Inspektimi në Fier/ Rama: Opozita, e përmbytur nga 23 qershori. Basha: Jo shfaqje, cakto buxhetin për të dëmtuarit

0
32

Gëzim Saliu

rama inspektimBatutat, banori: Jam i djathtë. Rama: Rri aty ku je, nuk kthen burri me një përmbytje

Kreu i Komunës Frakull nga akuzues i Ramës kthehet në mbështetës: Opozita kritikon kot

Përmbytjet në Jug të vendit rikthyen dje debatin në distancë mes Kryeministrit të vendit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Fillimisht ishte kreu i qeverisë, i cili pas inspektimit në Fier për shpërndarjen e ndihmave, nuk ngurroi të kritikonte mazhorancën e kaluar qeverisëse. Pas deklaratës së prefektit të Fierit, Xhevit Bushi, i cili kritikoi opozitën për akuzat e saj për situatën e menaxhimit të përmbytjeve, Kryeministri Rama theksoi me jo pak ironi: “Lëre atë pjesën tjetër! E kemi thënë se ata janë përmbytur që më 23 qershor dhe sa të dalin nga përmbytja ne t’i lëmë të thahen”. Në kundërpërgjigje Basha kërkoi nga Rama që të kalojë në vepra duke i kujtuar fondin prej 200 mijë eurosh që iu dha Bosnjës e Serbisë. “Lëri shfaqjet me “faza” dhe “plane” që s’i ke bërë akoma. Shpall emergjencën dhe cakto buxhetin në ndihmë të të përmbyturve. Për përmbytjet në Serbi dhe Bosnje çele 200 mijë euro me vendim qeverie, për Fierin dhe Vlorën vetëm fjale, shfaqje dhe rrëmujë”, – theksoi kryedemokrati.

Takimet

Në vizitën e tij në Fier, kreu i qeverisë ndalesën e parë e bëri në pesë magazinat e mëdha që ndodhen në këtë qytet në të cilat janë grumbulluar ushqime për familjet, për kafshët dhe batanije. Rama premtoi se faza tjetër tani është kompensimi i fermerëve. “Ne nuk jemi këtu thjesht sat ë dalë dielli, por edhe më pas do të vazhdojmë të përmbushim detyrimet ndaj çdo familje dhe ndaj çdo fermeri të dëmtuar. Prioritet për ne është zëvendësimi i krerëve të humbur dhe mbështetja e atyre që kanë humbur prodhimin”, – tha ai. Kryeministri ishte edhe në Kashisht, ku ka përfituar në takimin me banorët për të bërë pak fushatë. Ndërsa një banor theksoi se ishte i djathtë dhe se nuk kishte marrë mbështetje si kjo e këtij viti në 2005-ën, Rama iu përgjigj me jo pak nota humori. “Ju të djathtëve ju gjeti bela e madhe. Nga e prisnit nuk ju erdhi, nga s’e prisnit po ju vjen. Edhe legalizimet, edhe mbështetja për përmbytjet, edhe mbështetja për punët tuaja po ju vjen nga ne, pra nga s’e prisnit. Megjithatë, ti vëlla rri djathtas se nuk kthehet burri me një përmbytje”. Nga ana tjetër, kryeministri bëri të ditur se shpërndarja e ndihmave do të vazhdojë në të gjitha zonat, deri sa të shlyhen plotësisht të gjitha dëmet e shkaktuara nga përmbytja.. “Ndihmat do të vazhdojnë prapë. Magazinat janë me të gjitha gjërat të siguruara. Vazhdojnë të furnizohen me të gjitha gjërat. Qoftë në Vlorë, qoftë këtu, qoftë në Berat e Gjirokastër, do të vazhdojmë t’u qëndrojmë pranë, sa të jetë mbyllur jo përmbytja, por çdo dëm, jo vetëm dëmet nëpër shtëpi, por edhe dëmet në krerë, dëmet në prodhim që kanë qenë të mëdha në këtë zonë, një pjesë e infrastrukturës së prodhimit është e shkatërruar. Për ne këto janë detyrime, që ne nuk do t’i lëmë pa ju qëndruar një më një”, – pohoi ai.

Kryekomunari i Frakullit

Ndërsa vetëm pak javë më parë lumi i kritikave ndaj qeverisë dhe Kryeministrit vërshuan në mbledhjen e Këshillit të Qarkut Fier, duket se tashmë kryetari i Komunës Frakull nuk ndan më të njëjtin qëndrim. Në takimin e djeshëm me kreun e ekzekutivit ai shprehu vetëm vlerësime dhe falënderime për qeverinë, duke “harruar” mëritë e kaluara e duke mos ngurruar të sulmojë opozitën. “Kanë marrë nga katër herë ndihma. Sot, 350 pako ushqime. Çdo gjë është bërë me lista, në çdo fshat, për çdo person që ka marrë ndihmë dhe sa herë ka marrë, edhe me firmë. Çdo gjë bëhet me letra, sepse ligji nesër të fut në burg. Le të vijnë të merren me ne ata. Listat janë të gjitha. Përkrahje totale e këtij populli. Banorët kanë marrë nga 4-5 herë. Boll me provokime”, – tha ai.

BE e gatshme/ Komisioneri Hahn: Duam të dhëna të sakta për dëmet, para se të ndihmojmë për përmbytjet

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johanes Hahn, deklaroi dje se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë pas përmbytjeve të ndodhura në Jug të vendit. Megjithatë, Hahn u kërkoi autoriteteve shqiptare që të bënin një pasqyrim të saktë të dëmeve dhe pasojave që kanë shkaktuar. “Kam qenë në kontakt me ministrin e Jashtëm javën e kaluar dhe si gjithmonë, kur ka ndonjë fatkeqësi natyrore, mbështetja evropiane është e mundshme. Por është absolutisht e nevojshme që të kemi të dhëna të sakta për sa i përket dëmeve, kostot e këtyre dëmeve. Nëse këto të dhëna janë më të qarta, dhe kemi një ide më të mirë dhe më të saktë të situatës, me siguri që do të organizojmë diçka, sepse jemi plotësisht të vetëdijshëm për pasojat e këtyre fatkeqësive natyrore”, – tha ai, duke bërë të ditur nga ana tjetër se do të vizitojë së shpejti Shqipërinë, vend i cili, sipas tij, është një prej partnerëve kryesorë në Ballkan.


Ish-kryeministri/ Berisha: Qeveria s’do ndihmojë të përmbyturit që kanë borxhe të energjisë. Tahiri do Vlorën

Ish-kreu i qeverisë, Berisha, deklaroi dje se qeveria po përgatit vendimin për të mos ndihmuar të përmbyturit që kanë borxhe të energjisë elektrike. Ne një akt tjetër te hakmarrjes se verbër, Rama – Tahiri kërkojnë identifikimin ne zonën e përmbytur te qytetareve qe kane detyrime ndaj OSSHE, të cilëve nuk do t’u jepen ndihma për demet e shkaktuara nga përmbytja. Ky është rast çmendurie i pashembullt qe vetëm një mendje e sëmure qe prodhon vete urrejtje dhe hakmarrje mund ta ndërmarrë”, shkruante Berisha në FB. Ndërkaq lidhur me çështjen e arrestimit dhe lirimit më pas të kryebashkiakut Gjika, deputeti demokrat theksoi se lufta e qeverisë me të do të vazhdojë. Nga ana tjetër, Berisha nuk nguroi të pohonte se ministri i brendshëm po përgatit kandidaturën për bashkinë e Vlorës. “Vlora gumëzhin e tera se Koçua dhe Tahiri ishin, pas Ramës, ata qe u gëzuan me shume nga arrestimi i Gjikës. Koçua kishte te drejte për gëzimin qe ndjeu me arrestimin e Gjikës sepse ky i fundit, si çakmak, pagdhendur siç është, e ka goditur ne prani te Rames dhe te tjerëve dhe nxjerre për leckash jashtë nga salla Koçon ne një takim te organizuar ne Vlore pas zgjedhjeve. Tahiri ka vendosur te kandidoje për Vlorën dhe është i bindur se me Gjikën ne burg ka me shume shanse për te marre me Policinë e Partisë, Bashkine. Lufta me armik Gjikën vazhdon. Baftjari, ndonëse po i dridhen leqet e këmbëve ishte i pari që uroi Gjikën për lirimin nga burgu”, – deklaroi Berisha.