Debatet për ligjin e ri të qeverisjes vendore/ Krerët e njësive administrative do të emërohen nga kryebashkiaku. PD: Klientelizëm

0
97

Gëzim Saliu

komisioni i ligjevePS: Ndryshimet teknike, qeveria: Në maj biem draftin e ligjit për decentralizimin. PD: Me këtë ligj rrëzoni idenë për kursim fondesh, është klientelist

Kryetarët e komunave, të cilat me ligjin e ri që shkrin këtë emërtim dhe i kthen në njësi administrative, nuk do të zgjidhen më nga qytetarët, por nga kreu i bashkisë. Projektligji i qeverisë “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore””, i cili vjen si adaptim i reformës administrative territoriale, parashikon shkrirjen e komunave dhe në vend të tyre ekzistencën e zyrave të posaçme të drejtuara nga individë që emërohen nga kryebashkiakët dhe që do të quhen administratorë. Sipas opozitës, ky ndryshim i ligjit që lidhet me emërimin e krerëve të njësive administrative rrezikon kthimin e tyre në zyra klinteliste dhe mbi baza partiake. Nga ana e saj, mazhoranca hodhi poshtë akuzat e PD-së, duke argumentuar se edhe në bashkitë aktuale, drejtorët e caktuar emërohen nga kryebashkiaku.

Debati

Sipas ministrit për Pushtetin Vendor Bledi Çuçi, me këtë ligj, organigramën dhe strukturën e bashkisë e përcakton kryebashkiaku. “Për të garantuar një proces kalimtar deri në 2017, është menduar që me ligj këto zyra administrative të mbahen deri në 2017-ën dhe më pas të jetë në diskrecionin e këshillave nëse në zona të caktuara duhet të mbahen apo jo. Të drejtën për të përcaktuar organigramën dhe strukturën e bashkisë e ka kryetari i bashkisë”, – tha Çuçi. Në të njëjtën linjë me të, relatori i projektligjit, deputeti Bashkim Finoi, pohoi: “Futet koncepti i njësisë administrative. Bashkia e madhe ka disa njësi, pra ku përfshihen ish-komunat. Emërimin e tyre e bën kryetari i bashkisë, kryetarët e bashkive miratojnë organigramën. Për të marrë një shembull. Nuk do të ketë më zgjedhje në Bashkinë e Tiranës, por vetëm për kryetarin. Pra, në Tiranë do ketë zgjedhje për kryetarin e Bashkisë dhe ky do të emërojë kryetarët e njësive administrative”. Ndërkohë, sipas opozitës, ky ndryshim prek në thelb decentralizimin e pushtetit dhe e kthen zyrën e posaçme në një njësi klienteliste. “Qytetarët nuk do kërkojnë më llogari, por do kenë të emëruar, do kenë personazhe sekserë si këta që kemi parë kohët e fundit, që japin shërbime përkundër pretendimesh absurde. Këta administratorët do të jenë njerëz të emëruar të kryetarëve të besuar të kryeministrit, aty ku do zgjidhen”, – u shpreh Bylykbashi. Ndërkaq, opozita kërkoi në fillim të mbledhjes që shqyrtimi i projektligjit të shtyhej, pasi ai duhet të bëhej me konsultë të ekspertëve vendas dhe të huaj. Ky propozim nuk u pranua, por në bazë të propozimit të relatorit Bashkim Fino u vendos që të mblidhet nënkomisioni për pushtetin vendor, në të cilin do të zhvillohen konsultimet e kërkuara nga opozita. Ndërkohë, ministri Çuçi bëri të ditur se qeveria do të sjellë një ligj të ri për decentralizimin në muajin maj të këtij viti, ku nga ana e tyre demokratët kërkuan llogari se pse për 7 muaj më radhë mazhoranca nuk kishte shkruar asnjë rresht për këtë ligj të rëndësishëm për qeverisjen vendore. Pas rreth dy orësh diskutime, projektligji u votua në parim vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër.

Ndryshimet e ligjit/ Nuk ka më “komunë” e “rreth”, tani vetëm “lagje” e “kryesi fshati”

Ligji i ri për organizimin e pushtetit vendor, në kuadër të ndarjes territoriale administrative, parashikon heqjen e fjalëve “komunë”, “këshill komunal” apo “rreth”. Kështu, me këtë ligj, bëhet ndarja e bashkive të reja në lagje dhe në secilën prej tyre emërimi i një administratori.


Hetimi i serverit të tatimeve, PS shtyn mbledhjen

Komisioni i ngritur për hetimin parlamentar të ndërhyrjes në sistemin elektronik tatimor zhvilloi dje mbledhjen e dytë të tij, gjatë së cilës anëtarët miratuan rregulloren e veprimit. Pika më e rëndësishme e axhendës, ajo e vlerësimit të të dhënave që përbëjnë plan paraprak hetimi, u shty me kërkesë të mazhorancës. Nënkryetari i këtij komisioni, Blendi Klosi, tha se koha në dispozicion për t’u njohur me planin e hetimit ishte e pamjaftueshme për anëtarët e mazhorancës. Komisioni hetimor synon kontrollin e zbatimit të legjislacionit për administrimin e bazës së të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar fenomenin e ndërhyrjes dhe bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency