Laboratori/ Sekuestrohen disa magazina në Shkozet, dyshime për lidhje me Xibrakën

0
127

Alma Çuka

laboratori i drogesDrejt Shkozetit Prokuroria mbërriti pas një hetimi të hollësishëm. Magazinat, në pronësi të të njëjtit pronar. Firma merrej me përpunimin e lëkurave. Solucioni merrej në Kolumbi

Dyshimi se pronarët e dy firmave në Shkozet, të cilat merreshin me përpunimin e lëkurave, mund të kenë lidhje me fabrikën e përpunimit të kokainës në Xibrakë, kanë vënë në lëvizje Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Burime nga kjo Prokurori bëjnë me dije se kanë sekuestruar ditët e fundit dy magazina me vendndodhje në Shkozet, pas një kontrolli të ushtruar më parë mallit të tyre në doganë që vinte nga Kolumbia. Bëhet fjalë për një sekuestrim paraprak deri në përfundim të hetimeve të hollësishme. Sipas akuzës, ka dyshime të arsyeshme, të cilat në mënyrë tërthore e lidhin veprimtarinë e dy magazinave në Shkozet me magazinën e Xibrakës.

Sekuestrimi

Burime të sigurta të Prokurorisë bëjnë me dije se është vendosur sekuestrimi paraprak i magazinave në pronësi të dy kompanive “Meridian” dhe “Aba Group”. Këto dy magazina, sipas të njëjtave burime, rezulton të jenë në pronësi të të njëjtit pronar. Ndërkohë, një tjetër hollësi që ka çuar prokurorët tek këto magazina del nga Dogana e Durrësit. Në këtë doganë thuhet se është bërë bllokimi i një sasie plehu kimik dhe solucioni i cili përdorej për përpunimin e lëkurave. Ky solucion sipas të dhënave vinte nga Kolumbia. Dhe kjo dyshohet se është lidhja që organi i akuzës ka bërë mes këtyre magazinave dhe asaj të përpunimit të kokainës në Xibrakë. Akuza shprehet se i njëjti solucion dhe të njëjtët thasë që janë gjetur në këto magazina janë gjetur edhe në Xibrakë. Për të zbardhur këtë ngjarje është marrë në pyetje pronari i dy magazinave, që sipas të dhënave të para mësohet se ka kundërshtuar në mënyrë kategorike, përfshirjen në grupin kriminal të përpunimit dhe trafikimit të kokainës që vinte nga Kolumbia me destinacion vendet e Bashkimit Evropian. Ai i ka thanë prokurorëve se aktivitetin e tij e ka nisur prej vitesh dhe se ka kryer blerje në Itali për shkak të çmimit më të ulët, pavarësisht se solucioni vinte nga Kolumbia. Për të provuar këtë, prokurorët janë në pritje të përgjigjeve të laboratorit të policisë shkencore dhe asaj gjermane, mostrat e të cilave janë dërguar për ekzaminim. Pronari është shprehur se solucioni i gjetur në Xibrakë është blerë në Kolumbi përmes internetit dhe nuk ka lidhje me aktivitetin e tij. Ndërsa magazinat e sekuestruara i janë lënë në ruajtje policisë. Gjithashtu është kërkuar nga kompanitë e celularëve t’i vënë në dispozicion të hetimit të gjithë numrat që ka pasur dhe ka në përdorim pronari i këtyre dy kompanive për të parë nëse kishte kontakte me ndonjërin prej të arrestuarve. Sipas prokurorisë, dyshohet se me anë të këtyre thasëve dhe solucioneve të përpunimit të lëkurave, të dyshuarit kanë sjellë lëndën narkotike në Shqipëri, të cilin e përpunonin dy kolumbianët e arrestuar. Ndërkohë, policia ende nuk ka dhënë detaje në lidhje me hetimet e homologëve të tyre në Greqi, ku pak ditë më parë u kërkua informacion për hyrje daljet e shtetasve kolumbiane.

Elbasan/ Grabitet një banesë, dhunohet pronarja e saj

Një grua e moshës 59-vjeçare është goditur dhe më pas i është vjedhur banesa nga persona të maskuar. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese” në qytetin e Elbasanit. Mësohet se autorët të cilët dyshohet se kanë qenë dy e kanë kryer krimin të maskuar dhe fillimisht janë futur në banesën e gruas, e cila është identifikuar me inicialet M. B., ku e kanë goditur atë me sende të forta e më pas i kanë grabitur rreth 300.000 lekë. Policia ka mundur të identifikojë autorët e dyshuar të kësaj grabitjeje si dhe është bërë shpallja e tyre në kërkim, ndërsa po punohet intensivisht për kapjen e dy të maskuarve. 59-vjeçarja M. B., u dërgua në spitalin kirurgjik Elbasan, ku mori mjekimin e nevojshëm dhe ndodhet jashtë rreziku për jetën. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhje me dhunë”.

Pogradec/ Shkon i dehur në banesë, tenton të vrasë xhaxhain

Shkon i dehur në banesë dhe tenton t’i marrë jetën xhaxhait të tij. Bëhet fjalë për një banor të Pogradecit, 51-vjeçar, që, sipas policisë lokale, ka tentuar të vrasë xhaxhain e tij. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, kur 51-vjeçari Minir Xhyra, pasi ka mbërritur i dehur në banesën e tij, pas një konflikti të çastit, ka rrëmbyer armën e gjahut dhe e ka drejtuar drejt xhaxhait të tij, 76-vjeçarit K. Xhyra, duke tentuar ta vrasë atë. Sipas burimeve nga policia e këtij qyteti mësohet se autori dhe viktima janë të dy banues në fshatin Selcë të Pogradecit. Pas verifikimeve të bëra ka rezultuar se arma e gjahut e përdorur në këtë ngjarje ishte me leje dhe në pronësi të autorit, i cili është arrestuar në flagrancë. Materialet në lidhje me këtë çështje i kanë kaluar Prokurorisë.

Lezhë/ Dhunon vjehrrën, e qëllon me thikën e bukës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Lezhës, ku një burrë, pasi ka hyrë në banesën e nënës së bashkëshortes së tij, e ka dhunuar atë dhe më pas e ka qëlluar me thikën e bukës. Ngjarja ka ndodhur në Pllanë të Lezhës, ku rreth orës 23:30 të së dielës, 8 shkurt 2015, 36-vjeçari Marjan Bardhi ka hyrë nëpërmjet përdorimit të një shkalle druri, në banesën e vjehrrës së tij, të identifikuar me inicialet K. P. Banesa ndodhet në katin e dytë të një ndërtese në Pllanë. Fillimisht Bardhi ka dhunuar fizikisht, duke goditur me grushte e shqelma bashkëshorten dhe vjehrrën, e më pas, me një thikë buke që është ndodhur aty pranë, u ka shkaktuar dëmtime të lehta dy femrave, nënë e bijë. Ditën e sotme filloi procedimi penal, është bërë shpallja në kërkim dhe punohet për kapjen e 36-vjeçarit Marjan Bardhi, banues në Ungrej, Lezhë. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Dhunimi i banesës”. Gjithashtu u plotësua kërkesëpadia për lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes për shtetasen M. B., bashkëshorte e Bardhit, kërkesë e cila i dërgohet Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency