REFORMA/ Ministria, draft të ri për vlerësimin e gjyqtarëve, kontroll edhe Gjykatës së Lartë

0
134

 Alma Çuka

 gjyqtarëtProjekti i dërgohet qeverisë për miratim. Paralelisht u shpërndahet grupeve të interesit. Priten ndryshime të reja në organizimin dhe strukturën e KLD-së. Sistemi aktual quhet i ndërlikuar

Ministria e Drejtësisë përfundon draftin për vlerësimin profesional dhe etik të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe apelit dhe ia dërgon atë qeverisë. Paralelisht me qeverinë, ku pritet që drafti të kaloj për diskutim në Komisionin e Ligjeve, Ministria ka informuar mbi këtë proces edhe grupet e interesit, që sipas saj duhet të përfshihen në dhënien e vlerësimeve dhe nxjerrjen e konkluzioneve përfundimtare. Të gjitha gjykatat e rretheve gjyqësore janë njohur tashmë me këtë draft projekt. Bashkëngjitur projektit është edhe relacioni shpjegues ku thuhet qartë se kush është qëllimi, synimi dhe objektivi i projektligjit. Hartimi i këtij drafti vjen në një kohë, kur qeveria ka nisur punën për të reformuar tërësisht sistemin e drejtësisë dhe kryesisht gjyqësorin. Në projekt thuhet qartë se sistemit të vlerësimit pritet t’i nënshtrohen edhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët deri tani kanë qenë të përjashtuar dhe jashtë çdo kontrolli.

 

Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është të përmirësojë në mënyrë të vazhdueshme veprimtarinë profesionale dhe etike të gjyqtarëve, të përcaktojë standarde të qëndrueshme për cilësinë dhe sasinë e veprimtarisë së gjyqtarëve, të informojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë në procesin e vendimmarrjes në lidhje me ngritjen në detyrë dhe transferimin e gjyqtarëve në funksion të zhvillimit të karrierës bazuar mbi meritat, të informojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Shkollën e Magjistraturës në lidhje me nevojat për trajnim të gjyqtarëve dhe për të lehtësuar planifikimin e trajnimit të tyre, të identifikojë gjyqtarët që mund të kenë aftësi të veçanta profesionale, të kontribuojë në përmirësimin e strukturës organizative të gjykatave, të kushteve të punës të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor. Vlerësimi i gjyqtarëve do të bazohet tek parimi i meritokracisë thuhet në draft, i efikasitetit, i zhvillimit të një procesi te rregullt ligjor duke i dhënë të drejtë gjyqtarit të njihet me procesin e vlerësimit dhe me të drejtën për t’u dëgjuar dhe e fundit është e drejta e konfidencialitetit që do të thotë se palët të cilat merren me vlerësimin e gjyqtarit nuk duhet të nxjerrin të dhënat personale të tij. Në nenin 5 të draftit thuhet se në sistemin e ri të vlerësimit do të zbatohen rregullat e parashikuara në legjislacionin për papajtueshmërinë e ushtrimit të detyrës dhe për parandalimin e konfliktit të interesave. Ndërkohë që vlerësimit do t’i nënshtrohen të gjithë gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë dhe apelit. Nga ana tjetër drejtuesit e gjykatave sipas këtij ligji të ri do të vlerësohen për punën e tyre si kryetar Gjykate. E njëjta skemë do të ndiqet edhe për gjyqtarët që janë në rolin e inspektorit të KLD-së si dhe gjyqtarët që e mbajnë këtë status duke qenë në një vend tjetër pune.

 

Kriteret e vlerësimit

Vlerësimi do të kryhet sipas aftësive gjyqësore, aftësive organizative, do të vlerësohet etika dhe angazhimi ndaj vlerave të gjyqësorit dhe aftësitë njerëzore dhe angazhimi profesional. Aftësitë ligjore lidhen me njohuritë ligjore dhe arsyetimit ligjor që bënë gjyqtari në një çështje, ndërkohë që ky aspekt matet nga vlerësimi i vendimeve të gjyqtarit duke përdorur si tregues aftësinë për të interpretuar ligjin, për të identifikuar problemin. Këto kritere përcaktohen nga inspektori, i cili vlerëson mjeshtërinë e arsyetimit të vendimit gjyqësor. Gjyqtari do të vlerësohet edhe për mundësinë e përballimit të punës. Ndërkohë etika në punë e gjyqtarit në lidhje me përkushtimin dhe përgjegjshmërinë në detyrë, matet nga treguesit e nxjerrë nga burimet e vlerësimit si rezultati i ankesave dhe verifikimi i tyre, mendimi i kryetarit të gjykatës dhe vendimet përfundimtare për masat disiplinore brenda periudhës së vlerësimit. Integriteti i gjyqtarit në lidhje me qëndrimin e tij ndaj çdo ndikimi apo presioni të jashtëm, matet nga treguesit mbi numrin e kërkesave të gjyqtarit për të hequr dorë nga gjykimi në raport me numrin e kërkesave të miratuara, si dhe tregues të tjerë të nxjerrë nga burime të tjera të vlerësimit.

 

Burimet e vlerësimit

Vlerësimi bazohet në dosjen personale të gjyqtarit, të dhënat statistikore. Dosjet e përzgjedhura me short për vlerësim dhe zvarritje, duke përfshirë edhe regjistrimet e seancave me mjete të regjistrimit audio ose audiovizive. Dosjet duhet të sigurojnë një përfaqësim të plotë të llojit të çështjeve të gjykuara dhe në çdo rast, numri i dosjeve të përzgjedhura nuk duhet të jetë më i lartë se 21, vetëvlerësimi i gjyqtarit dhe vendimet e paraqitura prej tij. Në çdo rast, numri i vendimeve të paraqitura nuk duhet të jetë më i lartë se 4 në vit, mendimi i kryetarit të gjykatës, të dhënat mbi ankesat e paraqitura ndaj gjyqtarit në periudhën e vlerësimit, informacion me shkrim nga Shkolla e Magjistraturës apo institucione të tjera që tregon pjesëmarrjen dhe aktivizimin e gjyqtarit në aktivitete trajnuese, vendimin disiplinor përfundimtar ndaj gjyqtarit, kundërshtimet e gjyqtarit dhe procesverbalet eventuale të seancave dëgjimore të tij gjatë procesit të vlerësimit.

 

Nivelet e vlerësimit

Vlerësimi përbëhet nga katër nivele, “Shumë mirë”: në rastin e njohurive, aftësive dhe rezultateve profesionale dhe etike të shkëlqyera, “Mirë”: në rastin e njohurive, kapaciteteve, aftësive dhe rezultateve mbi mesataren, “Mjaftueshëm”: në rastin e njohurive, aftësive dhe rezultateve të profesionale dhe etike mesatare, “I pamjaftueshëm”: në rastin e njohurive, aftësive dhe rezultateve profesionale dhe etike nën mesataren. Vlerësimi i përgjithshëm “Shumë mirë” jepet vetëm nëse veprimtaria e gjyqtarit është të paktën “Shumë mirë” për tre kritere dhe “Mirë” për atë që mbetet. Në çdo rast kriteri “aftësitë gjyqësore” dhe “etika dhe angazhimi ndaj vlerave të gjyqësorit” duhet të jenë vlerësuar “Shumë mirë”. Kur aftësitë e gjyqtarit vlerësohen “Mirë” për dy kritere dhe “Mjaftueshëm” për dy kriteret e tjera, vlerësimi i përgjithshëm jepet “Mirë”. Vlerësimi i përgjithshëm “I pamjaftueshëm” jepet kur gjyqtari vlerësohet “I pamjaftueshëm” për të paktën 3 kritere.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency