Abuzimi / Ish-kreu i Hipotekës në Fier mbetet në burg, kryen korrupsion me pronat

0
123

Regjistruan prona të paluajtshme në kundërshtim me ligjin. Kryen rifreskimin e të dhënave në regjistrat përkatës. Bashkë me kreun, në akuzë edhe dy specialistë

urlPasi ranë në prangat e policisë së Fierit, për shkak të dyshimeve se kishin kryer korrupsion, tashmë do të mbeten në arrest me burg deri në përfundim të hetimeve. Bëhet fjalë për ish-kryeregjistruesin e Fierit, Aleksandër Myrtaj. Ndërkohë, bashkë me të nën akuzë janë edhe topografi Kastriot Rakipaj dhe një tjetër zyrtar i Hipotekës, Altin Malaj. Ky i fundit është arrestuar ditën e premte dhe ndaj tij Gjykata ende nuk është shprehur me vendim për masën e sigurimit. Ky vendim pritet të jepet sot.

 

Vendimi

Gjykata e Fierit ka konsideruar të ligjshëm urdhrin e ndalimit të Prokurorisë për ish-kryeregjistruesin e Hipotekës së këtij qyteti, shtetasin Aleksandër Myrtaj, i akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv”, si edhe për topografin Kastriot Rakipaj, i akuzuar për “Korrupsion aktiv”. Në seancën e zhvilluar ditën e shtunë, Gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për Myrtajn dhe “Detyrim paraqitjeje” për Rakipajn. Këta dy shtetas janë ndaluar të mërkurën. Bashkë me këta dy shtetas, ditën e premte, në zbatim të urdhrit të prokurorit, është ndaluar edhe një tjetër zyrtar i Hipotekës Fier, shtetasi Altin Malaj, për akuzën “Korrupsion aktiv”. Prokuroria bënë me dije se janë duke u kryer ende hetime të mëtejshme për të vërtetuar nëse ka apo jo persona të tjerë të përfshirë në afera korruptive. Hetimi ndaj këtyre personave duket se ka filluar në bazë të një kallëzimi që disa persona regjistruan kundër tyre.

 

Akuza

Në materialin e Prokurorisë thuhet se hetimet kanë nisur që prej vitit 2014, pikërisht në muajin maj. Ka dyshime të arsyeshme se këta persona kanë kryer veprime korruptive në procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, rifreskimit në kartelat e pasurive dhe pasqyrimet e ndryshimeve në lidhje me to. Rezulton gjithashtu se aktet korruptive shtetasi Aleksander Myrtaj, ish-kryeregjistrues, i kryente kryesisht në ambientet e zyrës ku ushtronte detyrën. Nga veprimet hetimore, kanë rezultuar veprime korruptive që lidhen me dhënien e parave në zarf. Gjatë fazës së hetimit janë sekuestruar disa zarfe me para që dyshohet se janë përfituar pas kryerjes së abuzimeve. Këtu përfshihen dhe  shtetasi Kastriot Rakipaj (topograf) dhe Altin Manaj, specialist në Hipotekë.

 

 

 

Para në këmbim të notës kaluese në Universitetin e Shkodrës, një i arrestuar

 

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga ditën e premte një person nën akuzën e ndikimit të paligjshëm për t’i garantuar një studenteje në Universitetin e Shkodrës notë kaluese në një nga lëndët e degës ku ajo studionte. Burime zyrtare nga Policia e Lezhës kanë bërë me dije se i ndaluari është 38-vjeçari Ilir Hoxha me banim në Klos të Matit, ndërsa në gjendje të lirë po ndiqet 26-vjeçarja me inicialet A. F., me banim në Durrës. Mësohet se hetimet e uniformave blu të Shkodrës nisën pas kallëzimit të bërë nga 26-vjeçarja, e cila ka thënë në polici se i ka dhënë Hoxhës 35 mijë lekë të reja, që përmes ndikimit të paligjshëm t’i garantonte një notë kaluese për një lëndë në degën Gjuhë-Letërsi të Universitetit të Shkodrës. Në denoncimin e saj e reja ka thënë se Hoxha nuk e ka mundësuar një gjë të tillë dhe nuk i ka kthyer mbrapsht as paratë. Menjëherë pas kallëzimit policia ka bërë të mundur arrestimin e tij, si dhe procedimin penal në gjendje të lirë ndaj denoncueses 26-vjeçare.

 

 

Grabiti furgonin nën kërcënimin e armëve, në pranga 25-vjeçari

 

Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga gjatë ditës së djeshme një 25-vjeçar, pasi dyshohet si autor i vjedhjes me armë së një furgoni. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se në pranga ka përfunduar 25-vjeçari Lulzim Elmaza, banues në Selenicë të Vlorës. Sipas policisë, i riu është vënë në pranga, pasi dyshohet se ka grabitur nën kërcënimin e armës një automjet. Uniformat blu të policisë së kryeqytetit kanë bërë me dije se grabitja për të cilën akuzohet 25-vjeçari ka ndodhur më datë 12 shkurt të këtij viti, por arrestimi i tij u bë i mundur vetëm gjatë ditës së djeshme. Mësohet se ditën kur ndodhi edhe grabitja i riu ka mundur ti shpëtojë arrestimit të forcave të policisë duke u larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur. Por pas hetimeve të kryera nga policia është bërë e mundur identifikimi dhe arrestimi i tij nën akuzën e vjedhjen me armë. Policia ka kaluar dosjen e tij në prokurori, për të cilin është ngritur akuza e vjedhjes me dhunë.

 

 

Aksioni i IKMT-së në Vlorë, për një muaj prishen 830 objekte pa leje

 

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka mbyllur operacionin në qytetin e Vlorës. Nga 1 mijë objekte të paligjshme, pas operacionit të nisur në datën 2 shkurt dhe të përfunduar në datën 26 shkurt, janë shembur 830 objekte, mes tyre shtesa, mure, kioska, platforma, tenda etj. Ndërkohë që një numër i konsiderueshëm objektesh, janë çmontuar nga vetë qytetarët, pa nevojën e ndërhyrjes së mjeteve të IKMT. Përveçse në zbatim të planit të punës në qytetin e Vlorës, IKMT ndërhyri edhe në lagjen “Kushtrimi”, në mbështetje të projektit të qeverisë për Rrugën Transballkanike. Në këtë lagje, IKMT shembi 100 objekte me material të fortë, si dhe një numër tjetër më të vogël me materiale të lehta. Gjatë këtij operacioni, është regjistruar vetëm një incident në ditën e fundit të punës, kur gjatë shembjes së një objekti në Ujin e Ftohtë, qytetari që e kishte në përdorim kundërshtoi punonjësit e IKMT dhe për këtë u kërkua ndërhyrja e forcave të rendit.