Debati në Kuvend/ PD akuzon ministrin e Jashtëm për emërime nepotike. 2 mln USD për familjarët e ambasadorëve

0
134

Erneta Shevroja

ditmir bushati Ligji i ri, diplomatët do të testohen dy herë për të marrë vendin e punës

Deputetët e Partisë Demokratike kanë akuzuar ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, për emërime të familjarëve të tij në institucionin që ai drejton. Këtë deklaratë e bëri dje deputeti i Partisë Demokratike, Florion Mima, gjatë prezantimit të projektligjit në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave. Dje, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati prezantoi projektligjin e ri për shërbimin e jashtëm dhe kërkoi miratimin e Komisionit për një fond shtesë në buxhetin e shërbimit jashtë prej 2 milionë dollarësh, në mënyrë që të trajtohen më mirë nga ana financiare familjarët e 140 diplomatëve tanë. Në përfundim të diskutimeve, projektligji i ri kaloi në parim me votat e deputetëve socialistë, ndërsa demokratët e kundërshtuan duke u shprehur se ligji nuk zgjidh problemet thelbësore.

 

Emërimet nepotike

Demokratët akuzuan ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati se ka bërë emërime të familjarëve në institucionin që mbulon, akuza që vetë ministri Bushati ia ka adresuar vite më parë kreut të PD-së në kohën kur drejtonte diplomacinë. Ndaj kësaj akuze kryediplomati Bushati iu kundërpërgjigj se ishte i gatshëm të merrte të gjitha përgjegjësitë qoftë edhe për një emërim. “Kam lexuar në media ditët e fundit për emërime nepotike të lidhura personalisht me ju dhe familjen tuaj”, – tha demokrati Mima. “Ju ftoj se nëse keni një rast nepotik në emrin tim, të ma vini në dispozicion dhe në rast se unë në një rast të tillë jam në shkelje të Kushtetutës mbi të cilin kam bërë betimin, të ligjit për konfliktin e interesit unë mbaj të gjithë përgjegjësinë time”, – iu kundërpërgjigj Bushati.

 

Gradat

Bushati shpjegoi ligjin e ri, që, sipas tij, do të ketë një rritje graduale në karrierë. Në këtë rast, Bushati akuzoi Bashën se nuk e ka ndjekur këtë politikë në kohën që drejtoi Ministrinë e Jashtme, duke deklaruar se ka futur në shërbim njerëz që nuk i përkasin këtij profesioni dhe një pikë e dytë ishte fakti që kishte më shumë njerëz në poste të larta të shërbimit sesa ato më të ulëta. Shifra që dha ministri ishte 120. Kjo deklaratë ngjalli reagimin e demokratëve, duke kërkuar që ministri të mos hidhe akuza dhe të respektonte postin e diplomatëve. “Nuk është serioze që të përdorim cilësime të tilla, piramidë e vendosur me kokë poshtë, sistem i kalbëzuar, konvikt, se nuk tregojmë respekt për punën e dhjetëra ministrave të Jashtëm e diplomatëve, ambasadorëve”, – tha Mima.

 

Trajtimi i familjeve

Në ligjin e ri për herë të parë trajtim merr edhe familja e ambasadorit që shërben jashtë vendit. Për të mbuluar shërbimet e kësaj pike të projektligjit, ministri i Jashtëm ka kërkuar 2 milionë dollarë për të mbuluar shërbimet e shkollimit të fëmijëve të ambasadorëve dhe sigurim shoqëror për bashkëshortët. Kjo pikë u kundërshtua nga ish-ministri i Financave, duke deklaruar se ka nevoja më emergjente sesa shtimi i trajtimit të familjeve. “Trajtimi i familjeve të tyre sigurisht që duhet trajtuar si çështje, por duhet të marrim në konsideratë se ku jemi. Fëmija i një shoferi në ambasadë ka nevojë për 8 mijë euro në vit për t’u shkolluar, por mos harroni që rreth 30 për qind të fëmijëve në Shqipëri kanë në ditë më pak se 1 dollar të ardhura për të ngrënë bukë dhe jo për shkollë. Dhe që kanë një trajtim jo më shumë se 30 dollarë në muaj për të ngrënë dhe për t’u shkolluar”, – kritikoi Bode paketën për trajtimin e familjeve, ndërsa shtoi se shpenzime duhet të ketë për godinat e ambasadave që, sipas tij, nuk janë aspak dinjitoze për të pritur personalitete. Një tjetër pikë që ish-ministri i Financave adresoi ishte dhe fakti i gradave. Ai tha se ambasadori duhet të paguhet dhe të trajtohet për këtë detyrë në kohën që e mban atë. Në momentin që një ambasador mbaron detyrën, të mbarojë edhe paga, edhe trajtimet.

 

Testimi i diplomatëve

“Për herë të parë, ne parashikojmë dy testime, një që është testimi që parashikon vetë ligji që parashikon për nëpunësin civil, dhe dy, është testimi që duhet të bëjë vetë shërbimi i jashtëm, në mënyrë që të pranohet individi në shërbimin e jashtëm. Po kështu të imponuar do t’i japim fund praktikës së aplikimit për një vend pune”, – tha Bushati.

 

Të dhëna për efektet financiare për trajtimin e familjeve të diplomatëve

 -Pagesë e bashkëshorteve për 140 vetët (50 për qind të pagës Atashe në përfaqësi) 87. 220. 000 lekë

-Pagesa e fëmijëve për 140 fëmijë (20 për qind të pagës Atashe në përfaqësi) 35,030,00 lekë.

-Sigurimi shoqëror i bashkëshortëve për 140 vetë: 310.310.000 lekë

-Shkollimi i fëmijëve në vendet me gjuhë të rrallë: 54. 768.000 lekë

-sigurimi i jetës për 120 diplomatë më vendet me rrezikshmëri të lartë: 5.600.000 lekë

-sigurimi i jetës për 30 diplomatë që udhëtojnë në vendet me rrezikshmëri të lartë: 2.100.000 lekë

Totali: 207.028.000 lekë

 

Debati

Sot një pjesë e atyre një pjesë e atyre që janë emëruar jashtë shërbimit nuk kanë asnjë lidhje me fushën e veprimit të shërbimit. Edhe elementë të tjerë që ka pasur ligji ekzistues për kuotat nuk janë të respektuara dhe ne synojmë që të kemi një raport më kufizues. Sot për sot, mund të themi se sistemi i karrierës është i shkatërruar po kështu piramida e gradave në shërbimin e jashtëm është kokë poshtë, sepse në çdo sistem që bazohet në grada, që bazohet në merita, përgjithësisht do të duhet që të ketë në radhë të parë eksperiencë pune, në radhë të dytë edhe njohuri të testuara në terren. Ne kemi një piramidë të kthyer mbrapsht, për fat të keq. Për herë të parë, ne kemi parashikuar edhe paketën e diplomatit. Sot për sot, pozicioni i diplomatit është më pak të paguar ose më pak të trajtuar. Jemi ndër vendet e ralla ku nuk ka një paketë apo një bonus për familjet e diplomatit për shkollim e fëmijëve të diplomatit në përputhje me mundësitë ekonomikë që ka secili vend. Sot për sot, nuk është sekret të thuhet se shteti shqiptar ende nuk e njeh ose nuk paguan sigurimet shoqërore për bashkëshortet e diplomatëve dhe ne besojmë që kjo të bëhet në fillimit të 2016-ës.

Mima: Zoti ministër, u përpoqa t’ju dëgjoja me vëmendje, që të mos më shpëtonte asnjë fjalë, por me sa duket, më ka shpëtuar diçka, se mbasi ju dëgjova, jam edhe më konfuz se në fillim. Mund të ma shpjegosh edhe një herë atë kokën e piramidës e kthyer përmbys, sepse me konceptim tim naiv numrat e mëdhenj janë tek baza poshtë dhe në majë është ministri. Ti po thua që piramida është mbrapsht, që i bie që vendi i ministrit është këtu poshtë. Ma shpjego edhe një herë!

Bushati: Nga momenti që unë marr dikë dhe emëroj ministër, këshilltar, që nuk ka asnjë eksperiencë pune, automatikisht unë e përmbys piramidën dhe unë fola për 140 persona. Ne në shërbimin e jashtëm kemi më shumë persona të gradave të sipërme sesa ato të poshtme dhe këto grada nuk kanë ardhur as nga eksperienca dhe as nga qëndrimi në detyrë, por kanë ardhur nga ndërhyrja e tri grupeve: politikanët, biznesmenë dhe njerëz të medias. Këto tri grupe janë që në gjykimin tim kanë konflikt influence, konflikt interesi.

Mima: Për hir të së vërtetës, por prapë m’u shtua konfuzioni nga këto që the dhe po përpiqem të vras mendjen pse ndodh kjo. Kjo vjen, sepse gjithçka e ke ndërruar nga ai fjalimi “për herë të parë, për herë të parë” që përdorni në hyrje në çdo paragrafi. Nuk është e denjë nga ana juaj të përmendni paraardhësit, qoftë edhe për faktin që ata nuk janë në sallë. Kanë shërbyer me dinjitet, faqebardhë.

Bushati: Unë nuk mora përsipër as të bëj analizën e paraardhësve të mi dhe asgjë. Dhe e thashë, e kam bërë analizën me shifra që në vitin 2001. Sa i përket nepotizmit: ju ftoj, nëse keni ndonjë rast nepotik në adresën time, që ta ma vini në dispozicion dhe në rast se unë në një rast të tillë jam në shkelje, unë marr gjithë përgjegjësinë time. Por me llafet e Fariut kam përshtypjen se as ju nuk nderoheni, as unë nuk nderohem.

Bode: Shërbimi diplomatik përbën një aspekt ku problematika e individëve që shërbejnë në këtë aspekt ka presistuar dhe gjithmonë nga presioni kërkesat nga kjo kategori kanë qenë të mëdha dhe të larta. Dhe nuk është gjë e re, por i takon qeverisë që ta mbajë një balance mes kapacitetit që ka dhe midis gjendjes së përgjithshme të ekonomisë dhe trajtimit të grupeve të caktuara. Këtë unë e them që në fillim që qeveria ka humbur balancat, racionaliteti në trajtimin e gjërave dhe ligjet që vijnë në Parlament, sidomos me efekt financiar, reflektojnë raportin e individëve të caktuar me Kryeministrin dhe aspak nuk janë bazuar me racionalitet të përgjithshëm për t’i pozicionuar gjërat.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency