Dëmshpërblimi i të përmbyturve/ Rama dorëzon 400 krerë dele në fermën në Ferras, mesazhi politik: Ka rëndësi ku e hedh votën

0
129

Gëzim Saliu

 rama duke nxjerre delet“Çdo familje, që ka pësuar dëme në gjënë e gjallë, do të dëmshpërblehet për çdo krerë të humbur, ashtu edhe për dëmet në prodhim”

Qeveria nisi dje fazën e dëmshpërblimit të dëmeve të shkaktuara nga përmbytja në Jug të vendit, ku ishte Kryeministri Rama, i cili dorëzoi në fermën e fshatit Ferras të Fierit 400 krerë bagëtish. Në kohën që familja Resulaj regjistroi si të humbura si pasojë e përmbytjes së një jave më parë një numër të tillë krerësh, qeveria e kompensoi atë me të njëjtën numër krerësh dele. Në këtë takim, ku kreu i qeverisë shoqërohej nga ministri i Bujqësisë, prefekti i Fierit dhe deputeti socialist Gramoz Ruçi, Rama theksoi se akti i djeshëm ishte jo vetëm një përmbushje e angazhimit të marrë publikisht ndaj kësaj familjeje, por edhe një detyrim i qeverisë ndaj njerëzve të punës. Por ndërkaq, në këtë takim nuk munguan mesazhet politike të Kryeministrit, i cili theksoi se kjo ishte dita, sipas tij, që duhej të mendohej rëndësia e votës në zgjedhje. “Ky është një detyrim yni ndaj këtyre njerëzve. Nga ana tjetër, kjo është dita për të thënë që të gjithë ta kuptojnë se sa e rëndësishme është ajo votë, se ajo votë mund t’i ndryshojë gjërat për mirë apo për keq, se me atë votë ti mund të vendosësh se çfarë drejtimi merr vendi yt dhe se kë ke në krye të vendit tënd, apo se kë ke në krye të punëve që janë punët e mëdha të përfaqësimit”, – deklaroi Rama.

 

Dëmshpërblimi

Sipas kreut të qeverisë, ashtu si familja Resulaj, edhe çdo familje, që ka pësuar dëme në gjënë e gjallë të saj, do të dëmshpërblehet për çdo krye të humbur, sikundër edhe për dëmet në prodhim. “Siç e thamë kur binte shiu i madh, ne nuk do të ikim bashkë me shiun, ne do të jemi këtu edhe kur të dalë dielli, se kemi detyrim të riparojmë të gjitha dëmet në krerë dhe në prodhim. Jemi pranë njerëzve që me duart e tyre duan të ndërtojnë jetën e tyre dhe me punën e ndershme duan të ndërtojnë mirëqenien e tyre. Këta janë njerëzit e Shqipërisë që po rilind dhe vetëm kështu mund të rilindë Shqipëria, me këta njerëz dhe me njerëz si këta”, – pohoi Rama. Ndërkaq, Kryeministri iu përgjigj edhe interesimit lidhur me zhvillimin e bisedimeve me bankat e nivelit të dytë për kreditë e fermerëve, duke bërë të ditur nismën që do të mbështesë rimëkëmbjen e fermerëve të prekura. “Bankat kanë marrë angazhimet e tyre siç ia kemi kërkuar që në fillim. Ndërkohë, me Unionin e Kursim-Kreditit dhe me fondacionin “Besa”, që janë dy burime shumë të rëndësishme të mbështetjes për fermerët, ne po mbyllim një marrëveshje shumë të rëndësishme, që do të jetë edhe ajo e tëra në funksion të rimëkëmbjes të këtyre njerëzve fantastikë; të këtyre njerëzve që ngrihen dhe ngrysen kokë ulur përpara punës dhe këtyre njerëzve që janë për ne, fuqia reale e transformimit dhe zhvillimit të vendit; të këtyre njerëzve që nuk i bëjnë naze ligjit; të këtyre njerëzve që nuk i bëjnë bisht detyrimeve; të këtyre njerëzve që ashtu siç i përgjigjen çdo detyrimi, ashtu duhet të marrin për çdo detyrim që ka shteti përgjigjen e duhur, përgjigjen vëllazërore, përgjigjen solidare”, – u shpreh ai. Ndërkohë edhe në këtë takim nuk munguan batutat e kreut të qeverisë me banorët, ku këtë radhë duke iu drejtuar njërit prej djemve të familjes, i cili gjatë vizitës së parë ishte shprehur mosbesues se do ta kishte sërish tufën e tij, Rama tha: “Rëndësi ka ta pranosh humbjen me dinjitet”.

 

 1 mln USD për Fierin e Vlorën/ Fondi 4.5 mln USD për punësimin: 4 paga bazë dhe 12 muaj sigurime për çdo punonjës të ri

Qeveria çel fondin prej 4.5 milionë dollarësh për nxitjen e punësimit nga i cili 1 milion dollarë shkojnë për Fierin dhe Vlorën, me përparësi banorët e zonave të përmbytura. Çelja e fondit u bë e ditur dje nga Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në një fabrikë fason në Fier, e cila ka qenë përfituese gjatë 2014 nga fondi i qeverisë për nxitjen e punësimit. “Në zonat e përmbytura kemi vënë në dispozicion edhe një fond të posaçëm për nxitjen e punësimit. I vihet në dispozicion bizneseve për të rritur punësimin dhe i vihet në dispozicion atyre që kërkojnë punë, për të punuar dhe për të jetuar me punë të ndershme. Kjo është qasja jonë, që na bën të mundur jo vetëm të shohim si t’ia dalim kur na merr përpara moti i tërbuar, por edhe se çfarë duhet të bëjmë kur del dielli dhe kur duhet menduar për të përballuar me sukses, jo vetëm dëmet e drejtpërdrejta të shkaktuara nga moti, por edhe plagë që kërkojnë një kurim të vazhdueshëm për t’u kuruar në kohë”, – u shpreh Kryeministri. Fondi për nxitjen e punësimit përbëhet nga gjashtë programe të ndryshme, të cilat sipas qeverisë mbështesin krijimin e vendeve të reja të punës, duke subvencionuar punëdhënësit me pagesën e sigurimeve shoqërore për një vit dhe katër paga për çdo punonjës të punësuar. Për këtë vit synohet dyfishimi i shifrës së aplikuesve, nga 361 mijë subjekte vitin e kaluar në 700 mijë, me qëllim arritjen në 7 mijë të punësuarve vetëm nga ky fond. “Vetëm në një vit, vitin 2014, kemi shpërndarë një fond nxitjeje të punësimit për 361 subjekte që kanë aplikuar dhe faktikisht, vetëm nga ky fond punësimi janë përfshirë në punë dhe janë tërhequr nga zona e papunësisë 4 mijë punëkërkues. Për këtë vit, fondi i vënë në dispozicion është dyfish i vitit të shkuar dhe programet e nxitjes së punësimit do të zbatohen intensivisht”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency