Mark Tuein
Para disa muajsh “botimetshqip” postuan “Ditarin e Adamit” nga Mark Tuein, me një numër të madh lexuesish, të cilët kërkuan edhe “Ditarin e Evës”, një histori e shkurtër komike e botuar nga Tuein në vitin 1905. Për këtë arsye, në rrjetin social u hodhën skica origjinale të këtij botimi në shqip “Ditarin e Evës”, të përgatitur në shqip nga Elona Qose
E shtunë
Jam gati njëditëshe; erdha dje. Të paktën kështu më duket dhe kështu duhet të jetë; nëse ka ekzistuar një ditë para së djeshmes, unë nuk isha këtu ndryshe do ta kisha mbajtur mend. Mund edhe të ketë ndodhur dhe unë nuk e kam vënë re. Shumë mirë! Që sot e tutje do të jem shumë e vëmendshme dhe do të mbaj shënime. Në fakt, do të jetë më mirë të filloj që tani që mos të më ngatërrohen gjërat; instinkti më thotë se këto detaje do të jetë të rëndësishme për historianët në të ardhmen.
Ndihem si një eksperiment, tamam si një eksperiment. Do të ishte e pamundur që një person të ndihej kështu si unë, ndaj jam e bindur se nuk mund të jem tjetër veçse një eksperiment, asgjë më shumë.
Por, nëse jam një eksperiment, a jam i plotë? Jo, mendoj se jo. Mendoj se unë jam pjesa kryesore e eksperimentit. Si e tillë, do jetë i sigurt pozicioni im, apo duhet të jem syçelët e të merrem me këtë çështje? Kjo e dyta, me shumë mundësi. Diçka më thotë se vigjilenca e përjetshme është çmimi i epërsisë. (Kjo ishte goxha shprehje, besoj, për dikë kaq të ri në moshë).
Gjithçka duket më mirë sot sesa dje. Në nxitim e sipër për të përfunduar të djeshmen, malet mbetën si të shkretuar dhe fushat me mbeturina, aq sa pamja ishte shqetësuese. Veprat e bukura të artit nuk duhen bërë me nxitim dhe kjo botë e re e madhështore është padyshim një vepër arti. Pavarësisht kohës së shkurtër është gati mrekullisht perfekte.
Në disa vende ka shumë yje, në disa të tjera jo, por kjo gjë mund të rregullohet.
Mbrëmë Hëna u zhduk. Një humbje e madhe. Më thyhet zemra kur e mendoj. Mes ornamenteve dhe dekorimeve nuk gjej asgjë që të krahasohet me bukurinë e saj. Duhej të ishte lidhur më mirë. Sikur ta merrnim dot mbrapsht… Por, sigurisht, nuk dihet se ku shkoi. Përveç kësaj, kushdo ta gjejë me siguri do ta fshehë. E di mirë se të njëjtën gjë do të bëja edhe vetë. Besoj se mund të jem e sinqertë në çdo gjë, por tashmë e kam kuptuar se thelbi i natyrës sime është dashuria për të bukurën, pasioni për të bukurën dhe nuk do të ishte e sigurt të më besohej hëna e dikujt tjetër. Po ta gjeja ditën, mbase do ta ktheja Hënën nga frika mos më shihte kush, por në errësirë jam e sigurt se do të gjeja ndonjë justifikim për të mos thënë asgjë në lidhje me të.
E dua Hënën, është kaq e bukur, kaq romantike! Do të doja të kisha pesë ose gjashtë Hëna dhe nuk do të lodhesha kurrë duke i parë.
Edhe yjet janë të bukur. Sikur të kisha ca t’i vija nëpër flokë! Por mendoj se nuk do mundem kurrë. Nuk do ta besoni se sa larg që janë! Mbrëmë, kur u shfaqën për herë të parë, u mundova të rrëzoja ca me një shkop, por nuk i arrita dot. U habita. Pastaj provova t’i gjuaja me plisa, gjuajta sa u lodha, por nuk rrëzova dot asnjë. Mbase ngaqë jam mëngjarashe dhe nuk gjuaj dot mirë…
Qava pak, ç’ka është normale, besoj, për moshën time. Kur u qetësova, mora një shportë dhe u nisa drejt skajit më të largët, atje ku yjet ishin kaq afër tokës sa mund t’i kapja me dorë. Në këtë mënyrë do të mund t’i mblidhja me kujdes që të mos thyheshin. Por ishte më larg nga ç’e mendova, kështu që m’u desh të hiqja dorë. Isha kaq e lodhur sa s’mund të hidhja asnjë hap tjetër. Përveç kësaj, këmbët më ishin bërë copë.
Nuk mundesha as të kthehesha në shtëpi; ishte shumë larg dhe moti po ftohej. Por gjeta disa tigra dhe u rehatova mes tyre; ishin kaq të lezetshëm dhe fryma u vinte erë e mirë sepse jetonin mes luleshtrydheve. Nuk kisha parë asnjëherë ndonjë tigër, por i njoha menjëherë nga vijat në lëkurë. Nëse do të kisha një lëkurë të tillë do të kisha bërë një fustan të bukur!
Sot i perceptoj më qartë distancat. Isha kaq e paduruar për të kapur çdo gjë të bukur sa marramendthi nisesha për ta rrëmbyer, ndonjëherë edhe kur ishte shumë larg…
Dje pasdite ndoqa eksperimentin tjetër; e ndoqa nga larg për të parë se për çfarë mund të jetë. Mendoj se është një burrë. Nuk kam parë kurrë ndonjë burrë, por mendoj se ashtu dukej, jam e sigurt që është i tillë. Kuptova se për të jam kurioze më shumë sesa për çdo zvarranik tjetër. Gjithmonë nëse është zvarranik, çka besoj se është e logjikshme pasi ka flokë të pistë e sy blu; vjen i hollë në fund si një karotë dhe kur ngrihet duket sikur ndahet si vinç. Prandaj mendoj se është zvarranik, megjithatë mund të jetë thjesht arkitekturë.
Në fillim kisha frikë prej tij dhe vrapoja sa herë që kthehej, meqë mendoja se mund të më ndiqte. Por pak nga pak kuptova se ai thjesht mundohej të largohej prej meje. Kështu që, pasi më kaloi ndrojtja, nisa ta ndiqja unë për orë të tëra, çka e bëri nervoz dhe të pakënaqur. Në fund, i shqetësuar u ngjit në një pemë. Prita ca, pastaj hoqa dorë dhe shkova në shtëpi.
Sot, e njëjta gjë: e bëra përsëri të hipte në pemë!