Tërhiqet Bashkia nga konçesioni për parkimet me pagesë

0
108

parking_0Reagimi i qytetarëve dhe dyshimet e ngritura nga disa këshilltarë të Bashkisë e disa media, e kanë detyruar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashën, të tërhiqet nga konçesioni 35 -vjeçar i parkingjeve me pagesë. Me një lëvizje të beftë, Basha bëri sot publik vendimin e tij për t’i propozuar Këshillit Bashkiak shtyrjen me të paktën 5 vjet të diskutimit mbi këtë projekt. Sipas projektvendimit të paraqitur në Këshillin Bashkiak, të enjten e kaluar, në Tiranë do të bëheshin me pagesë mbi 24 mijë vend -parkime në mbi 230 rrugë kryesore e dytësore.

Pagesat do të kushtonin nga 150 lekë për dy orë në qendër dhe disa rrugë të tjera kryesore dhe nga 20 deri në 50 lekë në rrugë dytësore e lagje. Reagimi i qytetarëve e detyroi bashkinë të tërhiqej nga ideja fillestare dhe të deklaronte të shtunën se rezidentët nuk do të paguanin. Edhe kjo tërheqje e pjesshme rezultoi e pamjaftueshme. Qytetarëve, që projekti u ishte mbajtur i fshehtë,  u  kishte humbur besimi se do t’i shpëtonin pagesës. Basha tha se tërheqja vjen nga fakti se ai nuk dëshiron të rëndojë xhepat e qytetarëve, në kushtet e një krize ekonomike që sipas tij ka ardhur nga puna e qeverisë aktuale. Por në këtë lëvizje ai ka bërë padyshim edhe një përllogaritje politike: meqë projekti ngjalli një reagim kaq të fortë, atij nuk do t’i interesonte një betejë me qytetarët në prag të zgjedhjeve vendore.

Megjithëse Basha e dinte gjendjen e rëndë të taksimit të qytetarëve dhe amoralitetin e një akti të tillë, ai e propozoi vetë miratimin e tij. Ndaj arsyet që ai jep për tërheqjen janë të pabesueshme. Por ato mbeten një reagim pozitiv për sa kohë projekti skandaloz është tërhequr.

Duke u ndalur tek projekti në fjalë, i cili ka hasur në kundërshtimin e qytetarëve,  Kryebashkiaku Basha tha se tani bashkia takson vetëm 5% të vend parkimeve publike, ndërsa me propozimin e projektit është parashikuar të taksohen 15% të vendeve publike të parkimit.

“Problemi i trafikut dhe parkimit në Tiranë është një problem i tmerrshëm. Në planin tim zgjidhja e këtij problemi përbëhet nga disa programeve. Programi i parë është në infrastrukturë, dhe i treti ka të bëjë me një sërë investimesh që kanë të bëjnë me parkimet publike. Në rastin e parë kemi bërë progres në Tiranë. Kemi planifikuar së bashku me qeverinë, zgjatimin e unazës, e cila për fat të keq është zvarritur me ndryshimin e qeverisë. Kemi projektin e “Bulevardit të ri” të Tiranës i cili është bllokuar po nga qeveria. Kjo qeveri, dhe ai person që bllokon në mënyrë kriminale këto është Ministri Cani me urdhër të Edi Ramës. Pra vetëm në këtë fushë lufta politike që i është shpallur Bashkisë së Tiranës i ka kushtuar 3500 vend parkime të parealizuara. Përqasja për parkimet publike, është kjo, tani taksohet 5% të parkimeve dhe me planin tonë taksohen 15%. Por në kushtet kur ka vrima nga ana e qeverisë, dhe të krizës ekonomike ku e kanë zhytur vendin, dhe për të dalë nga kjo krizë nuk duhet rënduar më shumë qytetari, dhe në këtë drejtim kërkoj heqjen e taksës së transportit publik, uljen e çmimit të karburantit, uljen e çmimit të energjisë. Në këto kushte, gjykimi im është se ky nuk është momenti për të rënduar qytetarët e Tiranës, qoftë edhe me këtë 3-fishim të hapësirave të parkingjeve publike që do të futeshin në projekt me propozimin tonë. Në këto kushte unë do t’i kërkoj Këshillit Bashkiak shtyrjen e propozimit për koncesionin e parkingjeve private me 5 vjet.” theksoi Basha

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency