Kandidatura për ambasador në Vatikan/ Visar Zhiti merr mbështetjen e PS-së dhe PD-së. Topalli kundër Nishanit: Presidenti duhet ta votojë

0
140

Erneta Shevroja

3 kandidatetet visar zhitiZhiti: Në një moment të vështirë e pranova këtë detyrë, një detyrë shpirtërore

Blushi, kritika Kishës: Jemi shtet laik, Zhiti duhet të marrë mbështetje të plotë

Kandidatura e Visar Zhitit për ambasador të Vatikanit mori dje mbështetje të plotë nga deputetët e Komisionit për Politikën e Jashtme. Në mënyrë të njëzëshme, anëtarët e majtë dhe të djathtë të Komisionit të Jashtëm deklaruan se Visar Zhiti është njeriu që do të përfaqësojë më së miri vendin tonë në Vatikan. Kjo, për arsye të njohurive që ai zotëron, ndërsa pretendimet e Kishës se Zhiti nuk është kandidati i përshtatshëm për arsye fetare, u kritikua nga deputetët. Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, shprehu fjalët më të mira për Zhitin, ndërsa tha se Presidenti duhet të dekretojë si ambasador në Vatikan. “Presidenti duhet ta votojë Zhitin ambasador në Vatikan. Duhet të ketë përjashtim, pavarësisht se mazhoranca nuk është konsultuar”, – tha Topalli, e cila për herë të parë mori pjesë në Komision. Për deputetin socialist, Ben Blushi, kritikat e Kishës nuk qëndrojnë, duke qenë se feja nuk është kriter për përzgjedhjeje. “Laiciteti është i vlefshëm dhe i domosdoshëm dhe nuk duhet ta cenojë njeri, dhe as përfaqësues të Kishës. T’i japim mbështetje absolute Zhitit jo vetëm si ambasador, por për të mbrojtur themelet e shtetit”, – tha Blushi në argumentin e tij pro kandidaturës së poetit dhe diplomatit Visar Zhiti. Në Komision u dëgjuan edhe dy kandidaturat e tjera, Fatos Reka për ambasador në Maqedoni dhe Bardhyl Canaj për në Izrael. Këto dy kandidatura u vlerësuan për njohurit e tyre për vendet përkatëse. Ata theksuan se puna e tyre do të përqendrohet në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.

Mbështetja

Deputetët e Partisë Socialiste dhe ata të Partisë Demokratike shënuan një rast të rrallë duke e njësuar mbështetjen e plotë për kandidaturën e Visar Zhitit për të qenë ambasador në Vatikan. Këtë deputetët e përcollën edhe në thirrjen e tyre drejtuar Presidentit Nishani që të hedhë firmën e tij në dekretin për poetin, diplomatin dhe ish-deputetin Visar Zhiti, duke e emëruar atë ambasador të Vatikanit. “Ndoshta ne më shumë se një ambasador në Vatikan sot po miratojmë një apostull shqiptar dhe në këtë kuptim unë së bashku me të gjithë kolegët, ndihemi krenarë për emrin e Visar Zhitit. Dua të të them faleminderit për veprën, duke e ditur se kjo është një fjalë shumë e vogël nga ajo që ju përfaqësoni”, – tha ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Deputeti socialist, Ben Blushi, ishte më i drejtpërdrejtë në fjalët e tij. Ai kritikoi Presidentin për mosdekretimin e kandidaturës së Zhitit, por edhe qëndrimet e një përfaqësuesi fetar, duke thënë se kandidati është një mysliman e për këtë arsye ai nuk duhet të mbështetet për ambasador i Vatikanit, qendrës botërore të Krishtërimit. “Presidenti duhet ta kalojë këtë pengesë. Është dita të mbrojmë Republikën dhe laicitetin e shtetit. Emri i Zhitit u kthye në politik dhe prandaj ky Komision duhet t’i japë mbështetje të plotë. Jo vetëm për atë që përfaqëson, por edhe për të mbrojtur shtetin laik në Shqipëri”, – theksoi Blushi. Ai u tregua kritik ndaj qëndrimit që Kisha mbajti për emrin e Visar Zhiti në krye të ambasadës në Vatikan. Ai theksoi se feja nuk është aspak kriter për zgjedhjen e ambasadorit, e në këtë rast bëri thirrje që të lihen mënjanë paragjykimet dhe anëtarët e Komisionit të Jashtëm të votojnë në favor të Zhitit. Kam parë në media që është paragjykuar për një gjë që nuk mund të gjykohet për shkak të fesë. Feja nuk është kriter dhe kisha ka bërë padrejtësi. Kisha nuk mund të na imponojë të zgjedhim një prift për ambasador. Këtë mund ta bëjë me punonjësit e vet. Laiciteti është i vlefshëm dhe i domosdoshëm dhe nuk duhet ta cenojë njeri, dhe as përfaqësues të kishës. T’i japim mbështetje absolute Zhitit jo vetëm si ambasador, por për të mbrojtur themelet e shtetit”, – tha Blushi. Visar Zhiti mori mbështetje edhe nga kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme, Arta Dade, duke shprehur besimin se Nishani do të dekretojë këtë kandidaturë. Deputetja socialiste Arta Dade vlerësoi karrierën diplomatike të kandidatit për ambasador në Vatikan. “Visar Zhiti është njeri i letrave, që në jetën e tij pasqyrohet historia e Shqipërisë dhe me fisnikërinë e tij ka kapërcyer dhimbjet e regjimit dhe fatit. Zhiti është diplomat karriere dhe jam e bindur që presidenti Nishani do ta dekretojë këtë kandidaturë të fuqishme”, – u shpreh Dade, duke shprehur besimin se Presidenti do të respektojë vendimet e Komisionit të Jashtëm. “Është një nga zgjedhjet më të mira që mund të bënte Ministria e Jashtme”, – tha deputeti socialist, Namik Dokle.

Visar Zhiti

Poeti dhe diplomati u shpreh se këtë detyrë e pranoi në një moment shumë të vështirë në jetën e tij, duke kujtuar se një muaj më parë djali i tij humbi jetën në një aksident me motor. Ai tha se Shqipëria është një vend i vogël, por me një thesar i madh sa u përket vlerave shpirtërore. Detyrën e tij të ardhshme në Vatikan ai e vlerëson shpirtërore. “Në një moment të vështirë e pranova këtë detyrë, një detyrë shpirtërore. Vatikani, sepse është qytet shtet më i vogli në botë është superfuqi shpirtërore. Ne kemi një begraund të mrekullueshëm për të qenë në Evropë, nuk jemi në vonë për të hyrë në Evropë, është vonë Evropa për të na njohur dhe për ta na njohur neve. Në këtë drejtim mund t’i thuhet Vatikanit kjo gjë dhe mund të bëhet shumë. Tokën tonë e kanë shkelur dy Papë, Vojtila që ndikoi në përmbysjen e regjimit komunist dhe po kështu u përsërit një vizitë e një pape, ajo e Françeskut. Ai zgjodhi Shqipërinë që është emblema e harmonisë fetare, është më shumë se tolerancë. Ne nuk e ndalojmë, por e mbështesim njëri-tjetrin pavarësisht fesë, por edhe si një vend martirësh”, – u shpreh Zhiti. Njeriu i letrave shprehu një kritikë ndaj ambasadorëve që kanë shërbyer në Vatikan. Ai tha se ata nuk janë përkushtuar në detyrën e tyre. “Guxoj të them se shpesh dhe ambasadorët që zakonisht zgjidhen si militant këtu dhe kujtojnë se shkojnë atje si në kurbet dhe harrojnë atdheun, harrojnë popullin që i ka çuar dhe misioni i tyre degjeneron në tjetër gjë”, – tha Zhiti.

Në Vatikan do të ngrihet shtatorja e Nënë Terezës dhe Gjergj Fishtës

Një prej objektivave të Visar Zhitit që ai shpalosi në Komision ishte ngritja e një shtatore të shenjtores Nënë Tereza dhe poetit të madh Gjergj Fishta. “I takon Shqipërisë që të realizojë vënien e statujës së Nënë Terezës në Vatikan dhe ne duhet ta vendosim. Unë e kam ngritur dhe më parë këtë. Unë marr përsipër që shtatorja e Nënë Terezës do të vihet në Romë. Por gjithashtu do përpiqem të vendos dhe statujën e Gjergj Fishtës, Homeri i fundit i Ballkanit”, – tha Zhiti.

Opozita kundër propozimeve të Bushatit: Seancat dëgjimore të jenë të hapura

Në seancën dëgjimore për 3 ambasadorët, ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, u shpreh kundër ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Jashtme për emërimet në diplomaci. Ndryshimet konsistojnë në faktin se seancat dëgjimore të kryhen me dyer të mbyllura, që u kritikua nga Bumçi, duke thënë se kjo do të çonte procesin në mungesë të plotë transparence. “Nga kjo seancë ne shikojmë të mirën të madhe publike që vjen nga një seancë dëgjimore e hapur, ku nëpërmjet këtij Komisioni dhe medias informohet opinion publik për kandidaturat që do të përfaqësojnë Shqipërinë. Në mënyrë absurde ministri do ta çojë procesin në bunker në errësirë, duke dashur që ne mos mblidhemi më këtu. Çfarë meraku ka ministri që të vijnë kandidaturat që do përfaqësojnë Shqipërinë”, – deputeti demokrat, Aldo Bumçi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency