Borxhi publik për frymë, 48% rritje nga 2010-ta në 2015-ën

0
157

borxhiErvin Kaduku

–  Një familjeje mesatare me 4 persona, që në vitin 2010 “i takonin” 980.606 lekë nga borxhi publik i përbashkët, në vitin 2015 ajo do të mbartë 1.455.000 lekë

–  Nga 245.151 lekë në 2010­ën, çdo shqiptari i janë shtuar 118 mijë lekë apo 48% më shumë në 2015­ën

 

Niveli i borxhit publik, si në nivel kombëtar, por llogaritur edhe për frymë të popullsisë, ka ardhur në rritje nga viti në vit. Referuar të dhënave të publikuara nga “Open Data Albania”, rezulton se borxhi publik për frymë sipas parashikimeve buxhetore këtë vit do të arrijë në vlerën 363.750 lekë. Ai llogaritet si raport i borxhit total të marrë dhe ende të pashlyer nga shteti me popullsinë në një kohë të caktuar.

Pjesa e stokut të borxhit që mbart çdo qytetar shqiptar nga viti në vit ka ardhur në rritje, për të arritur kulmin në vitin 2015. Nga 245.151 lekë që ishte borxhi për frymë në 2010­ën, ai është shtuar me rreth 118 mijë lekë apo 48% më shumë në 2015­ën, për të arritur në 363.750 lekë. Po sipas këtyre të dhënave, rritjen më të lartë borxhi për frymë e ka pasur në vitin 2014, e shkaktuar kryesisht nga rritja e lartë që pësoi stoku i borxhit në këtë vit.

Në Buxhetin e Rishikuar për vitin 2014, stoku total i borxhit shfaqet me 104 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013, apo 11.76%, duke shënuar rritjen më të lartë të borxhit publik që nga viti 2010.

Ndërsa 2015­a shfaqet me ritmin më të ulët rritës të stokut të borxhit për periudhën e marrë në shqyrtim, 6.47% kundrejt vitit 2014, në dallim nga vite si 2011­a ku borxhi u rrit me 8% apo 2013­ta me 6.88%. Megjithatë akumulimi i tij ndër vite dhe rritja konstante, ka bërë që këtë vit shqiptarët të përballojnë një borxh më të lartë. Kështu, një familjeje mesatare me 4 persona, që në vitin 2010 “i takonin” 980.606 lekë nga borxhi publik i përbashkët, në vitin 2015 ajo do të mbartë 1.455.000 lekë.

Duhet theksuar se në llogaritjen e borxhit për frymë ndikojnë dy parametra, stoku i borxhit dhe popullsia. Tkurrja e popullsisë që nga viti 2010 ka dhënë ndikimin e saj në rritjen e borxhit për frymë, megjithatë, ritmet e ulëta me të cilat ndryshon popullsia ka bërë që faktori mbizotërues që përcakton ecurinë e këtij indikatori të jetë stoku i borxhit publik.

————

 

 

Shitjet online vijnë në rritje

 

Duket se teknologjia do të jetë një ndër pikat kryesore që do të shtrijë ndikimin në shitblerjet e mallrave me pakicë edhe gjatë 2015-ës. Është fakt tashmë se shitjet online janë shtuar në Shqipëri dhe po njohin rritje ndonëse duke u nisur nga një bazë e vogël dhe pesha e tyre në totalin e shitjeve më pakicë në vend mbetet e papërfillshme, me një volum shitjesh që luhatet te 1 milion dollarët, sipas të dhënave nga aktorët e tregut.

Nëse do t’u referohemi të dhënave statistikore të Postës Shqiptare, në vitin 2013 janë dërguar 265 mijë pako nga jashtë me destinacion final qytete të ndryshme të Shqipërisë, nga 145 mijë që erdhën në vend në 2012-ën. Ndërsa të dhënat për 4-mujorin e parë të 2014-ës, tregojnë se janë dërguar rreth 122 mijë pako nga jashtë, gjë që tregon tendencë në rritje.

Duke qëndruar në koherencë me teknologjinë, të shumtë janë ata që kryejnë blerje nëpër sitet më të njohura botërore, duke mos përjashtuar edhe faktin se tashmë të gjithë brand-et në të gjithë botën, veç dyqanit të tyre, kanë edhe “online-shop”, që mund të blihet vetëm me një “click” dhe një llogari bankare.

Ndërkaq, në Shqipëri është rritur numri i faqeve të cilat ofrojnë shërbimin e tyre për shitje të kategorive të ndryshme, duke ofruar një sërë lehtësirash për konsumatorët.

Erida Sina, menaxhere shitjesh pranë Ebuy.al, na tregon se si viti 2014 angazhoi një numër edhe më të madh blerësish shqiptarë ndaj produkteve të kësaj faqeje, duke shtuar se 2015-a shihet nga ajo si viti që do të ketë më tepër blerës besnikë dhe gjithashtu, shitjet online do të jenë në rritje.

Për vitin 2014, kategoria që mbizotëron ndër blerjet e shqiptarëve janë veshjet, me 24%, por edhe elektronika nuk mbetet prapa.

Znj. Sina beson se komoditeti që ofrojnë blerjet online, zhvillimi i teknologjisë – gjithçka mund të bëhet vetëm në celular dhe lehtësia e transportit në shtëpi do të krijojë kushtet e duhura që viti 2015 do të angazhojë edhe më tepër blerës shqiptarë online.

——–

 

 

Shtohen sërish qendrat tregtare, por situata është negative

 

Me dy komplekse të reja tregtare që pritet të bëhen funksionale brenda dy viteve të ardhshme, Tirana Ring Center dhe Toptani Complex Center, sipërfaqja që jepet me qira në qendrat në Shqipëri pritet të rritet me rreth 20%, duke arritur mbi 230 mijë metra katror, sipas të dhënave nga Colliers International.

Kjo do ta çojë treguesin e përqendrimit të qendrave në rreth 80 m2 për 1.000 banorë, nga 67 m2 për 1.000 banorë, që është sot. Ndonëse ky indikator është i ulët në raport me vendet e tjera të rajonit (mesatarja e Evropës qendrore është 209 m2 për 1000 banorë, sipas Europa Property), përqendrimi i tyre në zonën e Tiranës e Tiranës dhe Durrësit, ku jetojnë më se një e treta e popullsisë së vendit rrezikon ta çojë këtë sektor drejt mbipopullimit. Vetëm për zonën e Tiranës e Durrësit, treguesi shkon në rreth 200 m2 për 1000 banorë, sa në vendet e tjera të zhvilluara të Evropës Perëndimore e Qendrore, ku fuqia blerëse është shumë më e lartë.

Në kushtet e bilanceve ende jo pozitive të qendrave ekzistuese, që nuk po arrijnë të rrisin të ardhurat, dhe rënies së besimit të konsumatorëve duket se ardhja në treg e qendrave të reja nuk do të jetë e lehtë.

Sipas bilanceve të dorëzuara në vitin 2013, TEG, qendra më e madhe në vend, në vitin e dytë të plotë të aktivitetit, ka deklaruar një qarkullim vjetor prej 824 milionë lekësh (gati 6 milionë euro), me një tkurrje prej rreth 7% në raport me vitin e mëparshëm. Qendra vijon të jetë ende me humbje, por ato janë reduktuar në 71 milionë lekë (para taksave) në 2013, nga 125 milionë lekë në vitin e mëparshëm. Situata është përmirësuar në 2014-ën, pasi në këtë qendër, hyri grupi Inditex me markat e veta Zara, Bershka, Massimo Dutti, Pull&Bear. TEG segmenton klientët e mesëm dhe ata që kërkojnë çmime të lira.

Më problematike ka qenë situata për qendrën tjetër City Park, e cila nuk arriti të kishte sukses, duke u segmentuar në tregun e veshjeve të shtrenjta. Për vitin 2013, kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej 522 milionë lekësh (3.7 milionë euro) me një rënie me rreth 16% me bazë vjetore. Kompania rezultoi me një humbje prej 165 milionë lekësh, nga fitimi prej 278 milionë lekësh i vitit të mëparshëm. Humbjet erdhën tërësisht si rrjedhojë e tkurrjes së të ardhurave, ndërkohë që shpenzimet arritën të mbaheshin nën kontroll. Aktivet e City park kanë dalë së fundmi për shitje, duke shënuar falimentimin e parë të madh në këtë sektor.

——

 

 

Bankat përpiqen të përmirësojnë imazhin e punonjësve të sigurisë

 

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), duke marrë shkas nga grabitja e ndodhur së fundmi ndaj njërës prej bankave anëtare të saj, ka theksuar dje sensibilitetin që kjo ngjarje ka për të gjithë sistemin bankar dhe veçanërisht për punonjësit e njësive të sigurisë, që janë të angazhuar për mbrojtjen e bankave ashtu edhe klientëve të tyre.

Denigrimi i rolit të punonjësit të sigurisë ndikon negativisht në vijimësinë e punës, me pasojë cënimin e sigurisë së bankave tregtare. Përgjegjësia ligjore për përcaktimin e fajësisë u përket vetëm organeve kompetente, thuhet në njoftim.

Sipas Shoqatës, strukturat e sigurisë së bankave tregtare janë dhe do të jenë gjithmonë të gatshme për të bashkëpunuar me organet përkatëse shtetërore për investigimin dhe zbardhjen e ngjarjeve të tilla dhe kapjen e autorëve të tyre, pa përjashtuar në asnjë rast edhe investigimin nga ana e këtyre organeve ndaj tyre.

AAB dhe bankat anëtare të saj do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me organet kompetente për të garantuar integritetin dhe sigurinë e sistemit bankar në vend, sigurojnë bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri.

——-

 

 

Celularët, ulet komunikimi brenda të njëjtit rrjet

 

Brenda një viti, përqindja e komunikimit brenda rrjeteve celulare ka zbritur nga 92% në rreth 79%. Drejtori i Rregullimit të Tregut në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Altin Rrapaj, tha se përfshirja e minutave të thirrjeve kombëtare në paketat e tarifave të operatorëve celularë e ka reduktuar komunikimin e mbyllur brenda rrjetit, por njëkohësisht ka ulur edhe sasinë e numrave celularë në përdorim.

Hapja e komunikimit ka bërë që gjithnjë e më shumë shqiptarë të heqin dorë nga numri i dytë apo i tretë celular, ndërkohë që një ndikim në uljen e numrit total të përdoruesve të telefonisë celulare e ka dhënë edhe procesi i riregjistrimit të numrave celularë, i kërkuar vitin e kaluar nga AKEP.

Statistikat e vitit 2014 konfirmuan një tendencë në rënie të përdorimit të telefonisë fikse, por ndërkohë që komunikimi me linja fikse vazhdon të rritet në segmentin e internetit me brez të gjerë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency