“Pasi mban me kokëfortësi çmimin më të lartë në rajon e në Evropë të karburantit për shkak të taksave të përsëritura që ka vënë, tani, kur qytetarët protestojnë, vendos t’i ndëshkojë sërish ata”
Partia Demokratike ka akuzuar drejtpërdrejt Kryeministrin Edi Rama se me urdhër të këtij të fundit Policia e Shtetit është hakmarrë ndaj drejtuesve të makinave, duke vendosur gjoba për protestën e dy ditëve më parë. Partia Demokratike këtë veprim e sheh si rikthim të regjimit të vjetër, që kërkon të nënshtrojë me forcë qytetarët. Ndaj këtij denoncimi reagoi Ministria e Brendshme, sipas së cilës, të hënën, kur u mbajt protesta e DP-së me ndalimin e makinave për 5 minuta, drejtuesit e makinave shkaktuan kaos në rrugët e vendit, ndërsa shtoi se masat administrative ndaj tyre u ndërmorën pasi një pjesë e tyre ishin debitorë, nuk kishin paguar gjobat.
Denoncimi
Partia Demokratike denoncoi se menjëherë pas mbarimit të protestës, Policia e Shtetit ka marrë targat e një pjese prej tyre, me qëllim që t’i ndëshkonte. “Menjëherë pas protestës së qytetarëve kundër çmimit të lartë të karburantit, Edi Rama ka nisur hakmarrjen, duke e urdhëruar Policinë e Shtetit në një ofensivë gjobash e ndëshkimesh për drejtuesit e mjeteve që ndaluan të hënën për 5 minuta makinat. Megjithëse Policia e Shtetit ishte vënë në dijeni për këtë protestë, ajo ka marrë urdhër të gjurmojë makinat e targat dhe të ndëshkojë qytetarët që u ngritën kundër taksave të larta të Edi Ramës”, – tha zëdhënësja e selisë blu, Oriela Nebiaj. PD ka vlerësuar se kjo praktikë e ndëshkimit është reagim i një “oligarku”, që nuk ka reflektuar për protestën e qytetarëve që reaguan kundër çmimit të lartë të naftës ne vendin tonë, por që refuzon të dëgjojë. “Ky është reagimi i një oligarku që sundon mbi qytetarët dhe që refuzon të dëgjojë zërin e tyre. Shqiptarët gjetën një mundësi për të shprehur edhe një herë shqetësimin dhe kërkesën e tyre për uljen e çmimit të naftës, duke refuzuar për 5 minuta tarifat e qeverisë. Kjo erdhi pas kërkesave të përsëritura, por të injoruara nga Edi Rama”, – tha ajo. “Pas kësaj lëvizjeje masive, mbarëpopullore, në çdo rrugë të Shqipërisë, pritej normalisht që Kryeministri të reflektonte, siç do të bënte çdo kryeministër normal i një vendi normal. Po çfarë bën Edi Rama? Ndëshkon me gjoba, duke thelluar politikën e tij të kërbaçit ndaj qytetarëve. Pasi mban me kokëfortësi çmimin më të lartë në rajon e në Evropë të karburantit për shkak të taksave të përsëritura që ka vënë, duke ndëshkuar ekonominë e çdo familjeje në vend, tani, kur qytetarët protestojnë, vendos t’i ndëshkojë sërish ata. Dhunë ndaj qytetarëve, e njëjta dhunë që vazhdon që prej ditës së parë kur erdhi në pushtet, teksa nga ana tjetër, Edi Rama ruan dhe konsolidon favoret dhe paprekshmërinë ndaj njerëzve të tij, ndaj klientelës së tij”, – vijoi ajo. Në këtë kontekst, Partia Demokratike ka ripërsëritur qëndrimin e saj për vijimin e protestave në ditët në vijim. “Këto janë shenjat e një regjimi që ka humbur legjitimitetin, që kërkon të nënshtrojë me forcë qytetarët e vendit. Të tillë regjim e ka vuajtur ky vend për shumë vite. Manovra dhe gjeste policore si këto bënte regjimi i vjetër në agoninë e tij. Qytetarët e vendit do të ngrihen edhe më të shumtë, edhe më të bashkuar. Ky regjim oligarkësh që varfëron popullin, krijon papunësi e padrejtësi, do të ndalet. Partia Demokratike do të jetë në krye të protestave, që nuk do të ndalen, derisa e keqja të shkulet me rrënjë”, – tha zëdhënësja e PD-së.
Reagimi
Ministria e Brendshme e cilësoi denoncimin e PD-së, shpifje. MB sqaroi se, edhe pse 330 automjete shkelën nenin 20 të Kodit Rrugor më 26 janar, nuk u ndërmor asnjë gjobë ndaj tyre. “Duke vlerësuar si shpifje të radhës, deklaratat e Partisë Demokratike, Ministria e Punëve të Brendshme sqaron se në të gjithë territorin e vendit në datë 26.1.2015, shërbimet e Policisë Rrugore morën masa për të menaxhuar trafikun e rënduar dhe nuk kanë vendosur asnjë masë administrative me gjobë për mjetet, megjithëse ato ndaluan në kundërvajtje, duke bllokuar trafikun dhe sollën shqetësim dhe vonesë për përdoruesit e tjerë të rrugës. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë identifikuar të paktën 330 automjete që ndaluan duke bllokuar trafikun, kryesisht autovetura, të cilat shkelën nenin 20 të Kodit Rrugor që parashikon: “cilido që zë sipërfaqen rrugore pa lejen përkatëse ose që, duke pasur leje, nuk zbaton kushtet e saj, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë”, por për asnjë prej tyre nuk është marrë masë”. Por stacionimi për 5 minuta në praninë e policëve u ka shërbyer këtyre të fundit që të bëjnë verifikime të tjera. Sipas reagimit të Ministrisë së Brendshme, rreth 30% e këtyre mjeteve janë konstatuar si debitorë, me gjoba të papaguara. “Ndërkohë që sipas verifikimeve, rreth 30% e këtyre mjeteve janë konstatuar edhe si mjete debitore, duke pasur minimumi të paktën dy gjoba të papaguara dhe maksimumi 19 gjoba ose ishin mjete pa kontratë sigurimi të detyrueshëm. Policia e Shtetit është e vendosur në çdo rast të godasë paligjshmërinë, e çdo forme qoftë, e për këtë arsye fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë në luftën e përbashkët kundër informalitetit, paligjshmërisë dhe kriminalitetit duke garantuar një Shqipëri më të sigurtë, ku ligji është i barabartë për të gjithë pa dallim”, – ishte reagimi i MB-së.
Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale/ Serveri i tatimeve, Halimi: Asnjë fjalë për vjedhjen e të dhënave personale të 4 milionë subjekteve
Dje ishte Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, por asnjë institucion nuk reagoi.
Këtë e theksoi ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i cili u risolli në vëmendje hyrjen e serverin e tatimeve, gati një vit më parë. “Asnjë fjalë sot për vjedhjen e serverit të tatimeve nga njerëzit e Kryeministrit, për vjedhjen e të dhënave personale të më shumë 4 milionë subjekteve.
Asnjë fjalë për çështjen e IMEI-t, kur Kryeministri me firmën e vet kërkoi të merrte të dhënat, të përgjonte dhe përndiqte 4 milionë përdoruesit e celularëve në Shqipëri, por ishte opozita që fitoi çështjen në gjykatë kushtetuese dhe e ndali. Kjo ndodh kur kapen institucionet e pavarura”, – tha ai dje.
Dy amendamentet, PD: Qeveria të firmosë sa më shpejt, ndryshe sërish protesta
Pas dorëzimit të dy amendamenteve që Partia Demokratike ka çuar në Kuvend, nënkryetari demokrat i Parlamentit, Edmond Spaho, i bëri thirrje Kryeministrit Rama që të firmosë sa më shpejt. Amendamentet konsistojnë në uljen e TVSH-së për energjinë dhe një tjetër për taksën e qarkullimit. Sipas Spahos, nëse Edi Rama nuk i miraton këto dy iniciativa, ai konfirmon edhe një herë se ka braktisur popullin e këtij vendi dhe është aty thjesht për interesat e tij dhe të klientelës që e rrethon. “Nëse Edi Rama nuk i miraton këto dy iniciativa, ai thjesht do të konfirmojë edhe një herë se ka humbur çdo kontakt me realitetin, ka braktisur popullin e këtij vendi dhe është aty thjesht për interesat e tij dhe të klientelës qe e rrethon”, – tha Spaho. “Në të kundërt, – vijoi Spaho – qytetarët do të ngrihen në protesta”.