgjohet versioni i vrasësit të pretenduar, pa kryer asnjë veprim procedural. Takimi ka zgjatur rreth një orë, gjatë së cilës Tom Doshi tregonte ngjarjen, ndërsa vrasësi i pretenduar përgjithësisht pohonte fjalët e deputetit ose shprehej se nuk donte të deklaronte. Sipas atyre që ky i fundit deklaroi, z. Fatjon Skënderi i kishte dhënë atij një shumë parash për të vrarë Tomën dhe shumën tjetër do t’ia jepte më vonë. Sipas tij, i ishin premtuar 200 mijë euro, por ky kërkonte 500 mijë dhe gjithnjë, sipas tij, tavolina tjetër e kishte miratuar kërkesën. Gjatë këtij rrëfimi, në zyrën e ministrit të Brendshëm, është edhe momenti i parë kur del emri i Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta. Tom Doshi i kërkon në formë nxitëse vrasësit të pretenduar të thotë diçka lidhur me dikë dhe zotëria thotë se, sipas tij, ai kishte dijeni se porositësi i interesuar ishte Ilir Meta. Pikërisht në njërën prej këtyre vajtjeve, nga tavolina e Agim Ramës, Agron Kuliçajt dhe Eugen Becit, atij i kishte ardhur po nëpërmjet Fatjon Skënderit edhe porosia për të eliminuar fizikisht deputetin Mhill Fufi, për të cilin Fatjon Skënderi i kishte thënë se do të merrte 100 mijë euro dhe porosia vinte nga Ilir Meta përmes Agim Ramës.

 

Reagimi/ Fatmir Mediu: Ja e vërteta e shoferit për të cilin mashtroi Tahiri

 Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë konferencës së djeshme, ku foli për akuzat e deputetit Tom Doshi, përmendi edhe shtetasin Fatjon Skënderi, si një prej personave që Doshi pretendon se kishin organizuar vrasjen e tij. Sipas Tahirit, shtetasi Fatjon Skënderi ka qenë ish-shoferi personal i Fatmir Mediut, kryetarit të Partisë Republikane. Por pas kësaj ka reaguar edhe vetë Fatmir Mediu, i cili e cilësoi të turpshme deklaratën e Tahirit. “Në mënyrë krejtësisht pa turp, ministri i brendshëm Tahiri u përpoq që këtë ngjarje ta lidhë edhe me emrin tim, duke deklaruar se personi i quajtur Fatjon Skënderi ka qenë ish-shoferi i kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Për sa më sipër deklaroj se Fatjon Skënderi ka qenë shofer i PR në vitin 1991-1993 dhe është larguar në `93, atëherë kur Saimir Tahiri ishte akoma kalama. Dhe unë kam shkuar në PR në vitin 1992. Në vitin 1991-97 kryetar i PR ka qenë Sabri Godo, prandaj deklarata e Saimir Tahirit se Fatjon Skënderi ka qenë ish-shofer i kreut të Partisë Republikane dhe Fatmir Mediut është manipulim dhe mashtrim i opinionit publik. Në PR, vetëm kryetari ka pasur mjet në dispozicion, ndërsa pjesa tjetër e kryesisë ka lëvizur me mjetet e disponueshme pranë kësaj partie”, – është shprehur Mediu. Më tej, kreu i PR ka ngritur pyetjen se përse nuk u arrestua vrasësi i rrëfyer në zyrën e ministrit për plot 6 muaj pas dëshmisë së tij. Fatjon Skënderit iu bë atentat në shtator të vitit 2014, por pa pasoja për jetën e tij.

 

Reagon Kuliçaj/ “ Hedh poshtë me neveri deklaratat e ministrit Tahiri”

“Hedh poshtë me neveri dhe përbuzje çdo përpjekje për implikimin tim në këtë inskenim, të bërë nga zoti Doshi apo persona të tjerë. Jam i hapur për çdo lloj hetimi apo verifikimi që mund të bëhet nga Prokuroria dhe organe të tjera të zbatimit të ligjit dhe garantoj bashkëpunimin tim në interes të sqarimit të së vërtetës. Në lidhje me personat e përmendur nga ministri i Punëve të Brendshme si të përfshirë në këtë komplot kam për të sqaruar; shtetasin Fatjon Skënderi, nuk e njoh dhe nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë lloje komunikim as verbal as telefonik gjatë gjithë jetës time. Ky fakt është i verifikueshëm lehtësisht nga çdo lloje hetimi. Shtetasin Ylli Xhaxhollari, nuk e njoh dhe nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë lloje komunikim as verbal as telefonik gjatë gjithë jetës time. Ky fakt është i verifikueshëm lehtësisht nga çdo lloj hetimi. Me shtetasin Ymer Lala, nuk kam asnjë lloj lidhje shoqërore dhe miqësore. Njohja me këtë person lidhet vetëm për shkak të detyrës që un kam kryer në Policinë e Shtetit. Me shtetasin Agim Rama, kam njohje dhe marrëdhënie korrekte shoqërore. Deklaroj me përgjegjësi të plotë se mund të kem mbi një vit që nuk jemi takuar dhe nuk kemi pasur asnjë komunikim telefonik me të. Me prokurorin Eugen Beci, kam pasur marrëdhënie pune për shkak të detyrave që kam kryer në Policinë e Shtetit. Edhe pas largimit tim nga Policia e Shtetit kemi ruajtur marrëdhënie shoqërore dhe jemi takuar në disa raste në vende të ndryshme publike përfshirë edhe lokalin “Vivas”. Sipas vlerësimit tim, e gjithë kjo situatë është mbarsur nga moskryerja e veprimeve të domosdoshme hetimore nga shërbimet e Policisë Gjyqësore në Policinë e Shtetit, veprime këto të përcaktuara në nenin 30 te Kodit të Procedurës Penale. Policia e Shtetit në përmbushje të detyrimeve të nenit 293 të Kodit të Procedurës Penale duhet të kishte referuar veprën penale të prokurori dhe njëkohësisht të kishte vazhduar kryerjen e hetimeve paraprake. Pretendimet që parashtroi zoti Tahiri, se edhe këto hetime janë kryer dhe i janë bashkuar fashikullit të hetimit për ngjarjen e ndodhur me date 1 Shtator të vitit 2014 ku është tentuar të vritet shtetasi Fatjon Skënderi, provojnë mosveprimin e Policisë së Shtetit në hetimin e kësaj çështje. Çdo pretendim për mosreferimin e çështjes te prokurori, sipas detyrimeve të parashikuara në nenin 293 të kodit të procedurës penale, janë të pa mbështetur në ligj dhe në praktikën e punës së Policisë së Shtetit. Edhe një herë deklaroj publikisht se nuk jam i përfshirë në këtë inskenim dhe se jam në dispozicion të çdo lloj hetimi në lidhje me këtë çështje”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency