Enti Rregullator i Ujit po shqyrton aplikimet e 12 kompanive të ujësjellëskanalizimeve në të gjithë vendin për rritje të çmimit të ujit të pijshëm. Kështu, Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve Fier ka aplikuar për rritje tarife për klientët familjarë në me 5 lekë/m3, Gjirokastra ka aplikuar për rritje të tarifës për familjarët në vlerën e 3 lekëve/m3, Lezha ka kërkuar rritje të konsiderueshme të çmimit të ujit me 9 lekë/m3, Lushnja me 16 lekë/m3, Saranda ka aplikuar rritje me 15 lekë/m3, ndërsa Korça që ka edhe çmimin më të lartë të ujit për m3 në shkallë vendi ka kërkuar 7 lekë më shumë për konsumatorët familjarë.
Po ashtu për një tarifë të lartë ka aplikuar edhe Shoqëria e Ujësjellësit Elbasan Fshat, me rreth 48 lekë për/m3 për klientët familjarë. Kompania e furnizimit me ujë në Krujë ka kërkuar tarifë më të lartë 17 lekë/m3, Erseka me 9 lekë, Poliçani me 38 lekë për m3 ujë. Shoqëria Korçë Fshat, e cila aktualisht është pa tarifë ka kërkuar 50 lekë për m3, ndërsa Himara ka aplikuar çmim 30 lekë për m3 për familjarët me rrjedhje të lirë të ujit dhe 40 lekë për familjarët me ngritje mekanike.
Për kompanitë vendimi do të merret brenda datës 30 mars, çka do të thotë se muaji prill do të nisë me tarifa të rritura për këto qytete. Këto nuk janë tarifat përfundimtare, pasi Enti është ai që vendos se sa do të rritet çmimi, pasi merr në konsideratë perfomancën e kompanive, por nisur nga praktika e viteve të tjera, tarifat kanë lëvizur mesatarisht me 34 lekë.