Jurges Veizaj
Skuadra milaneze shumë shpejt mund të jetë nën zotërim nga tajlandezët e “Thai Prime”, të cilët kanë hyrë në tratativa me italianët për të arritur një marrëveshje për blerjen e skuadrës
Momenti aktual që po kalon Milani është qartësisht i mbushur me vështirësi dhe probleme, por e ardhmja është po aq e mbushur me projekte. E sigurt është se vështirësitë mund të mos përfundojnë automatikisht sapo të konkretizohen disa prej këtyre projekteve, përkundrazi dëshira është që rritja e skuadrës të jetë e pavarur nga zhvillimet e tjera në klub apo atyre të sektorëve josportivë. Megjithatë, aktivizimi i shoqërisë kuqezi është një sinjal veçanërisht i rëndësishëm, pasi tregon vullnetin e padronit dhe drejtuesve të tjerë që t’i largohen një orë e më parë situatës zhgënjyese të kohëve të fundit, për të rindërtuar Milanin fitues jo vetëm në Itali, por edhe në Evropë. Duket se gjithçka mund të fillojë të planifikohet për këtë qëllim pasi një ofertë faraonike nga Bangkoku mund të bindë presidentin Silvio Berlusconi të shesë pjesën më të madhe të aksioneve. Njeriu që ëndërron të marrë drejtimin e shoqërisë kuqezi është tajlandezi Bee Taechaubol, i cili konfirmon ofertën prej 1 miliardë Eurosh. Lajmin e bën të ditur agjencia italiane e lajmeve “Ansa”, e cila i referohet gazetës “Bangkok Post”. 41-vjeçari Taechaubol kryeson një grup financiar të quajtur “Thai Prime” dhe ai ka konfirmuar nisjen e bisedimeve me drejtuesit aktualë për të blerë shumicën e aksioneve që do t’i lejonte drejtimin e Milanit. Ai shton gjithashtu se ka shumë besim që kjo marrëveshje mund të mbyllet gjatë ditëve të ardhshme por nuk zbuloi detaje të tjera lidhur me operacionin. Grupi “Fininvest”, grupi me aksionet më të mëdha te Milani, ka mohuar lajmet më të fundit në mediat italiane se kanë arritur marrëveshjen për shitjen e klubit kuqezi tek një grup investitorësh tajlandezë. “Në reagim për lajmin e publikuar në lidhje me interesimin e bashkëpunimit mes “Fininvest” dhe Milan, “Fininvest” mohon kategorikisht të ketë zhvilluar takim me ndonjë palë, në lidhje me shitjen e klubit. Po ashtu, ne duam të sqarojmë se nuk është caktuar asnjë takim në lidhje me këtë çështje”, – thuhet në komunikatën për shtyp. Para disa ditësh “La Repubblica”, dha lajmin se presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, kishte vendosur shitjen e klubit për 1 miliard euro tek një grup tajlandez. Gjatë viteve të fundit, është folur shpesh herë për ndryshimin e pronësisë së klubit milanez, por presidenti Berlusconi nuk ka vendosur të hedhë hapin final, duke qartësuar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shoqëria që e ngriti në nivelet më të larta të futbollit botëror. Gjithsesi, Milani po vuan mungesën e likuiditetit, çka ka bërë që klubi të humbasë terren, duke kaluar një nga periudhat më të errëta të epokës Berlusconi. Mendohet se fillimisht klubi mund t’u shesë faraonit tajlandez 30% të aksioneve dhe më pas edhe pjesën tjetër të mbetur. Nëse kjo të ndodhte atëherë pritej që në sezonin tjetër Milan të fillonte të ringrihej që nga merkatoja e qershorit me projektet ambicioze që ka në plan përpara. Sigurisht që kjo nënkupton që Inzaghi apo edhe lojtarët nëse kjo shitje ndodh nuk e kanë vendin e sigurt. Kjo pasi strategjia e pronarëve të rinj mund të mos te këtë vetë për të gjithë dhe kjo do të thotë largim. Këto ndryshime mund të prekin edhe drejtorin sportiv Adriano Galliani, i cili pas shumë vitesh mund t’i thotë lamtumirë aventurës së tij evropiane.
Mata: Mesi po arrin majën
Fantazisti i Junajtidit, Huan Mata, është shprehur se Lionel Mesi është duke arritur majën e tij këtë sezon dhe e ka zgjedhur Barcelonën si favorit për tre titujt. “Blaugranët” janë një pikë prapa Real Madridit në La Liga dhe gjenden në garë për Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve, ndërsa futbollisti spanjoll beson se argjentinasi mund ta udhëheqë skuadrën drejt sukseseve këtë edicion. “Mesi duket se po arrin majën e tij në këtë pjesë të sezonit”. “Dhe nëse ia shtojmë kontributin e disa lojtarëve fantastikë, atëherë ata janë kandidatë potencialë për ta fituar çdo garë”, – ka shkruar Mata në faqen e tij zyrtare. 26-vjeçari ka shtuar se pret një luftë për vendin e tretë, ndërmjet Atletiko Madridit, Valencias dhe Seviljes.
Vacke: Bajerni, plane për të dobësuar Borusian
Drejtori sportiv i Borusias së Dortmundit, Hans Hoakim Vacke, thotë se Bajerni është në mision të vazhdueshëm për të dobësuar klubin e tij. “Bajerni ka arritur të marrë nga ne dy futbollistë si Gëtze dhe Levandovski që kanë qenë lojtarë bazë të formacionit tonë. Për të ndalur sukseset e shumta të Dortmundit ata kanë ndjekur një strategji të tillë që për mendimin tim nuk është aspak e drejtë. Me kalimin e viteve ne jemi bërë një kërcimin real për bavarezët madje në 2012-n i mundëm në garën për të dy trofetë sezonal. Por Gëtze dhe Levandovski nuk kanë qenë dy futbollistët e vetëm që Bajerni ka dashur të blejë nga ne pasi në të shkuarën ata kanë shfaqur interes edhe për Marko Rojs dhe Ilkaj Gundogan, por ne bëmë çmos për t’i mbajtur në ekip ata dhe unë jam i lumtur për këtë gjë”, – ka thënë Vacke.
Silva: Kosta rreziku më i madh
Kapiteni i PSG-së, Tiago Silva, ka deklaruar se në përballjen ndaj Çelsit, Diego Kosta, mbetet rreziku më i madh i Çelsit për kampionët e Francës. PSG dhe Çelsi do të ndeshen nesër mbrëma me fillim nga ora 20:45 do të përballen në kuadër të Ligës së Kampioneve. Mbrojtësi brazilian duket se ia ka frikën sulmuesit spanjoll, por ai premton se PSG do të mundohet të bëjë më të mirë në duel me skuadrën e Hoze Murinjos. “Tani për tani ai është një prej sulmuesve më të mirë në Evropë”, – ka thënë Silva. “Diego Kosta po kalon momente shumë të mira, por ne kemi arritur deri këtu dhe do të mundohem të bëjmë më të mirën”, – tha mbrojtësi brazilian.
Curri: Misioni Francë 2016, i realizueshëm
Debatik Curri u ka premtuar tifozëve kuqezinj se Shqipëria do të jetë në Kampionatin Evropian Franca 2016. Mbrojtësi i kuqezinjve, i cili këtë sezon mbron ngjyrat e Tiranës, ka dhënë një intervistë për “KosovaPress”, ku mes tjerash ka folur edhe për kombëtaren shqiptare dhe sfidën e radhës kundër Armenisë, që zhvillohet më 29 mars. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe mendoj se një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni dhe besoj se me fitoren me Armeninë rrisim shanset që të shkojmë në Francë dhe besoj se do të fitojmë patjetër ndaj Armenisë. Besoj se kanë ardhur shumë element të rinj, dhe besoj se jemi një grup shumë i mirë. Kemi potencial ta përfaqësojmë Shqipërinë në Francë”, – ka theksuar Curri.
Lorente pranë Totenhemit
Spanjolli i “Zonjës së vjetër”, Fernando Lorente, raportohet se është afruar në tratativa me skuadrën e Totenhem Hotspurit. Spanjolli ka dështuar të tregojë formën më të mirë këtë sezon, duke shënuar vetëm katër gola në 20 paraqitje në Serinë A deri më tani. Spurs janë të interesuar për sulmuesin, duke pasur parasysh se Emanuel Adebajor do të largohet nga klubi dhe me një Roberto Soldado që nuk po tregohet aq efektiv sa po pritet. Megjithatë, nuk është e qartë nëse bardhezinjtë do të dëshirojnë ta shesin Lorenten, me Real Madridin që po shqyrton mundësinë ta riblejë sulmuesin tjetër të skuadrës, Alvaro Morata. Lorente shënoi 18 gola në të gjitha garat sezonin e kaluar.
Salihi i shpëton dëmtimit, mungon vetëm një javë
Hamdi Salihi do të mungojë vetëm një javë pasi i ka shpëtuar lehtë një dëmtimi, që u supozua të jetë i rëndë, në sfidën mes Hapolet Petah Tikva dhe Hapoel Haifa. Sulmuesi shkodran që u largua nga fusha me bartje në fund të pjesës së parë të sfidës në kuadër të javës së 22-të të kampionatit Izraelit për t’u transportuar më pas për në spital pasi dyshohej se kishte thyer brinjët. Por skanimet kanë treguar se lëndimi nuk është serioz dhe se ai do të mungojë vetëm për një javë, pikërisht në sfidën që Hapoel Haifa do të ketë me kampionët në fuqi të Makabit të Telavivit. Konfirmimi vjen nga vetë klubi izraelit, që ka zbuluar se 31-vjeçari ka vetëm hematomë dhe fatmirësisht nuk ka pësuar asnjë thyerje. Kjo do të thotë se sulmuesi kuqezi do të kthehet vetëm pas dy javësh në fushën e blertë, duke mos rrezikuar grumbullimin me kombëtaren për sfidën shumë të rëndësishme eliminatore me Armeninë që do të zhvillohet në fund të marsit. Vetëm pak javë më parë Salihi iu bashkua Hapoel Haifës për shkak të krizës financiare që kishte mbërthyer Hapoel Acren, ish-skuadrën e tij po në kampionatin izraelit, teksa debutoi në humbjen 2-1 Hapoel Petah Tikva.
Fabregas: Shpresoj të fitoj Champions-in
Mesfushori spanjoll Çesk Fabregas shpreson se do të mund ta fitojë Ligën e Kampionëve me Çelsin. “Liga e Kampionëve është gara që unë ende dua ta fitoj. Trofeu i Champions-it do të më jepte kënaqësi të madhe”, – tha Fabregas. “Ne kemi një ekip të madh. Unë nuk e di nëse kjo do të ndodh këtë vit, vitin e ardhshëm ose në pesë vitet e ardhshme. Ky është futbolli, ne do të shohim. Kam luajtur një finale të Champions League dhe katër gjysmëfinale, dhe shpresoj se do të jem në gjendje ta përjetojë trofeun e Champions-it”, – ka thënë ish mesfushori katalanas.
Nejmar: Mesi, shoku im më i mirë
Ditë me diell për Barcelonën. Fitoret e fundit të klubit katalanas kanë sjellë harmoni në ekip që kuptohet më së miri edhe nga rezultatet e fundit. Edhe pse me pak vonesë treshja Mesi-Nejmar-Suarez po jep frytet, duke shtuar këtë edhe përmirësimin e dukshëm të reparteve të tjera. Një skuadër e cila ka 11 fitore radhazi dhe kjo do të thotë shumë për të ardhmen. Ndërkohë që kësaj klime të mirë vjen edhe si rezultat i bashkëpunimit midis dy yjeve të skuadrës. Partneriteti Mesi-Nejmar po kënaq të gjithë me futbollin e bukur dhe spektakolar që dy latinët dhurojnë. Talenti brazilian është shprehur se ky kombinim i mirë në fushë vjen edhe falë bashkëpunimit dhe miqësisë të mirë që kanë të dy lojtarët. “Tashmë çdo gjë duket e lehtë te Barcelona. E gjithë skuadra po arrin të shprehet në maksimum. Jam shumë i lumtur për rezultatet. Për mua është një nder të luaj përkrah Mesit, Luis Suarez dhe Pedros. Messi është shoku më i mirë që kam si brenda ashtu edhe jashtë fushës së lojës”, – ka thënë 23-vjeçari.
Liverpuli në tratativa për Pjaniçin
Mediat angleze raportojnë se Liverpuli është i interesuar për të transferuar mesfushorin e Romës, Miralem Pjaniç, gjatë verës së ardhshme. Boshnjaku ka shënuar tre gola dhe pesë asistime në 21 paraqitje në Serinë A këtë sezon dhe raportohet se ka një klauzolë në vlerën e 30 milionë eurove në kontratën e tij. “Daily Star” raporton se menaxheri i Liverpulit, Brendan Roxhers, është i interesuar ta sjellë 24-vjeçarin në “Anfield”. Gazeta po ashtu shkruan se vëzhguesit e klubit kanë identifikuar edhe Raxha Naingolan dhe Keita Balde Diao si objektiva të mundshëm nga Seria A.