Vendimi në Konferencën e Kryetarëve/ Komision i përbashkët parlamentar, shqyrton dekriminalizimin dhe vendimet e Kushtetueses

0
157

Gëzim Saliu

 Konferenca e KryetarevePD në Konferencën e Kryetarëve: Për reformën në drejtësi, numër të barabartë pjesëmarrësish në komision, bashkëkryesim dhe të drejtë vetoje

Mazhoranca dhe opozita vendosën me konsensus dje në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për të ngritur një komision të përbashkët parlamentar për zbatimin e marrëveshjes së dhjetorit, i cili do të trajtojë si dekriminalizimin e Kuvendit dhe të administratës ashtu edhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ky komision do të drejtohet nga Partia Demokratike. “Ramë dakord të ngrihet një komision i cili të shqyrtojë të tria çështjet. Komisioni do të kryesohet nga opozita dhe do të përbëhet nga 7 anëtarë. Projekti do t’i paraqitet seancës plenare për miratim”, – u shpreh nënkryetari i PD-së, Edmod Spaho, pas përfundimit të mbledhjes në Kryesinë e Kuvendit.

 

Reforma në drejtësi

Ndërkaq, në mbledhjen e djeshme, PD dorëzoi edhe kërkesën e saj për ndryshimin e komisionit të reformës në drejtësi, duke synuar bashkëdrejtimin e tij si edhe numër të njëjtë anëtarësh. “Kërkuam që komisioni për reformën në drejtësi të funksionojë mbi bazën e konsensusit, të jetë në numër të barabartë pjesëmarrja ndërmjet pozitës dhe opozitës, kërkesë e cila do të shqyrtohet në një mbledhje të ardhshme të Konferencës së Kryetarëve”, – tha Spaho. Në fillimin e javës, PD iu drejtua përmes një kërkese Kryeparlamentarit për të marrë bashkëdrejtimin e komisionit dhe të drejtën e vetos. Në përbërje të komisionit do të ketë 12 anëtarë, nga të cilët, 6 janë përfaqësues të pozitës dhe 6 përfaqësues të opozitës. Komisioni i posaçëm do të kryesohet nga dy bashkëkryetarë, 1 nga pozita, PS dhe 1 nga opozita, PD. Sipas demokratëve, me këto ndryshime mbledhjet e komisionit janë të vlefshme, vetëm kur thirren dhe janë të pranishëm të dy bashkëkryetarët, ndërkohë që kjo synon dhe arritjen e konsensusit për të gjitha propozimet e marra. “Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme, kur thirren dhe janë të pranishëm të dy bashkëkryetarët, dhe në to marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Vendimmarrja e komisionit do të synojë të arrijë konsensusin për të gjitha propozimet e marra. Vendimet e Komisionit quhen të miratuara me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve dhe vetëm kur pro tyre kanë votuar në unanimitet të dy bashkëkryetarët e Komisionit”, – thuhet në shkresë. Kjo kërkesë e depozituar në Kuvend është vendosur si kusht nga demokratët për t’iu bashkuar komisionit të ngritur me nismë të mazhorancës. “Menjëherë sapo Kuvendi të miratojë projektvendimin bashkëlidhur, opozita parlamentare do të paraqesë përfaqësuesit e saj në këtë Komision, duke mundësuar funksionimin me përbërje të plotë të komisionit të posaçëm për reformën në sistemin e drejtësisë, thuhej në kërkesën e PD-së. Aktualisht, komisioni i reformës në drejtësi është konstituuar me 11 anëtarë, ku 5 ka opozita dhe 6 mazhorancë përfshirë dhe kryetarin Fatmir Xhafaj. Ndërkohë në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve, në diskutim kanë qenë edhe dy propozimet e opozitës për uljen e taksës së qarkullimit në 7 lekë për litër nafte dhe uljen e TVSH-së për energjinë në nga 20% në 6% lekë.

 

 Vendim i qeverisë/ Krijohet Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale

Qeveria vendosi dje të krijonte Agjencinë për Zbatimin e Reformës Territoriale, e cila do të synojë garantimin e vazhdueshmërisë së funksioneve dhe shërbimeve publike në nivel vendor. AZRT-ja do të ketë si qëllim mundësimin e zbatimit të reformës administrativo-territoriale nëpërmjet bashkërendimit të të gjitha masave, proceseve dhe mbështetjes administrative deri në arritjen e funksionalitetit të plotë të 61 bashkive të reja. “AZRT-ja ka këto detyra dhe përgjegjësi specifike: a) Mbështet ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore në bashkërendimin e masave dhe proceseve ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organeve të qeverisjes vendore, në kuadrin e zbatimit të reformës administrativo-territoriale; b) mbështet dhe udhëzon punën administrative të institucioneve shtetërore dhe organeve të qeverisjes vendore për zbatimin e legjislacionit në fuqi, në kuadër të zbatimit të reformës administrativo-territoriale; c) Ofron shërbime për njësitë e qeverisjes vendore, në kuadrin e zbatimit të reformës administrativo-territoriale; ç) Bashkërendon punën me organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë që mbështetin reformën administrativo-territoriale; d) Ndërmerr dhe/ose zbaton projekte në mbështetje të njësive të qeverisjes vendore për garantimin e funksionalitetit administrativ dhe infrastrukturor, në kuadrin e reformës administrativo-territoriale; dh) Ndihmon në hartimin e ndryshimeve dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor për zbatimin e reformës administrative-territoriale”, – thuhej në vendimin e qeverisë.

 

 Ndryshimet/ Rama ia beson Turizmin Ahmetajt, Gjermeni ngel vetëm me Zhvillimin Urban

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi dje emërimin e Arben Ahmetajt në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ndërsa ka emëruar Eglantina Gjermenin në krye të Ministrisë së Zhvillimit Urban. Sipas dekreteve të Kreut të Shtetit, vihet re se është dekretuar fillimisht shkarkimi i Eglantina Gjermenit nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe më tej ka dekretuar emërimin e saj në krye të Ministrisë së Zhvillimit Urban. Më tej, Presidenti ka dekretuar shkarkimin e Ahmetajt nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, teksa e emëroi në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes. Me këtë lëvizje duket se Kryeministri Rama nuk ka qenë i kënaqur nga performanca e deritanishme e ministres Gjermeni, duke kthyer nga ana tjetër në një superministri atë të drejtuar nga Ahmetaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency