Sot 24 orë grevë/ Urbanët në grevë, “paralizohet” Tirana, Bashkia: Nuk do ta rrisim çmimin e biletave

0
121

fotoBashkia: Qytetarët nuk do t’i paguajnë biletat e urbanëve më shumë se 30 lekë

 Sindikatat: Nuk kemi para për të rritur rrogat e punonjësve

Greva e urbanëve në Tiranë ka sjellë bllokimin e transportit publik në kryeqytet. Nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 8, me mijëra qytetarë kanë qëndruar në stacionet e urbanëve. Greva u organizua nga Federata e Sindikatave të Pavarura të Punonjësve të Transportit të Shqipërisë, e cila kërkon rritje të pagës së punonjësve. Kjo, sipas kreut të saj, arrihet vetëm përmes rritjes së çmimit të biletave të autobusëve. FSPPTSH ka paralajmëruar për ditën e sotme grevë 24-orëshe. Sipas sindikatave, çmimi i biletës duhet të rritet, në të kundërt grevat do të vazhdojnë për disa ditë. “Kërkojnë rritjen e rrogës së punonjësve. Kjo rritje varet nga çmimi i biletës që e përcakton Bashkia. Nesër do të ketë grevë 24-orëshe dhe punonjësit e transportit urban të kryeqytetit do të dalin në një protestë”, – tha Zija Hasani, kreu i Federatës së Sindikatave të Pavarura të Punonjësve të Transportit të Shqipërisë. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës ka refuzuar kërkesën e sindikatave për rritjen e çmimit të biletave. Sipas Bashkisë, qytetarët e kanë të pamundur të paguajnë një çmim më të lartë dhe i kanë propozuar qeverisë që të heqë akcizën për naftën, të heqë TVSH-në për biletat dhe të bëjë subvencionimin e kategorive që përfitojnë shërbim falas.

 

Kundër grevës

Presidenti i Sindikatës së Transportit Urban, Gëzim Karanxha, është shprehur ditën e djeshme se është kundër grevës së urbanëve. “Protesta duhet të bëhet mbi bazën e disa kritereve, ka dhe mjekë që duhet të shkojnë në punë, shërbimet urbane janë kthyer në gangrenë në Tiranë, vetëm shërbim urban nuk mund të quhet, nuk ka asnjë në vend të botës që shërbimi urban të menaxhohet nga privati. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Bashkia. Kundërshtoj plotësisht ngritjen e çmimit të biletës. Ka protestë ditën e nesërme, kjo protestë është e paligjshme. Ka disa punonjës që kanë 6 muaj që s’kanë marrë pagat. Këto janë për t’u diskutuar, jo protesta për çmimin e biletës, shërbimi urban nuk duhet të marrë nisma të tilla për të bërë greva të paligjshme. Bashkia t’i penalizojë të tilla greva”, – tha Karanxha. Ndërkohë, kreu i Shoqatës së Shërbimit të Transportit Urban, Ervin Shijaku, është shprehur se do të zhvillohet një takim për të anuluar grevën, por siç duket, asgjë nuk është arritur.

Çfarë do të diskutohet në Këshillin Bashkiak

Bashkia e Tiranës ka bërë të ditur se sot do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Në mbledhje pritet të diskutohen disa projektvendime, midis tyre edhe vendimi për “Përcaktimin e tarifës së transportit qytetës në Bashkinë e Tiranës”. Projektvendimet që do të diskutohen në Këshillin Bashkiak:

Projektvendim “Për vendosjen e bustit të z. Aleks Buda, historian dhe kryetari i parë i Akademisë së Shkencave”.

Projektvendim “Për miratimin e një shtese në buxhetin e Klubit Sportiv “Tirana” për dhënie stimuli sportistes Luiza Gega për arritje të rezultateve të larta sportive.

Projektvendim “Për miratimin e një shtese në buxhetin e Klubit Sportiv “Tirana” për dhënie stimuli sportistit Bekim Basha për arritje të rezultateve të larta sportive”.

Projektvendim “Për miratimin e një shtese në buxhetin e Klubit Sportiv “Tirana” për dhënie stimuli sportistit Jurgen Uldedaj për arritje të rezultateve të larta sportive”.

Projektvendim “Për miratimin e një shtese në buxhetin e Klubit Sportiv “Tirana” për dhënie stimuli sportistit Ervis Tabaku për arritje të larta sportive”.

Projektvendim “Për miratimin e dhënies së ambjentit në përdorim të Organizatës Shoqërore të Përkrahjes së të Rinjve-ARSIS, me destinacion për qendër sociale, në zbatim të projektit “Qendër e Qëndrueshme Shumëdisiplinare në njësinë bashkiake nr. 7”.

Projektvendim “Për përcaktimin e tarifës së transportit qytetës në Bashkinë e Tiranës”.

Projektvendim “Për organizimin, përcaktimin e formës së bashkëpunimit për shërbimin e administrimit të parkimit publik me pagesë në rrugët e qytetit të Tiranës dhe miratimin e kritereve vlerësuese bazë për propozimet për formën e bashkëpunimit”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency