Operacioni/ Shkatërrohet një tjetër bazë e përpunimit të drogës në Vlorë

0
24

Alma Çuka

 pakot me droge drogaaaaaaaaOperacioni “Mifoli” u finalizua me sekuestrimin e 103 kg lëndë narkotike dhe mjete të tjera që shërbenin për paketimin e drogës. Policia, në kërkim të pronarëve të banesës

Pas operacionit “Xibraka”, si pasojë e të cilit u shkatërrua një bazë e përpunimit të kokainës në Elbasan, një tjetër bazë shkatërrohet, këtë radhë në qytetin e Vlorës. Policia e Shtetit njofton se në bashkëpunim me forcat e Antidrogës kanë arritur të zbulojnë dhe të shkatërrojnë një bazë të grumbullimit dhe presimit të lëndës narkotike e llojit kanabis sativa. Shkatërrimi i kësaj baze u bë i mundur pas përfundimit të operacionit të koduar “Mifoli”. Në njoftimin e saj, Policia e Shtetit thotë se në datë 28.1.2015, nga strukturat e Drejtorisë dhe Komisariatit të Policisë mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative në zonën e Novoselës, është zbuluar se kishte lëndë narkotike dhe se një banesë përdorej si bazë për paketimin e saj. Për këtë qëllim është organizuar një operacion policor antidrogë i koduar “Mifoli” dhe është bërë ndërhyrja e menjëhershme në banesën e shtetasit A. V., banues në fshatin Mifol.

 

Kontrolli

Teksa janë futur në ambientet e banesës, policia ka ushtruar kontroll të imtësishëm. Ndërsa nuk ka mundur të arrestoi pronarin e saj, ndonëse e ka identifikuar. Sipas saj, ai njihet si një person me precedentë të mëparshëm penalë. Nga kontrolli i banesës së këtij shtetasi është bërë e mundur që të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 103 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, nga të cilat 55 kg ishin paketuar ndërsa pjesa tjetër do të paketohej, 1 presë metalike 20 T, që shërbente për paketimin e lëndës narkotike. Është sekuestruar një sasi e konsiderueshme ngjitësi dhe materiale plastike me të cilën paketohet lënda narkotike, si dhe automjeti tip “Mercedes-Benz Sel-280” me targë VL 1536 C, automjeti tip “Mercedes-Benz 250” me targë AA636 CY, automjeti tip “Nissan Patrol” me targë GJ 8253 A. Pas kryerjes së këtyre veprimeve, policia ka nisur hetimet për personin në fjalë. Madje, sipas policisë, thuhet se në kërkim është shpallur edhe një tjetër person që dyshohet se ka lidhje me këtë aktivitet kriminal. Ndërsa nuk lihet pa përmendur fakti se po hetohet në bashkëpunim dhe me hetuesit e krimeve të rënda për të zbuluar lidhjet e trafikantëve me persona të tjerë, për të cilët ende nuk ka të dhëna konkrete. Në vijimësi të hetimeve të kryera në lidhje me këtë ngjarje nga Policia është bërë shpallja në kërkim e shtetasve A. V. dhe L. V., si autorë të dyshuar për këtë aktivitet kriminal.

 

Trafiku

I menjëhershëm ka qenë hetimi i policisë për të lidhur organizimin e këtij trafiku me destinacionin. Sipas burimeve të Policisë së Shtetit, thuhet se droga pasi përpunohej dhe paketohej në banesën e zbuluar tashmë, nisej drejt tregut Italian. Të njëjtat burime thanë se në qytetin e Vlorë s’dyshohet se ka të tjera baza që përpunojnë drogën, kryesisht kanabisin dhe për këtë qëllim policia thotë se po punohet me intensitet. Duke pasur përkrahjen e Prokurorisë, policia ka kryer disa hetime të mëtejshme. Bëhet me dije se janë shoqëruar dhe marrë në pyetje disa nga familjarët e personit të shpallur në kërkim. Po kështu thuhet se pronari i banesës së përshtatur si laborator droge dhe magazinë, ka pikasur forcat e rendit në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës dhe duke përfituar nga errësira është larguar. Zona ku dyshohet se është larguar i kërkuari është krehur nga policia, ndërsa veprimet hetimore kanë vazhduar më tej.

 

 Fier/ Përvetësoi paratë e energjisë, pranga ish-punonjësit të OSHEE-së

Përvetësoi paratë e faturave të energjisë elektrike, vihet në pranga një punonjës i OSHEE-së në Mallakastër. Gjatë ditës së djeshme u bë ndalimi i 41-vjeçarit Fredi Sulejmanaj, me banim në fshatin Fratar të Mallakastrës. Prangosja e tij u bë pasi më 22 janar në ngarkim të tij ka bërë kallëzim 54-vjeçari A. H., i cili ka thënë në polici se gjatë vitit 2010 ka paguar faturat e energjisë elektrike në shumën 66758 mijë lekë të reja te Sulejmanaj, ish-punonjës i OSHEE-së Fier. Nga verifikimet ku 54-vjeçari rezultonte debitor, është zbuluar se Sulejmanaj e ka përvetësuar këtë shumë dhe nuk e ka derdhur pranë ndërmarrjes OSHEE Fier.

 

Shkodër/ Merr flakë një automjet, rrethanat e paqarta

Një makinë është djegur në qytetin e Shkodrës, në rrethana ende të paqarta. Gjatë ditës së djeshme në lagjen “3 Heronjtë”, është djegur automjeti tip “Nissan” me targë KS 04685 B në pronësi të shtetasit nga Kosova, Xh. P., 55 vjeç, lindur në Prizren dhe banues në Shkodrës. 55 vjeçari ishte i punësuar si kuzhinier në një restorant në Shkodër dhe gjatë denoncimit në polici deklaroi se nuk dinte se kush mund t’i kishte vënë zjarrin makinës. Nga ana e uniformave blu vijojnë hetimet për hedhjen dritë mbi këtë rast si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.

 

Tiranë/ Dhunon gruan dhe shkatërron banesën, shkeli urdhrin e mbrojtjes

Ishte në proces divorci me gruan, por nuk e ka përmbajtur veten. Ka shkuar në banesë dhe në grindje e sipër e ka shkatërruar atë. Por nuk ka ndalur këtu. Ai ka dhunuar dhe bashkëshorten. Për këtë qëllim autori i kësaj skene është vënë në prangat e policisë. Ai është një 54-vjeçar nga kryeqyteti. Natën e së mërkurës policia kreu arrestimin e tij në flagrancë. Bëhet fjalë për Kajo Qazimllarin, 54 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar për shkatërrim prone. Qazimllari në gjendje të dehur ka thyer të gjitha pajisjet e banesës duke shkelur urdhrin e mbrojtjes ndaj gruas së tij L. Qazimllari. Mësohet se çifti Qazimllari ishte në proces divorci, pas dhunës së vazhdueshme të ushtruar nga 54-vjeçari ndaj së shoqes.