Akuzat për trukim/ Prokuroria nis hetimet për ndeshjen Flamurtari-Teuta

0
140

Jurges Veizaj

 flamurtari-teutaDyshimet e mëdha për golin në minutat e fundit të Flamurtarit kanë qenë edhe shkaku që Prokuroria ka nisur kryesisht hetimin mbi akuzën për fiksimin e rezultatit

Zhurma e madhe e krijuar pas ndeshjes Flamurtari-Teuta duket se nuk do të lihet me kaq. Minutat e fundit shtesë, një lojë amatore e mbrojtjes së Teutës, me gabime shumë lehtë të dukshme të inskenuara, sollën edhe golin e Flamurtarit. Një barazim ky që pas përfundimit të ndeshjes u shoqërua me polemika të mëdha dhe menjëherë do të ndizte një interes të madh publik. Për këtë fakt organet kompetente për zbatimin e ligjit, por edhe ato të sportit kanë nisur punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Fiksimi i ndeshjes konsiderohet si një ndër aktet më të rënda në botin e futbollit dhe sigurisht që ky rast do të ketë edhe një hetim të hollësishëm. Reagimi i parë ka ardhur edhe nga Prokuroria e qytetit të Vlorës, që ka nisur hetimet, duke analizuar 95 minutat e zhvilluara në fushë, si dhe duke konfiskuar kasetat nga kamerat e sigurisë në stadiumin “Flamurtari”. Prokuroria e qytetit të Vlorës i paraprin hetimit të Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, pa pasur nevojën e ndonjë kallëzimi penal apo akuze të ngritur nga palët. Ky nuk është rasti i parë kur një ndeshje futbolli përfundon nën hetim, por në të gjitha rastet hetimi është mbyllur pa dhënë një pretencë.

 

Komisioni i Etikës mblidhet sot, shqyrton minutat e fundit

Komisioni i Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit do të mblidhet sot për të shqyrtuar minutat e fundit të takimeve Flamurtari-Teuta dhe Laçi-Partizani, ku u panë parregullsi në fushë nga ana e futbollistëve të Teutës dhe Laçit. Gjithçka vjen jo vetëm pas pamjeve të drejtpërdrejta të këtyre dy takimeve, por edhe pas akuzave që erdhën nga drejtuesit e Flamurtarit për tolerim nga ana e skuadrës mike në minutat e fundit. Burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bëjnë të ditur që Komisioni i Etikës u thirr me urgjencë për të marrë në shqyrtim këto dy takime që në ditën e sotme, por mungesa e njërit prej anëtarëve të këtij Komisioni, i cili gjendet jashtë vendit për arsye personale, ka bërë që mbledhja të shtyhet për të martën.

 

Presidenti i Teutës mohon akuzat

I pranishëm në stërvitjen e ditës së djeshme në stadiumin “Niko Dovana” ishte dhe presidenti i klubit durrsak, Edmond Hasanbelliu. Ky i fundit ka sqaruar pozicionin e ekipit të tij, duke hedhur poshtë akuzat. Presidenti i Teutës u përgjigjet edhe akuzave të drejtuesve të klubit Flamurtari, të cilët menjëherë pas ndeshjes të ditës së shtunë kërkuan një hetim të gjithanshëm.

 

Presidenti i Flamurtarit, i shqetësuar, FSHF kundër manipulimit të rezultatit

Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, e konsideroi një komedi të turpshme sjelljen e futbollistëve të Teutës në përfundim të takimit me vlonjatët, që morën tri pikë të dyshimta pas pasivitetit të lojtarëve durrsakë në kohën shtesë. Sipas numrit një të klubit kuqezi, është vënë në pikëpyetje vetë kampionati shqiptar. “Ishte një komedi e turpshme që tregon se është i sëmurë i tërë sistemi dhe që vë në pikëpyetje kampionatin. Kjo që po ndodh vë në diskutim vazhdimësinë time dhe të ortakëve te mi në krye të Flamurtarit”, – u shpreh Idrizi. Madje, ai u bëri edhe një ftesë të hapur të gjithë presidentëve të Superiores për të dalë nga kjo krizë e thellë morale, duke mos lejuar kuotimin e skuadrave shqiptare në kompanitë e basteve. “I ftoj të gjithë presidentët e Superiores që t’i heqim ekipet tona nga bastet. Kjo është një sfidë që u bëj kolegëve të mi, që ndoshta kanë më shumë eksperiencë, për ta zhbërë këtë sistem”, – vijon presidenti i Flamurtarit. Nëse nuk do të ketë një reagim nga organet përkatëse për të mbrojtur investimet e ndershme të tij dhe të ortakëve të tjerë turq, Idrizi paralajmëroi tërheqjen nga investimet në futbollin shqiptar. “Nëse nuk merren masa, sigurisht që unë nuk mund të vazhdoj të qëndroj në këtë detyrë. Për këtë as që duhet të keni dyshim”, – paralajmëroi Idrizi. Ndërkohë, për sfidën ka reaguar edhe FSHF që ka urdhëruar të gjitha instancat e saj për të mbledhur faktet dhe për të nxjerrë para përgjegjësisë aktorët e futbollit farsë. Numri 2 i këtij institucioni, Ilir Shulku, ka drejtuar menjëherë gishtin nga Komisioni i Etikës, nga i cili ka kërkuar që të hetojë për çdo anomali të mundshme në ndeshjen e luajtur dje në Vlorë. I kontaktuar nga Shulku ka theksuar se federata është apriori kundër çdo dyshimi për manipulim rezultati, teksa pikërisht për të luftuar trukimin e ndeshjeve, është krijuar para tre vitesh edhe Komisioni i Etikës. “Për të qenë korrekt me mediat, por edhe me opinionin futbolldashës, dua të saktësoj se Federata Shqiptare e Futbollit, si një institucion, ka qenë është dhe do jetë në luftë të përhershme ndaj çdo anomalie sado e dyshimtë qoftë ajo, në mbrojtje të vlerave që sjell loja e bukur e futbollit. Pikërisht në këtë kontekst u krijua para tre vitesh edhe Komisioni i Etikës, me personalitete nga fusha e sportit dhe juridike, ndaj edhe për rastin në fjalë, jam i bindur se ky komision do të nisë menjëherë nga hetimi”, – ka thënë Shulku. Shulkut i është kërkuar edhe një mendim personal, si një ish-lojtar, por sekretari i FSHF-së ka saktësuar se për arsye personale nuk ka mundur ta shikojë ndeshjen në televizion apo stadium.

 

Edhe tifozët e Partizanit në protestë

 Minutat e fundit në dy takimet e zhvilluara në Vlorë dhe Laç kanë ndezur dhe një protestë të tifozëve në rrjetet sociale, madje tifozët e Partizanit pas kthimit nga Laçi kanë protestuar pikërisht në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit për të nxitur këtë të fundit të marrë masat e duhura. Me rezultatin të mbërthyer në shifrat 1-1 sinjalin e parë e dha Buljan me një 11-metërsh të goditur ne mënyrë të gabuar, por një gabim mund të ndodhë, ajo që e bëri edhe më dyshues takimin ishin rastet e panumërta të Partizanit në minutat e fundit. Të kuqtë nuk arritën të realizonin, megjithatë reagimi i tifozëve të tyre ishte po i njëjtë me homologët vlonjat, madje fansat e Partizanit bën e dhe më shumë. Në mënyrë simbolike ata ndezën qirinj për të treguar se “futbolli vdiq”, duke iu referuar dy takimeve të sipërpërmendura. Një veprim për t’u përgëzuar kur në shumë raste skuadra që përfiton apo tifozët e asaj skuadre qëndrojnë të strukur duke shijuar pikët e marra, por kësaj here jo. Mbështetësit e Partizanit paralajmëruan se nëse nuk merren masat e duhura protestat do të vazhdojnë, ndërkohë që gjithçka ndodhi do të ekzaminohet nga Komisioni i Etikës ditën e martë.

 

Interi nënshkruan me Brozoviçin

Interi ka konfirmuar se ka siguruar shërbimet e mesfushorit Marçelo Brozoviç. Zikaltrit do t’i paguajnë Dinamo së Zagrebit tetë milionë euro për futbollistin 22-vjeçar. Për shërbimet e mesfushorit kroat ishte i interesuar edhe Arsenali, megjithatë klubi italian arriti që ta transferonte. Në këtë mënyrë, Interi është në avantazh të dyfishtë kundrejt klubeve angleze, pasi arriti t’ia rrëmbente Liverpulit edhe Xherdan Shaqirin. Brozoviç, i cili ka luajtur për Dinamon e Zagrebit nga viti 2012, pritet t’i shërbejë Roberto Mançinit për rimëkëmbjen e skuadrës që gjendet në një situatë krize.

 

Fabregas: Murinjo dhe Çelsi, dy inatet e vjetra

Çesk Fabregas ka pranuar se Çelsi ka qenë skuadra që më së shumti ka dashur ta mposhtë, para se të transferohej në “Stamford Bridge”. Mesfushori spanjoll ka kaluar disa vite si rival i “bluve”, fillimisht te Arsenali, pastaj edhe te Barcelona kur u krijua një rivalitet me katalanasit në skenën evropiane. Sidoqoftë, në verën e kaluar, ai nënshkroi për klubin londinez për 30 milionë funte. “Kishim një rivalitet shumë të fortë me Murinjon. Asnjëherë nuk arriti nivelin e urrejtjes, as afër, por kishim papajtueshmëri me të dhe Terrin. Çelsi ka qenë gjithmonë skuadra që doja më së shumti ta mposht”, – ka deklaruar 27-vjeçari për “El Pais”. Ai ka thënë se tri vite më parë, kur Fabregas luante te Barça, ndërsa Murinjo ishte trajner i Realit të Madridit, mesfushori as që kishte ëndërruar se mund të luante nën urdhrat e portugezit.

 

 Rodrigez: Reali, klubi më i madh në botë

Reali i Madridit është klubi më i madh në botë. Ky është mendimi i talentit kolumbian Xhejms Rodrigez. Mesfushori kolumbian nënshkroi për kampionin e Evropës në verën për 84 milionë euro nga Monakoja, pas një paraqitjeje mbresëlënëse në Kampionatin Botëror me përfaqësuesen e tij. Në gjashtë muajt e parë në “Santiago Bernabeu”, 23-vjeçari është bërë pjesë e rëndësishme e ekipit të Karlo Ançelotit duke shënuar 10 gola në 32 paraqitje. “Është ndryshe kur e sheh nga jashtë, ndërsa kur vjen këtu e kupton shkallën e vërtetë të gjërave, është krejt diçka tjetër”. “Gjithmonë e kam konsideruar klub të madh, por tashmë nga brenda, mund t’ju them se është klubi më i madh në botë, pa dyshim”, – ka theksuar Xhejmsi për faqen zyrtare të FIFA-s.

 

 Nejmar: E kuptoj Ronaldon, por duhet të ndëshkohet

Ylli i Barcelonës, Nejmar, thotë se ai e kupton acarimin e Kristiano Ronaldos pasi u ndëshkua me karton të kuq gjatë fitores 2-1 të Realit të Madridit ndaj Kordobës. Portugezi u përjashtua për ndërhyrje në “Edimar Fraga”, edhe pse më herët pamjet treguan se ai kishte goditur edhe një tjetër kundërshtar, Hose Angel Krespo, veprim që kishte kaluar pa u vërejtur nga gjyqtari. Fituesi i Topit të Artë më vonë kërkoi falje në mediat sociale. Nejmar ka komentuar rastin duke thënë se gjëra të tilla janë të zakonshme. “Është vështirë pasi ndonjëherë ka provokim”, – ka thënë Nejmar. “Kjo i ndodhi Zinedin Zidanit, më ka ndodhur edhe mua. Askush nuk e ka durimin për të mbetur i qetë 100 për qind gjithë kohën. Ne duhet të mendojmë me kokën tonë. Mendoj se ai duhet të ndëshkohet. Është detyra e gjyqtarit t’i mbrojë lojtarët në fushë, pjesërisht kur ata janë pjesë i ndërhyrjeve të ashpra. Ndërhyrjet e ashpra duhet të ndëshkohen”, – ka shtuar braziliani.

 

 De Biazi: Ndaj Armenisë, me këmbë në tokë

Tekniku i kuqezinjve është shprehur se ndeshja kundër Armenisë është shumë e rëndësishme për kombëtaren shqiptare. Me këtë rast italiani u ka bërë thirrje futbollistëve kuqezi që të qëndrojnë më këmbë në tokë. “Na pret një takim mjaft i vështirë kundër Armenisë. Do të jetë një udhëkryq i rëndësishëm për të ardhmen e kombëtares sonë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të përpiqemi të përmirësohemi në mënyrë graduale”, – ka thënë De Biazi. Shqipëria luan më 29 mars kundër Armenisë për eliminatoret e Francë 2016.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency