Amendamentet në Kuvend/ PD kërkon bashkëkryesim të komisionit dhe barazi anëtarësh për reformën në drejtësi

0
115

Paloka: Me këto dy kërkesa minimale do të marrim pjesë dhe do të japim opsionet tona për reformën në drejtësi

palokaaa Partia Demokratike ka hedhur hapin e parë për të qenë pjesë e reformës, e konsideruar si më e rëndësishmja, që është ajo në drejtësi. Dje Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend një amendament ku parashtron dy kushte për të qenë pjesë e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi. kërkesat e selisë blu janë dy barazi anëtarësh të majtë dhe të djathtë dhe bashkëkryesim ose dy kryetarë nga secila palë politike. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, u shpreh dje në dorëzimin e amendamentit në Kuvend, se këto kërkesa do ta bëjnë opozitën të zinte vendet e saj në këtë proces dhe të jepte opsionet e veta për reformën, që deri më tani komisioni ka zhvilluar dy seanca me vetëm deputetët e mazhorancës.

 

Kërkesat e PD-së

Me përbërjen aktuale të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, që përbëhet nga 11 anëtarë, 6 nga deputetët e shumicës dhe 5 të opozitës, Partia Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë. Ky komision kryesohet nga deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, ndërsa zëvendëskryetari i takon Partisë Demokratike. Kjo e fundit kërkon ndryshime nga kjo përbërje, duke kërkuar barazi anëtarësh dhe dy bashkëkryetarë, pra ai që është nga PS-ja dhe një i dytë nga radhët e deputetëve të Partisë Demokratike. këtë e bëri të ditur dje nënkryetari i kësaj partie, Edi Paloka, duke shtuar se PD-ja ka dorëzuar në Kuvend një amendament për ndryshimet përkatëse në përbërjen e komisionit për reformën në drejtësi. Sipas Palokës dy kërkesat janë minimale dhe nuk ka asnjë arsye për të mos i pranuar. “Me këtë, nuk do ta quaja kusht, por kërkesë minimale, do të marrim pjesë dhe do të japim opsionet tona për reformën në drejtësi. Mendoj që është gjëja minimale, se nëse nuk do ta jepte konsensusin për këtë, është e kotë të flasim për konsensus më të madh si ndryshimi i ligjeve apo dhe Kushtetutës, se sa përbërja e komisionit”, – tha nënkryetari i Partisë Demokratike, Paloka, duke shtuar se kjo reformë bëhet për qytetarët dhe jo për interesat partiake.

 

Përbërja e komisionit

Përbërja aktuale e komisionit për reformën në drejtësi, që deri tani ka zhvilluar vetëm dy seanca pa praninë e deputetëve të opozitës, është pikërisht ajo që kundërshtohet. Ky komision përbëhet nga kryetari që është caktuar deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, postin e zëvendëskryetarit ia kanë lënë PD-së, ndërsa e gjithë përbërja e anëtarëve qëndron në raportin e 6 anëtarëve nga shumica (PS-LSI) dhe 5 nga partitë opozitare, nga të cilët 3 anëtarët janë të Partisë Demokratike, 1 vend i takon një deputeti të Partisë Republikane dhe një anëtar nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet të Shpëtim Idrizit. Kërkesat e demokratëve konsistojnë në barazimin e anëtarëve të opozitës me ata të shumicës dhe një ndryshim tjetër ka të bëjnë me kryesimin e këtij komisioni. PD-ja kërkon bashkëkryetar.

 

Protesta

Kreu i grupit parlamentar të PD-së ka komentuar edhe protestën e dy ditëve më parë. Ai tha se qeveritë që veprojnë kundër interesave të popullit duhet të largohen, ndërsa mohoi që protestat zhvillohen me qëllim ardhjen e demokratëve në pushtet. “E kemi thënë që nuk ndryshon populli, ndryshon qeveria, nëse shkon kundër interesave të popullit. Për ne kjo qeveri i ka mbushur ditët e saj dhe nuk shihet fare dritë në fund të tunelit të Edi Ramës. Sa më shumë t’i thuash që po e bën gabim një gjë, aq më shumë i thellon ato. Gjithë kjo stinë protestash do çojë në largimin e kësaj qeverie pasi populli nuk mund të largohet”, – tha Paloka. “Nuk kemi as synime dhe as investime për të pasur përfitime politike. Kemi protestuar për ulje taksash, problemet e kriminalitetit, uljen e çmimeve, kërkesat të cilat i kanë qytetarët të cilët na kanë vënë në presion, duke na kërkuar, që jo vetëm të bëhemi pjesë e tyre, por edhe t’i drejtojmë”, – vijoi ai.

 

Përbërja aktuale

  1. Fatmir Xhafaj PS kryetar
    2. ____________ PD zëvendëskryetar
    3. Armando Subashi PS sekretar
    4. Pandeli Majko PS anëtar
    5. Vasilika Hysi PS anëtare
    6. Ulsi Manja PS anëtar
    7. Spartak Braho LSI anëtar
    8. _________________ PD anëtar
    9. _________________ PD anëtar
    10. _________________ PR anëtar
    11. _________________ PDIU anëtar

 

 

PD, dy amendamente për uljen e çmimit të naftë dhe energjisë

 Partia Demokratike ka dorëzuar dje në Kuvend dy amendamente nëpërmjet të cilëve kërkon heqjen e taksës së qarkullimit dhe uljen e TVSH-së për energjinë në masën 14 për qind. Nëpërmjet deputetes Jorida Tabaku, Partia Demokratike i bëri thirrje mazhorancës që këto dy amendamente t’i shqyrtojë në seancën parlamentare të kësaj të enjteje. Partia Demokratike paraqet sot në Kuvend amendamentet për ndryshimin e ligjit për taksat kombëtare dhe ndryshimin e ligjit për TVSH duke propozuar; heqjen e rritjes së taksës së qarkullimit dhe rikthimin në nivelin e mëparshëm; dhe dy, uljen me 14% të TVSH për energjinë elektrike sipas vetë premtimit elektoral të Edi Ramës”, – tha Tabaku. sipas deputetes demokrate, qytetarët shqiptarë folën qartë me pjesëmarrjen e tyre në protestën kundër çmimit të lartë të naftës në vendin tonë. “Përllogaritja e këtyre taksave tregon se qytetarët dhe bizneset paguajnë për çdo litër karburant, 1008 lekë taksën-Rama. Kjo e ka shndërruar Shqipërinë në vendin ku paguhet më shtrenjtë karburanti, edhe pse me të ardhurat më të ulëta në Evropë, teksa në rajon nafta dhe benzina blihet nga 120 dollarë fuqia 8 muaj më parë, në 48 dollarë sot. Abuzimi i qeverisë Rama-Meta me qytetarët, veçanërisht me ata në nevojë, vazhdon me rritjen nga 7.7 lekë në 9.5 lekë të çmimit të energjisë. Që do të thotë efektivisht një rritje prej 25 për qind për shumicën e qytetarëve ndërkohë që të ardhurat e tyre janë më pak se sa vitin e shkuar. Protesta e djeshme ishte refuzim ndaj rritjes së çmimeve e rritjes së taksave që ka sjellë mbylljen e vendeve të punës, rënien e konsumit, rritjen e papunësisë dhe varfërisë dhe futjen e vendit në spiralen e krizës ekonomike”, – tha Tabaku duke kërkuar që qeveria të reflektojë në lidhje me kërkesat pasi në të kundërtën në vijim do të ketë përshkallëzim protestash ndaj çdo pakënaqësia që ka populli ndaj qeverisë “deri në largimin e saj”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency